Ndërkohë që lëvizja e liderit historik i PD-së, Sali Berisha, ka intensifikuar aktivitetin e saj nëpër Shqipëri, këtë të martë brenda radhëve të PD-së është themeluar një fraksion i ri.
Ashtu siç kishte paralajmëruar, Fatbardh Kadilli, ka prezantuar paraditen e sotme një lëvizje të re brenda Partisë Demokratike, e cila është pagëzuar me emrin “Iniciativa Demokratike”.
Ajo do të funksionojë si një fraksion brenda radhëve dhe filozofisë së PD.
“Në përputhje të plotë me statutin e PD, shpallim krijimin e një nisme të re, e pangjashme dhe e pashfrytëzuar më parë. Këtë mundësi na e jep statuti, për të shfrytëzuar talentet e pashfrytëzuara të kësaj partie. Në sjellim ide, për një mendim të ri politik, për një aksion të ri politik. Kjo strukturë është vetëvepruese, nuk merr porosi, por qëndron brenda kuadrit dhe filozofisë së Partisë Demokratike.
Ne kemi vendosmërinë, guximin, pastërtinë të përballemi me të keqen, brenda dhe jashtë nesh. Qëllimi është një Shqipëri e drejtë dhe konkuruese”, deklaroi në fjalën e e tij mes të tjerave Fatbardh Kadilli, i cili është shfaqur hapur kundër kryetarit Basha të cilin e sfidoi edhe për postin në zgjedhjet e fundit.
Pas Kadillit fjalën e kanë marrë edhe Ivi Kaso, Artan Hoxha, Enno Bozdo dhe disa figura të tjera demokrate.
Krijimi i këtij forumi vjen në një kohë kur situata brenda PD-së shfaqet e tensionuar, që pas përjashtimit të liderit historik Sali Berisha nga grupi parlamentar demokrat.
Nuk dihet nëse kjo nismë do të konkretizohet me krijimin e një partie të re politike duke krijuar një ccarje të PD-së, apo Kadilli pret të jetë në radhët e demokratëve si alternativë e re për marrjen e drejtimit të partisë më të madhe opozitare.
Kadilli duket se po ndjek teorinë se “kur përplasen dy vetë, i treti përfiton”.