fbpx

Aktualitet

Krasniqi: Kriza është thelluar! Vendi, peng i elitave të korruptuara






               Publikuar në : 10:35 - 06/07/19 |
mapo.al

Flet për gazetën MAPO, Afrim Krasniqi, ekspert i politikës pranë Institutit të Studimeve Politike


Pavarësisht se u pretendua se 30 qershori do të zgjidhte ndonjë gjë, në fakt kriza është aty ku ishte, madje i janë shtuar disa elemente, me problemet në zgjedhje dhe pozicionimin e presidentit. Si mund të shkojnë gjërat në këtë krizë të re?



Ishte e pritshme që 30 qershori të mos ofronte zgjidhje. Ajo u shërbeu palëve si test dhe sidomos iu shërbeu edhe partnerëve ndërkombëtare për të provuar aftësinë e Shqipërisë për maturi dhe proces zgjedhor. Kriza në vend është thelluar dhe distanca midis palëve politike është shumë më e madhe sesa më 29 qershor, standardi demokratik është më i cenuar sepse një parti e vetme kontrollon 100% të pushtetit politik në vend në dy nivelet, qendror e lokal, dhe se partnerët ndërkombëtarë kuptuan se nuk ka engjëj e djaj në politikën shqiptare, e gjithë elita vendimmarrëse ka të njëjtin mentalitet, kulturë dhe sjellje parademokratike. 

Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama morën të gjithë pushtetin vendor, ndërkohë presidenti Meta është hedhur në sulm se po merr edhe pushtetin gjyqësor dhe se të gjitha pushtetet po bien në dorë të Ramës. Sa reale është kjo situatë dhe sa e rrezikshme është kjo?

Konflikti midis qeverisë e Presidentit nuk lidhet me parimet e shtetit dhe as standardet për një demokraci më funksionale. Lidhet me individët dhe agjendat e tyre personale politike. Nga ana tjetër është e qartë se kryeministri aktual ka më shumë pushtet se çdo kryeministër tjetër në historinë tonë të tranzicionit. Asnjë nuk ka pasur më shumë institucione nën kontroll dhe asnjë nuk ka qeverisur pa institucionet e sigurisë, siç janë Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Në këtë fazë Shqipëria ka humbur sensin e balancës dhe ndarjes së pushteteve dhe ky është produkt i zhvillimeve në 2-3 vitet e fundit, jo e 2-3 muajve të fundit. Më shumë është pasojë e defekteve të sistemit tonë politik e qeverisës me bazë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 sesa pasojë e tendencave dhe planeve personale të ndonjë politikani. 

Një aktor i ri ka hyrë në krizë fuqishëm dhe ai është presidenti Meta. Si i konsideroni akuzat e tij për komplot ndërkombëtar? A është dalje nga roli i kreut të shtetit sjellja e tij publike? Pse po e bën këtë Meta?

Midis retorikës si President dhe si politikan lokal, Presidenti ka zgjedhur të dytën. Ka qenë prej vitesh e qartë distanca e aktorëve kryesorë ndërkombëtare ndaj Presidentit Meta, por në çdo rast është e qartë se nuk kemi të bëjmë me qëndrime parimore, por me realpolitikë dhe përpjekje për të përfituar nga krizat afatshkurtra. Në një vend normal qytetari pa pushtet ka kritika dhe ka të drejtë të ngrejë zërin, por nuk mund të ndodhë që kryetari i shtetit të flasë gjithë ditën kundër shtetit që ai drejton. Nëse ka defekte sistemi dhe shteti, dhe natyrisht ka shumë, kryetari i shtetit është pjesë e përgjegjësisë së tyre dhe duhet të jetë edhe pjesë e zgjidhjes së tyre. Retorika e larjes së duarve duke deleguar përgjegjësitë te të tjerët dhe pushtetin te vetja, është tipike ballkanike dhe është tipar i të gjithë elitës sonë politike, përfshirë Presidentin, kryeministrin, drejtuesit e opozitës dhe shpeshherë edhe i medias. 

Ndërkombëtarët mbeten në të njëjtat pozita. Ka sinjale që negociatat s’ka shanse të hapen me këtë situatë. Ndërkohë ata vijojnë ta mbështesin Ramën në krizën e brendshme. A është paradoksale kjo, a pritet që ndërkombëtarët të ndërhyjnë?

Me mënyrën sesi u përgatit dhe u realizua 30 qershori shanset për një avancim të procesit integrues janë ulur ndjeshëm. Nuk është vetëm ideja se pati vetëm një parti në zgjedhje apo që opozita ka dalë tashmë jashtë sistemit përfaqësues, por është edhe konflikti i madh politik, ndarja e madhe që palët kanë shkaktuar, pasojat e zgjedhjeve me një parti në sistemin politik dhe cungimi i legjitimitetit për institucionet e reja dhe ato aktuale. Numri i kancelarive që janë kritikë me kryeministrin është rritur ndjeshëm pas 30 qershorit, ashtu siç edhe numri i kancelarive që ishin kritike ndaj opozitës ka mbetur në nivele shqetësuese, ashtu siç numri i vendeve skeptike ka tashmë argumente më shumë për të rritur skepticitetin e tyre.

Sado të gjenden alibi dhe të debatohet në ekranet televizive, Shqipëria bëhet vendi i vetëm demokratik në botë ku një parti konkurron e vetme në zgjedhje dhe fiton të gjitha pushtetet me vetëm 20-22% votues, ashtu siç mbetet vend unik i dorëzimit të mandateve nga opozita, por edhe i faktit se mbetet peng i një elite politike të korruptuar, të paaftë dhe shpesh me lidhje kriminale në agjendën e tyre politike e publike. Ky është dëmi më i madh që kjo elitë i ka bërë Shqipërisë, imazhit, progresit dhe shanseve të saj drejt integrimit. 

Opozita iu rikthehet protestave masive të hënën. Çfarë mund të presë ajo tani pas votimeve të 30 qershorit? Përveç protestës, në këndvështrimin tuaj, a ka ajo ndonjë armë tjetër në dorë apo mundësi për të realizuar kërkesat e saj? 

Opozita testoi veten me përdorimin e forcës dhe rezultoi metodë joproduktive. Më pas iu bind mesazheve ndërkombëtare dhe pati sjellje nxënësi të urtë në ditën e votimit. Për këtë me siguri ajo pret të marrë diçka në kompensim dhe shenjat duken.

Pas zgjedhjeve raportet konfidenciale ndërkombëtare nuk adresojnë më si problem kryesor opozitën, por qeverinë dhe kryeministrin. Çështja është se opozita nuk ka ende një strategji, një plan konkret dhe nuk po arrin të realizojë një reformim të brendshëm të saj. Riciklimi i figurave të vjetra dhe me imazh negativ në fakt është investimi më i mirë për PS në PD. Opozita aktuale është shumë më e vogël sesa numri i qytetarëve kritikë dhe realisht opozitarë. Kjo është sfida e saj, – të kthehet opozitë funksionale, përfaqësuese, alternativë dhe konkurruese dhe për këtë, rruga që duhet të bëjë duket shumë më e gjatë sesa mendohet nga mendjet militante në oborrin e saj.


Etiketa: , ,

Pas