Aktualitet

Kosovë, mjekët në grevë me kërkesë për miratimin e ligjit për paga














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 22:41 - 02/12/21 |
mapo.al

Kosovë, mjekët në grevë me kërkesë për miratimin e ligjit për paga


Nga Leonat Shehu – VOA






Shumë qytetarë u kthyen të enjten pa shërbime shëndetësore nga Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës, për shkak të grevës së punonjësve shëndetësorë që kërkojne miratimin e ligjit për pagat që mundëson rritjen e pagave për të gjithë punonjësit e këtij sektori.


“Kam ardhë të bëj një kontroll, desha të marr udhëzim për radiologji, kam një lëndim në këmbë. Nuk kishte asnjë shërbim”, tha Mirnije Halili.







“Ne erdhëm të marrim disa barna sepse unë e kam sheqerin, tensionin, vuaj prej veshkave dhe erdha t’i marr këtu por thanë se kemi grevë dhe më thanë se nuk munden të punojnë derisa nuk i marrin parasysh rrogat”, tha Ismail Krasniqi.




Kryetari i Sindikatës së Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Sherif Makolli tha se përfaqësuesit e punonjësve shëndetësorë duhet të jenë pjesë e hartimit të ligjit mbi pagat.



“Hapat e mëtutjeshëm sigurisht se do të jenë më radikal përndryshe ne nuk do të zmbrapsemi, është kërkesë legjitime, është kërkesë e punëtorëve të cilën ne jemi të detyruar ta çojmë deri në fund”, tha ai.

Në muajin shkurt të vitit 2019 qeveria e Kosovës miratoi ligjin për pagat i cili u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese në muajin qershor të vitit të kaluar për shkak të siç u tha, mospërputhshmërisë me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë të Kosovës, Blerim Syla, thotë se qeveria është dashur ta dërgojë për miratim në parlament projektligjin e ri gjatë muajit tetor, por kjo nuk ka ndodhur.

“Ligji i pagave do të krijonte një barazi sociale. Siç e dini punëtorët shëndetësor në Kosovë janë në gjendje shumë të vështirë, paga më e mirë e një specialist sillet rreth 620 euro, një mjeku të sapodiplomuar 500 euro ndërsa një infermierë nga 377 deri 402 euro. Mundeni me marr me mend që këta heronj që kanë mbajtur dy vjet vetëm me pandemi se si konsiderohen”, tha ai.

Por, qeveria e Kosovës thotë se ligji për paga në sektorin publik është ndër ligjet me komplekse në agjendën e tyre legjislative. Në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka ngushtuar terrenin për hartimin e këtij ligji dhe këto janë arsyet shtesë pse hartimi i tij kërkon më shumë kohë, në mënyrë që të trajtohen gabimet e kaluara që kanë krijuar pabarazi.

Zoti Syla thotë se javën e ardhshme do të shqyrtohen veprimet e mëtejme dhe nuk përjashton mundësinë e një greve të përgjithshme.

“Mendoj se ky ligj do të rregullonte çështjen e punonjësve shëndetësore dhe do të parandalonte largimin e mjekëve nga Kosova por jo vetëm nga Kosova sepse tash e kemi edhe fenomenin tjetër ku brenda këtij viti janë larguar 40 mjekë specialistë nga spitali publik në atë privat dhe kjo është arsyeja që ne duhet të qëndrojmë të fortë me grevë dhe të kërkojmë të drejtat edhe për arsye financiare por mbi të gjitha të ruajmë trurin dhe të rinjtë. Përndryshe pas 10 vite do të pësojmë një kolaps në shëndetësi sepse mosha mesatare tek punëtorët shëndetësor është 53 deri 57 vjeç”, tha ai.

Ndërkohë sindikatat e arsimit, doganave, policisë dhe zjarrfikësve që kishin paralajmëruar greva për muajin dhjetor, thanë te enjten se do t’i japin afat qeverisë që deri në fund të muajit mars, ligji për pagat të hidhet ne parlament për miratim.

1



Pas