Analisti Andi Bushati tha se Rama ka bërë gafë duke e krahasuar situatën në Shqipëri me Italinë në kohën kur u instalua fashizmi.
“Vetë Kryeministri Rama ka marrë shembull rastin e Italisë, e ka thënë edhe në shtypin italian ‘kështu i ndodhi edhe opozitës italiane (u zhduk) dhe shtoi: Kujdes unë nuk jam Duçja!’ Nuk e di nëse është lapsus i pandërgjegjshëm apo e ka thënë me vetëdije, por thelbi ku duhet të reflektojmë është se askush nuk fajëson vendosjen e fashizmit për faj të opozitës italiane. Vendosja e regjimit atje nuk erdhi si faj i gabimeve të opozitës dhe evokimi i kësaj qoftë dhe për shaka për mua është i pavend, është i rrezikshëm”, tha Bushati.
Lidhur me një risk real që ka opozita, ai tha se situate është kritike, por nëse flasim për shkrirje të opozitës, atëhere “de facto” është instaluar regjimi “Rama”.
“Risku që opozita të zhduket është i madh. Opozita ka ndërmarrë një akt ekstrem për të ndërgjegjësuar ndërkombëtarët se gjendja nuk është aq rozë sa e paraqisni juve. Rreziku i një disfate të opozitës tani është shumë më i madh, por akti i tyre për djegien e mandateve ishte i domosdoshëm, s’kishte rrugë tjetër më mirë se një opozitë fasadë. Opozita zhduket vetëm kur instalohet regjimi”, u shpreh me tej Bushati.