Komisioneri Publikon ankimon vendimin e KPK për drejtuesin e Prokurorisë së Apelit të Tiranës, Dritan Peka i cili kaloi procesin e Vettingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi Pekën në detyrë, por sipas Komisionerit Publik, prokurori nuk plotëson kushtet. Pavarësisht se trupa e KPK e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Roland Ilia dhe Olsi Komici gjeti probleme me pasurinë dhe aftësitë profesionale, vendimi ishte për ta konfirmuar në detyrë Dritan Pekën.
Në këto kushte, Komisioneri Publik i është drejtuar Komisionit të Pavarur të Apelimit (KPA) duke dorëzuar një material prej 17 faqesh se pse prokurori nuk duhej të ishte konfirmuar në detyrë.
Dritan Peka e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri në vitin 1997. Ai ka punuar si prokuror i Prokurorisë së Tiranës deri në vitin 2008, kur është promovuar si prokuror i Apelit të Tiranës. Ai është drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Tiranës prej vitit 2015.
Klikoni Këtu për raportin e Komisionerit Publik
Pasuria
Komisioni ka kryer një hetim të pavarur administrativ të asetve të prokurorit Dritan Peka, nga ku ka rezultuar se në pronësi të familjes së tij figurojnë dy apartamente. Sipas relatorit të çështjes, çifti Peka zotëron një apartament në Tiranë me sipërfaqe 94.6 m2 të blerë për 49 mijë e 440 dollarë amerikanë. Po ashtu, zotërojnë edhe një apartament me sipërfaqe 59 m2 në Orikum, Vlorë të blerë në vlerën 20 mijë euro.
Ndërkohë, prokurori Peka rezulton bashkëpronar edhe në një apartament tjetër në Tiranë me sipërfaqe 71 m2 me pjesë takuese 25%. Ky apartament është privatizuar nga familja tij në vitin 1993 në vlerën 10 047 lekë. Tjetër pasuri që zotëron prokurori Peka është edhe një automjet tip BMË, blerë në shumën e 980 mijë lekëve.
Për blerjen e apartamentit 94.6 m2 është deklaruar si burim një kredi dhe të ardhura nga pagat. Komisioni ka gjetur se më datë 14 qershor 2010 është shlyer shuma e apartamentit jashtë zyrës së noterit. Ndërkohë, banka ka kryer deklaratë të noterizuar për shlyerje të shumës së 28 mijë eurove. Sipas komisionit, është konstatuar se janë kryer dy mandate pagese, një në vlerën e 20 mijë eurove dhe një 12 mijë euro. Certifikata e pronësisë ka rezultuar të jetë lëshuar më datë 30 maj 2012. Relatori Hamitaj u shpreh se janë gjetur mospërputhje me datat e mandate-pagesave 20 mijë euro e 12 mijë euro dhe kredisë së marrë në vlerën e 28 mijë eurove. Sipas komisionit, prokurori Peka nuk ka pasur mundësi paguese dhe ka mos përputhje të deklarimeve të tij me ato të administratorëve të shoqërisë që ka kryer shitjen.
Edhe për apartamentin e blerë në Orikum më datë 17 dhjetor 2011 në vlerën e 20 mijë eurove, prokurori Peka ka deklaruar si burim një kredi dhe të ardhurat nga paga. Çmimi prej 20 mijë euro ka rezultuar të jetë likujduar rreth një vit më parë, me lidhjen e kontratës. Si dokument justifikues të burimit financiar është depozituar edhe kontrata e kredisë së butë prej 5 milionë lekësh, që bashkëshortja e prokurorit Peka e ka përfituar për strehim. Relatori Hamitaj pohoi se shuma e kredisë 5 milionë lekë do të përdorej për shlyerjen e një apartamenti në Tiranë. Kredia është marrë më 8 korrik të vitit 2010 dhe si garanci hipotekore është lënë apartamenti në pronësi të familjes Peka, ku drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Tiranë është bashkëpronar me pjesë takuese 25%.
Hamitaj pohoi se kontrata për kredinë e butë ishte përfituar pas një kërkese të bashkëshortes së Pekës drejtuar kryeministrit në vitin 2010 për tu trajtuar me strehim. Por, në kontratë është parashikuar se kërkuesi dhe përfituesi i kredisë së butë nuk do të kishin të drejta për pronësi të tjera në qytetin ku jetonin. Komisioni ka gjetur se çifti Peka kishte një apartament në bashkëpronësi, ndërkohë që vetë drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Tiranë është bashkëpronar me pjesë takuese 25% edhe në një tjetër apartament në kryeqytet.
Pas përfitimit të kredisë, shuma prej 5 milionë lekësh i ka kaluar një shoqërie për blerjen e një apartamenti 100 m2 në Tiranë në vlerën e 3 mijë eurove. Për pjesën e pambuluar nga kredia për vlerën e shtëpisë, prokurori Peka ka deklaruar një hua prej 15 mijë eurosh që e kishte marr nga një miku i tij, të cilën e kishte paguar për këstin e parë. Por, kontrata për blerjen e këtij apartamenti është revokuar dhe shoqëria i ka kthyer paratë e paguara. Më pas ka rezultuar se bashkëshortët Peka i kanë përdorur paratë e kredisë së butë për të arreduar apartamentin ekzistues në Tiranë dhe për blerjen e apartamentit tjetër në Orikum. Sipas komisionit kredia është përdorur në mospërputhje me ligjin. Relatori i çështjes u shpreh se këto veprime kanë ngritur dyshime për fiktivitet të kontratave pasi nuk ka qenë nevoja për blerjen e një apartamenti tjetër në Tiranë.
