Aktualitet

KRIMET E KOMUNIZMIT/ Vuajtjet e Prenkë Jakovës, viktima e katërt e diktaturës në familje








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:51 - 18/09/20 |
mapo.al

Vuajtjet e panjohura të kompozitorit të operave “Mrika” dhe “Skëndërbeu”, shumë pjesëve muzikore dhe këngëve të famshme si “Margjelo”. Prenkë Jakovës regjimi komunist i vrau një vëlla dhe i burgosi dy të tjerë. Pa kursyer as atë vetë, duke e sulmuar te pika tjetër e rëndësishme veç familjes, muzika. Kjo ishte goditja e fundit që shpirti i tij mund të përballonte.



Mahnia që shkakton talenti i disa artistëve, bëhet shtangëse kur mëson vuajtjet, në bashkëjetesë me të cilat, kanë krijuar. Dhe Prenkë Jakova ka pasur shumë të tilla, më të mëdhatë e të cilave ia ka shkaktuar pikërisht regjimi komunist. Komunistët i vranë vëllain dhe më pas i burgosën dy vëllezër të tjerë, duke e përballur edhe vetë Prenkën me kërcënimin e burgut dhe internimit. Ndërkohë që, ndërsa krijonte, ai duhej të kujdesej edhe për nënën e paralizuar, Rozën, së cilës, Fatbardha Saraçi Mulleti në librin e vet, “Kalvari i grave në burgjet komuniste”, i ka kushtuar një paragraf të gjatë, ku ka përmbledhur vuajtjet e kësaj nëne dhe djemve të saj.


Prenka iu përkushtua muzikës që në moshë të re, duke luajtur dhe duke krijuar muzikë. Më pas u bë drejtor artistik i bandës së shkollës dhe jepte mësime muzike në fshatrat dhe qytetin e Shkodrës, deri në vitin 1942, kur shkoi të studionte klarinetë në Akademinë Kombëtare Santa Cecilia në Romë ku u diplomua shkëlqyeshëm. Kur u kthye në Shkodër, në vitin 1944, u angazhua sërish në muzikë.


Në 1946-n, ndodhi goditja e parë dhe më e madhja ndaj shpirtit të krijuesit. Komunistët i vranë të vëllanë, Ndocin, i cili iu kishte bërë qëndresë të armatosur fashistëve dhe ishte angazhuar me forcat e Ballit Kombëtar, ndaj, kur u kuptua që pushteti kaloi në dorën e komunistëve, doli në mal. Forcat komuniste nuk e falën kundërshtarin e tyre politik duke e ekzekutuar. Në atë kohë, sipas burimeve të ndryshme, edhe Prenkën e thërritën dhe e mbajtën për ca kohë në hetuesi. Ndëshkimi ishte më i madh për dy vëllezërit e tjerë të tij, Çesk Jakovën dhe Dedë Jakovën, fotografin e njohur. Të dy u dënuan me 3 dhe 1 vit burg.


Shpirti i kompozitorit të ri, tashmë ishte mbushur me hidhërim, mirëpo prej tij vazhdonte të buronte muzikë: muzikë këngësh, pjesës muzikore deri edhe operash. Prenka kompozoi operën e parë shqiptare, “Mrika”, e cila u vu në skenë për herë të parë në teatrin “Migjeni” më 1 dhjetor 1958. Pati sukses të jashtëzakonshëm dhe në këtë atmosferë euforike, gjatë një vizite në Shkodër, udhëheqësi i shtetit që i kishte shkaktuar aq shumë plagë kompozitorit, i kërkoi atij të krijonte një vepër për Heroin Kombëtar, çfarë shprehte edhe pranimin e hapur të aftësive të Prenkës dhe çfarë do bëhej shkak për xhelozira dhe sulme të reja më vonë. Prenka, guxoi e i tha: “Po mor shoku Enver, por puna e operas nuk është si bukët që i fut kur të duash në furrë”. E megjithatë pas një pune vetëmohuese, ai e realizoi operën “Skëndërbeu” e cila u vu në skenë 10 vjet pas operës së parë.

Publiku u entuziazmua, por kolegët dhe udhëheqja jo vetëm që nuk e duartrokitën këtë vepër që i kishte kushtuar aq mund, nerva dhe energji, Prenkës, por bënë çmos për ta përbaltur. Në një intervistë të 8 viteve më parë, kur opera “Skëndërbeu” u rivu në skenë, pas plot 44 vitesh, Zhani Ciko mundohet të shpjegojë në një farë mënyre shkaqet e kësaj pritjeje të ftohtë që iu rezervua “Skëndërbeut” të Prenkë Jakovës. Ai përmend raportin që duhej ruajtur gjithmonë mes heronjve dhe udhëheqësve aktualë të asaj kohe, të cilin me sa duket opera nuk e kishte respektuar. Përmend gjithashtu shkëlqimin e një monarku, që në kohën e barazitizmit të plotë, nuk mund të pritej mirë.

Si përfundim, përmend edhe xhelozitë në mjediset artistike për autorin e një vepre që, për shkak të përmbajtjes, e kishte vendin të paracaktuar në historinë e muzikës. Një artikull me kritika, si një thikë pas shpine, i ngulet drejt e në shpirt Prenkë Jakovës, veçanërisht për faktin që mbante firmën e dikujt që e mendonte mik dhe e kishte pasur nxënës. Dhe kjo ishte një vuajtje e një lloji të ri për Prenkën që nuk kishte pasur pak të tilla në jetë. Ishte një goditje në atë pjesë të shpirtit që ishte kujdesur për të shëruar e për të mbajtur në jetë gjithë qenien e tij.

