Aktualitet

Krimi arrin majat, a do të largohet Ardi Veliu?














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 05/06/21 |
Mirgen Çela

Ekzekutimet dhe vrasjet kanë arritur kulmin këta 6 muaj, me një bilanc tronditës. Shkrehje armësh dhe viktima në qytetet kryesore të vendit. Opinioni publik është i shqetësuar, i frikësuar dhe sytë janë drejtuar nga qeveria dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë. A do të mbajë përgjegjësi Ardi Veliu, dhe a do të largohet nga detyra në këto rrethana, me gjithë mbështetjen e pakursyer e të deklaruar publikisht të Edi Ramës?






30 të vrarë në 6 muaj, ndërsa 12 prej tyre janë ekzekutime mafioze ende pa autor. Situata është kritike. Çdo krim që ndodh po kalohet me një heshtje therëse nga Policia e Shtetit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, përveç rritjes së numrit të vrasjeve, rritje në numër kanë shënuar edhe atentatet mafioze. Gazeta MAPO, sjell kronologjinë e vrasjeve dhe ekzekutimeve mafioze në 6 muajt e parë të vitit 2021. Bilanci është tronditës.


Jo më larg se një ditë më parë, në mes të Tiranës pranë Gjykatës u regjistrua një vrasje brenda në lokal. Vjehrri vrau dhëndrin pasi po divorcohej me të bijën. I plagosur mbeti edhe avokati i njohur Adriatik Cama.







Ngjarjet kriminale në 6 muaj
1 janar – Vladimir Zvezhda vritet nga kunati i tij. Klajdi Shundi 34 vjeç, në debat e sipër ka vrarë Zvezhdën. Ngjarja ka ndodhur nën efektin e alkoolit.



8 janar – Biznesmeni italian, Davide Pecorelli, rezultoi i zhdukur më 8 janar të këtij viti. Një mjet u gjet i djegur në Pukë, me të cilin dyshohet se udhëtonte biznesmeni. Pecorelli kishte krijuar lidhje me Shqipërinë për shkak të gruas me origjinë shqiptare, por edhe sepse kishte hapur një biznes lidhur me produktet e dyqanit të tij në Itali. Dyshohet se Pecorelli mund të jetë grabitur e vrarë në Pukë, aty ku u gjet makina e djegur, të cilën biznesmeni e kishte marrë me qira në Rinas. Asokohe u raportua se brenda saj u gjetën dhe mbetje njerëzore e sende personale të biznesmenit. Ngjarje ende e pazbardhur.



24 janar – Ekzekutohet Edmir Begu, i njohur si Ilir Kuçi. Begu zbriti nga makina e tij, ndërkohë nga një tjetër makinë u zbraz një breshëri kallashnikovi. Mendohet se në makinën nga ku u qëllua ishin dy persona. Pasi u siguruan se plumbat e kapën objektivin në kokë dhe gjoks, makina me autorët brenda u zhduk në errësirë në mes të rrebeshit të shiut duke humbur gjurmët. Objektivi, 38-vjeçari Edmir Begu, u nis me urgjencë për në spital, por nuk mundi të mbijetojë.

1 shkurt – Shkëlzen Kastrati u ekzekutua me dy plumba në fshatin Sheq të Fierit brenda në makinë. Ai ka qenë në lëvizje kur është qëlluar nga një person në mjetin tip “Range Rover”. Të gjitha hetimet janë përqendruar te hakmarrja, për shkak të së kaluarës së tij dhe të vëllait. 5 vite më parë është tentuar të vritet në atentat Klemend Kastrati, vëllai i Shkëlzenit. Nga ajo ngjarje humbi jetën Denis Kasaj nga Vlora, kurse Klemendi u plagos. Eliminimi i tij ishte për hakmarrje pasi nga hetimet e kryera në atë kohë ka rezultuar se Klemend Kastrati ishte i implikuar në një plagosje të vitit 2008, për shkak të një sherri makinash, por ai u dyshua dhe për një vrasje të ndodhur në vitin 2012.