Komisioni ka gjetur probleme edhe për blerjen e një automjeti tip BMW, në vitin 2013 në vlerën e 980 mijë lekëve. Sipas komisionit, makina rezulton të jetë blerë në Gjermani më 28 nëntor 2013 nga shtetasi S.M. me vlerë totale 2 milionë e 379 mijë lekë. Ndërkohë, që i është shitur Pekës vetëm pak ditë më vonë në vlerën e 980 mijë lekëve. Relatori Hamitaj pohoi se për diferencën, prokurori Peka kishte shpjeguar se makina kishte pasur defekt dhe për ta rregulluar duhej të paguhej një kosto tjetër. Po ashtu, edhe shtetasi S.M. ka deklaruar për komisionin se mjeti ishte blerë me defekt në Gjermani. Ai ka shpjeguar se kostoja e mjetit bashkë me pagesën për transportin dhe doganën kishte kapur vlerën e rreth 10 mijë eurove dhe jo 14 mijë euro ashtu si i rezulton KPK-së. Ai ka shtuar se do të merrte mbrapsht paratë që ishin mbi vlerën e mjetit. Relatori Hamitaj u shpreh se janë konstatuar mospërputhje mes deklarimeve të prokurorit Peka dhe shtetasit S.M. që i ka shitur mjetin. Gjithashtu ai shtoi se është konstatuar mungesë dokumentacioni për pagesën e makinës dhe ngriti dyshime për fiktivitet lidhur me çmimin e blerjes së këtij mjeti.
Bazuar në një analizë financiare, komisioni ka gjetur gjithashtu edhe mangësi burimesh për shpenzimet e kryera nga prokurori Peka gjatë viteve 2005, 2006 dhe 2009. Hamitaj shtoi se subjekti i rivlerësimit e ka cilësuar jo real këtë konstatim.
Ankesat e publikut zbulojnë probleme me profesionalizimin
Komisioni ka zbuluar probleme edhe në profesionalizmin e prokurorit Dritan Peka. Kështu, sipas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, ka pasur ankesë nga tre shtetas ndaj Pekës të cilët pretendonin se nuk ka ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë lidhur me një çështje. Grupi i punës së Prokurorisë së Përgjithshme ka dalë në konkluzionin se në këtë rast drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Tiranë, Dritan Peka, ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe se duhej të kishte mbajtur qëndrim, pavarësisht veprimeve të prokurorit të çështjes i cili nuk kishte kryer rekursin.
Ndërkohë, komisioni ka shqyrtuar 4 denoncime nga publiku ndaj Pekës. Relatori Hamitaj pohoi se një denoncuese e akuzon Pekën për qëndrim të njëanshëm dhe pa aftësi për çështjen për të cilën nuk është ushtruar rekurs. Komisioni ka konkluduar se nuk rezulton të jenë kryer veprime nga pakurori i çështjes dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Tiranë.
Pretendimi i një tjetër denoncuesi i cili është ankuar për lidhje të prokurorit me krimin e organizuar ka rezultuar të jetë i pavërtetë. Një tjetër denoncim ka mbërritur pranë ONM-së, ku pretendohej për shkelje në emërimin e një punonjësi të administratës së Prokurorisë së Apelit Tiranë. Në këtë denoncim është pretenduar se emërimi është kryer në kundërshtim me ligjin, pasi i punësuari nuk kishte shkollimin e duhur për atë vend pune. Ndërkohë, hetimi i komisionit ka gjetur se personi në fjalë kishte kryer më shumë lejë nga sa i takonte dhe se kancelaria e Prokurorisë së Apelit Tiranë nuk kishte pranuar të firmoste listë-prezencat për një periudhë kohore kur specialisti në fjalë nuk gjendej në punë. Sipas relatorit Hamitaj, për këtë çështje ka pasur edhe auditim nga Prokuroria Përgjithshme e cila e ka referuar rastin në Prokurorinë e Tiranës, por kjo e fundit nuk ka nisur procedim me argumentimin se shkeljet ishin administrative. I është kërkuar edhe Ministrisë së Financave të kryejë auditim, e cila ka refuzuar me argumentin se ishte kryer një auditim i mëparshëm nga organi qendror i akuzës për këtë gjë.
Sipas Hamitajt, kancelaria e Prokurorisë së Apelit Tiranë ka pretenduar para komisionit se i është kërkuar verbalisht nga drejtuesi që të kryejë pagesën e specialistit në fjalë, por se nuk e ka pranuar një gjë të tillë. Komisioni ka vlerësuar se për këtë rast prokurori Peka nuk ka marrë masat për personin përgjegjës dhe se dyshohet të ketë pasur urdhëra verbal prej tij, që ngrenë dyshime të arsyeshme për shkelje të rregullave të detyrës. Gjithashtu, komisioni ka konstatuar në disa raste deklarata kontradiktore të Pekës, u shpreh Hamitaj.
Ndryshe nga problemet e konstatuara për pasurinë dhe profesionalizimin, prokurori Peka është konsideruar i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës nga ana e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, pasi nuk janë gjetur kontakte të tij me persona me lidhje me krimin e organizuar.