Aktualitet

KRIMET E KOMUNIZMIT/ Shpresa Merdani: 21 vite internim në “Siberinë” shqiptare







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:51 - 06/10/20 |
mapo.al

Një jetë e jetuar në kufijtë e mbijetesës. Pas arrestimit të babait për një copë tokë fëmijët e tij vuajnë urinë, punën e rëndë dhe internimin në “Siberinë shqiptare”, fshatin Shtyllas ku bora shkrinte në maj.


 Shpresa Baholli Merdani është një nga të persekutuarat e regjimit diktatorial ku fëmijërinë e saj e kaloi përmes dhimbjeve dhe varfërisë të tejskajshme e jetën si grua e nënë u përball me sfida të vështira të krijuara nga regjimi komunist.


Origjina e saj është nga një familje e madhe dhe e shquar korçare, familja Ballolli, e cila u përndoq nga sistemi komunist në pesë breza duke kaluar një kalvar të gjatë mundimesh dhe vuajtjesh.



Shpresa e bija e Veli Ballollit ka vuajtur sistemin e përndjekjes që në vitin 1969 ku internua sëbashku me familjen e saj në Shtyllë të Vithkuqit për 21 vite përgjatë të cilave kaloi gëzimet dhe hidhërimet e jetës.


Kalvari i vuajtjeve përfundon në 1990. Sot ajo është 78 vjeç dhe menjëherë pas ndryshimeve demokratike u aktivizua me Shoqatën e të Përndjekurve Politikë Antikomunist në qytetin e Korçës duke i shërbyer për gati 25 vite kësaj shtrese. Dëshmia e plotë dhënë Kujto.al


Intervistoi: Najada Pendavinji

Znj. Shpresa, si nisi persekutimi ndaj familjes suaj? Pse u arrestua dhe u dënua babai juaj?
Unë jam Shpresa Veli Merdani, e bija e Veli Bahollit nga Suli i Bilishtit. Babi im u rrit jetim, i vdiq e ëma në moshë të vogël dhe babagjyshi për ta zhvilluar ekonominë, për të rritur të birin me një edukatë për punën e dërgoi në Amerikë që në moshën 16-vjeçare. Punoi për 13 vite në hekurudhat e Amerikës. Babai ishte shumë patriot dhe ato para që fitoi në Amerikë donte t’iinvestonte këtu në Shqipëri se ishte shqiptar. U kthye nga Amerika, fitimin ia dhuroi të atit, ku të dy blenë një tokë prej 500 dynymësh në Llabanicën e Tresenikut, kufi me Greqinë. Atje babai ndërtoi shtëpi, ndërtoi qilarë për bagëti të imta dhe të trasha, plevica për të mbajtur zahire, mulli për të mblojtur bereqenë, domethënë krijoi një ekonomi për të mbajtur familjen. Babai ishte shumë mikpritës, kushdo që vinte dhe i trokiste në derë qofshin këta grekë, maqedonas, ballistë, partizanë, ai ua hapte derën për t’u strehuar dhe për t’u ushqyer. Mbaj mend kur tregonte babai se i ndihmonte aq shumë sa i çonte bereqet partizanëve edhe në Lavdar të Korçës. Mbaroi lufta… Ndoshta çlirimtarët e kishin në program se këta njerëz që ishin punëtorë dhe të dëgjuar në atë krahinë të persekutoheshin për të vënë mësim të tjerët. Një ditë prej ditësh babain e fusin si anëtar të grupit të Deputetëve të Devollit. Në atë moment ai ishte duke lëruar në Llabanicë. E vetmja gjë që na kishte ngelur ishte kjo tokë. Dhe babai i thotë vëllait Hiqmetit që të vinte kur t’i zbriste ai qetë nga puna, dhe t’i kulloste nëpër meshtat në Çiflik. Kështu që vëllai bashkë me një kushëri shkoi në Llabanicë, ashtu siç i porositi babai. Kur arritën në një moment ata panë babain në mes të dy ushtarëve me automatik, të cilët nuk i lejuan as të takoheshin me njëri-tjetrin. 

