Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë Zv/Prokurorin e Përgjithshëm, Thoma Jano. Ai ka rezultuar i pastër në të treja shtyllat e rivlerësimit, që janë pasuria, pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale.
Sipas KPK-së, gjendja e llogarisë rrjedhëse të Janos përputhet me të ardhurat, ndërsa kursimet kapin vlerën e 850 mijë lekëve. Gjithashtu ka edhe detyrime financiare për kredinë e marrë për blerjen e një sipërfaqeje banimi 130 m2 në vlerën 5 milionë lekë, për të cilën ka një afat 25 vjeçar për ta shlyer. KPK konstaton se banka konfirmon dhënien e huasë, dhe se për momentin nuk ka problematikë për detyrimin e mbetur nga ana e subjektit.
Prokurori gjithashtu ka edhe një makinë tip “Benz” që i ka kushtuar 400 mijë lekë të reja. Si të ardhura, Jano ka deklaruar pagën e tij dhe të bashkëshortes, për të shtuar më pas atë të djalit dhe të vajzës, e cila ushtronte profesionin e pedagoges në Universitetin “Kristal”.
Thoma Jano ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ai është zgjedhur zëvendësi i kryeprokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela më 30 dhjetor të vitit të shkuar.