Aktualitet

KRIIK letër krerëve të partive: Përmbyllni sa më shpejt amendimet e dakordësuara të Kodit Zgjedhor














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 22:50 - 16/06/20 |
mapo.al

“Nxitni angazhimin konkret të vullnetit të drejtëpërdrejtë politik dhe institucional, për përmbylljen sa më shpejt të amendimeve të dakordësuara të Kodit Zgjedhor si dhe për të sjellë në vëmendjen e tyre dhe të forcave politike respektive disa çështje të tjera, të cilat kanë nevojë për t’u adresuar sa më parë në mënyrë vizionare dhe të matur.”






Kjo është ajo çfarë i kërkon Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) me anë të një letre krerëve të tre partive kryesore në vendin tonë, kryetarëve të katër Grupeve Parlamentare si dhe anëtarëve të Këshillit Politik.


KRIIK shpreh konsiderata për dakordësinë e arritur marrëveshjen e arritur më 5 qershor pasi sipas saj shënoi një kthesë të rëndësishme të komunikimit politik në përvojën demokratike të vendit, pas një ecurie precedentësh negativë dhe krizash madhore.







KRIIK, parashtron nevojën për të adresuar sa më parë :




  • çështjen e transparencës së plotë mbi punën e Këshillit Politik;
  • kuadrin rregullator të nevojshëm në rast të mundshëm të zhvillimit të procesit zgjedhor në një situatë pandemie, si dhe
  • vijimin e reformimit të kuadrit ligjor nëpërmjet institucionalizimit dhe funksionalizmit të mëtejshëm të Këshillit Politik për çështje që nuk ishin pjesë e paketës së dakordësuar.

Më tej shton se diskutimi mbi sistemin zgjedhor është një çështje që meriton maturi të lartë, një analizë integrale të një tërësie faktorësh dhe një unison të plotë të aktorëvë politikë e civilë.



NJOFTIM PER SHTYP

Në datë 16 qershor 2020, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) iu dërgoi Kryeministrit të Republikës dhe Kryetarit të Partisë Socialiste Sh.T.Z. Edi RAMA, Kryetarit të Partisë Demokratike Z. Lulzim BASHA, Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim Znj. Monika KRYEMADHI, Kryetarëve të katër Grupeve Parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë si dhe anëtarëve të Këshillit Politik, një LETËR TË HAPUR me titull “Dakordësia e arritur në marrëveshjen e 5 qershorit, si një moment i lidershipeve për të tejkaluar përvojën e derisotme”.

Në këtë Letër, KRIIK shpreh konsideratën e tij për dakordësinë e arritur nëpërmjet marrëveshjes së 5 qershorit 2020 mbi paketën e ndryshimeve të kuadrit ligjor për çështjet zgjedhore, duke vlerësuar se marrëveshja e konkluduar shënoi një kthesë të rëndësishme të komunikimit politik në përvojën demokratike të vendit, pas një ecurie precedentësh negativë dhe krizash madhore.

Nga ana tjetër KRIIK shpreh gjithashtu shqetësimin e tij për moskonkludimin ende në një produkt ligjor të bazuar në këtë marrëveshje politike, megjithëse kanë kaluar dhjetë ditë pas arritjes së saj, për më tepër kur dihet se teksti i draftuar mbi të cilin po diskutohet ka qenë në dispozicion të Komisionit të Reformës Zgjedhore, i përgatitur prej ekspertëve teknikë, të paktën prej nëntorit 2019.

Nëpërmjet kësaj Letre, KRIIK, i drejtohet nivelit më të lartë politik duke iu parashtruar atyre nevojën për të nxitur angazhimin konkret të vullnetit të tyre të drejtëpërdrejtë politik dhe institucional, për përmbylljen sa më shpejt të amendimeve të dakordësuara të Kodit Zgjedhor si dhe për të sjellë në vëmendjen e tyre dhe të forcave politike respektive disa çështje të tjera, të cilat, në gjykimin e KRIIK, kanë nevojë për t’u adresuar sa më parë në mënyrë vizionare dhe të matur.

Konkretisht , KRIIK, parashtron nevojën për të adresuar sa më parë :

–          çështjen e transparencës së plotë mbi punën e Këshillit Politik;

–          kuadrin rregullator të nevojshëm në rast të mundshëm të zhvillimit të procesit zgjedhor në një situatë pandemie, si dhe

–          vijimin e reformimit të kuadrit ligjor nëpërmjet institucionalizimit dhe funksionalizmit të mëtejshëm të Këshillit Politik për çështje që nuk ishin pjesë e paketës së dakordësuar, si: mekanizmi i kontrollit të veprimtarisë financiare të partive politike, vota e diasporës dhe format e demokracisë së drejtëpërdrejtë (referendumet)

Veçanërisht, nxitet funksionalizimi i Këshillit Politik në asistencë të çështjeve që mund të dalin në veprimtarinë e KQZ-së, sidomos duke marrë në konsideratë qasjen e evidentuar përgjatë diskutimeve të kryera gjatë procesit të reformës, ku KQZ-së parashikohet t’i atribuohen menaxhimi dhe rregullimi i disa çështjeve “të nxehta”, për të cilat dakordësimi politik ka qenë i pamundur.

Kjo përbën një arsye më shumë për t’a shëndoshur institucionalisht KQZ-në e re duke e ndihmuar me ekspertizë dhe vullnet politik të dakordësuar, si dhe duke e shmangur atë nga presioni politik

Në përmbyllje të Letrës së Hapur, duke konsideruar domosdoshmëri mbizotërimin e frymës së Transparencës në tërë jetën politike e institucionale, si instrumenti i vetëm për rikthimin e besimit qytetar, KRIIK parashtron përpara vullnetit personal e politik të liderëve politikë edhe disa propozime konkrete që lidhen me një sërë çështjesh, vënia në jetë e së cilave, megjithëse në mungesë të dispozitave specifike detyruese ligjore, mund të realizohet vullnetarisht nga subjektet politike, në respekt të një këndvështrimi më të plotë mbi frymën dhe gërmën e Kushtetutës apo edhe të kuadrit aktual ligjor.

Në gjykimin e KRIIK, jetësimi i këtyre propozimeve, si elementë minorë në jetën dhe për kapacitetet që mbart një parti politike, do të sjellë një mjedis transparence më të plotë përpara qytetarëve, do të ndihmojë ndjeshëm në harmonizmin e disa proceseve të tjera proceduriale, si dhe do të shënojë pikënisjen e një sërë procesesh të tjera advokuese, llogaridhënëse apo ligjzbatuese duke u përpjekur kështu të jepet një kontribut i fuqishëm kundër fenomenit të pandëshkueshmërisë dhe moszbatimit të ligjit prej vetë partive politike.

Ndër propozimet e paraqitura nga KRIIK përmenden:

– rritja e transparencës së financimit të partive politike, jo vetëm përgjatë periudhës zgjedhore, duke i nxitur subjektet politike të ndërmarrin vullnetarisht një procetransparence të detajuar të veprimtarisë së tyre;

– rritja e transparencës mbi ofertat elektorale (programet konkrete dhe të detajuara elektorale) si dhe mbi profilet e plota të kandidatëve të zgjedhur, duke iu kërkuar këtyre të fundit ndër të tjera, që të bëjnë publikimin paraprakisht edhe të tre dimensioneve financiare: aseteve financiare që zotërojnë;  detyrimeve fiskale të lidhura me to, si dhe të detyrimeve financiare që kanë ndaj të tretëve.

– jetësimin dhe institucionalizimin e Auditit post-Zgjedhor për të imponuar institucionalisht përmirësimin e anomalive të vërejtuara gjatë ecurisë së procesit zgjedhor, si dhe për të projektuar akoma më mirë piketat dhe nivelin e thellësisë së ndërhyrjes në reformën zgjedhore të pritshme në legjislaturën e re.

Në konsideratë të fundit, KRIIK shpreh edhe qendrimin e tij lidhur me diskutimin publik mbi ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke theksuar se diskutimi mbi sistemin zgjedhor është një çështje që meriton maturi të lartë, një analizë integrale të një tërësie faktorësh dhe një unison të plotë të aktorëvë politikë e civilë.

Gjithashtu, duke patur parasysh se në vlerësimin e KRIIK një nga të metat e sistemit aktual është se ai nuk e “ushqen” pluripartitizmin parlamentar dhe përbën pengesë për formacionet e reja politike, propozohet specifikisht që për zgjedhjet e ardhshme të mund të merret në shqyrtim ndërmarrja e një ndërhyrje teknikisht jo-thelbësore, por me efekt real siç mund të jetë ulja e pragut zgjedhor apo edhe ndryshimi i formulës së alokimit të mandateve, me synim nxitjen e alternativave të reja dhe forcimin e pluripartitizmit si një vlerë thelbësore për një demokraci në ndërtim.

Dokumentin e plotë mund ta gjeni si tekst më poshtë ose në formatin .pdf mund ta shkarkoni KËTU.

Tiranë, më 16 Qershor 2020!

