Aktualitet

KPK mbyll sytë për Kreshnik Ajazin, me masë disiplinore dhe aksident me vdekje














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:38 - 27/06/21 |
Elton Qyno

Kreshnik Ajazi, drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit u përball të premten me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.






Që prej 26 Marsit 2021, Ajazi u caktua nga Këshilli i Lartë i Pokurorisë si drejtues i Prokurorisë së Elbasanit me një mandat 3 vjeçar, duke pasur kështu në dorë situatën hetimore, në një nga qytetet me kriminalitetin më të lartë në Shqipëri.


Në qytetin e Elbasanit, Ajazi konsiderohet si “levë” e deputetit socialist, Taulant Balla, për shkak edhe të përfshirjes së vëllait të tij, Besian Ajazi, në listën zgjedhore të PS për deputet, në qarkun e Elbasanit.







Në një seancë dëgjimore që zgjati për rreth 1 orë e 30 minuta, trupi gjykues që kryesohej nga Roland Ilia, me relatore Brunilda Bekteshin, anëtare Genta Tafa “Bungo” dhe monitoruesin ndërkombëtar, Francesco Ciardi, mbylli sytë dhe luajtën rolin e indiferentit, teksa vunë në dukje 9 ankesa nga qytetarët, një shumë prej 2 milion lekë të vjetra e pajustifikuar, që Ajazi i kishte përfituar nga dhurimi i prindërve dhe një llogari bankare prej 17 mijë e 500 euro, që rezultonin kursime nga rroga.



Për këtë të fundit, Ajazi deklaroi në seancë se burimi i krijimit, ishin kursimet në cash nga viti 2007 e në vijim. Indiferentizmi dhe përgjumja e komisionit në këtë proces, u kuptua qartë dhe në momentin e mbylljes së seancës dëgjimore, ku kryesuesi, Roland Ilia, caktoi datën 30 Maj 2021, për dhënien e vendimit përfundimtar, duke e rikuperuar më pas në 30 qershor.



Ndërsa vetë monitoruesi i ONM-së nuk pati asnjë koment dhe asnjë pyetje për subjektin e rivlersimit, Kreshnik Ajazi. Si gjetje u prezantua dhe një kallëzim i ish-drejtuesit të prokurorisë Elbasan, Dritan Gina, i cili ka kallëzuar Ajazin për “Falsifikim dokumentash” dhe “Shpërdorim detyre”, për një çështje që lidhej me një rast “Mashtrim me kredi”.

Ky kallëzim ishte pushuar nga prokuroria e Tiranës dhe anëtarët e komisionit të “Vettingut” e shpërfillën këtë gjetje. Në konsideratë nuk e mori dhe Kreshnik Ajazi, i cili nuk dha asnjë koment për kallëzimin e bërë nga ish-shefi i tij, Gina. Një tjetër dukje e komisionit ishte një masë disiplinore, e marë në vitin 2012 nga ish-kryeprokurorja Ina Rama, e cila kishte vendosur pezullimin e Ajazit, nga detyra e prokurorit në Vlorë, për shkak të përfshirjes së tij në një aksident.

Në dukje u vu dhe një aksident me vdekje, i kryer nga Kreshnik Ajazi, në 7 korrik 2011 në orën 04:00 të mëngjesit, në aksin rrugor Vlorë-Skelë. Ku Ajazi me automjetin e tij tip “Benz”, ka goditur për vdekje, Hatie Musej, nënën e dy fëmijë, e cila punonte si pastruese pranë Drejtorisë së Gjelbërimit në Vlorë.

Por pavarësisht këtij denoncimi, nga të afërmit e viktimës Hatie Musej, që akuzonin prokurorin Ajazi, se kishte ndikuar në mbylljen e çështjes së aksidentit me vdekje, duke caktuar ekspertë auto-teknikë, shokët e afërt të babait të tij, Gëzim Ajazi, (një ekspert aksidentesh në Shqipëri), komisioni i “Vettingut” nuk e konsideroi këtë si një denoncim serioz. Ky aksident me vdekje i shkaktuar nga Ajazi, u hetua nga prokurorja Alketa Zilfa në Fier. Kolegia e Ajazit, prokurorja Zilfa e shkarkuar nga KPK në 16 qershor 2021, brenda një kohe fare të shkurtër, prej vetëm 15 ditë hetime, në datën 22 korrik 2011, ka dalë në konkluzjonin se çështja duhet të pushohej, pasi shkak i aksidentit ka qenë, pikërisht viktima, Hatie Musej.