6 shkurt – Ekzekutohet në qytetin e Vlorës me armë zjarri tip kallashnikov 40-vjeçari Gentjan Qarri, i njohur me pseudonimin “Geçe”. 40-vjeçari kishte qenë i dënuar me 11 vite burg për drogë në Itali. Për shkak të dënimit për drogë, pista e hetimit është përqendruar te larja e hesapeve.

8 shkurt – Violeta Gurraj, 47 vjeçe, gjendet e vrarë në banesën e saj fare pranë aksit nacional Shkodër – Hani i Hotit. Burime pranë ekspertizës bëjnë me dije se viktima është qëlluar me mjet prerës disa herë në fyt duke i shkaktuar vdekjen ndërsa ka shenja dhune në fytyrë. Gurraj jetonte e vetme dhe pas disa ditëve mungese kontakti me të afërmit, këta të fundit kanë njoftuar policinë.

17 shkurt – Mark Gjeta, u vra nga një 60-vjeçar në Bungaj të Mirditës. Autori, Mhill Gega e përplasi qëllimisht Gjetën me makinë duke i shkaktuar atij vdekjen. Gega u ndalua nga policia.

25 shkurt – Behar Sofia ekzekutohet në mes të Tiranës. Nga hetimet e deritanishme, Behar Sofia konsiderohet si “baron i drogës” dhe se është vrarë për shkak të konflikteve të mëhershme për trafikun e heroinës nga Turqia në drejtim të vendit tonë, dhe më pas drejt vendeve të BE-së. Lidhur me këtë ngjarje, policia ka arrestuar vetëm autorët, por nuk ka mundur të gjejë porositësit.

3 mars – Tauland Gjikaj, 31-vjeçari i ekzekutuar në Vlorë rezulton i përfshirë në një përplasje me armë po në këtë qytet në shkurt të vitit 2018. Ngjarja e tri viteve më parë ndodhi në lagjen “28 Nëntori”, pranë Kishës Ortodokse. Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur tre persona. Gjikaj u arrestua bashkë me dy persona të tjerë me akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe tentativës së vrasjes. Policia njoftoi asokohe se dy grupet rivale u përplasën me armë teksa po lëviznin me dy automjete të ndryshme.

5 mars – Dhori Rapi, u vra nga i biri Erdis Rapi. Krimi i rëndë në familje ndodhi në rrethana ende të paqarta. Fqinjët, thonë se Erdisi vuan nga probleme të shëndetit mendor. Babë e bir fillimisht janë përleshur me njëri-tjetrin, ndërsa konflikti ka shkuar deri në përdorimin e sendeve të forta. Erdisi qëlloi të atin me një shkop duke e lënë të vdekur në vend.

17 mars – Irvana Hykaj u vra nga bashkëshorti Demokrat Medinaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në sy të dy fëmijëve të mitur të çiftit, ndërsa shkaqet mbeten ende të paqarta. Irvana mësohet se ishte edhe shtatzënë, ndërsa bashkëshorti e qëlloi atë me thikë deri në vdekje.

20 mars – Durrësi tronditet me ekzekutimin e njërit prej ish-anëtarëve të bandës së Lul Berishës. Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekiçi u qëllua me breshëri kallashnikovi teksa ishte brenda në makinë.

4 prill – Bardhok Pllanaj ekzekutohet brenda në makinë. Mbi automjetin e ‘Kumbarit’ të Shkodrës, janë qëlluar rreth 120 plumba automatiku, ndërsa 20 prej tyre kanë prekur trupin e 46-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend. Kjo vrasje, konsiderohet si një prej ngjarjeve më të mirorganizuara në Shkodër, dhe më të bujshmet e realizuara nga krimi i organizuar. Kjo vrasje është ende e pazbardhur.

10 prill – Fëllënza Shirja u dogj për së gjalli nga bashkëshorti Bilbil Shirja për motive xhelozie. Bilbili, e dogji bashkëshorten brenda në makinë. Pas ngjarjes, ai vrau dhe veten duke u vetëvarur në një pemë. Ata ishin prindër të një djali dhe një vajze.

11 prill – Nazmie Markja, 74 vjeç u vra nga nusja e shtëpisë. Mësohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të debateve që kanë patur kohët e fundit. Debatet agravuan deri sa nusja mori thikën dhe e goditi vjehrrën fillimisht në fyt.