L E T Ë R   E   H A P U R

Dakordësia e arritur në marrëveshjen e 5 qershorit ,

si një moment i lidershipeve për të tejkaluar përvojën e derisotme

Drejtuar:  Kryeministrit të Shqipërisë dhe Kryetarit të Partisë Socialiste

SHTZ. Edi  RAMA

Kryetarit të Partisë Demokratike

  1. Lulzim BASHA

Kryetares së Partisë Lëvizja Socialiste për

Integrim

znj. Monika KRYEMADHI

Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë

Socialiste

  1. Taulant BALLA

Kryetarit të Grupit Parlamentar “Demokrat”

  1. Myslim MURRIZI

Kryetarit të Grupit Parlamentar “I pavarur”

  1. Nimet MUSAJ

Kryetarit të Grupit Parlamentar “Demokraci

dhe Drejtësi”

Kryetarit z. Edmond Stojku

Për dijeni:     Anëtarëve të Këshillit Politik

Trupit Diplomatik dhe Organizmave të tjerë

     Ndërkombëtarë të akredituar në Shqipëri

Të nderuar zonja/zotërinj!

Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) ka ndjekur në vijueshmëri zhvillimin e proceseve zgjedhore prej miratimit me referendum të Kushtetutës në vitin 1998 e deri më sot.

Gjithashtu, prej Reformës Zgjedhore të vitit 2012, KRIIK, në bashkëpunim me apo në kuadër të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, ka ndjekur në mënyrë të pandërprerë performancën dhe të gjitha mbledhjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më sot, si dhe gati tërë proceset institucionalë dhe politikë që kanë afektuar drejtëpërdrejtë apo indirekt integritetin e proceseve zgjedhore.

Një përvojë të pasur, KRIIK ka grumbulluar në formën e rritjes së kapaciteteve dhe të ekspertizës së vet edhe nëpërmjet angazhimeve në Misionet Ndërkombëtare të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, në kuadër të Rrjetit Europian të Organizatave që Vëzhgojnë Zgjedhjet (ENEMO), në Sekretariatin Drejtues të të cilit është anëtar prej dy mandatesh[i].

Në vazhdimësi të veprimtarisë së tij përpos angazhimit dhe ndërveprimit me partitë politike në aktivitete të përbashkëta, ku janë shprehur zotime të nivelit më të lartë të Lidershipit Politik[ii], ka ndjekur gjithashtu tërë ecurinë e Komisioneve të Posaçme Parlamentare për Reformën Zgjedhore të ngritura pas Zgjedhjeve Parlamentare të vitit 2013, dhe në veçanti ecurinë e Komisionit aktual, që prej ngritjes së tij më tetor 2017 e deri më sot, përfshirë edhe ngritjen dhe funksionimin e Këshillit Politik, përsa është bërë e mundur të mësohet për veprimtarinë e tij nga deklarimet e bëra në media nga anëtarët e tij apo kontakteve të tjera indirekte.

Në ndjekje të situatës aktuale, pas marrëveshjes politike për ndryshimet në kodin zgjedhor dhe të ecejakeve më të fundit lidhur me materializimin e saj,

     Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara  Ju drejtohet me këtë Letër të Hapur, si një nevojë për të nxitur angazhimin konkret të vullnetit Tuaj të drejtëpërdrejtë politik dhe institucional, për përmbylljen sa më shpejt të amendimeve të dakordësuara të Kodit Zgjedhor.

Gjithashtu, për të sjellë në vëmendjen Tuaj dhe të forcës suaj politike disa çështje të tjera, të cilat, në gjykimin e KRIIK, kanë nevojë për t’u adresuar sa më parë në mënyrë vizionare dhe të matur.

Fillimisht, KRIIK shpreh shqetësimin e tij për moskonkludimin ende në një produkt ligjor prej Këshillit Politik bazuar në marrëveshjen e 5 qershorit 2020.

Përmes një Qendrimi Publik[iii] të publikuar më datë 31 maj 2020, KRIIK theksoi rëndësinë e mbylljes sa më parë të reformës për pikat e dakordësuara, në mënyrë që ky proces të mos zvarritej më tej dhe të mund të afektonte proceset e tjera në vijimësi.

Është e pajustifikueshme vonesa për mbylljen e draftit ligjor në zbatim të marrëveshjes politike, kur dihet se teksti i draftuar, e mbi të cilin po diskutohet, ka qenë në dispozicion të Komisionit të Reformës Zgjedhore, i përgatitur prej ekspertëve teknikë, të paktën prej nëntorit 2019, pa përmendur këtu angazhimin dhe vetë-zotimet e tërë grupit politik dhe teknik për të mbyllur në tërësi të gjithë tekstin e ndërhyrjeve mbi reformën zgjedhore njëherë më afat të fundëm 15 mars 2020 dhe njeherë më datë 31 maj 2020.

Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara, duke shprehur konsideratën e tij për dakordësinë e arritur nëpërmjet marrëveshjes së 5 qershorit 2020 mbi paketën e ndryshimeve të kuadrit ligjor për çështjet zgjedhore dhe duke patur parasysh se:

–            Dakordësia e arritur reflektoi maturi dhe lartësinë e duhur në përgjegjësitë që mbani e duhet të zhvilloni për fatet e vendit, ndërkohë që marrëveshja e konkluduar shënoi një kthesë të rëndësishme në përvojën demokratike të vendit pas një ecurie precedentësh negativë dhe krizash madhore[iv].

–            Ky hap duhet të konsiderohet si hapi i parë i suksesshëm për rikthimin e dialogut politik në shtratin institucional, si e vetmja rrugë në projektin shtetformues për kryerjen me sukses të reformave madhore dhe integrimin real të shoqërisë e vendit tonë në vlerat dhe standardet euro-atlantike të shoqërive të përparuara demokratike.

–            Në tërë përvojën demokratike zgjedhore të derisotme, vetëm kur vullnetet qytetare kanë qenë të qarta në pranimin apo refuzimin e ofertave elektorale, Lidershipeve Politikë iu është imponuar pranimi i rezultati zgjedhor.

Institucionet Përgjegjëse, deri më sot, nuk kanë arritur të ofrojnë garantim të integritetit zgjedhor, duke e lënë kështu legjitimitetin e rezultatit zgjedhor objekt të diskursit partiak.

–            Kjo dialektikë e ka zbehur besimin e qytetarëve tek legjitimiteti i qeverisjeve në vend, institucionet publike e reformat e ndërmarra duke vënë pikëpyetje, madje, edhe mbi vetë sistemin demokratik.

–            Prej Reformës Zgjedhore të vitit 2012 e deri më sot, jo vetëm që proceset reformuese të kuadrit ligjor zgjedhor kanë dështuar, por dialogu politik, për aq sa mund të ketë patur, ka mënjanuar shtratin institucional dhe ka gjeneruar kriza ciklike që kanë peshuar jo pak në progresin e vendit.

–            Zotimet dhe angazhimet Tuaja politike në vijimësi për krijimin e mekanizmave ligjorë-institucionalë në garantimin e integritetit të proceseve zgjedhorë dhe për forcimin e besimit qytetar tek institucionet, përbëjnë një detyrim i cili duhet realizuar.

Ky përbën hapin e parë dhe më të rëndësishëm që duhet ndërmarrë në këtë moment madhor dhe ndaj të cilit është i domosdoshëm përkushtimi me sinqeritet, seriozitet dhe vullnet të plotë prej Lidershipit më të lartë politik, së paku përsa ai është zotuar.

Suksesi në këtë ndërmarrje thelbësore, do të sigurojë legjitimitet të plotë dhe do të lehtësojë përballjen me sfidat e tjera madhore për vendin, sikundër janë: ndërtimi i shtetit ligjor e i së drejtës, prosperiteti ekonomik, konsolidimi dhe përmbyllja me sukses e reformës në drejtësi dhe veçanërisht lufta ndaj krimit të organizuar[v] dhe korrupsionit.

–            Proceset zgjedhore nuk duhet të jenë thjesht garime apo konkurime politike për të arritur një fitues, por duhet të jenë mundësi zgjedhjeje e qytetarëve të mirëinformuar, të pandikuar e vetëvendosës për qeverisjen e tyre të ardhshme në funksion të mirëqenies së tyre dhe sigurisë për të ardhmen.

–            Klasa politike nuk mund të vazhdojë t’a konsiderojë veten dhe të sillet si lojtar që ka për qëllim vetëm suksesin elektoral e të vazhdojë të ndërtojë alibi mbi detyrimet apo lejimet e kuadrit ligjor, duke e konsideruar rezultatin zgjedhor si një qëllim të fundëm dhe jo si një mjet për t’i ofruar qytetarit shqiptar alternativën më të mirë qeverisëse.

–            Qasja bi-partizane në këto tre dekada të përvojës demokratike në vendit tonë, nuk ka lejuar mbarëvajtje zgjedhore të rregullt, ka bjerrur jashtëzakonisht cilësinë e përfaqësimit politik dhe ka minuar në vijimësi projektin shtetformues.

–            Në përfaqësimin politik në vend kanë arritur të futen figura dhe interesa të jashtëligjshëm, duke siguruar kësisoj që të kenë forcë vendimmarrëse dhe të gëzojnë edhe imunitet politik e partiak.

–            Ky tranzicioni demokratik do të mund të tejkalohet vetëm kur Lidershipet më të larta politike  të ngrihen në nivelet e aspiratave dhe jo thjesht të suksesit në garimin elektoral.

