Aktualitet

Krimet e Komunizmit / “Vajzës, t’i thuash se e kam dashur shumë”














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 04/02/21 |
mapo.al

Historia e oficerit të guximshëm që ishte betuar të ikte nga Shqipëria e rrethuar, për të siguruar për veten dhe të bijën një të ardhme më të mirë. Njeriut që provoi tri herë të arratisej deri sa humbi jetën nën breshërinë e armëve. Fjalët e fundit të një babai për të bijën 2-vjeçare, dobësinë që e bënte edhe më të fortë.





 Askush nuk mund të gjykohet për deklaratat nën tortura, instinktin e mbijetesës, thyerjen e pashmangshme, por Sazan Hadëri nuk bëri asnjë nga këto. Ai nuk mohoi kurrë qëllimet dhe nuk u tërhoq nga vendimet e tij. Sot, ai është një legjendë e burgjeve të diktaturës, megjithëse me një fund të trishtë.


Tentoi plot tri herë për t’i shpëtuar rrethimit të diktaturës, por herën e fundit mbeti i vrarë në telat e burgut të Burrelit. Herën e parë kur tentoi të arratisej ishte i lirë. Donte të shkonte në Itali. E kishte parë me sytë e tij jetën e Perëndimit kur shoqëronte personalitetet në vitet e para të punës si oficer dhe donte të jetonte atje, me mundësitë dhe perspektivat e një njeriu të lirë. E donte këtë jetë jo vetëm për vete, por edhe për vajzën e vogël, fëmijën e parë që ishte kthyer në dashurinë e tij të madhe. Zgjohej natën për të parë në merrte frymë vogëlushja dhe kur ajo u rrit edhe pak, e nxirrte çdo ditë shëtitje me karrocë në parkun “Rinia”. Ajo ishte pika e vetme e dobët e këtij burri që nuk thyhej para asgjëje.




Më 9 gusht 1966, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor për «krimin e tradhëtisë ndaj atdheut» dhe e dënoi me 25 vjet burg dhe konfiskimin e pasurisë të tundshme e të patundshme.


Përfundoi në kampin e Laçit. Ishte vetëm 27 vjeç. Regjimi vendosi që ai do t’i kalonte 25 vitet e ardhshme të jetës në burg. Këtë, Sazani i fuqishëm, me mendje dhe sy të hapur, nuk mund ta pranonte. E vetmja gjë që mund ta stepte ishin pasojat që do binin mbi familjen dhe të bijën, por ai po luftonte edhe për të.


Në dhjetor të po atij viti kur e burgosën, ai tentoi largimin nga kampi i Laçit duke rrëmbyer, bashkë me Naun Kondakçiun dhe Murat Martën, maunen e shkarkimit me të cilën çanë rrethimin dhe dolën në rrugën nacionale. Mirëpo aty u ndalën, u rrethuan dhe ndërsa ishin duke u larguar me vrap, u kapën. Nauni mbeti i vrarë, ndërsa Sazani me Murati u sollën zvarrë në kamp, të shfytyruar dhe me duar të lidhura me tel. Pas kësaj tentative, Sazani shihej si armik edhe më i betuar, edhe më i rrezikshëm, ndaj e çuan në burgun e projektuar për këta lloj armiqsh, në Burrel. Nëna shkoi sërish ta takonte. Sërish mori me vete vajzën e vogël. Sërish Sazanin nuk e lejuan ta takonte. Sazani e kuptoi që në burg do të ishte përgjithmonë i ndarë nga vajza.

“Unë prapë do iki”, thoshte ai dhe sado e pamundur të dukej, në gojën e Sazan Hadërit me siguri tingëllonte kërcënuese. Dhe ashtu veproi. Edhe atje, në Burrelin hermetik, gjeti dy shokë me të njëjtat mendime, Dhori Gërnjotin dhe Adem Allçin dhe përgatitën planin e arratisjes. Një natë gushti të vitit 1967, tetë muaj nga tentativa paraardhëse, Sazan Hadëri dhe dy shokët e tij vendosën ta vinin në jetë planin e tyre.

Gjithçka vendosej atë natë për Sazanin, që jo vetëm ishte dënuar me 25 vite burg, por kishte tentuar edhe një herë tjetër të arratisej. Nëse nuk ia dilte të shpëtonte, për të nuk kishte më asnjë shpresë. Me siguri e ka menduar këtë. Kjo nuk e bëri të trembej, as të zmbrapsej, por të gjente një copë letër e të shkruante ca rreshta…

“Meqenëse ty të kam këtu, unë të them të mos më marrësh për të çmendur. Këtë e vendosa me vullnetin tim. Po shkoj drejt vdekjes, prandaj në rast se unë vritem, të gjitha rrobat e mija, që mbeten ti marrësh ti.

Amanet po më takove vajzën ndonjëherë t’i thuash se e kam dashur shumë. Për atë do punoj po shpëtova.

Të falat e fundit

Sazan Hadër Hadëri”.

