Aktualitet

Krijimi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve në PS, lajm i mirë







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:00 - 09/10/20 |
Mapo.al

Është pak i nxituar reagimi në rrjet i popullit opozitar ndaj nismës së Rilindjes për të ngritur pranë saj një Ansambël të Këngëve dhe Valleve.


Po të mendohet pak më gjatë, në të vërtetë ky është lajm i mirë.


Me siguri udhëheqja ka kuptuar se duhet kuruar imazhi i thartë e kutërbues që ka sjellë në publik me anë të tipave si Elisa, ose shpata e parë e Skënderbeut, prodhuesja më e madhe e memeve në vend, për çdo deklaratë të së cilës duhet jo pak punë korigjuese; intelektuali T.Balla që është një prej burimeve më të mëdha të krupës tek njerëzit për shkak të akuzave për lidhje me trafikantë e tendera, apo punëmbaruar si Veliaj, i cili ndjell sekëlldi të pandërprera duke servirur në ekran një fytyrë të përunjur e të pafajshme, teksa po kryen çdo ditë krimet më të mëdha urbanistike në historinë e Tiranës dhe po i vjedh pa u ndalur edhe identitetin me prishjen e Teatrit ose me zhdukjen e simboleve, si Sahati.



Pra përpjekja e PS për të zbutur këtë shëmbëlltyrë të papranueshme me disa këngëtarë apo figura të industrisë së spektaklit, pak mbi mesataren, është për t’u vlerësuar.


Përmirësimi i një organizate të madhe i shërben shoqërisë.


Është lajm i mirë edhe pse me këto prezantimet e fundit, Rilindja po fyen çdo artist në fakt, duke i nxjerrë ata qenie pa mendim.

Artistët, në të kundërt, janë të parët që nuk mund të pajtohen me një kryetar bashkie që shkatërron me beton qytetin në mënyrë të pakthyeshme. Ata s’mund të jenë dakort me një qeveri që punon për një grusht njerëzish.

Dhe s’kanë pse të bëhen pasues të një mazhorance që nuk lejon votën e lirë, që ka bllokuar integrimin, apo që mban në paradhomat e saj gangsterë me emër.

Prapë, zhvillim pozitiv është afrimi i tyre pasi i ndihmon qytetarët për të kuptuar ofertën e kësaj force politike; për ta njohur më mirë atë, në mënyrë që të marrin vendimin e duhur në zgjedhjet që po vijnë.

Rilindja po jep një dorë të mirë në këtë drejtim. Njerëzit tani s’kanë më asnjë dyshim se alternativa e saj është shfaqja, fasada, pra propaganda.

Nuk ka një plan për ekonominë. S’ka program për daljen nga kriza. Ka vetëm kështu karamelesh e fishekzjarresh që i hedhin ngado e përditë për të lëmuar më shumë mashtrimin me të cilin qëndrojnë prej 8 vitesh, me shpresën se gjindja do ta hajë sërish.

Ky është në fakt një shërbim publik. I shkon interesit të vendit pasi votuesit e çdokush, është edhe më i ndërgjegjësuar për zgjedhjen që duhet të bëjë më 25 prill.

Në këtë kuptim, themelimi i këtij Ansambli në PS është një prej ngjarjeve më të mira që ka prodhuar kjo organizatë kohët e fundit dhe duhet veçse përshëndetur.


Etiketa: , ,

Pas