Të gjendur dhe të imponuar nga klasa politike ende në një realitet parashtetëror dhe parademokratik, fuqia e shtetit të së drejtës dhe e ligjit do të vazhdojë të jetë e dobët, e diskutueshme dhe relative përsa kohë ajo të gjendet në duart e establishmentit politik.

–            Vetëm nëse vullneti i establishmentit politik do të dorëzojë këtë pushtet tek institucionet publike, atëherë vendi ynë mund të pikënisë projektin demokratik.

–            Rritja në tërësi e transparencës dhe veçanërisht asaj financiare;  hapja e partive politike dhe sjellja e tyre konform detyrimeve kushtetuese e ligjore;  garimi mbi bazën e ofertave elektorale dhe ndëshkueshmëra e krimit zgjedhor, konsiderohen si instrumenta të rëndësishëm në garantimin e integritetit të proceseve zgjedhorë dhe në kthimin e besimit qytetar tek institucionet.

në këtë situatë, të nxitur nga nevoja imediate dhe në vazhdimësi të dakordësisë së arritur, sjell në vëmendjen Tuaj disa çështje që, në gjykimin e KRIIK, janë të domosdoshme për t’u adresuar sa më parë për të shëndoshur e konsoliduar më tej efektet pozitive të marrëveshjes:

  1. Transparenca mbi punën e Këshillit Politik.

Këshilli Politik ishte një modul i gjetur si një zgjidhje për të tejkaluar ngërçin politik-parlamentar.  Megjithatë, ishte ishte një modul jo-institucional, me veprimtari efektive të ngushtë në kohë dhe në kufijtë kohorë të pranueshëm nga procesi zgjedhor pasardhës.

Kësisoj, kjo ishte një përvojë diametralisht e kundërt me zotimet e hershme dhe të vazhdueshme të lidershipeve politike për një proces reformues gjithëpërfshirës dhe integral.

Në këto rrethana, nisur edhe nga fakti se ende, pas marrëveshjes së 5 qershorit, puna në Këshillin Politik dhe në Komisionin e Posaçëm Parlamentar vazhdon të bëhet me dyer të mbyllura,  KRIIK,  e konsideron domosdoshmëri dhe përgjegjësi transparencën e plotë dhe detajimin e veprimtarisë së ndërmarrë nga Këshilli Politik.

Në mënyrë imediate është e domosdoshme të bëhen publike informacione se si është kryer ecuria e diskutimeve, cilat kanë qenë kontributet e ekspertëve dhe anëtarëve të Këshillit dhe, më e rendësishmja, të bëhet i ditur drafti i tekstit ligjor final në zbatim të marrëveshjes.

Emergjenca për miratimin e tekstit ligjor, nuk duhet të përdoret si argument për një kalim të menjëhershëm në votim parlamentar, përkundrazi.

Teksti ligjor i konkluduar, do të duhet t’i nënshtrohet një procesi informues-konsultues, për aq sa e lejon konteksti.

Ky proces konsultimi do të ndihmonte së pari për një analizë më të plotë të tij, që prej teknikës legjislative dhe deri tek handikapet që mund të përmbajë në vetvete ky tekst.  Analiza e një teksti ligjor kompleks dhe kaq madhor, nuk mund të mbështetet tek aftësia dhe ekspertiza e vetëm një grupi pune, sado i vlerësuar të jetë ai.

  1. Parashikimi i procesit zgjedhor në një situatë të mundshme Pandemie.

Në vazhdën e imperativit kontekstual, KRIIK e konsideron të domosdoshme që para miratimit parlamentar të amendimeve, duhet të merret në konsideratë edhe eventualiteti i një gjendje emergjence të shëndetit publik përgjatë procesit zgjedhor të ardhshëm.

Duke marrë në konsideratë përvojën e gjendjes së emergjencës së muajve të fundit dhe masat respektive, një situatë e ngjashme do të rrezikonte integritetin dhe administrimin e procesit zgjedhor.

Një gjendje emergjence e ngjashme me atë që u kalua së bashku me masat respektive dhe e parregulluar nga kuadri ligjor, do të mund të krijonte alibi për delegjitimimin e procesit, mundësi për t’a deformuar atë, apo, edhe me keq, mundësi për të rikthyer situata të mundshme krizash apo destabiliteti.

Për këtë arsye gjykohet si domosdoshmëri të parashikohet një apo disa platforma administrimi të procesit zgjedhor deri në skenarët më të padëshiruar.

Platformat duhet të kenë për objekt jo vetëm një mirëmenaxhim të procesit zgjedhor në respekt dhe përputhje të protokolleve shëndetësore, por edhe duke parashikuar rastin ekstrem për mundësinë e zhvendosjes së datës së zgjedhjeve.

  1. Vijimi i reformimit të kuadrit ligjor nëpërmjet institucionalizimit dhe funksionalizmit të mëtejshëm të Këshillit Politik.

Në riktheksim të konsideratave mbi përvojën dhe veprimtarinë e Këshillit Politik, KRIIK thekson se dakordësia e arritur në thelbin e saj shërbeu për rritjen e besimit garues ndërmjet vetë aktorëve politikë.

Kjo përbën një arritje të vlerësueshme, por që rezulton ende larg arritjes së standardit të një demokracie jo në tranzicion dhe që mbetet kthimi i besimit të qytetarëve.

Besim që nis tek integriteti i procesit zgjedhor, vazhdon me sjelljen dhe funksionimin e institucioneve publike dhe deri tek vetë sistemi demokratik.

Në këtë perspektivë, KRIIK, nxit Lidershipin Tuaj Politik për një angazhim maksimal në vazhdim të diskutimeve të tjera mbi kuadrin ligjor zgjedhor, por jo vetëm, për çështje të cilat nuk ishin pjesë e produktit të dakordësuar.

Ndër çështjet madhore që nuk ishin pjesë e kësaj pakete të dakordësuar sillen në vëmendje çështjet mbi: mekanizmin e kontrollit të veprimtarisë financiare të partive politike; votën e diasporës dhe format e demokracisë së drejtëpërdrejtë (referendumet).

Jo vetëm kaq, por Këshilli Politik mund të vazhdojë veprimtarinë e tij në asistencë të çështjeve që mund të dalin në veprimtarinë e KQZ-së apo edhe me një agjendë përtej procesit zgjedhor pasardhës, siç mund të ishin çështjet e:  ligjit për partitë politike; ligjit për lobimet; të nëpunësit civil, etj. Për më tepër që në qasjen e deritanishme, përgjatë diskutimeve të kryera gjatë procesit të reformës, duket se KQZ-së do t’i atribuohet menaxhimi dhe rregullimi i disa çështjeve “të nxehta”, për të cilat dakordësimi politik ka qenë i pamundur.

Kjo përbën një arsye më shumë për t’a shëndoshur institucionalisht KQZ-në e re duke e ndihmuar me ekspertizë dhe vullnet politik të dakordësuar, si dhe duke e shmangur atë nga presioni politik.

Gjithashtu, duke konsideruar domosdoshmëri mbizotërimin e frymës së Transparencës në tërë jetën politike e institucionale, si instrumenti i vetëm për rikthimin e besimit qytetar, KRIIK parashtron përpara vullnetit Tuaj personal e politik, disa propozime konkrete që lidhen me një sërë çështjesh, vënia në jetë e së cilave, megjithëse në mungesë të dispozitave specifike detyruese ligjore, mund të realizohet vullnetarisht nga Ju dhe Subjekti Juaj Politik në respekt të një këndvështrimi më të plotë mbi frymën dhe gërmën e Kushtetutës apo edhe të kuadrit aktual ligjor.

Jetësimi i këtyre propozimeve, si elementë minorë në jetën dhe për kapacitetet që mbart një parti politike, në gjykimin e KRIIK, do të sjellë një mjedis transparence më të plotë përpara qytetarëve, do të ndihmojë ndjeshëm në harmonizmin e disa proceseve të tjera proceduriale, si dhe do të shënojë pikënisjen e një sërë procesesh të tjera advokuese, llogaridhënëse apo ligjzbatuese duke u përpjekur kështu të jepet një kontribut i fuqishëm kundër fenomenit të pandëshkueshmërisë dhe moszbatimit të ligjit prej vetë partive politike.

Konkretisht, KRIIK Ju paraqet konsideratën e tij dhe disa propozime lidhur me:

  1. A) Transparencën financiare të partive.

Sikundër e ka bërë të ditur edhe më parë, KRIIK nxit lidershipet politike të vazhdojnë angazhimin në raport me rregullimin e transparencës dhe kontrollit të veprimtarisë financiare të partive politike, si një çështje madhore në raport me integritetin e procesit zgjedhor dhe të kthimit të besimit qytetar.

Transparenca dhe kontrolli i veprimtarisë financiare të partive politike është një çështje më shumë se sa fiskale. Ato kanë për qëllim evidentimin ndaj qytetarit të interesave që mbështesin agjendat politike dhe ofertat elektorale, duke u kujdesur të evidentojnë rastet kur këto interesa përbëjnë apo përmbajnë rrethana të konfliktit të interesit apo edhe të veprimtarive të jashtëligjshme.

