Aktualitet

Krimet e komunizmit/ Dëshmia e Shpëtim Sharrës: Si u vranë burrat e familjes sime








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:10 - 29/09/20 |
Kujto

Ai rrjedh nga një familje patriote, ku burrat kishin luftuar ndër vite për Shqipërinë, por komunizmi i vrau, i burgosi, i persekutoi, për të mos i lënë të ngrenë kokën deri në vitin 1990 as gratë e fëmijët e tyre. Shpëtim Sharra mban mend si ia pushkatuan të atin në vitin 1945 bashkë me 10 burra të tjerë. Komunistët vranë ose çuan drejt vdekjes me tortura edhe xhaxhanë e tij e 3 kushërinj të afërt duke i shuar burrat e fisit Sharra. Shpëtimi tregon vuajtjet e nënës së tij e mbetur e ve në moshë të re që punoi në kanalet e ujërave të zeza për të rritur fëmijët.


Nga Kujto.al


Dëshmia e plotë



Unë jam i ditëlindjes 24 mars 1938, quhem Shpëtim Sharra, i biri i Muharrem Sharrës dhe kam kënaqësinë që sot të më jepet rasti të flas për familjen time. Ka qenë një familje fisnike, patriotike dhe tregtare. Kjo familje ka punuar gjithë kohën për vendin e tij. Qysh në kohën e turkut, gjyshi im Muço Sharra dhe vëllai i tij Hasan Sharra kanë marrë pjesë në probleme të ndryshme politike që kanë arritur edhe që janë internuar, gjyshi im së bashku me disa shokë, në Stamboll sepse është vrarë një oficer turk dhe turqit sa mundën kapën dhe i kanë çuar në Stamboll. Mbas kësaj në kohën e Italisë janë marrë prapë me të njëjtën gjë, duke luftuar për vendin për patriotizëm, në luftën e ’20-ës Muçoja dhe Hasani janë internuar prapë nga italianët në Porto Romano. Musa Sharra, vëllai i tyre është dënuar më vonë, jo si këta, u dënua me 6 muaj në kohën e Enverit dhe dua të them që familja jonë ka qenë një familje që gjithë kohën është marrë me patriotizëm dhe ka bërë vetëm të mira për vendin e saj, vendin e tij.


******


-Gjatë luftës së dytë botërore çfarë ndodhi me familjen tuaj?

Gjatë luftës së dytë botërore këta, si edhe më përpara janë marrë me politikë dhe mund të të them se, jo një herë, por disa herë i kanë burgosur, i kanë internuar dhe deri sa mbaroi lufta e dytë botërore nuk kanë pasur qetësi asnjëherë. Mbas luftës së dytë botërore në kohën e regjimit komunist, kjo familje duke qenë një familje e pasur, fisnike dhe patriote, diktatori Enver Hoxha nuk i kishte qejf dhe filloi me djalin e parë të kësaj familje me Haziz Sharrën. Ai ishte një djalë shumë i fuqishëm, shumë i zgjuar dhe e kishin pengesë kryesore komunistët dhe një ditë nga ditët morën një vendim dhe e pushkatuan duke i dalë 5 apo 6 atentatorë.

-E vranë pa gjyq?

Po, pa gjyq.

-Në ç’vit?

Kjo është bërë në 8 tetor 1943. Dy vjet më vonë vëllanë e Hazizit, babanë tim, Muharrem Sharrën e kanë mbajtur nja 5-6 muaj në burg, në ’45-ën dhe e kanë pushkatuar në 22 qershor të ’45-ës, njëmbëdhjetë burra te “bishti i kalldrëmit”, i themi ne këtej. Dhe pasi i pushkatuan i kanë lënë dy ditë, kanë marrë nxënësit e shkollës së asaj kohe dhe i kanë çuar atje i qëllonin me gurë, i pështynin, i qëllonin me domate. Në kohën e demokracisë në ’91 vendosëm të kërkonim eshtrat e tyre dhe kemi punuar 10 ditë dhe ditën e fundit mundëm t’i gjenim sepse kishte fshatarë që kishin kaluar aty në atë rrugë dhe e dinin vendin të saktë.

-Shpëtim, cila ishte akuza që i bënë babait tuaj?

Babai im në fakt nuk ishte marrë me politikë, ishte marrë me pronat e tij, me bujqësi, por që kur i vranë të vëllanë, se vëllai Hazizi kishte qenë komandant i celulës së Ballit Kombëtar, atëherë e zëvendësoi ky të vëllanë dhe që atëherë…

-Pati veprimtari me Ballin Kombëtar?

Pati veprimtari me Ballin Kombëtar deri në fund.

-Dhe akt akuza ishte pjesëmarrje në organizatën e Ballit Kombëtar?

Akuza ishte se Muharrem Sharra kishte vrarë, kishte bërë krime dhe në dokumente që kemi marrë flitet, një kriminel ndërsa Muharrem Sharra nuk kishte vrarë asnjë njeri, nuk kishte shkelur asnjë mizë me këmbë.

-Shpëtim, nga dokumentacionet a rezulton kush ka dëshmuar për babanë që e ka akuzuar kështu, si është zhvilluar?