Çfarë ndodhi me ju gjatë kohës që babai juaj ishte në burg?
Babanë e futën në burg. E la nënën me gjashtë fëmijë dhe gjyshen shtatë. Unë kam qenë e vogël asaj kohe rreth 5 vjeç, por në kujtesën time e kam ende sot, kur qante nëna duke bërtitur: ç’të bëj unë e shkreta me 6 fëmijë, në një fshat të huaj?! Babain e dënuan me vdekje, pa bërë asgjë. Më vonë ia ulën dënim me 101 vjet, ku nga 101 bëri 15 vite burg. Që në atë kohë nëna u vesh me të zeza deri në ditën që vdiq unë nuk e pashë nënën kurrë të vishte një fustan të çelur ose të vinte një shami të bardhë, por vetëm me të zeza. Ajo i vuri vetes si qëllim të na rriste, të na shkollonte, të na edukonte ne fëmijët e saj. Gjatë kohës që babi ishte në burg, ne do përpiqeshim të mbijetonim. Vëllain e futën në punë në Vëntrok, (Tren), ishte i vogël dhe iu ndante ujë punëtorëve që punonin atje. Vuajtjet ishin shumë të mëdha, nuk kishim bukë të hanim. Ndonjë njeri dashamirës i jepte nënës dhe gjyshes, nga 3 kile- 5 kile miell misri.

E keni takuar babain tuaj në burg?
Babi vuajti dënimin e tij me burg. Herën e parë që e kemi takuar babain në burg, unë nuk e mbaj mend pasi isha shumë e vogël. Unë kur isha e vogël kisha një si plagë në kokë që babai ma mjekonte gjithmonë me ilaçet që ai gjente, sigurisht para arrestimit. Gjatë takimit, unë i tregoja babait duke i thënë: baba shiko m’u shërua plaga, kanë filluar të më dalin leshrat! Dhe dritëshkurti baba qante. Dhe atëherë një nga policët që qëndronte atje gjatë takimit, i thotë nënës: “Hiqeni këtë fëmijë përjashta se na mallëngjeu të gjithëve”. Unë e fjalosja babain me shumë dashuri, me shumë dhembshuri, i tregoja për motrat, për vëllain. Hera tjetër ka qenë kur babai vuante dënimin në kampin e Rinasit. Edhe pse kishin kaluar vitet dhe babai gjatë kësaj kohe kishte përjetuar edhe kampet e tjera si: kampin e Rrogozhinës, Kanalin Peqin-Kavajë, Levan-Shtyllë të Fierit. Por që nuk kishim mundësi ekonomike të shkonim ta takonim në këto Kampe. Ndërsa kur e caktuan në Kampin e Rinasit, ku është ngritur sot Aeroporti i Rinasit, ne kemi vajtur të pesta motrat, bashkë me vëllain i cili asokohe ishte ushtar në Qafë-Shtamë të Krujës, por arriti të vinte dhe kështu kemi shkuar të gjashte fëmijët dhe e kemi takuar në Rinas. Atje kemi pritur që nga ora 9:00 e mëngjesit deri në orën 4:00, kur të burgosurit e linin punën dhe ktheheshin në kamp. E mbaj mend babanë në një vend të rrethuar me tela me gjemba. Dhe kur mbas shumë vitesh, pasi babai kishte ndërruar jetë, kam shkuar në Rinas pasi prisnim një të afërmin tonë, mua më dëgjohej sikur më thërriste babai: Shpresë ja këtu jam! Këto janë momente shumë të vështira. Babai si e hoqën nga Rinasi ka punuar edhe në Sanatoriumin e Tiranës, edhe atje e njëjta gjë më ndodhte, sikur babai më fliste: “Kudo që shkel Shpresa jam këtu”. Kalonin vitet e burgut të babait, dhe gjatë kësaj kohe ai i shkruante nënës: “Hasbie, dua që tre çupat e vogla t’i dërgosh në shkollë dhe mundësisht të venë në shkollën pedagogjike, të bëhen mësuese, se mësueset janë vajza të nderuara në të gjithë njerëzit e botës”… dhe ne ia plotësuam dëshirën e tij. Studiuam dy motrat, në shkollën pedagogjike, ndërsa të voglës nuk iu dha e drejta e studimit pasi ashtu ishte atëherë me plotësim kuadri për arsim në pedagogji. Kështu që dolëm vetëm dy mësuese Fëllëza dhe unë. Punuam me përkushtim. 

Kur filloi internimi juaj?
Mbaroi dënimi i babait dhe fillimisht ai punonte në NSHN, në ndërtime që bëheshin në qytetin e Korçës, pastaj e dërguan në pyjore. Ne, disa prej fëmijëve u martuan, vëllai po ashtu, ndërsa unë isha beqare, e pamartuar, isha vajzë në shtëpi. Në vitin 1969, na lajmëruan për të na hequr nga qyteti i Korçës. E thirrën babain në Komitetin e qytetit dhe e lajmëruan që të bënte rrobat gati se do të ikte në Shtyllë të Vithkuqit familjarisht. Gjithmonë të bindur ndaj ligjeve të qeverisë asnjëherë nuk u kundërshtuan nga ne urdhrat e saj. Edhe ne si një pjesë e mirë e qytetarëve Korçarë që u dëbuan nga qyteti, na mori policia dhe na çoi në Shtyllë. Atje na strehuan në shtëpitë që ishin bosh pasi një pjesë e tyre ishin bërë për vullnetarët, por ata nuk i rezistuan dot të ftohtit të atij vendi dhe na shpunë ne. Ishte një shtëpi, gjysma e çatisë e mbuluar me kashtë dhe gjysma tjetër kishte pak qerramille. Muri nga ana e sipërme rridhte ujë. Mirëpo siç të thashë, edhe babain e vëllain i kisha shumë punëtor, e rregulluan atë shtëpi, hapën kanale rreth e qark që të mund të kullonte uji jashtë jo brenda dhe e bënë vend për të jetuar, ku jetuam për 21 vjet. Fillimisht puna ishte shumë e vështirë pasi unë isha mësuese për gati 8 vite dhe nga një mësuese më duhej të punoja në bujqësi. Më vriteshin duart, më bëheshin flluska. Ngrihesha në mëngjes i thoja nënës: “oj moj nënë si do punoj unë sot? Unë jam shumë e lodhur! Unë nuk jam çlodhur natën”… Dritëshkurtra më thosh: ‘Bija e nënës lutju Zotit para se të fillosh punë dhe ai do të japë forcë që ta mbarosh punën edhe sot”. Nganjëherë e ngrohte në sobë bishtin e lopatës ose të ndonjë vegle tjetër dhe më thoshte; Shtrëngoje bishtin e lopatës që të të thahen këto flluskat në duar. Ndihmesa e nënës, kurajoja që na jepte ajo, forca e Zotit, më bënë që ta përballoj këtë një çerek shekulli në Siberinë e Shtyllës.

Si ishte jeta aty në internim?
Nuk më shlyen nga kujtesa ime momentet e vështira që kemi kaluar në internim. Diferencimet që na bëheshin nga njerëzit e partisë. Më caktonin punë më të vështira në bujqësi pasi unë isha me biografi të keqe dhe duhet të punoja si kafshë edhe në pjesët që nuk më takonin mua. Duke fituar më pak se shoqet. Atje gjeje elementë të indoktrinuar deri në palcë, të cilët tregonin gjithnjë e më shumë përbuzje dhe mllef ndaj nesh. Mbaj mend një sekuencë ku u vendos të mblidhej Këshilli për mua, pasi sipas tyre unë po sillja modën nga jashtë duke bërë qëndisma. Isha e re dhe asaj kohe duhet të përgatisja dhe pajën e nusërisë kështu që në kohën e lirë unë bëja qëndisje, mirëpo punën time e mori si model dhe një vajzë tjetër. Këtë gjë e kuptuan bajraktarët e kuq të PP-së dhe e shtruan si problem duke më thirrur në mbledhje. Unë isha një vajzë e ditur, ku e dija deri në çfarë pike qëndronte inteligjenca e tyre dhe kështu që jam ngritur në këmbë duke i thënë: “Më shikoni pak, ku qëndron indoktrinimi im i sjelljes së modës nga jashtë dhe përhapja e saj këtu në Shtyllë. Se kam të veshur një palë pantallona të babait me andre, një pallto të gjerë që më rri e madhe në trup, një palë çizme të grisura, dhe një kapele me vrima”. Qëndismat janë pjesë e traditës dhe zakoneve tona të cilat duhet t’ia përcjellim dhe brezit që po vjen në mënyrë që të mos humbasin pasi janë vlera shpirtërore të kombit tonë”. Kjo tregon që ata kishin një frikë paranojake ndaj çdo gjëje. Kujtoj e tronditem kur kthehesha me lot nga puna sepse më hanin në pjesë, as djersën e ballit nuk na jepnin…

Mund të më thuash si e kujtoni momentin e ardhjes në jetë të dy fëmijëve tuaj, atje në kamp?
Si të gjitha vajzat e reja, edhe unë kisha ëndrrat e mia. Kisha lidhur fjalën time me Ylberin.

Atë e burgosën ndërsa mua më internuan. Unë ia kisha dhënë fjalën Ylberit se do ta prisja dhe vërtet e prita. Në 1977 Ylberi lirohet nga burgu, u takuam në Shtyllë, e përsëritëm edhe njëherë fjalën e dhënë me njëri-tjetrin dhe i dhamë fund asaj historie, ai është liruar në mars dhe ne në korrik bëmë martesën. Bëmë një ceremoni të vogël, erdhën ata njerëz që na kishin ndjekur për sebepe të tjera atje në Shtyllë, që e dinin dhe historinë tonë. Ishte një ceremoni e thjeshtë, e bukur dhe ajo me kujtimet e saja, pasi që të gjithë ishim krushq dhe krushka të burgosura dhe të internuara. Mbas disa ditësh të martesës Ylberin e caktojnë për të korrur elb. Ylberi nuk dinte as si zihej drapri me dorë jo më të korrte elb. Filluam punën kur shikoj në krah Ylberi s’ishte. Thashë me vete po ç’u bë, kur shikoj ishte ulur te shelgu ku i kishte mbushur sytë me lot dhe po lidhte gishtin të cilin e kishte prerë me drapër. I them: Çfarë ke kështu? Dhe ai më kthehet: Po ç’doje që u martove me mua, unë nuk mbaj dot veten dhe jo më të mbaj familjen! Dhe i them për ta qetësuar se do punoj unë për të dy, atë ditë kam bërë dy norma. Dashuria ishte e madhe. Kaluan ditët një nga një, isha shtatzënë me fëmijën e parë, por jo gjithmonë kishte punëra të lehta, unë isha më e madhe në moshë për të krijuar familje dhe vështirësitë e barrës ishin më të mëdhaja. Domethënë doja një trajtim më njerëzor, kisha ilaçet që më kishin dhënë mjekët, por edhe ushqimin apo punën e doja pak më të mirë për t’i dhënë mundësi fëmijës që të zhvillohej në bark. Me vështirësi kaluan muajt, erdhi dita e lindjes së fëmijës, paraqitem te mamia e fshatit e cila më thotë që je gati për të lindur, por nuk kemi makinë që të të çojmë në Vithkuq. Ishte 30 marsi, po në Shtyllë kishte akoma dëborë, rruga ishte e mbuluar me akull, makinat nuk vinin. Atëherë detyrohet Ylberi me të vëllanë dhe të kunatën më morën në këmbë për të më çuar në Vithkuq.

Vajtëm deri në një farë vendi ku munda t’i rezistoj dhimbjeve, më tej nuk ecja dot, nuk bëja dot as edhe një çap. Kështu që jam ulur në një gur dhe i them Ylberit: “Unë nuk mundem më, nuk vij dot, do rri këtu, ikni ju”! Atëherë Ylberi, edhe ai është besimtar tek i madhi Zot më thotë: Shpresa! Lutju Zotit dhe Zoti do na ndihmojë, do të japë forcë që të arrijmë deri në spital. Ashtu vepruam. Më morën në një guvertë së bashku me kunatin dhe më ngritën. Arritëm në spital, e linda vajzën, në saje të ndihmesës së mamisë Marika nga Vithkuqi. Lindi vajza mirëpo ajo sa vinte dhe binte nga pesha, nuk ma pinte gjinë, duhej me patjetër ta vizitonte doktori. Maminë nuk e linin të vinte në shtëpi ta vizitonte fëmijën pasi ishim të deklasuar. Atëherë detyrohem bashkë me kunatën të shkojmë në spitalin e Vithkuqit, ku Ylberin nuk e lejonin të më shoqëronte se ishte i dënuar politik. Arritëm në Vithkuq ku u lajmërua ambulanca dhe më sollën në pediatrinë e Korçës.

Mirëpo mendo ne ishim të veshura me çizme, me pallto të vjetër, dhe kur na panë mjekët e pediatrisë në këtë gjendje po na sillnin vërdallë, jo e shtroj jo se shtroj fëmijën. Si përfundim vjen një mjeke me zemër të mirë, më shtron në spital mua së bashku me fëmijën. Kam ndenjur disa muaj në spital se fëmija nuk kishte zhvillim. Pas disa muajve kam dalë nga spitali, por që kuptohet fëmija donte trajtim, donte ushqim më të mirë, neve na jepnin vetëm 300 gram për familje, ne ishim dhe familje e madhe nuk dilte edhe pse ia linim fëmijës. Kur Bardha është bërë 7-muajshe atëherë filloi një karvan tjetër i sëmundjeve që kishte ajo. Ka qenë fundi i tetorit, atëherë në Shtyllë në 24 tetor ka rënë mbi 40 pont dëborë ku Këshilli nuk e lejonte maminë e fshatit të vinte të mjekonte fëmijën. Kështu që detyrohemi të shkojmë në këmbë duke çarë dëborën për ta shpënë fëmijën në spital.

Arritëm në Vithkuq me një fëmijë pothuajse të mbaruar, vjen ambulanca dhe Ylberin përsëri Operativi i zonës e ndalon për të më shoqëruar dhe jam nisur vetë në spitalin e Korçës ku kam qëndruar një muaj dhe pas kësaj ata më dërguan në Tiranë për gati 6 muaj pasi fëmijës nuk i binte temperatura. Sjellja e mjekëve të Tiranës ishte krejt më ndryshe se të Korçës. Ata kujdeseshin edhe për vendin e krevatit të fëmijës që të mos e kapte era. Kur më sëmurej fëmija dhe humbiste fare ndjenjat, ishte një doktor që e vizitonte Sami e kishte emrin, ishte Shefi i Pavijonit. Unë i lutesha me lot në sy duke i thënë: Aman doktor të lutem ma shpëto fëmijën! Dhe ai më thoshte se ne do bëjmë të pamundurën, por e ka tjetërkush në dorë, e ka Zoti që do ta shpëtojë apo jo. Mbas tre muajve ata ia ulën Bardhës temperaturën nga 39 oC ia shpunë në 37 e gjysmë dhe më nxorën nga spitali. Zoti ma fali fëmijën.

Çfarë ndodhi pasi u kthyet nga internimi?
Kam bërë internim plot 21 vjet. Më 6 gusht të 1969 na internuan nga Korça në Shtyllë të Vithkuqit, po më 20 gusht të 90-ës, na vjen lirimi, dhe jemi të lirë të jetojmë në qytetin nga ku ishim internuar, se na i kishin hequr edhe pasaportizimin e gjendjen civile. Gjendjen civile që e kishim më përpara në Korçë, tanimë e kishin vendosur në Vithkuq. Na i dhanë të drejtën të ktheheshim në Korçë, mirëpo as shtëpi, as punë nuk na gjetën. Pra, punë dhe shtëpi duhej të gjenim vetë. Ylberi kishte shok klase Lulëzim Qerebelin kryeinxhinierin e fabrikës së Tullës, dhe shkuam bashkë me Ylberin për të kërkuar punë. Ai po më shikonte mua me vërejtje, se nuk kishte besim në punët e rënda që kishte në fabrikën e Tullës. Dhe unë i drejtohem Lulit duke i thënë: mos kij merak se unë jam e zonja të punoj në vende shumë të vështira, qoftë me kazmë, qoftë me lopatë, të ngarkoj dhe të shkarkoj makina, ti ku të kesh punë do më caktosh një vend që të më jepet mundësia për të marrë një rrogë për të mbajtur familjen. Atëherë ai më fut në punë në fabrikën e Tullës, punoja në repartin e dytë atje ku bluhej qymyri i djegur.

Të gjithë habiteshin me punën që bëja unë në atë repart, por njeriu duhet të përshtatet gjithmonë me të papriturat e jetës. Si punova një vit në atë fabrikë, ditët e para të demokracisë unë u aktivizova, isha dhe jam anëtare e Partisë Demokratike, mora pjesë në çdo aktivitet që bënte ajo, në takimet me qytetarët qoftë në qytet apo edhe në fshatra. Mbaj mend që kam vajtur bashkë me Ylberin në fshatin e Podgories ku kam qenë mësuese për 5 vjet. Ishte hera e parë që merrnin pjesë gratë në mbledhje, por kur morën vesh se ishte Shpresa Ballolli, mësuesja e internuar e Podgories nga Korça në Shtyllë, erdhën të gjitha gratë e Podgories në mbledhje ku votat ia dhanë të gjithë Partisë Demokratike. Pas disa muajve më kthyen në arsim, meqenëseunë isha diplomuar për arsim, kisha punuar 8 vjet mësuese, ku punova dhe 3 vjet e gjysmë të tjera dhe që andej dola në pension. /kujto.al 

<
>
10946C02-3C15-4441-85C3-4926B1ADFF37 6E0BE045-CE41-4F37-A959-03F2AE68A69E B8A2E07A-FF28-43A4-86E9-B7C92E53B3BC D99AAF82-EE6A-49EF-BE26-8E00E4112DBA


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas