Të gjithë studiuesit e sigurisë e krahasojnë natyrën sesi zhvillohet krimi i organizuar me një rrjedhë nëntokësore e cila nuk ekziston për aq kohë sa nuk konstatohet nga organet kompetente të zbatimit të ligjit.
Ligjësitë e brendshme të krimit të organizuar bëjnë që hera-herës aktet kriminale të dhunshme të dalin në sipërfaqe dhe në këtë mënyrë ato tërheqin vëmendjen e organeve ligjzbatuese. Sigurisht do të ishte katastrofike nëse organet ligjvënëse të mos ishin në gjendje që të kuptojnë dhe të ndjekin shenjat e këtij krimi të nëndheshëm me qëllim nxjerrjen e akteve të tij në sipërfaqe dhe më pas ndëshkimin e autorëve.
Një pohim i tillë duket se materializohet më së miri në realitetin e vendit tonë kur situata kriminale mahiset hera-herës si pasojë e ligjësive të brendshme të krimit të organizuar më shumë sesa për shkak të veprimit të organeve tona kompetente të zbatimit të ligjit. Shihet qartë që gjithçka kriminale e cila lëviz nën tokë, bëhet e dukshme sapo shpërthen në një vrasje apo sapo kryhet konfiskimi i ndonjë sasie të madhe droge nga vendet fqinje.
Raste të tilla personifikohen gjithmonë në publik sa herë që policia njofton vrasje apo atentate me qëllim larje hesapesh apo sa herë që policia e vendit fqinj Italia sekuestron sasi të mëdha kanabisi. Ndryshe, pa këto, krimi i organizuar në vendin tonë nuk do të ekzistonte zyrtarisht duke u bazuar mbi qëndrimet e herëpashershme publike të niveleve të larta të qeverisjes.
Sigurisht është e pamundur të parashikohet dhe parandalohet gjithçka, por rastet që dalin në sipërfaqe tregojnë se nën tokë aktiviteti i grupeve kriminale mbetet gjithmonë intensiv. Dhe në këtë situatë organet tona e dinë se çfarë po ndodh dhe nuk e provojnë dot, ose nuk kanë motivimin e duhur për t’ia dalë mbanë.
Dy ditë më parë, u plagos një personazh i qytetit të Elbasanit i cili tashmë i ka shpëtuar tri herë atentateve të tjera. Pra e pashqetësuar nga organet tona të hetimit apo të sigurisë, bota e nëndheshme e krimit të organizuar ka dalë në sipërfaqe për të tretën herë dhe për të goditur të njëjtin rival. Kjo do të thotë se të dyja palët në konflikt janë aty dhe vazhdojnë të qeta veprimtarinë e tyre ndërkohë që organet ligjore dhe opinioni publik pas tyre, “kujtohen” kur dështon apo realizohet një atentat me snajper ose jo.
Nisur nga përkufizimi i studiuesve cituar më sipër, nuk është atentati në vetvete ai që ngjall frikë në publik, por është misteri se sa grupe të tilla rivale ekzistojnë dhe që në mos një ditë, në tjetrën do të shpërthejnë në vrasje. Frika e çdo individi tjetërsohet në shqetësim për të tjerët dhe shqetësimi duke pasur karakter social përhap pasigurinë më shpejt se koronavirusi. Për më tepër që në rastin konkret autorët e gjejnë dhe organizohen për të goditur viktimën për të tretën herë dhe po aq herë organet tona nuk kanë mundur t’i identifikojnë dhe t’i vendosin para drejtësisë. Vendimi për ekzekutim është marrë dhe ai nuk kthehet pas. Ky është pushtet, por jo ligjor.
Sapo flitet për atentate të tilla, menjëherë publikut i vjen ndërmend atentatori i cili përdor armë të sofistikuar. Atentatori që mund të prokurohet edhe nga jashtë si profesionist, pra që paguhet mirë, që ka kohën e duhur të organizohet dhe me bashkëpunëtorë, që ka burimet e duhura financiare për të kryer aktin, që ka njerëzit e duhur për të ndjekur e gjurmuar viktimën e më pas të njoftohet komandoja për vendin ku do të kryhet atentati. Dhe në rastin tonë, ky skenar është përsëritur për tri herë deri tani. Institucionet u kanë krijuar hapësirë dhe liri të madhe veprimi me përgjumjen e tyre apo me mungesën e plotë të parandalimit.
Kjo bën që publiku të ndihet i pasigurt në përmasa të frikshme për të ardhmen e vendit aq sa edhe në një studim të zhvilluar nga Qendra për Studim për Demokraci dhe Qeverisje lidhur me strategjitë qeveritare të luftës kundër krimit të organizuar, në sondazhin e kryer, ka konstatuar se 50,04 për qind e të anketuarve kanë mendimin se kjo qeveri nuk do fitojë dot luftën kundër krimit të organizuar.
E njëjta gjë edhe me kanabisin. Zotimi qeveritar për të zhdukur Shqipërinë nga harta e kultivimit të kanabisit, jo vetëm nuk po mbahet, por sinjalet e ndryshme për rritjen e kultivimit të tij u mbytën thuajse me arrogancë me motivacionin se ky fenomen tashmë i përkiste të shkuarës. Për aq kohë sa asnjë nga organet tona të ligjit nuk ka sekuestruar sasi të mëdha të kanabisit, për qeverinë dhe për organet tona ligjvënëse duket se do të thotë që trafiku i tij nuk ekziston dhe se më shumë mbetet perceptim publik apo zhurmë mediatike. Fakti përforcohet edhe me arsyen se kapjet brenda territorit mbeten në sasi modeste që bëjnë të flitet për kultivim të kufizuar sporadik.
Por mjafton një sekuestrim disa tonelatësh i Guardia di Finanzia matanë detit për “të zgjuar” opinionin publik të vendit dhe për t’i treguar atij se trafiku i kanabisit nga toka shqiptare në brigjet italiane vazhdon megjithëse autoritetet kompetente thonë se vendi nuk është më pjesë e hartës së kultivimit të tij. Bashkë me publikun, në të tilla raste “zgjohen” edhe organet tona të sigurisë të cilat kur kanë mundësinë flasin për bashkëpunim të çmuar dhe kur nuk kanë rastin, heshtin.
Po të skanohen të dy rastet e paraqitura, do të rezultonte se për fat të keq ende nuk kemi institucione serioze për ta parë atë që ndodh me sy objektivë dhe për ta përballur atë. Për këtë qeveri, asgjë nuk ekziston para se të shpërthejë në publik.
Edhe organeve ligjzbatuese u vjen më mbarë kjo filozofi dhe nuk ndihen të motivuara t’u paraprijnë ngjarjeve. Për to, krimi i organizuar nuk ekziston për aq kohë sa nuk plasin vrasjet për larje hesapesh apo nuk sekuestrohen tonelata kanabisi nga organet kompetente ligjore të vendeve fqinje.