Pas një incidenti të ndodhur sot gjatë ditës në Prishtinë, Kosovë, ky dyshohet se në një rrahje ishte i përfshirë edhe vëllai i Presidentit të Republikës, Hashim Thaçi, të tjera detaje janë zbardhur nga mediat në lidhje me ngjarjen.
Policia e rajonit të Prishtinës konfirmoi për “Kosova Press”, mbi një rrahje që ka ndodhur sot rreth mesditës e ku mediat kanë raportuar se, është i përfshirë vëllai i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gani Thaçi.
“Sot rreth orës 12:00, policia ka marrë informacionin se në rrugën ‘Lidhja e Pejës’ në Prishtinë, ka ndodhur një përleshje fizike mes tre personave.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore të cilat konform rekomandimeve të prokurorit të shtetit i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes, po ndërmarrin veprimet e mëtutjeshme hetimore e procedurale”,- ka thënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
Mediat kanë raportuar se, vëllai i presidentit, Gani Thaçi, ka rrahur fizikisht dy persona brenda zyrës së Byrosë së Sigurimeve, drejtorin e BKS-së, Blerim Pushkollin dhe drejtorin e kompanisë së sigurimeve “Illyria Insurance”, sllovenin Gianni Sokoliq.