Nga Ljudmilla Petrushevskaja
Përktheu nga origjinali Aleksandër Koli.
Tregim
***
Gjatë kohës së luftës, një kolonel mori letër nga e shoqja, ku i shkruante se e kishte marrë malli shumë për të dhe i lutej të vinte, ngaqë kishte frikë se do të vdiste pa e parë.
Koloneli bëri kërkesë për të marrë lejen dhe meqenëse vetëm para pak kohësh e kishin dekoruar, i dhanë leje për tre ditë.
Ai fluturoi me aeroplan, por një orë përpara se të arrinte në shtëpi, gruaja i vdiq. Pasi e qau dhe e varrosi të shoqen, u kthye sërish me tren, kur papritur zbuloi se i kishte humbur tesera e partisë. Koloneli rrëmoi kudo në sendet e tij, vajti prapë te stacioni nga u nis, të gjitha këto me vështirësi të mëdha, por nuk gjeti asgjë dhe më në fund u kthye në shtëpi. Atje ra të flinte dhe natën iu faneps e shoqja, e cila i tha se tesera e partisë gjendej në varr pranë saj, nga ana e majtë. Ajo i kishte rënë, kur koloneli ishte përkulur që ta puthte për të fundit herë. Gjithashtu, gruaja i tha të shoqit që të mos ia ngrinte vellon nga fytyra.
Koloneli kështu edhe veproi, siç i tha gruaja: nxori nga varri arkivolin, e hapi, gjeti pranë shpatullës së saj teserën e partisë, por nuk e përmbajti dot veten dhe i ngriti nga fytyra mbulesën.
Gruaja shtrihej si e gjallë, vetëm se në faqen e majtë kishte një krimb të vogël. Koloneli e flaku tutje krimbin me dorë, i mbuloi asaj fytyrën me vello dhe arkivolin e groposi përsëri nën dhè.
Tani i kishte mbetur fare pak kohë dhe ai shkoi drejt e në aerodrom. Aeroplani që i nevojitej nuk ndodhej atje, por papritur atë e thirri mënjanë një pilot me kominoshe të djegur dhe i tha se do të fluturonte pikërisht tek ai vend ku duhej të shkonte koloneli dhe se do ta zbriste atje. Koloneli u habit që oficeri e dinte se ku duhej të shkonte dhe papritur vuri re se ky pilot, ishte po ai që e kishte sjellë në shtëpi.
– Çfarë të ka ndodhur? – e pyeti koloneli.
– Pësova një dëmtim të vogël, – iu përgjigj piloti, – pikërisht gjatë rrugës së kthimit. Por nuk është ndonjë gjë. Unë do t’ju zbres atje ku duhet, atë vend e di, sepse ndodhet në rrugën e fluturimit.
Ata fluturuan natën, koloneli u ul në ndenjësen e gjatë metalike të mbërthyer anës bordit të avionit dhe u habit sesi ishte e mundur të fluturonte përgjithësisht ky avion. Nga brenda, aeroplani dukej në gjendje tejet të dëmtuar, ngado i vareshin copëra të shkëputura, nën këmbë i lëkundej njëfarë kërcuri i djegur, kutërbonte fort erë mishi i shkrumbuar. Ata arritën mjaft shpejt atje, koloneli e pyeti prapë nëse kishin arritur në vendin e duhur, ndërsa piloti i tha se për këtë ishte krejt i sigurt.
– Përse është në gjendje të këtillë avioni yt? – i bëri vërejtje koloneli, ndërsa piloti iu përgjigj se me pastrimin merrej përherë shturmani, por ai sapo ishte vrarë. Dhe nisi të nxirrte jashtë avionit kërcurin e djegur, me fjalët:
– Ja, ky është shturmani im!
Aeroplani ishte ulur në një fushë, ndërsa rreth e rrotull endeshin njerëz të plagosur. Nga të gjitha anët i rrethonte pyllnaja, së largu dukej një zjarr i ndezur, mes makinave dhe topave të shkatërruar shiheshin njerëz që rrinin shtrirë ose ulur, kishte nga ata që qëndronin në këmbë, ndërsa plot të tjerë ecnin në grupe të vogla.
