Aktualitet

Krimet e komunizmit – Të vdekurit në kampet e Vloçishtit dhe të Bedenit









Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:45 - 10/02/21 |
mapo.al

Skënder Hasan Dume, lindur në vitin 1912 në Starje të Kolonjës, me profesion nëpunës, ish-sekretar i Nënprefekturës së Kolonjës, u arrestua më 22.12.1944. U përfshi në një proces ku ishin edhe 7 persona të tjerë. U akuzua në bazë të neneve 14, 15, 18, të ligjit nr.41, datë 14.1.1945, si ish-anëtar i Ballit Kombëtar. Këshilli Gjyqësor Ushtarak i Kolonjës (pjesë e Gjykatës Ushtarake e Korparmatës së 2-të), e kryesuar nga Nexhat Dishnica, me pjesëmarrjen e prokurorit Çome Vodica, me vendimin nr.1, datë 28.5.1945, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burgim e konfiskimin e pasurisë.



Nga ky proces, Dervish Kurtesi, Ahmet Noku, Qemal Burimi, Ibrahim Noku, u dënuan me vdekje. U lirua me amnisti më 28.12.1949. Dume u arrestua për herë të dytë më 21.2.1951 me rastin e hedhjes së dinamitit në legatën sovjetike në Tiranë. Emri i tij gjendet në listën e rreth 170 të arrestuarve me rastin e kësaj ngjarjeje. Skënderi gjeti rastin dhe u largua nga paraburgimi në Tiranë, duke u arratisur nga Shqipëria. Me kujtime të freskëta nga Shqipëria, ai realizon një rrëfim mjaft interesant për kampet e vdekjes në Shqipëri, Vloçishtin dhe Bedenin, të cilat u botuan në gazetën “Flamuri”, nr.17-18, maj-qershor 1951. Pjesa e parë e rrëfimit lidhet me nisjen e një dite pune në kampin e Vloçishtit, i cili ishte një nga tre kampet që shërbyen për tharjen e kënetës së Maliqit.


Rrëfimi me titull “Kampet e vdekjes në Shqipëri”
Kam patur fatin e zi të vuaj 5 vjet në burgun e Korçës dhe gjatë kësaj kohe kam punuar 2 vjet në kampet e ndryshme bashkë me mijëra të burgosur dhe nga të 10 burgjet që ndodhen sot në vendin tonë. Gjer në fund të vitit 1949 në gjithë Shqipërinë ndodheshin 10.000 të burgosur politikë, pa llogaritur ata që janë arrestuar më vonë dhe sidomos me rastin e ngjarjeve të fundit. përveç këtyre, mijëra të burgosur të tjerë ndodhen edhe në burgjet ordinere, të dënuar për shumë vjet pasi nuk kanë plotësuar planin e shtetit në bereqet, mish, vezë, lesh, bimë industriale; të tjerë të mërzitur nga puna e rëndë në ndërmarrje të ndryshme dhe nga rroga e paktë, janë larguar pa leje; një pjesë e konsiderueshme janë dënuar për sabotime. Të burgosurit që ndodhen sot në Shqipëri formojnë divizionesh punëtorët të detyrueshëm.




Në pranverën e vitit 1948 në kampin e famshëm të Vloçishtit të Korçës që u emërua nga ne si “kampi i vdekjes”, u mblodhëm 1200 të burgosur nga burgjet e Korçës, Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit, 90% e të cilëve ishim për faje politike. Shumica e këtyre ishin avokatë, profesorë të shkollave të mesme, mjekë, studentë, ish-oficerë eprorë, ish-nëpunës, tregtarë, priftërinj katolikë, hoxhallarë dhe baballarë bektashinj.



Banesën e kishim në disa baraka, ku shiu i tërë nga hynte nga brenda. Për fjetje kishim vetëm nga një batanije, pasi na thanë që për mungesë automjetesh, nuk mund të merrnin tesha të tjera. Si ushqim na jepnin makarona nga më të këqijat dhe në verë kunguj e speca. Por në 10 veta nuk mund të mbushje një lugë me makarona. Pjesa tjetër ishte ujë i ngrohtë. Të 1200 vetat kishim si racion 4 litra vaj në ditë, ndërsa secili nga 600 gram bukë misri. Në mëngjes një ujë të ngrohtë, pa sheqer në vend të çajit. Ky ishte ushqimi special që na mburrte drejtori, në bazë të të cilit duhej të tejkaloheshin normat e caktuara e të je


pnim rendiment më tepër për ndërtimin e vendit. Njëkohësisht kjo ishte një provë e re se ne ishim penduar për fajet e kryera kundër komunizmit.
Në orën 3.00 të mëngjesit na bënin zgjimin dhe deri më 4.30 pastroheshim, hanim mëngjesin dhe përgatiteshim për punë. Gjatë kësaj kohe, një mjek i burgosur bënte vizitat në të sëmurët që arrinin 300 veta. Mirëpo raporti i tij nuk pinte ujë se policët Skënder Xhemali dhe Vaskë Deshiri duhet ta vërtetonin (miratonin-shënim).
Nga të 300 të dënuarit, vetëm 10 mund të mbeteshin, të tjerët me dru i nisnin në punë, pavarësisht se shumë prej tyre ishin me temperaturë 40 gradë.

