Aktualitet

KRIIK Albania: Klasa politike të prodhojë dialog serioz






               Publikuar në : 19:00 - 24/08/19 |
mapo.al

Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) ka ndjekur në vijueshmëri, që prej miratimit të Kodit Zgjedhor të vitit 2008, proceset zgjedhore dhe proceset institucionale të lidhura me to.


Më datë 23 Gusht 2019, KRIIK publikoi QENDRIMIN PUBLIK “30 Qershori si dështim i klasës politike dhe kërcënim ndaj demokracisë” me anë të të cilit evidenton se Procesi i 30 Qershorit 2019, i konsideruar “Zgjedhje” apo “Votime”, ka passjellë tanimë mandatimin e qeverisjes vendore të re, pavarësisht se është e pamundur të vlerësohet si një proces zgjedhor ku u evidentua shprehja e vullnetit të lirë e demokratik. Kjo për shkak se, ndër të tjera, u shënua një administrim totalisht i njëanshëm politik me shkelje jo të pakta ligjore, si dhe rezultoi realisht një proces gati tërësisht pa garim duke përbërë kështu de facto një emërim politik të qeverisjes vendore.

Në konsideratën e KRIIK, në vijueshmëri të monitorimit të kryer për rreth një dekadë,  ky proces i ashtuquajtur zgjedhor shënoi përmbylljen e një serie dështimesh të klasës politike vendase, ku ky dështim i fundit i faturoi vendit edhe dështimin në tre përpjekje madhore institucionale:  –mungesë të kapacitetit ligjor-institucional për të mbajtur zgjedhje me integritet;  – zhbërjen e qeverisjes vendore si një pushtet i decentralizuar si dhe  – pamundësinë e një dialogu serioz politiko-institucional, mungesa e të cilit ka sjellë radikalizimin e përballjes politike duke u përpjekur për të instaluar një krizë kushtetuese permanente.

Evidentohet,  ndër të tjera, se dëmi më i parë i përvojës zgjedhore të 30 Qershorit, por edhe i precedentëve të tjerë negativë të vendosur përgjatë proceseve të mëparshme zgjedhore, është zhbërja definitive e tërë kuadrit ligjor përkatës, institucioneve përgjegjëse dhe traditës zgjedhore sipas Kodit Zgjedhor të vitit 2008.

Gjithashtu, me këtë “proces zgjedhor”, “u hodh në erë” edhe mekanizmi i kundër-balancimit politik, praktikisht bi-partizan, në mbarëvajtjen zgjedhore si dhe u vendosën disa precedentë të tjerë.

Mekanizmi kushtetues i Republikës së Shqipërisë në thelbin e tij duket tashmë i pajetë, sepse pas 30 Qershorit rotacioni mekanik zgjedhor, po orientohet drejt një rotacioni mirëfilltazi autokratik, me një “biletë dyshe” qeverisje qendrore-vendore së bashku. Projektimi shtetformues i një demokracie liberale kushtetuese banalizohet kështu në një dyluftim elektoral ku “fituesi i merr të gjitha”.

Nga ana tjetër, KRIIK ngre shqetësimin se vertikalizimi i pushtetit pa prezencë opozitare, në kontekstin vendas të ligjzbatimit dhe sjelljes institucionale, paraqet një rrezik shumë të lartë për qeverisjen vendore

Në gjykimin e KRIIK, është e nevojshme, që në situatën aktuale, për hir të nulizimit të precedentëve absurdë dhe antiligjorë të vendosur tanimë,  të merret në konsideratë shkrirja e trupës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e Kolegjit Zgjedhor, si dhe nisja e punës për hartimin e një Kodi të Zgjedhor të ri.

KRIIK gjithashtu sjell në vëmendje dhe iu bën thirrje të gjithë aktorëve se Zgjedhjet e 30 Qershorit 2019, për aq sa meritojnë të quhen të tilla, nuk mund të jenë në asnjë rast laku që të mbajë peng shoqërinë dhe institucionet shqiptare në një spirale të krizës kushtetuese dhe të një retorike radikale.

Në gjykimin e KRIIK, tanimë,  pikëpyetjet dhe kundërshtitë mbi 30 Qershorin duhet të ndjekin rrugët institucionale, në pritje të shqyrtimit prej Gjykatës Kushtetuese, me tërë efektet që mund të passjellë ky shqyrtim.

Klasës politike i mbetet përgjegjësia e lartë kombëtare të tregohen të maturuar dhe të nisin pa vonesë dialogun e të gjejnë kompromisin dhe zgjidhjen e duhur për vendin dhe të ardhmen e demokracisë.

Njëkohësisht, mbetet sfidë dhe detyrë për ta angazhimi maksimalisht për realizimin e Reformës në Drejtësi dhe për nisjen e një Reforme Zgjedhore gjithëpërfshirëse, ashtu sikundër mbetet e domosdoshme që të shprehen dhe të angazhohen fortë e qartë në luftën pa kompromis kundër korrupsionit të çdo niveli dhe krimit të organizuar.

Në përfundim, theksohet se e tashmja dhe ardhmja e qytetarëve shqiptarë pas 3 dekadave nuk mund të jetë në pritje të dakordësive politike, apo më keq të atyre që rezultojnë të jenë “pazare” politike.

Nëse klasa politike aktuale është e paaftë së paku të prodhojë dialog serioz politik e institucional të mbështetur në parime, pa përmendur institucione të forta apo të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve, fati i kësaj klase politike duhet të jetë tërheqja apo largimi.


Etiketa: , , ,

Pas