Një deklaratë e kreut të grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka të gjithë autoritetin për të caktuar datën për mbajtjen e vendoreve të pjesshme në Bashkinë e Shkodrës, ka sjellë reagimin në kampin opozitar.
Nënkryetari i demokratëve Edmond Spaho dhe kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi e cilësojnë atë në shkelje të kushtetutës dhe se përmes një qëndrimi të tillë kryeministri po e çon vendin drejt diktaturës.
“Pasi ka marrë nën kontroll tërë pushtetin ekzekutiv, legjislativ, parlamentin, pushtetin vendor, po kontrollon sistemin e drejtësisë, tani dëshiron të marrë edhe këtë kompetencë të presidentit që zgjedhjet t’i dekretojë Edi Rama. Dhe të shkojmë në diktaturë të plotë”, thotë Spaho.
“Kjo është brenda fushatës së goditjes së presidentit më idenë që edhe KQZ mund të dekretojë datë zgjedhjesh që s’ka lidhje fare. Kjo është kompetencë e presidentit, e kushtetutës që ia ka deleguar presidentit”, thotë Shehi.
Opozita bojkotoi zgjedhjet lokale të 30 qershorit duke i cilësuar ato antikushtetuese. Edhe 13 tetori i dekretuar si një datë e re zgjedhjesh lokale nga Presidenti nuk solli asnjë ndryshim të situatës në të dy kampet politike. Palët u pozicionuan edhe më në ekstrem në qëndrimet e tyre. Opozita sytë për zgjidhjen e krizës politike tashmë i ka nga ndërkombëtarët.
Gjatë muajve të verës edhe kreu i shtetit apeloi disa herë për t’i ulur palët në tryezën e dialogut për kapërcimin e krizës, por këto përpjekje të Ilir Metës rezultuan pa asnjë rezultat. Opozita thotë se do t’u kthehet protestave për të kërkuar largimin e qeverisë./Tv Klan