12 prill – Ilir Ruca, 60 vjeç, mbeti i vrarë në Gjirokastër. Ai ndodhej në lagjen “Pazari i Vjetër” kur u godit me thikë nga 57-vjeçari Afrim Nazifi. Sipas policisë, shkak për ngjarjen dyshohet se u bë një konflikt i çastit, megjithatë rrethanat e plota të saj nuk janë ende të qarta. Menjëherë pas ngjarjes autoritetet arrestuan autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë.

13 prill – Xhetan Konesha ekzekutohet nga dy vëllezërit Muhamet dhe Altin Mera. Dy vëllezërit dhe viktima u përfshinë në një konflikt të çastit dhe situata agravoi, duke bërë që ata të qëllonin me automatik 50-vjeçarin, i cili ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.

21 prill – Pjerin Xhuvani, i njohur si eksponent i Partisë Socialiste, vritet gjatë një shkëmbimi zjarri në qytetin e Elbasanit. Në këtë ngjarje, u plagosën edhe katër persona të tjerë, mes tyre edhe një efektive e policisë. Sipas raportimeve, ngjarja ndodhi për shitblerje votash 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

29 prill – Benard Tonuzi vritet me thikë nga i vëllai, Florian Tonuzi. Ngjarja e rëndë ndodhi në mesnatë në rrethana ende të paqarta, ndërsa dyshohet se Floriani vuan nga probleme të shëndetit mendor. Pas dy ditësh në arrati, Florian Tonuzi është arrestuar nga policia.

5 maj – Ish-efektivi i policisë, Koço Buzo, qëlloi me armë zjarri drejt bashkëshortes së tij me të cilën ishte në proces divorci. Gruaja u qëllua për vdekje në momentin kur po dilte nga gjykata.

10 maj – Vrasja e Bledar Birçajt në mes të Vlorës vijon të mbetet pa autor. Ai u ekzekutua me breshëri kallashnikovi teksa ishte në automjetin e tij.

10 maj – Po më 10 maj, Mehmet Qema, qëllohet për vdekje pa dashje nga shoku i tij Marius Demaj.

12 maj – Everest Çaka u ekzekutua në Elbasan brenda në makinë, nga persona ende të paidentifikuar. Viktima ishte nën praninë e bashkëshortes në momentin kur një person iu afrua te xhami i makinës dhe e qëlloi për vdekje.

17 maj – Endri Mustafa vritet në zonën e livadheve në Shkodër. Policia ka shpallur si autor të dyshuar Ibrahim Licin, ndërsa ende mbetet e dyshimtë autorësia e krimit.

21 maj – Edhe vrasja e Delon Troqes në Vlorë, ashtu si e Birçajt në të njëjtin qytet, dyshohet se është kryer nga vrasës me pagesë. Identifikimi i tyre nuk është bërë ende, ndërsa pistat kryesore të hetimeve janë konfliktet dhe larja e hesapeve mes grupeve rivale për prishja e pazareve të drogës dhe e shkuara e viktimave jashtë vendit.

29 maj – Ekzekutimi i 25-vjeçarit Emiliano Ndou në Bardhaj të Shkodrës nga bashkëfshatari Mark Kodra, është vrasja e dytë brenda muajit maj në këtë qytet dhe e treta në 5 muajt e parë të vitit.
1 qershor – Biznesmeni Çajup Selimi u vra në Tepelenë me një plumb në kokë dhe një në gjoks, nga persona ende të paidentifikuar.

Dy vrasjet e 2 qershorit – Rako Qorri u vra në lokalin e tij ndërsa iu plagos edhe i biri nga Sofokli Shani. Ngjarja kriminale ndodhi pas një konflikti çasti. Sherri agravoi deri në përdorimin e sendeve të forta, ndërsa më pas, Shani merr armën në banesë dhe qëllon për vdekje Rako Qorrin, si dhe i plagosi të birin, Kejdin.

Po këtë natë, në derë të shtëpisë u ekzekutua Shkëlzen Velaj. Autorët të cilët ende nuk janë identifikuar dhe janë në arrati, e qëlluan për vdekje me breshëri Velajn. Altin alias Shkëlzen Velaj është një prej 7 të arrestuarve nga blutë e Vlorës në Tetor të 2019-ës gjatë operacionit të koduar “Vjeshta” , për kultivim të lëndëve narkotike. 35-vjeçarit, 6 vjet më parë i kishin vrarë dhe vëllain Ardi Velajn, në të ashtuquajturën “masakra e Çoles”, ku humbën jetën edhe dy të rinj të tjerë.

4 qershor – Në mes të Tiranës pranë Gjykatës u regjistrua një vrasje brenda në lokal. Vjehrri vrau dhëndrin pasi po divorcohej me të bijën. I plagosur mbeti edhe avokati i njohur Adriatik Cama. Historia e viktimës me bashkëshorten është bërë publike edhe në media. Ata dje kishin seancën e pestë në gjykatë, në proces divorci.

12 ekzekutimet mafioze
Biznesmeni italian, Davide Pecorelli, rezultoi i zhdukur më 8 janar të këtij viti. Dyshohet se Pecorelli mund të jetë vrarë në Pukë, aty ku u gjet makina e djegur, të cilën biznesmeni e kishte marrë me qira në Rinas. Dyshohet se ai ka patur konflikte të mëhershme në shtetin fqinj. Ngjarja, ende një mister.
Ekzekutimi i Ilir Kuçit më 24 janar në Durrës, i njohur ndryshe si Edmir Begu, dyshohet si ekzekutim i tipit mafioz nga persona të paguar. Shkak dyshohet larja e hesapeve për prishjen e pazareve të drogës.

Më datë 1 shkurt në Fier ekzekutohet brenda automjetit Shkëlzen Kastrati. Një muaj pas ngjarjes, policia identifikoi autorët me pagesë, por jo porositësit e krimit. Në pranga ra një prej katër autorëve të dyshuar.
Më 6 shkurt në Vlorë vritet pranë banesës së tij Gentian Qarri. Ky i fundit i dënuar për trafik droge. Kjo ngjarje është ende e pazbardhur, ndërsa dyshohet se është kryer po nga vrasës me pagesë.

Në mes të Tiranës, mëngjesi i 25 shkurtit nuk ishte i qetë. Pranë zonës së piramidës ekzekutohet Behar Sofia, i njohur si baron i drogës. Lidhur me këtë ngjarje, policia ka rënë vetëm në gjurmët e autorëve, por nuk ka mundur të gjejë porositësit.

Durrësi tronditet me ekzekutimin e njërit prej ish-anëtarëve të bandës së Lul Berishës. Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekiçi u qëllua me breshëri kallashnikovi më 20 mars, teksa ishte brenda në makinë.

Po ashtu, nga vrasës me pagesë thuhet se u ekzekutua edhe Bardhok Pllanaj. Më 4 prill, drejt ‘Kumbarit’ të Shkodrës, u qëlluan mbi 120 plumba, duke e lënë të vdekur në vend.

Gjithashtu, vrasja e Bledar Birçajt dhe Delon Troqes në Vlorë, janë atentatet që dyshohen të jenë kryer nga vrasës me pagesë.

Identifikimi i tyre nuk është bërë ende, ndërsa pistat kryesore të hetimeve janë konfliktet dhe larja e hesapeve mes grupeve rivale për prishjen e pazareve të drogës dhe e shkuara e viktimave jashtë vendit.
Pa autor ka mbetur ende edhe vrasja e Everest Çakës në Elbasan, ajo e Endri Mustafës në Shkodër dhe e Shkëlzen Velajt, e fundit në Vlorë.

Krimi bën kërdinë, qeveria e shqetësuar për ndërtimet pa leje

Mapo.al

Ditët e fundit ka kërcitur keq kallashi në shumë qytete të vendit. Ekzekutime mafioze dhe vrasje me motive të dobëta janë të pranishme të paktën çdo javë. Statistikat flasin për një bilanc të rënduar në këtë 6-mujor.

Këto zhvillime nga kronika e zezë e nxjerrin policinë në një dritë tashmë të njohur. Sipas politikave dhe drejtimit të saj, kjo trupë, ky institucion i rendit dhe sigurisë publike, ka pasur gjithë këto kohë të tjera prioritete. Dhe sigurisht në krye, është synimi për t’i shërbyer qeverisë në radhë të parë.

Meraku i drejtuesve të policisë për të qenë instrument në duart e qeverisë dhe skalion force kundër opozitës, apo edhe qytetarëve kritikë, të angazhuar apo protestues, ka nisur herët, që në fillimet e ardhjes së rilindjes në pushtet. Por ka kulmuar me përdorimin e dhunës në demonstrimet në bulevard, ose te shembja e Teatrit.

Me këtë korsi të qartë, dalëngadalë u përvijua dukshëm në publik se tashmë policia ishte një prej sektorëve politikë të qeverisë, dhe jo trupa e burrave dhe grave që në radhë të parë duhet të qëndrojnë në krah të njerëzve e të zbatojnë strikt ligjin.

E kjo u duk qartë edhe në zgjedhjet e fundit, ku drejtoritë vendore ishin palë me bandat, ishin mbështetja e tyre logjistike shpesh, dhe kur vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, mori përsipër të futet në një debat me PD-në për ngjarjen e rëndë të Elbasanit, ku bëri një deklaratë të rreme në favor të qeverisë.

Këto të dhëna flasin se kemi të bëjmë me një dalje të qartë nga shtrati ku duhet ky institucion të qëndrojë. Dhe prej kësaj më tej, burojnë gjithë të këqijat. Kompromisi me politikën, me bandat, sjell edhe rënie të cilësisë, rënie të vigjilencës, shkurajim të oficerëve të ndershëm, dhe revansh të krimit.
Edhe pse vrasjet dhe ekzekutimet janë shtuar, qeveria duket jo shumë e shqetësuar. Për Edi Ramën, më rëndësi kanë ndërtimet pa leje, sepse ato patjetër që shkaktojnë bezdi personale tek ai. Dhe për këtë, ai u tërhoqi fort veshin drejtuesve të policisë. Teksa, normale do të ishte që angazhimi kryesor të qe pikërisht për jetën, sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve.

REAGIMI/ Vrasjet në vend, Presidenti Meta: Policia të shkundet nga apatia
Presidenti Ilir Meta reagon ashpër pas ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura ditët e fundit në vend, që nga Vlora, Shkodra, e deri te vrasja e djeshme në mes të Tiranës. Kreu i Shtetit i bën thirrje Policisë së Shtetit “që të shkundet nga apatia dhe të përmbushë me rigorozitet të gjitha detyrimet e saj ligjore, duke luftuar krimin në çdo qelizë të shoqërisë dhe larguar prej saj çdo nëpunës të korruptuar dhe të lidhur me ‘botën e errët’”.

“Ngjarjet shumë të rënda kriminale, me pasojë dhjetëra humbje jetësh dhe dëmtimin e shëndetit dhe të pronës së qytetarëve, që po ndodhin në mes të ditës, në ambientet publike, në zemër të qendrave urbane, deri edhe pranë institucioneve të larta të sigurisë, janë thellësisht tronditëse dhe një dëshmi e qartë jo vetëm e revanshit të krimit, por edhe e paaftësisë së Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, për parandalimin e tyre.

Në këtë situatë kaq shqetësuese, që ka krijuar një pasiguri të madhe publike, i bëj thirrje Policisë së Shtetit, që në veçanti, ka për mision dhe përgjegjësi thelbësore ruajtjen e rendit dhe të sigurisë, garantimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve, që të shkundet nga apatia dhe të përmbushë me rigorozitet të gjitha detyrimet e saj ligjore, duke luftuar krimin në çdo qelizë të shoqërisë dhe larguar prej saj çdo nëpunës të korruptuar dhe të lidhur me “botën e errët”.

Është tepër e domosdoshme, që të tilla vepra të rënda penale të parandalohen në kohë, të zbulohen, të hetohen dhe autorët e tyre të marrin ndëshkimin e merituar ligjor! Ndaj ju bëj thirrje të gjitha institucioneve të sigurisë kombëtare, në veçanti Shërbimit Informativ të Shtetit, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të vendosin një bashkëpunim më të gjerë, më dinamik dhe eficient mes tyre!”, shkruan President i Republikës në reagimin e tij.

1


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas