Një 80-vjeçare është gjendur e vdekur në qytetin e Korçës. Burime nga Policia e Korçës bëjnë me dije se Nazime Demollari është gjetur pa shenja jete. I dyshuar për ngjarjen u shoqërua djali i viktimës, Nazim Demollari, 50 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.4 të të Korçës. Gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, Demollari ka pranuar se kishte mbytur nënën e tij. Për ironi të fatit autori kishte të njëjtin emër me të ëmën veçse në gjininë mashkullore.
Burime paraprake nga Policia thanë se Nazime Demollarit i janë gjetur shenja dhune në trup. 80-vjeçarja dyshohet se është goditur me mjete të forta dhe më pas është mbytur. Kunata e viktimës Xhyrxhie Demollari është shprehur në Polici se Ylli Demollari pinte alkool dhe ishte i dhunshëm. “Ylli e keqtrajtonte nënën e tij, e dhunonte shpesh. Ylli ishte përdorues i pijeve alkolike”, – u shpreh Xhyrxhie Demollari.
Shkak për ngjarjen dyshohet se ka qenë sjellja e 50-vjeçarit i cili ishte një përdorues i rregullt i alkoolit. Në sherr e sipër, ai i ka futur duart në fyt nënës së tij duke i marrë jetën. Fqinjët e familjes Demollari tregojnë se ishin në dijeni të problemeve të vazhdueshme të nënës me djalin. Nazim Demollari ishte divorcuar nga gruaja dhe që pas ndarjes jetonte me nënën e moshuar. I papunë dhe pa asnjë të ardhur, 50-vjeçari i ishte dorëzuar pijes dhe grindjet me nënën e tij ishin të paevitueshme.
Fqinjët kanë dëgjuar herë pas here debate mes tyre. Dyshimet se krimi mund të ketë ndodhur për çështje pronësie nuk janë pistë hetimi e policisë pasi familja ishte e varfër dhe nuk kishte prona. Aktualisht autori është shoqëruar nga policia por ende nuk është marrë në pyetje pasi ndodhet në gjendje shoku.