Po, po mbaj mend unë kam qenë 7 vjeç dhe e mbaj mend shumë mirë babanë, edhe mbaj mend shumë gjëra, edhe momentin kur është vrarë babai, dhe kur ka ardhur një njeri aty e ka dhënë lajmin, i mbaj mend të gjitha këto. Po ata që e kanë akuzuar kanë qenë një grup grash të Vlorës dhe kryesorja ka qenë Bule Imami që në Vlorë njihej me emër. Bule Imami ka qenë një grua e jashtëzakonshme, një kriminele nga shpirti. Dhe në kohën që këta kanë dalë në gjyq të gjitha këto gra kanë dalë dhe kanë folur me një zë: “Hakmarrje, hakmarrje, hakmarrje”. Plus edhe gjyqi që është bërë, gjyqi ishte i përgatitur që këta do të dënoheshin edhe u dënuan me pushkatim të 11 burrat që ishin.

-Çfarë ndodhi me familjen tuaj?

Që nga kjo kohë familja jonë nuk kishte qetësi, nuk kishte punë, nuk kishte shkollë për fëmijët e kësaj familje. Nëna jonë që mbeti 32 vjeçe grua e ve me 4 fëmijë kërkonte punë edhe në kazmë, po nuk e fusnin as në kazmë. Përfundimisht me zor e kanë futur në kanalin e ujërave të zeza punëtore dhe gjatë të gjithë kohës punoi me atë shaminë e zezë me kokën ulur. Na rriti, na edukoi, mundëm, unë të merrja një gjimnaz se as motra, as vëllezërit… Motra u martua, vëllezërit po thonin “çfarë fitoi vëllai i madh që të vazhdojmë dhe ne shkollën”, kështu ata ngelën me një shkollë, me 10 vjet shkollë ndërsa unë e mbarova gjimnazin, e kam bërë natën. Vitin e fundit ngaqë na merrnin ushtarë u detyruam, për të mos e ndërprerë këtë, e lashë punën e kam mbaruar vitin, maturën dhe u ktheva prapë tek pompa se kam punuar zanatçi, kam punuar pompaxhi 40 vjet.

-Atë do të të pyes, çfarë pune bëre Shpëtim?

Dyzet vjet bojaxhi, e kam filluar që në moshën 14 vjeç.

-14 vjeç vure pompën në kurriz dhe fillove të lyesh?

Katërmbëdhjetë vjeç mua nuk më lejonin të futesha as në punë se nuk kisha pasaportën, po megjithatë kishte disa njerëz të mirë që më ndihmuan dhe më mbajtën pranë. Punoja si ndihmës bojaxhi pastaj bojaxhi, 40 vjet.

-Nëna punonte në komunale?

Nëna vazhdonte të punonte në komunale.

-Ç’bëhej me motrat, me vëllezërit e tu? Si u rritën dhe çfarë pune bënë ?

Vëllezërit e mi si dhe unë: unë mora pompën ata morën nga një mistri se këto ishin zanatet për shtresën tonë edhe derisa dolën në pension kanë punuar muratorë të dy. Ndërsa motra duke qenë e martuar, nuk e njihnin, humbi gjurmët në Tiranë edhe punoi ca kohë tek Instituti i Higjienës atje. Pastaj ia gjetën gjurmët, e pushuan dhe e dërguan punëtore në fushë.

-Punëtore fushe?

Po, po.

-Shpëtim gjatë kohës që diktatura komuniste ishte në fuqi a e ndjenit presionin nga jashtë të organeve të Sigurimit të Shtetit, survejimin?

Ç’është e vërteta, unë nuk e kam ndjerë, mendoj se u mjaftuan duke më vrarë babanë, duke vrarë xhaxhanë, në moshën 65 vjeç futën dhe gjyshin në burg e kanë dënuar 5 vjet, pasi i vranë dy djemtë.

-Në cilin vit?

Në vitin ’53.

-Në ’53-shin edhe gjyshin e futën në burg?

Edhe gjyshin e futën në burg.

-Me çfarë akuze?

Agjitacion-propagandë se gjoja kishte folur me një person që nuk më pëlqen ky, domethënë kjo qeveri, siç i dinin ata që i rregullonin këto punë.

-Dhe juve ju ndoqi kalvari i vuajtjeve deri në vitin…

Deri në vitin ’90-të që erdhi demokracia. Ne s’kemi pasur, dua të them vajzat e mia ose të tre fëmijët e mi dy vajzat dhe djali kanë qenë në shkollë nxënës të shkëlqyer, edhe jo vetëm fëmijët e mi, por të gjithë fëmijët e Sharrajve, të fisit tim, kudo që ishin në shkollë shkëlqenin. Dhe vajza vinte duke qarë ndonjëherë se duke qenë me 10-ta mendonte që të ishte në tabelë të nderit. Vinte dhe qante e më thoshte mua: “ Ore babi pse s’më vendos mësuesja në tabelë të nderit? Ajo që është vendosur atje është me nënta unë jam me dhjeta”. Dhe një ditë nga ditët e mora vajzën pranë dhe ia shpjegova komplet historinë dhe i thashë: “Ti do të mësosh të keqen babi, të marrësh dhjeta dhe të mos shikosh për asgjë tjetër”. Edhe ç’është e vërteta e mbaroi shkollën, në maturë vajza ka qenë me një mesatare 9.6 dhe nuk i dha të drejtë studimi njeri se ishte e bija e Shpëtimit dhe e mbesa e Muharremit, që ishte pushkatuar. Vinin shoqet e saj kur atyre u doli e drejta e studimit dhe vajzës sime nuk i doli, por për fat të mirë erdhi demokracia dhe në kohën e demokracisë vajza mbaroi për inxhinieri mekanike, e madhja, e dyta mbaroi për histori botërore. Kurse djali ishte në moshë të vogël, sa martoi të motrën në moshën 19 vjeç, pa dhënë edhe provimet e maturës më tha: “ Më lejoni të iki të provoj sa i zoti jam në jetën time”. Dhe iku në Angli ka 11 vjet andej, andej ka tërhequr dhe motrën, vajza e madhja tani është me tre fëmijë, vajza tjetër u martua në Turqi se mbaroi shkollën e lartë në Turqi dhe i kam mirë fëmijët. Djalin e kam të fejuar, tani e martoj.

-Momenti kur në Shqipëri filloi të fryjë era e demokracisë dhe shembja e sistemit komunist ndihej, ishte fundi i ’90-ës. Si e ke përjetuar ato momente?

Dua të them që edhe tani, domethënë jam shumë i emocionuar gati të më dalin lotët sepse nuk e mendonim kurrë që mund të arrinte një ditë e tillë. Kishim një grua në Amerikë që ishte rritur me nënën time, ishte si motër dhe e martoi gjyshi edhe vajti në Amerikë. Kur erdhi puna që ne folëm në telefon në kohën e demokracisë nuk kishte kënaqësi më të madhe dhe na tha: “Mos u mërzisni se do të shihemi, do të bëhemi”. Ne, tani ishte akoma fillimi, dhe mendonim se çfarë thotë kjo si ka mundësi që të shihemi ne me këtë në Amerikë. Erdhi dita që motra ime vajti në Amerikë sepse njerëzit e burrit i kishte pasur në Amerikë që në atë kohë, vajti atje dhe i vajti në shtëpi kësaj, domethënë kënaqësi më të madhe nuk kishte, vajzat e saj më erdhën mua këtu në shtëpi dhe vijnë vazhdimisht.

-Domethënë edhe atëherë kur sistemi komunist ishte prishur iu prishën themelet, ju akoma nuk kishit besim se lëvizja e lirë e njerëzve dhe bashkimi do të ishte…

Tamam ashtu, na kishte hyrë frika në palcë edhe nuk besonim akoma se do të vinte një ditë që ne do të ishim të lirë, fëmijët tanë do të shkolloheshin. Po shyqyr që arriti kjo ditë, jemi shumë të kënaqur. Ka shumë njerëz që janë të pakënaqur sepse akoma gjërat nuk kanë vajtur nëpër vende, por prapë duhet të jemi të kënaqur sepse jemi të lirë në punën tonë, flasim lirisht, nuk na përgjon njeri nga pas.

-Shpëtim e shikoj që je një baba i lumtur dhe një gjysh i lumtur…

Jam shumë shumë i lumtur. (Ai shikon nga fotografia) Ajo fotografi tregon që unë jam shumë i lumtur me fëmijë, me nipër e me mbesa.

-E shikoj, është kënaqësi. Nuk e di, intervistës po i vjen fundi dhe a të ka mbetur pishman ndonjë gjë?

Unë doja të thoja këtë që, se përmenda më tepër babanë dhe xhaxhanë, në përgjithësi edhe këta kushërinjtë, por përveç babait dhe xhaxhait tim, u pushkatuan dhe tre të tjerë, kushërinj të parë të babait tim.

-Kush ishin?

Abdul Sharra u vra në kënetë të Maliqit si sabotator, Shyqyri Sharra vëllai i tij dënuar në burg, tre muaj para se të dilte nga burgu e detyronin të bëhej spiun dhe të fuste shokët e tij, ai preu zorrët dhe vdiq. Vëllai i tyre Lekmi Sharra i martuar, një kohë të shkurtër kishte që ishte martuar. Florinjtë e të gjitha çfarë kishin ua kishin marrë, mamaja e tij kishte mbajtur një për t’i bërë një unazë nuses së djalit edhe ja dha djalit e vajti bëri një unazë. Ai që bëri unazën ishte i porositur nga Dega e Brendshme dhe e denoncoi, e arrestuan dhe deri sa vdiq në hetuesi nuk doli më. Domethënë tre vëllezër nga kjo, nga kushërinjtë e parë të babait tim dhe dy këta, nga familja jonë 5 veta u ekzekutuan. Ehe Astrit Sharra, kushëriri i parë i babait, edhe këtë e arrestuan për agjitacion e propagandë, atje në burg përplasi kokën pas murit, kaloi kohë iu bë kancer edhe e kanë nxjerrë ka vdekur në shtëpi mbas një kohe të shkurtër.


Etiketa: ,

Pas