Mesa duket një goditje e papërballueshme. Në këtë gjendje, Prenkë Jakova ndahet nga jeta, në shtatorin e vitit 1969. Varianti zyrtar është vetëvrasje, por jo i vetmi. Në një shkrim të tij, Fritz Radovani, sjell një version tjetër. Sipas rrëfimit që i ka bërë atij një nga punonjësit e Shtëpisë së Kulturës së Shkodrës, atë mëngjes të 16 shtatorit në dhomën e katit të dytë, Prenka nuk ishte vetëm. Drejtori i Shtëpisë së Kulturës, ishte me të dhe pasi kishte bërë një telefonatë duke thënë: “Prenkën e kam këtu, mos vononi!”, kishte urdhëruar punonjësin në fjalë ta mbyllte derën e institucionit, ndërsa mbante në dorë një llambë që duhej ndërruar në dhomën e Prenkës.

Më pas ishte dëgjuar rënia e Prenkës, e cila u quajt aksidentale, por Fritz Radovani pyet a ra apo u shty kompozitori nga dritarja. Dallimi mes këtyre varianteve është shumë i madh dhe është e pafalshme që e vërteta ende nuk është e sigurt. E sigurt është vetëm që kompozitori i madh mbylli sytë i vrarë në shpirt, fillimisht me përndjekjen policeske ndaj familjes dhe atij vetë e më pas me atë artistike. E përcolli me nderime e gjithë Shkodra, ndërsa nga qeveria mbërriti vetëm Mantho Bala, zv.ministër për kulturën.

Mungesa e përfaqësuesve të shtetit u justifikua si reagim ndaj aktit të vetëvrasjes, por nuk ishte i çuditshëm. Prenkë Jakova ishte njeriu me tre vëllezër viktima të komunizmit si të vrarë dhe të burgosur dhe së fundmi, ishte sulmuar edhe si artist për t’i treguar që as talenti dhe as krijimtaria nuk do mjaftonin që ai të kishte paqe e liri në diktaturë. Prenkë Jakova u nda nga jeta dhe askush nuk e di përmasën e vuajtjes dhe të muzikës që mori me vete. Mbetet vetëm heshtja, e mbushur me trishtim dhe të panjohura. Vetëm këtë ishte i aftë të krijonte regjimi. Nga A.Çano/kujto.al

BOX

HERONJTË

Profesori i filozofisë, Foto Bala, para prokurorit gjakatar


Ishte në orën e mësimit në liceun e Gjirokastrës, atë ditë kur u arrestua. Foto Bala ishte profesor filozofie e letërsie. Kishte kryer studimet e larta në Montpellier në Francë. Kishte qenë në të njëjtën kohë me diktatorin Enver Hoxha. Një vit më herët, diktatori Enver Hoxha i kishte vrarë babanë, Dhimitër Balën, ndërkohë që Foto me sa duket, e priste edhe ndëshkimin e tij. E kishte njohur diktatorin në ditët e tij më të zeza nëpër rrugët e Francës, atje ku gjithçka tjetër kishte bërë, por jo shkollë. Padyshim që ana e errët e diktatorit do të kthehej në ndëshkim për Foto Balën, Hilmi Hysin e shumë bashkëstudentë të tjerë të diktatorit Enver Hoxha.

Hilmi Hysi u arrestua në të njëjtën kohë me Foto Balën dhe u gjykuan me grupin e deputetëve. Akuzoheshin për veprimtari armiqësore, pjesëmarrje në organizatën Balli Kombëtar dhe bashkëpunëtorë të angloamerikanëve. Në procesin hetimor të Foto Balës, në janar të vitit 1947, gjejmë këtë dëshmi të tij para prokurorit: “Pranoj me vullnet të plotë internimin e fëmijëve të mi Drita dhe Tefta, mbasi nuk pranoj akuzat që më bëhen.

Kur them të provohet që kam qenë anëtar i komitetit qarkor në Gjirokastër, dua të them se mjafton një datë, një njeri që të thotë se më ka propozuar një gjë të tillë. Unë i nënshkruari Foto Bala pranoj dënimin tim me vdekje në qoftë se provohet që në të kaluarën, ose në të tashmen unë të kem bërë pjesë ndonjëherë si anëtar i komitetit qarkor të Ballit Kombëtar”, është shprehur Foto Bala, tekst që gjendet në dosjen e deputetëve që u dënuan nga diktatura komuniste në vitet e para të regjimit komunist. Foto Bala u dënua me burg të përjetshëm, ndërkohë që në grupin e tij, u dënuan Shefqet Beja me varje në litar, Riza Alizoti, Sulo Klosi, Selaudin Toto, Salim Kokalari, Irfan Majuni, Enver Sazani, me pushkatim Sheh Ibrahim Karbunara, Paolo Saggioti, Agathokli Xhitoni, Mehmet Prishtina, Abdul Kokoshi, Beqir Çela, Tefik Deliallisi, Pertef Karagjozi, Hysen Shehu. Me burg të përjetshëm: Foto Bala, Ramazan Tabaku, Rram Marku, Gjovalin Vlashi. Me nga 20 vjet heqje lirie u dënuan: Shefki Minarolli, Rustem Sharra, Xhevat Xhafa. Me 15 vjet heqje lirie u dënua Sulo Konjari.


Etiketa: ,

Pas