74 vjet më parë, të martën e 25 janarit 1947, në ora 12.00 të natës, forcat e Sigurimit i vunë hekurat shkrimtarit Et’hem Haxhiademi… ai u largua nga qyteti i Elbasanit, për të mos u kthyer kurrë më. Në fillim u dënua me pushkatim, pastaj iu fal jeta dhe u dënua me burg. Vuajti 18 vjet në burgun e Elbasanit, Gjirokastrës e më pas në Burrel. Ndërroi jetë në burgun e Burrelit, gjashtë muaj para se të lirohej. Vepra e tij u dënua gjithashtu, u zhduk për 50 vite për t’u rikthyer pas rënies së diktaturës
Kur kryetari i gjyqit ushtarak komunikoi vendimin: “Armiku i popullit, Et’hem Haxhiademi dënohet me vdekje!”, salla e gjyqit oshëtiu nga thirrja: ‘RROFTË SHQIPËRIA!’. Ishte zëri i shkrimtarit të famshëm të viteve ’30, Et’hem Haxhiademi. Regjimi komunist e kishte arrestuar si armik i popullit dhe i partisë dhe vendosi ta ekzekutojë. Ishte viti 1947, koha kur diktatori komunist kishte nisur spastrimin e të gjithë elitës intelektuale të Shqipërisë. Et’hem Haxhiademi ishte njëri prej tyre. Si përfaqësuesi i rrymës letrare të klasicizmit në letërsinë shqipe, Et’hem Haxhiademi, kishte botuar në vitet ’30 tragjeditë “Uliksi”, “Akili”, “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu”, “Diomedi” dhe “Abeli”. Është gjithashtu autor i një përmbledhje me poezi me titullin “Lyra” (1939) dhe përkthimi i “Bukolikeve” të Virgjilit (1932). Bashkë me autorin u burgos edhe vepra e tij. Ato u zhdukën nga qarkullimi menjëherë. Për çfarë akuzohej Haxhiademi? I biri, Emin Haxhiademi, ka rrëfyer për “Poeteka” natën e arrestimit:
“Natë Dimri… 25 Janar 1947, natë e martë dimri. Ishim mbledhur të gjithë rreth votrës në dhomën e zjarrit, veç Xhaxhait, që nuk di pse atë natë, ra me fjetë më herët se zakonisht. Moma po mundohej të bindtte për gjumë tre më të vegjlit, ndërsa motra ime e madhe dhe unë po merreshim me punët e tona, përgatiteshim për të nesërmen. Baba po korrigjonte hartimet e një klase së Normales së Elbasanit, me temë: “Fëmija pa Nënë, si nata pa hënë”. Në dhomën e zjarrit mbretëronte heshtje dhe askujt nuk i shkonte ndërmend se dhe heshtja përgjohej.
Nuk na shkonte ndër mend se qetësia jonë familjare ishte vënë në shënjestrën e pushkëve. Duke përfituar nga muri i shembur i avllisë, njerëz të armatosur, nuk e di për sa orë na kishin vu nën hetim. Ata hynë pas pak në shtëpinë tonë, me një shikim triumfal, dhe u paraqitën si njerëz të pushtetit lokal, se gjoja kishin ardhun për kontroll për gjana të ndalume për kohën. Syrin e kishin që të konfiskonin bibliotekën tonë të madhe, të Stërgjyshit, Gjyshit dhe Babës që me aq dëshirë vazhdonte ta pasuronte atë.
Mbaj mend nga bisedat e Nanës që nuk u gjend asnji libër i ndaluar për kohën ose dokumenta komprometuese. Në orën 12 të asaj nate, unë si fëmijë s’po kuptoja seç po ndodhte në familjen tonë, veçse në sytë e motrës pashë shumë lot dhe më vonë Babën duke zbritur nga shkallët me duar të lidhura…
Pas tij ishte ime Më, e verdhë dyllë sikur të kishte dalë nga varri. Në zemër ndjeva dhimbje prej saj… U shkul me dhunë ai kënd i dashur i ngrohtë familjar, buzëqeshja, gëzimi, ëndrra, shpresa e jonë.. Ato u lidhën me pranga bashkë me Babën, për të mos u kthyer më kurrë në atë shtëpi. Ai iku me kokën lart e me shikimin e dhimbshëm për pasigurinë e jetës sonë. S’do t’i harroj kurrë ata sy që s’i putha më kurrë… Vrisja mendjen pse ndodhi kështu? Çfarë kishte ba?! Ndoshta ishte keqkuptim!! Por jo: Ai akuzohej rëndë dhe dënimi ishte parashikuar. Dënim kapital bile dhe me varje. Këto u bënë të qarta edhe për mue, fëmijë at’here.
Akuzohej për komplot për përmbysjen e pushtetit, për bashkëpunim me angloamerikanët; dhe bashkë me të akuzoheshim edhe ne që bëmë një jetë plot vuajtje e dhimbje dhe ishim dënuar të gjithë si armiq. Midis nesh dhe Homeri i vogël 6 muajsh… Në burgun e përjetshëm kaluam një jetë plot dhimbje, me skamje e të pastrehë, jetë privacionesh të detyrueshme. Nuk zgjati as dy ditë nga nata e arrestimit të Babës, kur nëpunësi i zyrës së pasurisë së shtetit, i shoqëruar me ushtarë të armatosur, regjistroi çdo plaçkë të shtëpisë, deri te rrobat e djepes së vëllait të vogël.
Për ironi të fatit tonë ndoshta për të s’do kishte nevojë për djep, mbasi ai do rritej e do piqej para kohe, ashtu si gjithë ne. Por nënës sonë nuk i bëri përshtypje ky akt që paralajmëronte nji varfërim total e të paligjëruem. “Kokat, kokat…” kishin rëndësi për të, gjë që ne fëmijët nuk e kuptonim si duhet… Si ta kuptonim që ne dhe kokat tona ishin dënuar me vdekje? Shtëpia u bë e zymtë, e frikshme, e zbrazët..” Më pas shkrimtari i famshëm i asaj kohe do të dënohej me vdekje. Krahas tij u dënuan me vdekje edhe shumë të tjerë intelektualë nga Elbasani. Pas vendimit të gjyqit, të dënuarit me pushkatim u dërguan në birucat e nëndheshme të Grand Hotelit.
Erdhi dita e pushkatimit. Erdhi çasti i vdekjes. Ethem Haxhiademin nuk e nxorën nga biruca. Ai nuk do të pushkatohej. Atij njeriu i ishte falur jeta. Por çfarë kishte ndodhur që regjimi kishte pranuar t’i falej jeta një njeriu si Et’hem Haxhiademi që ishte shpallur armik i popullit dhe i partisë dhe padyshim, ishte një ndër njerëzit më të rrezikshëm për diktatorin, pasi ishte një ndër intelektualët më të shquar të kohës? Si i tillë ishte kërcënim për regjimin. Profesor Aleksandër Xhuvani i kishte kërkuar diktatorit Enver Hoxha t’i falej jeta. Ethemit iu fal jeta, por jo liria. Ai do të vazhdonte të vuante dënimin në burgjet komuniste. Katër vitet e para të burgut i kaloi në Elbasan. Pas katër vitesh në burgun e Elbasanit, Ethem Haxhiademi transferohet në burgun e Kalasë së Gjirokastrës dhe prej andej në burgun e Burrelit. At Konrad Gjolaj do të rrëfente bashkëjetesën me Ethem Haxhiademin në burgun e Burrelit. “Kam jetuar 6 vjet me Et’hem Haxhiademin për një kohë të gjatë në Burgun e Burrelit.
Ishte shumë i sjellshëm, me parime moderne. Aspak fanatik, jo fetar. Kishte dijtë me i ba ballë “krymave të burgut”. Ai kishte shoqëni të gjanë dhe konsiderohej prej të gjitheve zotni. Ashtu ishte. Nuk gabonte kurrë kur i ndante njerzit ndër të kulturuem dhe të pa kulturë. Ishte qefli diskutimesh në të gjitha fushat dhe e kalonte kohën gjithmone tue lexue. Diskutimet i kishte koncize dhe me llogjikë. Pranonte gabimet dhe dinte edhe me lypë të falun, gjithëmonë tue u bazue tek e drejta”.
Gjatë qëndrimit në burg, Et’hem Haxhiademi shkroi dy vepra: “Jeta e Njeriut” dhe dramën “Koha e premtueme” të cilat nuk u gjetën kurrë. Në vitin 1965, ishin mbushur 18 vjet në burg dhe po i afrohej data e lirimit. I duheshin vetëm gjashtë muaj dhe do të fitonte lirinë. Por për fat të keq më 17 mars 1965, në moshën 63-vjeçare, ndërroi jetë në rrethana të paqarta. Thanë se vdiq pasi pësoi një atak, natën në gjumë.
Sigurisht, regjimi nuk ia lejoi familjes që ta merrte trupin e tij dhe ai u varros si shumë të tjerë në burgun e Burrelit. Kur u rrëzua diktatura, nisën përpjekjet për t’i gjetur eshtrat. Pas shumë përpjekjesh eshtrat e tij nuk u gjenden ashtu si shumë të tjerëve që dhanë shpirt në qelitë e burgut të Burrelit. E megjithatë, në mes të varrezave të Elbasanit, qëndron një pllakatë e zezë mermeri ku shkruhet epitafi: ET’HEM HAXHIADEMI, 1902 – 1965. Atje është vetëm pllakata, ndërsa eshtrat e tij vazhdojnë të jenë të zhdukura si mijëra shqiptarë të tjerë të pushkatuar e të vdekur në burgjet e diktaturës. Et’hem Haxhiademi, ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, kryetar i degës së kësaj lidhjeje në Elbasan.
Profesor Josif Papagjoni e ka cilësuar Et’hem Haxhiademin si “Dramaturgu i heronjve mitikë” duke theksuar: “Et’hem Haxhiademi ishte i pajisur me koncepte letrare e teatrore të kohës, ai u bë në dramën shqipe një nga stilistët dhe udhëhapësit e modelit mitologjik e modernist, duke risjellë në subjektet e moçme shtresime e ngjyresa të kohëve aktuale me theksa mbi anët morale dhe ekzistenciale të njeriut”. Por e gjithë vepra e tij u zhduk nga qarkullimi gjatë kohës së diktaturës. Bashkë me burgosjen e shkrimtarit, u burgos edhe vepra e tij. Ashtu siç ka ndodhur edhe me të tjerë shkrimtarë që u dënuan gjatë diktaturës komuniste.