KPA vendosi sot të shkarkojë gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, rreth një vit pasi KPK e konfirmoi në detyrë. Ishte ankimimi i bërë nga Komisioneri Publik i cili bëri që gjyqtari të përballej sërish me filtrat e Vettingut, por këtë radhë në një shkallë më lart.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit i përbërë nga Luan Daci si kryesues, Sokol Çomo relator dhe anëtarë gjyqtarët Ina Rama, Rezarta Schuez dhe Albana Shtylla, mbajti të seancën e 11 ndaj subjektit të rivlerësimit, duke vendosur shkarkimin e gjyqtarit pasi nuk justifikon pasurinë. Gjykata e Lartë ka mbetur tashmë me vetëm dy anëtarë, duke dalë për rrjedhojë jashtë funksionit, njësoj si Gjykata Kushtetuese.
Problemet me pasurinë
Kjo ishte seanca e 12-të e KPA-së në ngarkim të gjyqtarit Islamaj. Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin e Islamajt, pasi nuk justifikonte pasurinë dhe ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë. “Deklarimet e gjyqtarit Edmond Islamaj kanë qenë kontradiktore. Ai ka kryer deklarim të pasaktë dhe nga analiza financiare është konstatuar një diferencë negative në vlerën e 6 milionë lekëve”, tha Komisioneri Publik.
Gjyqtari Islamaj, nga ana tjetër, pretendoi se pasuria e tij është e justifikuar, se ka burime të ligjshme për to, dhe se gjatë këtyrë muajve ka paraqitur dokumente shtesë për pasurinë e tij: “Nuk kemi asnjë pasuri më të madhe nga sa mund të justifikohet ligjërisht. Burimet e pasurisë sonë janë të ligjshme dhe nuk kanë burim të panjohur apo që të kalojë dyfishin, ashtu si parashikon ligji”.
Gjatë këtyrë muajve, trupa e KPA-së ka shtyrë vazhdimisht marrjen e një vendimi përfundimtar për Islamajn. KPA ka kërkuar vazhdimisht informacione dhe dokumente shtesë për pasurinë e gjyqtarit, si dhe për udhëtimet e tij jashtështetit dhe shpenzimet e bëra atje.
Në relacionin përfundimtar, Komisioneri Ballhysa theksoi këto probleme të pasurisë së gjyqtarit: Bashkëshortja e gjyqtarit ka në pronësi një apartament me sipërfaqe 141 metër katrorë, një ambient shërbimi me sipërfaqe 55 metra katrorë dhe një garazh 16 metra katrorë në Durrës.
Sipas Komisionerit këto pasuri janë deklaruar vetëm në deklaratën “veting”pa deklaruar burimin e tyre. Në deklaratat e përvitshme të pasurisë, dorëzuar pranë ILDKPKI-së këto pasuri nuk janë deklaruar. Gjyqtari Islamaj ka blerë një sipërfaqe toke prej 1 mijë metrash katrorë në Kavajë, në një zonë me potencial për tu zhvilluar për turizëm.
Gjyqtari Islamaj e ka blerë tokën me çmim më të ulët se çmimi i referencës dhe ai i tregut. Gjyqtari Islamaj, bashkë me familjarët e tjerë të tij, kanë marrë dhuratë nga babai një apartament 106 metra katrorë. Sipas Komisionerit Publik, burimet për blerjen e kësaj pasurie dhe mundësitë e të atit për të blerë një apartament të tillë janë të paqarta dhe se mungojnë dokumentet për ta vërtetuar këtë gjë.
Gjyqtari Islamaj ka shitur, pas përdorimit disa vjeçar, me çmim më të lartë se sa ai i blerjes dy automjete. Komisioneri u shpreh se këto të ardhura, me shumë gjasa fiktive, janë përdorur më pas nga gjyqtari për të justifikuar shpenzime të tjera. Për blerje e një tjetër makine me vlerë 21 mijë euro, në bashkëpronësi me babain, gjyqtari nuk ka paraqitur dokumente të sakta të blerjes.