Goditjen më të fortë do ta merrte në gjyq, ku hetuesit i sollën të regjistruar zërin e babait të tij që thoshte; “Nuk është më djali im nëse ka dalë kundër sistemit komunist”.
Ishte vetëm 17 vjeç kur vendosi të arratisej, por shokët e spiunuan dhe përfundoi në burg duke provuar torturat më të tmerrshme. Por goditjen më të fortë do ta merrte në gjyq, ku hetuesit i sollën të regjistruar zërin e babait të tij që thoshte; “Nuk është më djali im nëse ka dalë kundër sistemit komunist”. Kjo është historia e Nevruz Golkës nga Korça, që kaloi 20 vitet më të bukura të jetës në Spaç dhe nuk pati një shtëpi ku të kthehej kur doli nga burgu komunist.
Kush është Nevruz Golka
Nevruz Golka është një nga të persekutuarit e regjimit komunist. Kalvari i vuajtjeve të tij fillon që në moshën 17-vjeçare. Për Golkën Shqipëria e diktaturës komuniste nuk ishte një vend i cili mund t’i siguronte të ardhmen pasi ai ishte një fëmijë me një prind të dënuar politik që në fillim të sistemit komunist dhe prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në 1961 ndërpreu të gjitha rrugët që të rinjtë shqiptarë të kryenin studimet jashtë shtetit. Kështu e vetmja mënyrë për t’u larguar nga Shqipëria komuniste ishte arratisja. Por kjo iniciativë ndërpritet në mes duke përjetuar hakmarrjen komuniste e cila ishte e pamëshirshme.
Kalvari i vuajtjeve dhe persekutimit të tij nis pikërisht ditën e arrestimit 15 nëntor 1963 dhe përfundon pas 20 vjetësh në nëntor të vitit 1983. Nevruz Golka dënimin e tij e vuajti në burgun e Spaçit, i cili u bë edhe një nga dëshmitarët okularë të revoltës ku dëshmon për vendosmërinë e të burgosurve për liri dhe sesi kjo revoltë tronditi nga themelet regjimin komunist duke shkaktuar panik tek udhëheqja e lartë komuniste në Tiranë. Sprova e tij më e madhe është kur ai lirohet dhe duhet të kthehet te babai i tij me të cilin nuk kishte pasur korrespondenca gjatë gjithë kohës që ishte në burg, i vetëdijshëm që nuk do pranohej nga ai. Sot ai është 75 vjeç, një aktivist dhe vullnetar në mbrojtjen e të drejtave të ish-të përndjekurve në qytetin e Korçës.
Dëshmia e Nevruz Golkës
Golka, cila është origjina e persekutimit tuaj?
Historia e persekutimit tim fillon që në moshën 17-vjeçare. Babi im ishte dënuar me burg që në fillim të sistemit komunist me akuzën për një grushti shteti për përmbysjen e demokracisë popullore. Momenti i arratisjes ishte vendimtar për persekutimin tim. Në vitin 1961 kur u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, përpos të tjerave u ndërpre edhe rruga e studentëve për të studiuar jashtë shtetit, kështu që ne vendosëm që të largoheshim nga Shqipëria komuniste në një mënyrë tjetër. Ishim një pjesë studentësh që kishim të njëjtin mendim dhe vendosëm të arratiseshim nëpërmjet kufirit. Nga shtatë veta që ishim bashkë, për t’u nisur u nisëm të shtatë, kurse për t’u arrestuar u arrestuam vetëm tre, pasi katër vetat e tjerë kishin lajmëruar degën më përpara. Si pasojë e spiunimit nga shokët, iniciativa jonë për t’u arratisur nga Shqipëria komuniste mbeti në fazën e tentativës. Më arrestuan më 15 nëntor 1963, në orët e vona të natës.
Si ishte hetuesia për një fëmijë në moshën tuaj?
Arrestimin na i bëri shefi i sigurimit të zonës Sotir Ndrio, i cili ushtroi dhunë të pamëshirshme ndaj nesh. Edhe sot mund të kem shenja në trup nga këpucët me gozhda që na gjuante në fytyrë. Gjatë atyre torturave na binte të fikët na hidhnin ujë për të na zgjuar duke vazhduar dhunën. Birucat e Korçës ishin të tmerrshme pa dritare, pa ajrim, vetëm se na jepnin një batanije në darkë dhe na i merrnin në mëngjes. Në orën 12 fillonte hetuesia dhe deri në orën 6, karriget ishin të betonuara prej hekuri unë isha i lidhur pas karriges dhe hetuesi enkas bënte sikur flinte dhe e linte koburen mbi tavolinë duke pritur reagimin tim për të më provokuar. Hetuesi që kishte çështjen time quhej Riza Shehu nga Berati, por që kishte ardhur me detyrë këtu në Korçë.
Si u zhvillua gjyqi?
