Aktualitet

Kosovë/ Qeveria mohon të ketë ndaluar vizitat e zyrtarëve nga Serbia






               Publikuar në : 15:53 - 05/07/19 |
mapo.alm

Qeveria e Kosovës, tha sot se nuk ka asnjë vendim për ndalimin e vizitave të zyrtarëve të Serbisë në Kosovë, ndonëse një ditë më parë zyrtarë të ministrisë së Jashtme thanë se do të refuzojnë çdo kërkesë të zyrtarëve të Serbisë për të vizituar Kosovën për shkak të “propagandës së vazhdueshme dhe lajmeve të rreme”.


Njoftimi i së enjtes nxiti reagime të ashpra të Beogradit, i cili e cilësoi atë si një “goditje ndaj Bashkimit Europian dhe bashkësisë ndërkombëtare”, ndërsa Brukseli tha se është në kontakt me të dyja palët duke bërë thirrje për “zbatimin e marrëveshjeve, përfshirë edhe atë për vizita të dyanshme”.



Por, sot qeveria e Kosovës në një njoftim tha se “nuk është marr një vendim të tillë dhe se protokolli i vizitave të zyrtarëve nga shteti i Serbisë tashmë është i njohur dhe secila kërkesë trajtohet në bazë të procedurave ligjore”, thuhet në njoftim.

Më herët gjatë ditës, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, u tha medieve në Poloni ku po merr pjesë në takimin e lartë të Ballkanit Perëndimor se ka dëgjuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, që njoftimi për ndalimin e vizitave, është lajm i rremë.

“Jam e befasuar nga lajmi i rremë në Prishtinë i përhapur nga këshilltarët e të ashtuquajturit ministër i Punëve të Jashtme. Por më vjen mirë (që nuk ka një vendim të tillë) sepse kjo ulë tensionet e larta në rajon”, tha ajo.

Nuk ka pasur ende ndonjë reagim zyrtar nga ministria e Jashtme e Kosovës. Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i shefit të diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, kishte shkruar një ditë më parë se “për shkak të kërcënimeve hibride që Serbia po bën ndaj Kosovës, propagandës së vazhdueshme dhe lajmeve fake ndaj vendit dhe qytetareve tanë dhe përpjekjet e fundit për të inskenuat një të ashtuquajtur krizë humanitare në veri të Kosovës duke kërcënuar popullsinë serbe që jeton atje dhe duke i detyruar ata të mbyllin bizneset e tyre vetëm për shkak të disa objektivave politike të Beogradit, Ministria e Punëve të Jashtme nuk do të lejojë asnjë zyrtar nga Beogradi për të vizituar Kosovën dhe të gjitha kërkesat do të refuzohen për aq kohë sa kjo sjellje vazhdon”, kishte shkruar ai.

Qëndrimet e tilla kundërthënëse ndodhën në një periudhë tensionesh të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth gjendjes në veriun e Kosovës ku në fillim të javës për dy me radhë u mbyllën të gjitha veprimtaritë afariste në shenjë kundërshtimi ndaj tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe.

Autoritetet në Serbi dhe përfaqësuesit lokal serb në veriun e Kosovës, thonë se tarifat dhe operacionet e policisë së Kosovës për të mbyllur rrugët alternative përtej vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë bërë që të mungojnë mallrat themelore siç janë mielli dhe prodhimet e qumështit dhe se veriu është në “prag të krizës humanitare”.

Prishtina e cilësoi këtë një lojë të Beogradit dhe i bëri thirrje atij që të heqë dorë nga skenarë të tillë për destabilizimin e veriut të Kosovës./VOA/


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas