Kryesore

Kosovë-Shqipëri, kur do të mendohet seriozisht?









Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:15 - 17/02/21 |
Pëllumb Nako

Rezultatet e fundit të zgjedhjeve në Kosovë u komentuan ndër të tjera si përmbysje e establishmentit dhe forca politike që i fitoi po ashtu u tha se më së shumti mbështetej nga brezat e rinj. Mesazhi për shtetin e Kosovës duket i qartë, por nisur nga specifikat që ka ky shtet me vendin tonë, ky mesazh gjen vend të plotë edhe në raport të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Pra, nga krahu i Kosovës kërkohet dhënie fund të raporteve ndërmjet dy vendeve që kanë prodhuar mjaft politikë ndërmjet tyre e po aq demagogji të pashoqëruar nga projekte konkrete minimalisht të integruara që krijojnë sinergji të përbashkëta për zhvillim. Idetë e hedhura për bashkimin e të dy vendeve së bashku me sondazhet përkatëse më shumë i kanë dëmtuar sesa kanë hyrë në punë. Madje shpesh politika shqiptare ka shfrytëzuar shtetin e Kosovës për t’i bërë shantazh Bashkimit Europian.



Ëndrra shekullore për një Kosovë të pavarur është e realizuar prej dekadash dhe po prej kaq vitesh ne qëndrojmë sovranë përballë njëri-tjetrit dhe vijmë vërdallë pa bërë asgjë konkrete për t’u integruar me njëri-tjetrin. Se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, është koha që do ta tregojë, por deri tani marrëdhëniet e shteti shqiptar me Kosovën janë njëlloj si me vende të tjera. Asgjë e veçantë ndërmjet dy vendeve për të cilat flitet për bashkim. Aq sa ky i fundit sa vjen e banalizohet. Mbledhjet brilante të të dy qeverive janë si trëndafila në vazo me ujë dhe jo me rrënjët në tokë.
Pa u futur në gjithë komponentët e integrimit të të gjitha institucioneve ndërmjet dy vendeve tona, ai në fushën e sigurisë mbetet prioritar, pararendës për fushat e tjera dhe që përdoret rëndom ndërmjet vendeve të ndryshme për të garantuar sigurinë nga kërcënime të përbashkëta.


Parimi i funksionimit të tyre është besimi. Në kuadrin e Shengenit, Spanja mbron edhe Norvegjinë nga rreziqet që mund t’i vijnë nga Maroku. Besimi i shqiptarëve te kosovarët dhe anasjelltas nuk është çështje thjesht patriotike, sentimentale, produkt i sa e sa poemave, letërsive, librave e filmave kinematografikë. Nuk duhet marrë si e mirëqenë, sepse të dyja vendet kanë jetuar për shekuj në realitete të ndryshme historike ndaj dhe besimi reciprok është një proces që fillon dhe forcohet nëpërmjet ndërtimit të institucioneve të përbashkëta apo të integruara.




Në fushën e sigurisë ndërmjet dy vendeve tona ka shumë marrëveshje të cilat janë të njëjta si me shumë shtete të tjera të rajonit. Por ndërkohë ka raste kur vende që nuk kanë kaq afërsi si Shqipëria me Kosovën, në fushën e sigurisë punojnë në mënyrë të integruar ose edhe të përbashkët. Konkretisht, SHBA dhe Kanada kanë qendra të përbashkëta bashkëpunimi në të dy anët e kufirit që koordinojnë aktivitetin operacional si për çështje të sigurisë kufitare edhe për trafiqet e ilegalëve apo dhe të drogës e terrorizmit. Aktualisht vendi ynë, në fushën e bashkëpunimit policor ka vetëm një oficer kontakti në Prishtinë, njëlloj si në vende të tjera dhe nuk ka asnjë institucion të sigurisë të përbashkët për gjithë rreziqet e sigurisë që kërcënojnë vendet tona nga palë të treta apo dhe nga njëri-tjetri.



Në të gjitha materialet strategjike të sigurisë sonë kombëtare dhe të asaj publike nuk ka në asnjë rast, asnjë pikë ku të flitet në mënyrë të veçantë për Kosovën duke ditur afinitetin e popullsisë së të dyja vendeve. Një rrezik që vendit tonë mund t’i vijë nga një shtet fqinj nuk mund të jetë i njëjtë me atë që i vjen nga Kosova dhe e njëjta gjë edhe anasjelltas. Para disa viteve, EUROPOL-i krijoi një zyrë të posaçme për të kuptuar, analizuar, profilizuar e më pas ndihmuar vendet e Bashkimit Europian për një lloj kriminaliteti të cilin ata e quajnë “krimi shqipfolës” pra për kriminalitetin e shqiptarëve nga të gjitha trevat dhe vendet ku ata jetojnë. Kjo qasje është tërësisht teknike dhe nuk presupozon paragjykim për kombin shqiptar, por kjo nuk do të thotë që vendet e kërcënuara nga ky lloj krimi të mos përpiqen të kuptojnë specifikat e tij. Aktualisht ndërmjet dy vendeve për të cilat ne themi se do të bashkohen, nuk ka asnjë strukturë të përbashkët policore për të profilizuar krimin e të dyja vendeve veçmas, por edhe kur bashkëpunojnë në të dyja vendet, dhe sidomos në diasporë.


Shqipëria dhe Kosova kanë diasporë mjaft të gjerë dhe masive. Asnjë nga të dyja vendet tona nuk e ka idenë se sa grupe kriminale shqiptaro-kosovare bashkëpunojnë jashtë vendit dhe më pas pastrojnë paratë në vendet tona respektive. Pra, as për parandalimin e pastrimit të parave nuk ka ndonjë institucion të përbashkët. Të dyja vendet janë pjesë e nëndegëzimeve të rrugës ballkanike të drogës dhe të emigrantëve që vijnë nga lindja. Asgjë deri më sot nuk është kryer në mënyrë të përbashkët nga institucionet tona për të përballur fenomenet me ekipe të përbashkëta. Është premtuar shumë herë në mënyrë aspak serioze, nga politikanë të të dyja vendeve se do të rrëzohen kontrollet kufitare, madje janë dhënë dhe afate. Asnjë hap para nuk është shënuar. Gjithçka ka ngelur e pandryshuar që nga koha e qeverisë së mëparshme e cila të gjithë kufirin me Kosovën e konceptoi dhe e vuri në jetë të integruar.

Pika doganore e Kosovës në Durrës është kthyer në historinë e endjes së Penelopës. Ajo ka filluar por ende nuk ka mbaruar. Madje, më përpara në media del shqetësimi rus apo serb për dalje të Kosovës në det sesa vetë projekti. Edhe në fushën e gjyqësorit për çështjet penale, bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve madje mbetet pas krahasuar me Italinë e Britaninë. Me këto dy vende shteti shqiptar ekstradon edhe qytetarët e tij, kurse Kosova dhe Shqipëria nuk ia besojnë qytetarët e tyre njëri-tjetrit megjithëse në media flitet për bashkim. Kryeministri ynë filloi me shumë zhurmë krijimin e Shengenit Ballkanik. Këtë nismë nuk e kreu në mënyrë të integruar me Kosovën, por me hapat që hodhi, e vuri këtë vend në vështirësi ndërkombëtare.

Në kohën që ai fliste e propagandonte për Shengenin ballkanik, qeveria serbe nuk kishte shumë kohë për të humbur dhe gjithë ish-ushtarët e UÇK-së i shpalli në kërkim ndërkombëtar duke shfrytëzuar në mënyrë makiavelike kanalin e Interpolit. Si mund të ndërtohet një zonë ballkanike pa qarkullim të lirë pa u marrë vesh paraprakisht se si do të jetë statusi i një grupimi jo të vogël qytetarësh të një shteti si Kosova të cilët ajo vetë dhe ne këtej kufirit i quajmë heronj, kurse Beogradi terroristë. Pra, ish-UÇK.

Ndërtimi i institucioneve të tilla për të përballuar probleme reale të përditshme ndërmjet dy vendeve tona, jo vetëm janë gurë të fortë në ndërtimin e një shoqërie solide të të dyja vendeve në mënyrë të pavarur, por hedhin edhe hapa më konkretë në ngritjen e institucioneve me besim të përbashkët duke sjellë një perspektivë të shpejtë integrimi. Dy shtete serioze që nuk punojnë për lavdira personale politikanësh sharlatanë, por hedhin hapa të sigurt për të ndërtuar besimin ndërmjet tyre nëpërmjet institucioneve dhe jo në mënyrë folklorike.

33


Etiketa:

Pas