Me këtë vendim nuk u pajtuan kolegët e viktimës Hatie, punonjësit e Pastrim-Gjelbërimit në Vlorë, të cilët kundërshtuan në gjykatë vendimin e Alketa Zilfa. Në datën 30 dhjetor 2011, Gjykata e Fierit ka vendosur të shfuqizojë vendimin e prokurores Zilfa, për pushimin e hetimeve dhe kthejë dosjen e aksidentit me vdekje për rihetim, duke lënë dhe detyrat e qarta për prokurorinë.

Dy muaj e gjysëm nga ky vendim sërisht, Alketa Zilfa, mer një vendim të dytë në favor të kolegut të saj, Kreshnik Ajazit, duke pushuar çështjen penale me argumentin se në këtë aksident rregullat e qarkullimit rrugor, i kishte shkelur viktima Hatie Musej dhe jo drejtuesi i mjetit, prokurori Ajazi. Një tjetër denoncim kundër Drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit, ishte bërë nga Seit dhe Albert Manahasa, babë e bir që u arrestuar në muajin korrik 2020 si autorët e dyshuar të vrasjes së Emiljano Ramazanit, që njihet ndryshe si “Ili” i Elbasanit.

Babë e bir, kishin pretenduar se Ajazi i ka mbajtuar për një periudhë 6 mujore në burg në mënyrë të padrejtë, me argumentin se ishin persona të rrezikshëm dhe për faktin se në ambjentet e biznesit të tyre u gjendt një pistoletë, me të cilën ishte vrarë Emiljano Ramazani.

Më tej babë e bir, kanë shtuar se 6 muaj pas mbylljes në burg, sërisht prokurori Ajazi, ka bërë një kërkesë të dytë në gjykatë, duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “Detyrim për tu paraqitur në polici”. I pyetur nga komisioneria Bekteshi, lidhur me situatën e vendimarrjes për kërkesën për lehtësimin e masës së sigurisë për këta dy persona, ndërkohë që vetë prokuroria i konsideronte me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Ajazi deklaroi se vendimi për arrestimin dhe lirimin e tyre, ishte marë në mënyrë kolegjiale, duke u këshilluar dhe me Policinë e Elbasanit dhe duke u bazuar tek provat, pavarësisht se çfarë përfaqësonin subjektet nën hetim. Ajazi shtoi se vendimarrja për lehtësimin e masës së sigurisë ishte kryer pasi ishin verifikuar pamjet filmike si dhe tabulatet telefonike të dy të ndaluarve.

“…Sendi me të cilin u krye vrasja, u gjend 7 ditë pas ngjarjes, 50 kilometra larg vendit të krimit. Se si policia shkoi tek ky send, është ende edhe sot objekt hetimi…”- pohoi Ajazi duke pohuar se pistoleta ishte pastruar, pasi nuk gjendej asnjë gjurmë dhe për më tepër ambjenti i biznesit ishte i hapur.

Tashmë për këtë vrasje, prokuroria ka arrestuar në cilësinë e financuesit Erjon Alibeaj alias Agim Shurbin, vëllain e “Tarzanit”. Nga ana tjetër drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, i ka vendosur Komisionit në dispozicion të dhëna të reja për Ajazin dhe ka kërkuar vlerësimin e tyre.

Vetë DSIK-ja, e ka vlerësuar Ajazin të përshtatshëm për vazhdimin e detyrës në të dy raportet e saj. Ndërsa vetë Ajazi, kërkoi në fund të séances dëgjimore, konfirmimin në detyrë dhe tashmë pritet data 30 qershor për dhënien e vendimit nga trupa e KPK-së.

1


Etiketa: , , ,

Pas