fbpx

Aktualitet

Kosovë/Shpërbërja e Kuvendit pa vendimin e Thaçit mision i vështirë





               Publikuar në : 22:26 - 24/07/19 |
mapo.alm

Pa një vendim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, nisma e Lëvizjes Vetëvendosje për shpërbërjen e Kuvendit, në mënyrë që të krijohen kushtet për zgjedhje do të jetë vështirë e realizueshme.


Njohësit e çështjeve ligjore, thonë se për shpërbërjen e Kuvendit nevojitet shumica e kualifikuar apo më shumë se dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit, i cili ka 120 vënde. Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës, partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës janë në pritje të ftesës nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për konsultime lidhur me hapat e mëtejshëm.



Partitë politike janë duke pritur që pas këtyre konsultimeve të përcaktohet data e zgjedhjeve të parakohshme, ndonëse presidenti i vendit, mund ta shqyrtojë mundësinë e gjetjes së një mandatari të ri për kryeministër të qeverisë, pa shkuar në zgjedhje të reja.


Florent Spahija, ekspert ligjor nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për ‘REL’ se presidenti i vendit, bazuar në Kushtetutën e Kosovës, nuk ka ndonjë afat ligjor për konsultim me subjektet politike. Sipas tij, funksionaliteti i Kuvendit të Kosovës nuk varet nga mosfunksionimi i Qeverisë dhe kjo e fundit buron nga Kuvendi.

Rrjedhimisht, Kuvendi mund të nxjerrë një qeveri të re, në rast se ka një kandidat të ri për kryeministër nga koalicioni qeverisës aktual. Por, në favor të zgjedhjeve të parakohshme është shprehur Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca, ka theksuar që nëse gjatë kësaj jave nuk bëhet e ditur data e zgjedhjeve në Kosovë dhe nëse presidenti do ta ngrejë çështjen e një mandatari të ri, atëherë opozita do t’ia mësyjë vet-shpërbërjes së Kuvendit.

Ndërkaq, zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje se a do t’i bashkohen deputetët e kësaj partie, deputetëve të subjektit tjetër opozitar Lëvizjes Vetëvendosje, në nismën për vet-shpërbërje të Kuvendit të Kosovës. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partner ky brenda koalicionit qeverisës aktual, lider i së cilës është Ramush Haradinaj, në disa raste e ka rikonfirmuar qëndrimin e saj se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, të shtunën ka thënë se pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, zgjedhjet tashmë janë të pashmangshme dhe se ajo që mund të diskutohet është vetëm koha kur ato do të mbahen.

Eksperti i çështjeve ligjore, Spahija, thekson që në rast se subjektet politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, arrijnë të sigurojnë numrin e domosdoshëm të votave, siç e parasheh Kushtetuta e vendit, pra, 81 e një vota apo shumicën e kualifikuar, atëherë ata nuk kanë nevojë ta presin një vendim të presidentit, por mund ta votojnë vet-shpërbërjen e Kuvendit./REL


Etiketa: , , , ,

Pas