Aktualisht, në mungesë të një mekanizmi ligjor-institucional funksional, për të cilin as puna e Këshillit Politik nuk prodhoi ndonjë kontribut,  KRIIK nxit aktorët politikë të angazhohen në një proces transparence përtej asaj që kërkon kuadri ligjor i sotëm.

Aktorët politikë mund të kryejnë një proces transparence të detajuar dhe në kohë reale (apo së paku të përmuajshme) mbi të ardhurat dhe shpenzimet e ecurisë normale të veprimtarisë dhe jetës politike në tërësi të partisë politike, duke nisur që nga periudha e tanishme e në vazhdim.

Madje, në rastin e organizimeve e veprimtarive të veçanta apo masive, ato nxiten të bëjnë një publikim paraprak (preventiv) të shpenzimeve të parashikuara, një proces më se normal i ndjekur nga çdo subjekt juridik jofitimprurës, sikundër kategorizohen edhe partitë politike.

Kjo transparencë do të mundësojë një kontroll më të mirë nga institucionet përgjegjëse, e nga ana tjetër do të lejojë çdo qytetar të informohet lehtësisht mbi aspektin financiar të veprimtarive të partive politike.

Në gjykimin dhe vlerësimin e KRIIK, një moment kritik përsa i përket transparencës financiare është lista e anëtarësisë së partive politike.

Informacioni mbi përbërjen e kësaj liste kontribuesish financiarë (kuotat e anëtarësisë apo edhe kontribute të tjera) vlen jo vetëm në kuadër të transparencës së veprimtarisë financiare, por, nga ana tjetër, i shërbën edhe kërkesave të legjislacionit aktual duke mundësuar vërtetimin nëse një individ është apo jo anëtar i një partie politike. Kriter thelbësor ky i parashikuar në disa dispozita ligjore për kandidatët për anëtarë të sistemit të drejtësisë, institucioneve të pavarura apo edhe për nëpunësit civilë.

Ndonëse me të drejtë kjo çështje meriton një shqyrtim më të thellë, sesi mund të kontrollohet institucionalisht listat e anëtarësisë prej aktorëve të tretë jashtë partive politike, nxiten aktorët politikë që të marrin në konsideratë ngarkimin e një përgjegjësie të tillë institucionit kushtetues të “Avokatit të Popullit”, të cilit të mund t’i jepet e drejta e administrim-kontrollit të anëtarësisë së partive politike.

  1. B) Transparencën zgjedhore.

Fryma e kërkuar e transparencës në periudhën zgjedhore merr një trajtë më të gjerë.

Sillet në vëmendje se proceset zgjedhore në vend po vuajnë gjithnjë e më shumë nga mungesa e diskutimeve mbi ofertat elektorale dhe mbi profilet e kandidatëve që konkurrojnë.

Tashmë, proceset zgjedhore zhvillohen thjesht si procese në të cilat interesi dhe qëllimi primar mbetet se kush nga subjektet ia ka dalë të marrë më shumë vota, duke u shndrruar thelbësisht nga një proces me përballje ofertash elektorale në një proces përplasjeje midis lidershipesh kundërshtare.

Lidershipe këto, të cilat, në rastin e partive jo-kryesore, janë lidershipe që kryesisht nuk kanë respektuar as rregullimin partiak të brendshëm, madje duke mos gëzuar as mandat të vlefshëm konform statutit të partisë së tyre.

Në raport me sa më sipër, nxitet Lidershipi partiak që të publikojë në mënyrë vullnetare organet drejtuese, zgjedhjen dhe afatet e mandatimit të tyre nga forumet dhe sipas procedurave të parashikuara në statutet respektive të partive, një detyrim ky që rrjedh prej Kushtetutës dhe ligjit për partitë politike.

Ndërkohë pjesa më e rëndësishme e ofertës elektorale që ndërtohet nga partitë politike, janë figurat e kandidatëve që do të përfaqësojnë partinë në kërkimin e vullnetit përfaqësues prej qytetarëve.

Në raport me kthimin në qendër të procesit garues të figurës së kandidatit, sikundër vlerësohet nga fryma e Kushtetutës, nxitet që Kandidatët garues të deklarojnë vullnetarisht biografinë e tyre profesionale dhe të angazhimeve të patura, gjendjen financiare, eksperiencën e marrëdhënieve me ligjin (formularin e vetdeklarimit për garantimin e integritetit të personit) dhe ofertën elektorale të dokumentuar.

Ky publikim vlen të kryhet jo vetëm që qytetarët të njohin se cilët janë kandidatët që po zgjedhin, por edhe që lidershipet apo partitë të mbajnë përgjegjësi për ekipin garues të përzgjedhur.

