Spektri politik në Kosovë, pushtet e opozitë, ka nevojë të ridefinojë qartë pozicionin dhe platformën e saj në kuadër të procesit të ardhshëm të bisedimeve me Serbinë
Njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë shprehen se spektri politik në Kosovë të rifillojë me procesin, nisur nga konsensusi i brendshëm deri te definimi i përfaqësimit dhe mbikëqyrjes së dialogut, sipas tyre, del edhe si rezultat i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e shpalli jokushtetues Ligjin për delegacionin e Kosovës për bisedimet me Serbinë, duke e hedhur poshtë njëkohësisht edhe platformën që atë kohë ishte miratuar në Kuvend.
Naim Rashiti, drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë thotë se procesi i dialogut me Serbinë dhe përmbyllja e tij, duhet të jetë kompetencë e Qeverisë së Kosovës. Ai thotë se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, duhet të jetë një vetëdijesim më i fortë i Qeverisë për agjendën e bisedimeve me Serbinë.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese tani ka sjellë një situatë të re dhe sa më shumë humb besimi tani në proces, e bën edhe shumë më të vështirë kërkimin e konsensusit të Qeverisë dhe opozitës në ketë proces”, tha Rashiti.
Ai thotë se ekipi negociator, tani i shpërbërë, nuk kishte një mbështetje të dy të tretave të Kuvendit të Kosovës dhe se problemi i dytë me ekipin ishte bashkëkryesimi ndërmjet një zëvendëskryeministri dhe një përfaqësuesi të opozitës dhe kompetencave që kishin ata. Njëri nga ish-bashkëkryesuesit e ekipit tashmë të shpërndarë negociator ishte Shpend Ahmeti, kryetar i Partisë Socialdemokrate dhe kryetar i Prishtinës. Ai thotë se nuk ka kuptim që një çështje kaq të rëndësishme si dialogu me Serbinë, ta udhëheqë vetëm një person, qoftë ai presidenti apo kryeministri.
“Ne kemi insistuar që vendimmarrja t’i kthehet Kuvendit, fatkeqësisht që disa subjektet të tjera kanë vendosur apo kanë menduar që nuk është kështu dhe tash prapë jemi në një vakum në aspektin se si do të përfaqësohet Kosova, pra që ta ketë përfaqësimin ku përfshihen të gjitha subjektet politike”, ka deklaruar Ahmeti.
Nga ana tjetër, analisti politik Imer Mushkolaj tha se për bisedimet me Serbinë, nuk është dashur të ketë një ekip negociator dhe nuk do të duhej, sipas tij, as tani e tutje të ketë grupe të tilla. Ai konsideron se dialogun politik me Serbinë, duhet ta udhëheqë Qeveria dhe kryeministri i Kosovës.
“Kosova i ka institucionet e veta dhe institucionet përkatëse ashtu siç e ka vlerësuar Gjykata Kushtetuese dhe ato duhet ta marrin përgjegjësinë. Çdo përpjekje tjetër për ta bartur dialogun në një trup, qoftë ekip negociator me të gjerë ose të ngjashëm, është veç një shmangie nga dialogu dhe nuk duhet të ndodhë”, tha ai.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, një prej atyre që kishte mbështetur formimin e ekipit negociator dhe hartimin e ligjit përkatës, vazhdon të besojë edhe më tutje se çështja e dialogut me Serbinë nuk është vetëm kompetencë e Qeverisë, por edhe e mekanizmave të tjerë.
“Çështja e dialogut është një projekt më i madh dhe i përkohshëm në këtë rast, por është nacional dhe del jashtë përgjegjësive të zakonshme të një qeverie. Është e logjikshme, edhe pse ka institucione, që të krijohen trupa ad hock, mekanizma ad hock për një çështje të tillë kaq të madhe nacionale. Edhe në vende të tjera për tema të tilla krijohen mekanizma të tillë”, është shprehur Haradinaj.
Në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) thonë se Kuvendi i Kosovës duhet të mbajë Qeverinë llogaridhënëse lidhur me procesin e dialogut, duke pasur një rol mbikëqyrës proaktiv dhe më efikas. Jeta Krasniqi nga KDI thotë se Komisionet parlamentare dhe deputetët e Kuvendit duhet t’i shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat mbikëqyrës që kanë në dispozicion, duke përfshirë thirrjet për raportim, interpelancat, vizitat në terren dhe të tjera, për të siguruar mbarëvajtjen e procesit dhe për të garantuar zbatimin e marrëveshjeve, që nënkupton edhe kërkimin e llogaridhënies.
Aktualisht procesi i bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, është i ndërprerë. Deri në rifillimin eventual të bisedimeve, në Prishtinë mbetet diskutabile arritja e një marrëveshjeje të brendshme politike, qoftë për përfaqësimin apo edhe në lidhje me qëndrimet dhe platformën e Kosovës në këtë proces.