– Maskara, ku më solle mua? – thirri koloneli. – Pse, aerodromi im është ky?
– Tani, kjo është njësia jote, – iu përgjigj piloti. – Këtu ku të mora, këtu edhe të solla.
Koloneli e kuptoi se regjimenti i tij ishte gjendur i rrethuar dhe qe shpartalluar plotësisht. Ai mallkoi gjithçka në botë, duke përfshirë këtu edhe pilotin, i cili po merrej ende me kërcurin, që e quante shturmanin e tij dhe i kërkonte të ngrihej dhe të ecte.
– Po mirë atëherë, le të fillojmë evakuimin, – tha koloneli. – Në fillim, dokumentet e shtabit, flamurin e regjimentit dhe veçanërisht, të plagosurit rëndë.
– Avioni nuk mund të fluturojë më asgjëkundi, – ia ktheu piloti.
Koloneli nxori pistoletën dhe e kërcënoi pilotin se do ta vriste në vend, për moszbatim urdhëri.
Por piloti mbajti një qëndrim shpërfillës dhe i vazhdoi përpjekjet për ta ngritur kërcurin mbi tokë, herë në njërën anë, herë në anën tjetër, me fjalët:
– Hë, jepi tani, eja të shkojmë.
Koloneli shtiu, por siç duket gaboi shenjë, sepse piloti vazhdonte të mërmëriste si më parë:
– Eja të shkojmë, eja të shkojmë.
Ndërkohë jehuan gumëzhima makinash dhe në fushë u shfaq autokolona e kamionëve me ushtarë gjermanë.
Koloneli u fsheh mes barit mbas një çuke të vogël, kamionët vijonin të vinin pa mbarim, por nuk u dëgjuan as të shtëna, as komanda dhe as ndalim motorësh. Pas dhjetë minutave, makinat kaluan, koloneli ngriti kokën – piloti, si edhe më parë, vazhdonte të merrej me kërcurin e djegur, ndërsa atje larg, pranë zjarrit, njerëzit rrinin ulur a shtrirë, ose endeshin andej-këtej.
Koloneli u ngrit dhe u afrua te zjarri. Atje, rreth e rrotull nuk njohu askënd, sepse ky nuk ishte aspak regjimenti i tij. Këtu gjendeshin edhe ushtarë këmbësorie, edhe artilierë, edhe një Zot e di çfarë tjetër, të gjithë me uniforma të grisura, me plagë të hapura nëpër krahë, në këmbë ose në bark. Vetëm fytyrat i kishin të kthjellëta.
Njerëzit bisedonin me zë të ulët. Pranë zjarrit, e kthyer me shpinë nga koloneli, rrinte ulur një grua me kostum të errët civil dhe shami në kokë.
– Kush është këtu me gradën më të lartë, të raportojë situatën, – kërkoi koloneli.
Askush nuk lëvizi, askush nuk i kushtoi vëmendje oficerit, kur ai filloi të shtinte, mirëpo, kur piloti tërhoqi pranë zjarrit kërcurin e djegur, të gjithë e ndihmuan që ta hidhte në zjarr “shturmanin” e tij, siç e quante, dhe nga kjo gjë flaka u fik. U bë krejt errësirë.
Koloneli dridhej i tëri nga i ftohti dhe nisi të shante e të thoshte se tani ishte krejt e pamundur të ngroheshin, ngaqë zjarri nuk do të ndizej prej këtij kërcuri.
Dhe atë çast, gruaja, pa u kthyer, tha:
– Përse më vështrove? Përse ma ngrite vellon? Tani, do të të thahet dora.
Ky ishte zëri i së shoqes.
Koloneli humbi ndjenjat dhe, kur u përmend, pa se gjendej në spital. Atij i thanë se e kishin gjetur te varrezat, pranë varrit të së shoqes dhe se krahu mbi të cilin kishte ndenjur shtrirë, i ishte dëmtuar rëndë dhe tani kishte mundësi t’ia hiqnin.