E palosi me kujdes dhe ia dha Xhelal Cufajt, shokut të qelisë. Pak minuta më vonë, në qeli hynë rojat. Tre djemtë kishin përgatitur gjithçka. I thanë që kishin një letër për udhëheqësit dhe duke u afruar për t’ia dorëzuar, i goditën, u morën çelësat dhe dolën në tarracë. Duke marrë frymë me nxit, kanë ndier ajër lirie, por këto ishin të fundit çaste për Sazanin. Ndërsa dy të tjerët mundën ta kalojnë rrethimin, ai u qëllua nga një breshëri armësh dhe mbeti pa jetë.

Për dy ditë, trupin e tij të vrarë, do ta ekspozonin si një trofe të çmuar në oborrin e burgut, ndërsa Dhorin dhe Ademin do i kapnin dhe do i ridënonin. Pak minuta pas ngjarjes, u kontrollua qelia dhe Xhelalit ia gjetën letrën me fjalët e fundit të Sazanit. Siç ka thënë në një intervistë për Afrim Imajn, para 10 vitesh, Alma e gjeti atë letër në dosjen e të atit. Një dosje ku përshkruhej historia e dënimit të tij, që Alma e mësoi pak nga pak teksa rritej, në formën e goditjeve të paparashikueshme poshtëruese që i përplaseshin në fytyrë në sy të të gjithëve. Fillimisht nuk i dhanë shami pionieri, pastaj nuk e pranuan në organizatën e rinisë, më vonë nuk e lejuan të vazhdonte studimet e larta megjithëse ishte nxënësja më e mirë e shkollës. Shumë pasoja prej babait që as nuk e lejuan ta njihte. E megjithatë, e mësoi, sa shumë e kishte dashur ai.

 

BOX 2

 

HERONJTË

Dedë Prek Shabani u pushkatua pa u marrë vendimi i formës së prerë

 

Dokumentet tregojnë se misioni i diktaturës nuk ishte vendosja e drejtësisë, por zhdukja me shpejtësi e kundërshtarëve të saj. Dedë Prek Shabani është ekzekutuar një muaj para se të vinte vendimi i formës së prerë nga Gjykata e Lartë për dënimin e tij, në shkelje edhe të vetë ligjeve që kishin vendosur komunistët. Pas ekzekutimeve të para me vendime gjykate, më 9.1.1945 të ing. Niazi Mehmet Pilkut nga Dibra dhe Leonardo Tomassos nga Palermo, i treti në radhë ishte në Shkodër. Dedë Prek Shabani, lindur më 1895 në Selckë të Koplikut (por në gjyq thuhej se ishte 37 vjeç), banues në Malkolaj, u arrestua më 24.1.1945. U mor në pyetje një ditë më pas, nga komisari i Brigadës së 2-të të Mbrojtjes së Popullit, Lako Polena. Çështja e tij u mbyll shpejt për të dhënë një mesazh të shpejtë për popullin. Në hetuesi tha se më 20.1.1945 bisedoi me Jup Kazazin, por mori lajm edhe nga Hasan Isufi për t’u ngritur në një kryengritje kundër komunistëve për të marrë Shëngjinin dhe Lezhën. Deda arrestoi 9 partizanët e Brigadës së 1-rë në Malikolaj dhe iu drejtua Lezhës. Sipas tij, plani në konsultim me disa këshilla nacionalçlirimtare të fshatrave ishte për një kryengritje të përgjithshme, por pasi të arrihej një marrëveshje duke shpresuar për një zbarkim të britanikëve dhe kthimin e Mbretit Zog. Ai kish strehuar edhe partizanë dezertorë. U akuzua në bazë të nenit 1 të ligjit nr.21, datë 15.12.1944 “Mbi sabotatorët e luftës dhe të pushtetit të popullit…”. Prokurori deklaroi se Deda ishte sjellë në gjyq sepse detyroi këshillat që ta bënin komandant të ushtrisë nacionalçlirimtare për Shkodrën.

Gjykata Ushtarake e Korparmatës së 3-të në Shkodër, e drejtuar nga nënkolonel Esat Ndreu, me pjesëmarrjen e prokurorit Sotir Dodoni, me vendimin nr.6, datë 24.1.1945, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë. U la në fuqi nga Gjykata e Lartë Ushtarake me vendimin nr.20, datë 28.2.1945. Megjithatë pushkatimi u realizua më 26.1.1945 në Shkodër nga forcat e Brigadës së 2-të të Mbrojtjes së Popullit, në shkelje të nenit 31, të ligjit nr.41, datë 14.1.1945 “Mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake”, i cili për ekzekutimet me vdekje kërkonte vendim të formës së prerë. Shkelja vërtetohet lehtësisht në dokumente të tjera. Pikërisht më 28.2.1945, Gjykata e Lartë Ushtarake miratoi në seri disa vendime të shkallës së parë që i takonin Prefekturës së Shkodrës.

 

 

1


Etiketa:

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas