Aktualitet

Krimet e komunizmit – “Kur e morën për ta pushkatuar, qeshte…”














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:50 - 24/09/21 |
mapo.al

Jo sepse po sfidonte vdekjen. As sepse ishte i kënaqur që, më në fund, torturat do të mbaronin. As sepse ishte çmendur. Të gjitha këto duken shumë më të vërteta, sesa arsyeja e vërtetë pse Feti Dvorani, kur erdhën për ta marrë për ta pushkatuar doli duke qeshur nga biruca…Perlat Çarçani tregon fundin tragjik të manovruesit të trenit dhe dënimet e gjata të të arrestuarve të tjerë të “grupit të hekurudhës”. Një proces që u hap me një trillim, u zhvillua me dhunë dhe përfundoi me mashtrim. I shoqëruar nga fillimi në fund me viktima.






Si një përplasje tragjike trenash, procesi ndaj grupit të hekurudhës shkaktoi disa të vrarë, të plagosur dhe plagë të pallogaritshme në jetët, kujtesën dhe shpirtin e të përfshirëve. Nisi në vitin 1949 dhe vazhdoi për rreth një vit. Hetuesia zgjatej e zgjatej me qëllim që të arrestuarit të pranonin akuzën se ato që kishin ndodhur në hekurudhë nuk ishin pasojë e gabimeve njerëzore dhe defekteve teknike, por sabotime të qëllimshme në shërbim të UDB-së jugosllave. Një nga të arrestuarit e këtij grupi, Perlat Çaçi, ka treguar në emisionin “Histori me zhurmues” të TvKlan, të gjithë ecurinë e këtij procesi të gjatë e torturues, pjesën e parë të së cilit, atë që ndodhi në hetuesi, kujto.al e ka publikuar më parë.


Perlati i thinjur, nuk mohon defektet, avaritë apo gabimet e bëra nga punonjësit e hekurudhës, por prej dëshmisë së tij dhe akuzuarve zyrtare të gjendura në dokumentet e gjyqit ndaj këtij grupi, del se të arrestuarit u hetuan dhe u dënuan për “sabotim” e “spiunazh”. Për të pranuar këtë akuzë, u torturuan. Dhe me këtë akuzë u dënuan aq rëndë sa u dënuan. Gjatë hetuesisë, dy të akuzuar vranë veten dhe një i tretë tentoi pa ia arritur qëllimit. Një i katërt humbi arsyen. Ndërkohë që të tjerët u torturuan psikologjikisht e fizikisht për muaj me radhë. Por një ditë, detyrimisht, ky proces duhej të mbyllej. Dhe mbyllja shënoi një tjetër humbje jete, përveç dhjetëra vite dënimesh që u shpërndanë ndër të akuzuarit e mbetur.







Gjatë hetuesisë, pati edhe një arratisje. Ai që mundi të largohej nga birucat, ishte Hekuran Dajlani, ai që edhe akuzohej si motori i gjithë kësaj lëvizjeje sabotatore. Hekurani kishte qenë partizan, kishte punuar si brumaxhi e së fundi ishte makinist. Treni i tij ishte përplasur me disa vagona të ndaluar, por kjo për faktin se manovruesi kishte gabuar në ndërrimin e shinave. Ky manovrues ishte dënuar me dy vjet burg për fajin e vërtetuar, por kur u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe u vendos që në hekurudhë të dënohej një grup sabotatorësh në shërbim të UDB-së jugosllave, për të njëjtin faj u akuzua makinisti i pafajshëm. Me besimin ende të pashuar te partia, ky ish-partizan, u arratis nga burgu dhe pasi eci gjithë natën, shkoi në shtëpinë e një shoku të tij në Tiranë.



“Na kanë mbledhur dhe po na torturojnë që të pranojmë që jemi agjentë të UDB. Të lutem nesër të më krijosh mundësinë e takimit me Mehmet Shehun ose Enver Hoxhën”, i kishte thënë shokut, siç ka treguar Perlat Çaçi, sipas të thënave të vetë Hekuranit. Shoku i kishte premtuar që do të vepronte siç i kishte thënë, por të nesërmen kishte shkuar në degë dhe brenda pak minutash, shtëpia ishte rrethuar nga policët.



“Mbas kësaj Hekurani pati një super torturë. Në një ballafaqim që i bënë me mua, nuk arrita ta njoh, sepse ishte transformuar, por më theri në zemër si mund të bëhej njeriu në atë ngjyrë, mavi”, ka thënë Perlati. Pas 10 ditësh, atij i kishte hyrë hetuesi në birucë dhe i kishte thënë: “Shpëtove ti! U bë gjyqi i atyre sabotatorëve dhe nuk doli ndonjë gjë për ty. -Do iki në shtëpi?” -kishte pyetur Perlati. “Dashke të ikësh në shtëpi. Ik nja tri vjet atje dhe do vijë rasti do të lirojmë,-më tha hetuesi. Tekstualisht, fjalën e atij po them unë tani”,-thekson ai përgjigjen e hetuesit, duke e ditur dhe vetë, edhe pse burgun e ka kryer, sa e pabesueshme tingëllon kjo përgjigje dhe vetë dënimi pa gjyq në një kohë normale.

E megjithatë, ai ishte nga ata që u zhgënjyen dhe u skandalizuan më pak nga ballafaqimi me fytyrën e shformuar të kësaj drejtësie. “Kur del nga biruca e shkon në burg të duket vetja sikur je liruar”, ka vazhduar ai rrëfimin e tij.

-“ Të nesërmen shoh në oborrin e burgut, Hekuranin e të gjithë, po lëviznin për të ikur. Në këtë moment unë, bam-bam derës, “aman, -i them policit,- se më ka zënë barku” dhe hapi derën, shkova vrap. I kaloj Hekuranit afër që të më shikojë dhe iki drejt e në banjë. Pas meje vjen Hekurani dhe donte të më përqafonte. I vura të dyja duart në gjoks: Jo, -I thashë,-ti… spiun i UDB-së të përqafohesh me mua?! Se u mor vesh, gjyqi, këta “spiunët e UDB-së”.

Ai ndaloi, i shkreti, i shpërthyen lotët: “Kur ti thua kështu, tha, po populli çfarë thotë? Çfarë do thotë mileti?” Atëherë Hekurani më tregoi se çfarë kishte ndodhur. Mbas gjithë atyre torturave, përpjekjeve për të krijuar ndonjë hallkë që t’i lidhte me jugosllavët e të kapeshin ndonjë çikë si agjentë të UDB-së, nuk doli ndonjë, atëherë iu kthyen anës tjetër të medaljes. Mblodhën të gjithë këta që ishin anëtarë dhe kandidatë partie në një zyrë dhe flasin me ta. Përfundimisht, u thonë: E doni partinë?-Po. -Jepni jetën për partinë?-Patjetër! -Atëherë, duhet të pranoni që keni qenë agjentë të UDB-së jugosllave. Do të bëjmë një gjyq, do ju dënojmë si do ju dënojmë, por do t’ju lirojmë një nga një sepse…politika e partisë kështu e ka”…- e llafet që unë nuk i riprodhoj dot ashtu si m’i tha Hekurani”.

Iu dha nga një dispensë me pyetjet që do u bëheshin e përgjigjet që duhet të jepnin, ku secili, si në një skenar, duhet të mësonte përmendësh, pjesën që i takonte rolit të tij në këtë shfaqje, që pasojat i pati të dhimbshme si e vërteta.

“U bë gjyqi,-vazhdon Perlati.- Feti Dvorani u dënua me vdekje pushkatim. Kur e kanë marrë nga biruca, tregonte një komshiu i birucës së tij, nga këta djemtë, shkonte duke qeshur duke kujtuar se po e marrin, po e lirojnë, ose po e çojnë diku. Nuk i shkoi mendja fare që ai do të pushkatohej”. Dënimet e tjera, ishin burgime nga 25 vite e poshtë, përfshirë edhe gruan e vetme të këtij procesi, daktilografisten Vera Kokalari, “me cen në biografi” që u dënua me 12 vjet burg.

Kur shoku u tyre u pushkatua, të burgosurit duhet ta kenë kuptuar që në atë zyrë ku i mblodhën hetuesit dhe i kërkuan sakrificën në emër të partisë, i kishin mashtruar. Duhet të kishin kuptuar edhe që, në fund të fundit, ata po bënin siç kishin thënë, po jepnin jetën për partinë…Ndoshta tani që e kishin njohur fytyrën e vërtetë të kësaj partie, nuk donin më të jepnin jetën për të, por nuk mund të bënin më asgjë. Si të mos mjaftonte gjithë çfarë kishin kaluar deri në atë kohë, pas 7 vitesh burg, patën një tjetër ballafaqim me përfaqësuesit e regjimit dhe një tjetër aktivizim të kotë shpresash, që u shua me atë shijen e hidhur të zhgënjimit për së dyti.

Perlati tregon që në vitin 1965 u takua me Hekuran Dajlanin. Ky i kishte ardhur për ta ngushëlluar për vëllanë, por kishte shkuar natën që të mos i hapte ndonjë telash. “E pyeta dhe ai filloi të më shpjegojë më hollësisht sesi kishin shkuar ato punët e gjyqit. -Por ajo që ka më shumë rëndësi,- tha-është kjo: Në ‘56-ën, një ekip i Ministrisë së Brendshme, i përbërë me 4 oficerë vjen në Burrel dhe më thërret. Më pyesin si je dënuar dhe unë ia tregova. Filluan po qeshnin, po talleshin. “Mos ki merak. Çdo gjë do vejë në vendin e vet…këto budalliqe do fshihen.

Së shpejti, do liroheni”. Ç’është e vërteta më erdhi mirë. Ika unë në burg. Thirrën Seitin. Dhe atij këto gjëra i thanë. Na erdhi mirë se thamë “diçka do bëhet”. Kaluan dhe 7 vjet të tjera dhe nuk i ra kujt në mend për atë punë”. Hekurani kreu rreth 15 vjet burg. Perlati u lirua me amnisti në vitin 1951, pasi kishte kryer dy vite burg, përfshirë një vit në hetuesi, gjatë së cilës hetuesi arriti deri aty sa t’i shuante cigaren në gjuhë.

Pasi doli nga burgu, nuk e pranuan të kthehej në punë në hekurudhë. Nisi punë si teknik në Shkollën e Bashkuar, por ndodhi që doli një libër me historinë e grupit të hekurudhës, ku përmendej edhe Perlat Çaçi si “sabotatori që kishte nxjerrë jashtë pune lokomotivën”. U desh kohë dhe ndërhyrje që çështja të sqarohej dhe që Perlati të ruante vendin e punës. Regjimi, përmes propagandës, riciklonte historitë e mbushura me sabotatorë.

Etiketa e armikut të popullit shpluhurosej vazhdimisht. Këta, në mbeteshin gjallë e dilnin nga burgjet, e kishin statusin e armikut si hije të vetvetes që nuk iu ndahej gjithë ditën me diell. E njerëzit që ulnin sytë dhe nuk u thoshin një fjalë, më shumë shihnin hijen sesa veta ata. Dhe ata jetonin përgjysmë. Ndodhte madje që edhe vizitat t’i bënin natën, atëherë kur mund të çliroheshin nga hija e vet.

74


Etiketa: ,

Pas