Aktualitet

KRIMET E KOMUNIZMIT/ Të burgosurit e artë të Shqipërisë, sa fitonte shteti nga puna e një të dënuari politik








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:02 - 06/08/20 |
mapo.al

Sa shpenzonte dhe sa i jepte shtetit me punën e tij të detyruar në minierë një i dënuar politik. Përllogaritja që shpjegon pse çdo vit në Shqipëri të dënuarit kapërcenin kapacitetin e kampeve të punës


Quheshin politikë, por të dënuarit për krime kundër shtetit në Shqipëri, u kthyen shumë shpejt në një çështje ekonomie. Një llogari e thjeshtë e shpenzimeve të një të dënuari politik dhe fitimeve që realizonte shteti me punën e tij në minierë, tregon se ata që punonin në minierat e bakrit e piritit, ishin miniera ari për shtetin shqiptar.


Shumica e të dënuarve shpërndahej në kampe pune, por statistikat tregojnë që në kampet më të vështira, ato që u ngritën pranë minierave, përqindjen më të madhe e përbënin të dënuarit politikë dhe vetëm një pakicë ishin ordinerë, të cilët përgjithësisht sistemoheshin në pozicione “drejtuese” apo të privilegjuara brenda kampit.


Nga viti 1968, ku nisi të funksionojë kampi i Spaçit me qëllim nxjerrjen e mineralit dhe përpunimin e tij në Reps, deri në vitin 1982, kur qindra të dënuar politikë u dërguan në kampin e Qafë-Barit pranë një miniere të ngjashme, të dënuarit politikë ishin dhjetë herë më shumë në numër sesa ata ordinerë. Në fund të vitit 1977, në Spaç ishin 877 të dënuar politikë dhe 48 ordinerë. Në fillim të vitit 1979, ishin 920 të dënuar politikë dhe 31 ordinerë.


Dokumentet, siç bën të ditur në librin e tij, “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste”, studiuesi Kastriot Dervishi, tregojnë që në këtë kamp, shpesh plani tejkalohej për të gjitha punimet. Në vitin 1974, në Spaç nga 65 mijë tonë bakër, ishin nxjerrë 76 mijë tonë. Nga 40 mijë tonë pirit, ishin nxjerrë 43 mijë. Pesë vjet më vonë, vetëm në muajt janar-korrik të vitit 1979, të burgosurit kishin nxjerrë 89.459 tonë bakër, 3.275 tonë pirit dhe kishin realizuar 2 547 metër linear punime, ndërkohë që numri i forcës punëtore në të dyja periudhat është i përafërt, rreth 500.

Qindra të dënuar, nxirreshin çdo ditë të vitit në punë, me përjashtim të datës 1 janar dhe kjo jo se u njihej e drejta për të pushuar, por sepse atë ditë donin të festonin policët dhe oficerët. Zotëronin një grusht sendesh personale si: një pagure, një lugë alumini, një tas, një furçë dhëmbësh dhe thuajse asnjë të drejtë. Edhe ato të drejta, më të pakta në numër sesa sendet personale, vareshin nga humori i policëve. E vetmja gjë që nuk ndryshonte ishte puna e përditshme, me normën e saj rraskapitëse, mosrealizimi i së cilës e çonte të dënuarin sërish në galeri turnin pasardhës, ose në birucë, ose në tortura.

Në një intervistë të para disa viteve, që bën pjesë në arkivën e familjes Doko dhe disponohet nga kujto.al, ish-i dënuari, Zenel Drangu, tregon për normën që duhet të realizonin të dënuarit në Spaç dhe sa shumë të ardhura i sillte shtetit shqiptar puna e tyre. Sipas tij, norma ditore në Spaç ishte 7 vagona mineral. Një vagon, sipas tij, kushtonte 36 mijë lekë. Shtatë vagona shkonin në  252 mijë lekë në ditë. Ndërkohë, kuota që shpenzonte një i burgosur në ditë, ishte 32 lekë. Të dënuarit paguheshin për punën e tyre, por ajo pagë edhe pse nuk e linte të paprekur 36 mijëlekëshin, e pakësonte atë në mënyrë gati të pashpërfillshme.

Shumë të dënuar, të cilët nuk kishin ndihma nga të afërmit, i shpenzonin ato para për të plotësuar ushqimin e kampit apo për të zëvendësuar veshjen që u grisej në trup, për të mundur t’i hidhnin çajit një lugë sheqer apo për të thithur një cigare bashkë me ajrin, në orën e caktuar.

Në dëshminë e tij, që i përket po arkivës së familjes Doko, Engjëll Çarçani, një nga ata të burgosur që e realizonte normën me 125 për qind, sepse nuk mund të priste asnjë ndihmë nga familja me 7 fëmijë të mitur që kishte lënë jashtë, kur doli nga burgu pas 7 vitesh e gjysmë, kishte me vete një pasuri prej 12 mijë lekësh. Ai i kreu pothuajse të shtata vitet e burgut në Spaç dhe qoftë vetëm nga një vit punë e tij, sipas shifrave të dhëna nga i dënuari tjetër, Zenel Drangu, vetëm me normën, shteti ka përfituar 91 milionë e 980 mijë lekë dhe në shtatë vite, mbi 600 milionë lekë, nga të cilat sado të zbriten prej ditëve kur nuk punohej për shkak të motit të keq apo kur Engjëlli theu krahun, sërish mbeten shuma të çmendura parash që shkonin në xhepat e një shteti, ku edhe sot, qytetarët e tij, kanë të ardhurat më të ulëta në Evropë. Aq më tepër në vitet e diktaturës! Aq më tepër të dënuarit që u mungonte uji i pastër për të pirë, uji i ngrohtë për t’u larë, veshjet dhe ushqimet, edhe pse me punën e tyre nxirrnin miliona lekë!

E padrejtë, por e aftë për të shpjeguar mizorinë. Kështu shpjegohet përse shteti arrestonte çdo vit padrejtësisht qindra njerëz për krime që nuk i kishin bërë. Kështu kuptohet edhe përse ndonjëherë ky shtet i pandjeshëm ua falte jetën armiqve të popullit.


Etiketa:

Pas