Pas përfundimit të hetuesisë u zhvillua gjyqi. Gjyqi u bë shembullor. Ai u realizua në shkollën e fshatit për t’u treguar moshatarëve tanë se çfarë i priste në qoftë se vepronin si ne. Kryetar i gjyqit ishte Ibrahim Zhuli. Aty ishte mbledhur i gjithë fshati dhe ata që na donin u trishtuan shumë ndërsa të tjerët na shanin. Ata u munduan që të ma hidhnin fajin më të madh mua duke më cilësuar si kryetar grupi dhe kur u dënuam unë u dënova më shumë. Moment shumë i vështirë për mua ka qenë kur dëgjova zërin e babait tim të regjistruar në këtë gjyq. Ai shprehej “ai nuk është më djali im dhe jepini dënimin që meriton, edhe atë me pushkatim”. Unë nuk e di në qoftë se ai e ka thënë me zemër apo i detyruar këtë gjë, por di me siguri që ai ishte zëri i tim eti.
Me sa vite burg u dënuat dhe ku e vuajtët dënimin?
Fillimisht më çuan në burgun e Korçës, më pas në prill erdhën na mori autoburgu dhe na çoi në Laç pasi kishin nevojë për krahë pune, për të ndërtuar Uzinën e Superfosfatit, qëndruam tre vjet, pas kësaj na çuan në Elbasan pasi do ndërtohej fabrika e çimentos ku qëndrova një vit. Pjesën tjetër të dënimit me 20 vjet burg e vuajta në kamp-burg të Spaçit. Puna në minierë ishte rraskapitëse për moshën time. Në Spaç jeta e komunitetit ishte relativisht e mirë, ne fëmijët na përkrahën, atje kishte dhe njerëz të shkolluar dhe ne mësonim prej tyre.
Si e kujtoni Revoltën e Spaçit?
Unë kam qënë pjesëmarrës aktiv në revoltën e Spaçit. Dhe mund të them me plot bindje se kjo revoltë tronditi nga themelet regjimin komunist duke përhapur panik tek udhëheqësit komunistë. Revolta sigurisht që pati një shkëndijë, e cila mori zjarr për tre ditë me radhë. Dita e parë filloi si një ditë e zakonshme ishte 21 maj 1973 ku ne, të burgosurit kuptuam se duhet të bënim disa kërkesa për të përmirësuar jetesën në kamp. Këto kërkesa ja paraqitëm Sulejman Manokut, i cili ishte komandat i Përgjithshëm i Burgjeve të Shqipërisë. Pati përleshje mes të burgosurve dhe rojeve të burgut ku arritëm që të nxirrnim nga dhomat e izolimit shokët tanë. Skënder Daja, i cili edhe u pushkatua mbajti një fjalim ku thoshte “Poshtë Komunizmi”, “Rroftë Shqipëria e Lirë”, “Ja vdekje ja liri” apo edhe Dervish Bejko etj.. Erdhi vetë Feçor Shehu, i cili solli përforcime dhe deklaroi se brenda 5 minutave iu likuidoj të gjithëve pa përjashtim dhe se hakmarrja do të ishte e pamëshirshme. Por ne nuk ndaleshim. Në katin e tretë të ndërtesës të drejtuesve të komandës, të burgosurit kishin ngritur një flamur shqiptar me shqiponjën dykrenare pa yll. Flamuri ishte i improvizuar duke marrë copën e kuqe të jorganit të Naim Pashait ndërsa piktori Mersin Vlashi pikturoi shqiponjën pa yll. Ndërsa flamuri po ngrihej mbi ndërtesë ushtarët nisën të qëllonin me breshëri dhe është e habitshme pasi flamuri nuk u prek nga asnjë plumb. Shtypja e revoltës ashtu siç edhe ata na komunikuan u bë në mënyrë të dhunshme.
A vinin familjarët tuaj t’ju shihnin në burg?
I vetmi familjar që më ka takuar në burg ka qenë gjyshja ime. Mbaj mend që më ka ardhur në burgun e Korçës dhe më ka sjellë ndërresa dhe ushqim. Por para se të më takonte mua kishte kërkuar Komandantin e Burgut dhe i kishte thënë se nipin tim e kam rritur që kur ishte shumë i vogël dhe di se ai nuk ka bërë asgjë të dëmshme për të qenë në burg. Ndërsa me babain nuk pata asnjëherë takim.
Çfarë ndodhi pasi u liruat?
Dënimi im përfundonte në shkurt të vitit 1983, por për shkak të një amnistie u lirova në nëntor 1982, për mua kjo amnisti nuk kishte vlerë pasi më kishte mbetur vetëm 1 muaj e 20 ditë për tu liruar. Isha në moshën 38 vjeçare kur u lirova. Më duhej të kthehesha në shtëpi atje ku nuk më priste askush. Kam shkuar në fshat dhe i vetëdijshëm që babai im nuk do më pranonte, dërgoj një djalë të vogël tek shtëpia për të lajmëruar atë. Por fjalët e tij ishin po ato që kishte shprehur në gjyq. Kështu u nisa drejt Degës duke i shpjeguar problemin tim, zyrtarët e saj më strehuan në zyrën e oficerit të rojes. Kam qëndruar gati 4 muaj atje. Më pas më çuan në minierën e Mborje-Drenovës ku u strehova në hotelin që ishte për beqarët, derisa ndryshoi sistemi. Intervistoi: Najada Pendavinji për Kujto.al