Në ora 4.30, në rresht, me vegla në krahë, niseshim për punë, të zbathur. Mbasi gjithë rruga që do bënim ishte kënetë dhe e mbuluar me ujë dhe kallama, policët, të cilët ishin të veshur me çizme llastiku, na bërtisnin dhe na goditnin me dru për të ecur më shpejt, sepse kalonte orari i punës. Merreni me mend se si ne, të pamësuar me vuajtje të tilla, na shpoheshin këmbët nga kallamat dhe na rridhte gjaku. Ata që ishin në moshë më të kaluar, mbasi nuk ecnin dot shpejt, rriheshin më shumë. ne nuk guxonim në sytë e policëve t’u jepnim dorën ku binin se na rrihte polici Bejçe Belushi.

Puna fillonte në ora 6.00 dhe mbaronte në orën 18.00, duke pasur një pushim prej 30 minutash vetëm në drekë. Gjithë puna për çeljen e kanalit të Dunavecit ishte në ujë. Domethënë do punonim tërë ditën në ujë e në baltë të zbathur. Në ora 19.30 ktheheshim në kamp duke nxituar me vrap, gjithë baltë e ujë të lagur. Aty detyroheshim të prisnim dy orë për të dëgjuar rreshter Vaskën dhe polic Skënderin që na mbanin konferencë dhe vetëm në orën 22.00 pushonim. Merreni me mend se sa të lodhur dhe të drobitur ishim! Por kujt t’i ankoheshim? Askush nuk na dëgjonte, veç Zotit. Me gjithë këtë, nuk përuleshim dhe rezistonim.

Të varrosur të gjallë
Për sa i përket punës, çdo i burgosur, në këto kondita të vështira duhej të plotësonte normën e caktuar, mbasi përndryshe, je vetëm që e rrihnin, por i prisnin ushqimin dhe duhanin. Të rinjtë duhej të plotësonin nga 2-3 norma, ndryshe konsideroheshin sabotatorë, pasi ata gjoja kishin mundësi të jepnin rendiment më tepër.

Lexo edhe :  Dëshmia e Muhamet Zhulit: Arrestimi në një ditë me babanë

Të gjithë intelektualët dhe veçanërisht fetarët ishin ata që rriheshin më tepër për t’u bërë shembull ne të tjerët. Për të dhënë tmerr në masat, përditë policët futnin në kanal dhe mbulonin të gjallë me dhe e me ujë shumë veta nga këto kategori. Kam parë me sytë e mi kur rreshteri i policisë Hito Hito ka mbuluar të gjallë në kanal Tefik Hoxhën nga Elbasani, ish nënkolonel Sulejman Vuçiternën, një avokat, Baba Qazimin dhe Josif Papamihalin, kryetar i kishës unite (në origjinal thotë gabimisht “katolike”) të Korçës.

Përveç këtyre torturave, për të cilat kish urdhëruar drejtori vetë, ky një ditë vrau vetë një të burgosur me shkelma dhe pushkatoi 5 të tjerë, ndërmjet të cilëve më vjen ndër mend Nesim Luarasi, një djalë i ri nacionalist, i cili qysh prej një viti ndodhej i rëni në shtrat nga pneumonia dhe që u mor në kamp me batanije, pasi nuk ishte në gjendje të ngrihej vetë.

Nga gjithë këto vuajtje, dëshpërimi kishte arritur kulmin një ditë kur tregtari Kiço Misrasi nga Korça vari veten me një copë tel në kamp. Drejtori i kampit ishte sa injorant aq edhe egërsirë nga shpirti. Një ditë na mblodhi të gjithëve në kamp, natyrisht jashtë orarit të punës dhe pas një diskursi të gjatë që mundet të bëhet prej një xhahili në këtë rast, na tha se gjoja një shoku ynë student, i cili mban shtetësinë amerikane kishte biseduar me disa veta për liri dhe demokraci. Mbasi shau këtë me fjalët më të ndyra e lidhi pas një shtylle, ku e la 3 ditë e 3 net. Ky i ri i rritur dhe i edukuar nga prindërit me idenë e lirisë, nuk u përul përpara këtyre torturave, por qëndroi dhe qëndron gjithnjë si një granit.