Përsa i përket deklarimit financiar, Kandidatët nxiten të bëjnë publikimin paraprakisht të tre dimensionet financiare: asetet financiare që zotërojnë apo janë të përfshirë me të afërmit e tyre;  detyrimet fiskale ose jo që mbartin këto asete, si dhe detyrimet financiare që kanë ndaj të tretëve.

Në gjykimin e KRIIK, gjithë sa më sipër konsiderohet të përbëjë një hap real dhe efektiv në rikthimin e kandidatëve në qendër të garës elektorale dhe të fuqizimit të lidhjes së qytetarit me të mandatuarin.

  1. C) Jetësimin dhe institucionalizimin e Auditit post-Zgjedhor.

Në frymën e transparencës zgjedhore dhe në linjë me ndëshikimin e krimit zgjedhor, KRIIK bën thirrje dhe kërkon angazhimin e lidershipeve politike në ndërmarrjen e një auditi post zgjedhor, menjehërë pas zgjedhjeve të ardhshme.

Duke risjellë në kujtesë se diskutimi për auditimin e procesit ka qenë një objekt i vazhdueshëm diskutimi në fund të çdo procesi të mëparshëm zgjedhor, palët kanë sot kohën e nevojshme në dispozicion për të nisur dhe diskutuar mbi teknikalitetet e ndërmarrjes së këtij auditi, si një proces pas-zgjedhor i ardhshëm.

Një proces transparence ky që do të kishte shumë vlerë në një moment të ethshëm politik pas procesit zgjedhor të ardhshëm, kur marrëveshjet e gjetura dhe maturia mund të mos jenë më pjesë e sjelljes politike.

Një proces auditimi i plotë, për më tepër do të shërbejë për të imponuar institucionalisht përmirësimin e anomalive të vërejtuara gjatë ecurisë së procesit zgjedhor, si dhe për të projektuar akoma më mirë piketat dhe nivelin e thellësisë së ndërhyrjes në reformën zgjedhore të pritshme në legjislaturën e re, menjëherë pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

  1. D) Sistemin zgjedhor.

Në përfundim të kësaj Letre të Hapur, KRIIK nuk mund të rri pa përmendur konsideratën e tij lidhur me diskutimet e evidentuara në ndjekje të debatit publik ndërmjet aktorëve politikë dhe jopolitikë mbi çështjen e sistemit zgjedhor.

KRIIK ka shprehur dhe i qëndron konsideratës së tij se diskutimi mbi sistemin zgjedhor është një çështje që meriton maturi të lartë, një analizë integrale të një tërësie faktorësh dhe një unison të plotë të aktorëvë politikë e civilë.

Në vlerësimin e KRIIK, sikundër është bërë e ditur edhe më parë, një nga të metat e këtij sistemi është se ai nuk e “ushqen” pluripartitizmin parlamentar dhe përbën pengesë për formacionet e reja politike. Një karakteristikë kjo, jo si një cilësor natyral i sistemit, por i ardhur në këtë pikë nga dinamikat dhe sjellja politike.

Me qëllim pasurimin e gjallërimin e skenës politike si dhe nxitjen e mundësisë për ndryshim në establishmentin politik të krijuar, nevojë që KRIIK beson se e ndan edhe me qasjen vizionare të Lidershipit tuaj, KRIIK, propozon specifikisht për zgjedhjet e ardhshme një ndërhyrje teknikisht jo-thelbësore, por me efekt real, shqyrtimin e mundësisë së uljes së pragut zgjedhor apo edhe të ndryshimit të formulës së alokimit të mandateve.

Nga ana tjetër, KRIIK konstaton me shqetësim se, në drejtim diamentralisht të kundërt me këtë qasje, janë bërë publike iniciativa të befta për ndryshime deri kushtetuese, me propozime që ndryshe nga sa është kërkuar e diskutuar gjerësisht e publikisht deri më sot, shkojnë drejt tkurrjes së pluralizmit parlamentar. Jo vetëm kaq, por në vlerësimin e KRIIK, në kontekstin aktual duket se ndryshimet nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se krijojnë një terren të përshtatshëm për imponimin e vullneteve dhe interesave individualë brenda establishmentit politik ekzistues.

Kjo nisëm apo edhe të tjera të ngjashme, përbëjnë veprime të rrezikshme në ecurinë e vetë-shëndoshjes së sistemit demokratik, për më tepër të vendosura këto në kontekstin dhe rrethanat aktuale.

Me Konsideratë të Lartë,

Për Koalicionin për Reforma, Integrim dhe

Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania)

Premto GOGO

Kryetar

1


Etiketa: , , ,

Pas