Meqenëse familjet tona kishin dëgjuar për punën e rëndë që bënim, me qëllim që të na ndihmonin, na dërgonin ndonjë pako me sende ushqimore. Mirëpo Skënderi (Xhemali-shënim) dhe Vaska (Deshiri-shënim) i mbanin për veten e tyre dhe ne për të mos kërkuar, na thërrisnin natën në zyrë dhe na rrihnin me pretekste se gjoja bisedonim politikë me njëri-tjetrin.

Drejtori shpeshherë mblidhte nga të burgosurit me mijëra lekë me qëllim se gjoja do të na përmirësonte ushqimin. Ishte mësuar në Korçë me fushatat e këtilla që bënte në burg, me unazat, sanatet dhe stilografët që mori nga gjithë ata që u arrestuan dhe me vlerën e tyre ngriti edhe një pallat tjetër në Korçë.

Nga gjithë këtë vuajtje, si nga torturat, nga uria, nga sëmundjet dhe nga plumbat e policëve, në këtë kamp vdiqën 132 të burgosur, midis të cilëve mbaj mend këto emra: At Josif Papamihali-kryetar i kishës unite të Korçës, Dervish Mediu i teqesë së Leskovikut, tregtar Lakoja, Abdulla Peltusha nga Pogradeci, Sabri Çelo nga Leskoviku, Nikollë Tirana-tregtar nga Durrësi, Karafil Bylykbashi nga Bilishti, Virtyt Gjylbegaj nga Shkodra, Bexhet Frashëri, Ymer Faslliu, Tefik Hoxha, nënkolonel Sulejman Vuçiterna, Baba Glazimi.

Po aty xhelatë
Në vitin 1949 pata fatin e keq të vete në punë përsëri në kampin e Bedenit në Kavajë, në të cilin, në vitin e parë kishin punuar shokët tanë të (burgjeve) Vlorës, Shkodrës, Beratit dhe Gjirokastrës. Kishin vdekur nga duart e aspirantit të policisë Haxhi Peçes, nacionalistët më të mirë, si Jaçe Zleusha nga Përmetit e të tjerë. Kam parë me sytë e mi varret e këtyre njerëzve që u mbuluan të gjallë. Puna, ushqimi dhe torturat edhe këtë vit kanë qenë për njësoj si ato të Vloçishtit. Shumë prej shokëve tanë nuk u kthyen më në Korçë.

Nga një shok i imi që mbaroi dënimin dhe u lirua këtë vit, mësova se edhe në vitin 1950 trajtimet e të burgosurve kanë qenë edhe më të këqija, sidomos në kampet dhe shumë të burgosur kanë vdekur.

Këlyshët e kuq të Stalinit, të cilët e kanë zënë popullin tonë në grykë, pretendojnë gjoja se partia e tyre pas ekzekutimit të Koçi Xoxes bëri një kthesë të madhe. Kjo nuk është aspak e vërtetë ata po tregohen edhe më të egër e të pamëshirshëm. Çfarë do të thonë vallë për vrasjen që i bënë me dru vitin e kaluar Luigj Lulit në kampin e Bedenit?

Kur Hito Hitoja ka mbuluar të gjatë shqiptarët më të mirë në kohën e Koçi Xoxes, pse u gradua mareshal dhe sot ruan ministrin sovjetik në Tiranë? Natyrisht pse është besniku i tyre dhe vetëm atij mund t’i besohet sigurimi i jetës së Çuvakinit.

Përse vallë drejtori i burgut të Korçës, Tasi Marko, i cili u konsiderua si njeriu i Koçit, u dërgua përsëri më 1950 si drejtori i kampit të Pojanit, ku përsëriti edhe njëherë ato që bëri dy vjet më parë në Vloçisht dhe u gradua toger i policisë. Vetvetiu kuptohet: për shërbimet dhe meritat.

*
Mehmet Shehu dhe Enveri po tregohen më të pamëshirshmit jo vetëm kundrejt kundërshtarëve politikë, por edhe me njerëzit më të thjeshtë të vendit dhe zgjedha e popullit shqiptar po bëhet edhe më e rëndë. Mirëpo ekzekutimet në masë, burgimet, internimet në kampin e Tepelenës dhe të Kamzës afër Tiranës, të grave, të pleqve dhe fëmijëve të vegjël dhe gjithë vuajtjet e tjera që po heq populli ynë, i bëjnë edhe kalamajtë e djepit më të fortë dhe me armiq të Kremlinit, e me besim më të madh se dita e lirisë, për të cilën dhanë jetën mijëra shqiptarë, po afrohet, se flamuri dykrenor pa shpatat e liktorit dhe yllin e kuq me drapër e çekan do të valojë në qiellin e kaltër të atdheut tonë./kujto.al

2


Etiketa:

Pas