Kronika

Krimi jashtë kontrollit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:56 - 06/04/19 |
Driçim Çaka

Një valë krimesh mafioze ka përfshirë vendin. Nëntë persona kanë humbur jetën nga ekzekutimet. Por përse policia po tregohet e pafuqishme përballë luftës së bandave mes tyre? Për gazetën MAPO flasin ish-ministri i Brendshëm, Neritan Ceka, gazetari Ferdinand Dervishi dhe ish-drejtuesi i policisë, Ismail Elezi


Nuk mund të thuash me saktësi se cilat janë arsyet, por në media dhe opinionin publik është krijuar ideja se vala e krimeve në vend ndodh në janar dhe në gusht. Megjithatë janari i këtij viti dukej se po mbyllej i qetë. Por vetëm deri më datë 30. Ish-polici Arben Bilali po kthehej në banesën e tij në Tiranë, kur u qëllua me breshëri nga një makinë. Ish-polici, të cilit i kishin vrarë më herët edhe dy vëllezërit, ndërroi jetë në vend. Më pas u spekulua shumë se sa afër e larg arrestimit të autorëve ishte policia. Deri më tani, asnjë person nuk është vënë në pranga.


Ekzekutimi i Bilalit hapi një seri krimesh që brenda pak kohësh e vunë seriozisht në pikëpyetje fuqinë e shtetit për të reaguar. Nëntë persona kanë humbur jetën nga vrasjet mafioze. Madje vala arriti kulmin kur katër ekzekutime u regjistruan brenda një jave. Mes tyre, ajo më e bujshmja ishte ekzekutimi i 26-vjeçarit Jurgen Kurti pranë banesës së tij në zemër të Tiranës. Një grup të rinjsh që ndihmuan për vrasjen u arrestua, por porositësi dhe ekzekutori nuk dihet akoma se ku janë.


Por kur ishte menduar se dora e krimit do ndalej, ‘steka’ e ekzekutimeve u rrit akoma më shumë. Në mes të Elbasanit, në një zonë të populluar, brenda një lokal, u vra një avokat i njohur. Autorët e qëlluan Ravik Gurrën, avokat i familjes Çapja, në sy të qytetarëve dhe u larguan të qetë. Krimi solli reagime të shumta, sidomos nga ana e avokatëve, të cilët vendosën të bojkotojnë seancat e gjyqeve në shenjë proteste. Pavarësisht kësaj, asgjë nuk ndryshoi dhe vrasësit vazhduan ta bëjnë gjumin të qetë.


Por nëse ka një vend, ku fjala ‘shtet’ ndihet si e huaj në këtë periudhë, ajo është kryeqendra e veriut, Shkodra. Krimi goditi fillimisht me ekzekutimin e Nard Polisë, një biznesmeni të asaj zone. Historia do vazhdonte më pas me një tjetër krim, që këtë herë duket se e nxori nga themelet besimin e njerëzve te Policia e Shtetit. Vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali u vranë në një pritë, në një krim që edhe shteti vetë ia vuri thjesht emrin: larje hesapesh.

Por a është e mjaftueshme që qeveria të justifikohet se po u jep ‘liri’ bandave që të vrasin njëri-tjetrin pasi po lajnë hesapet e tyre? Një gazetë gjermane shkruante se kur vritet ‘mbreti’ në Vlorë, siç ndodhi me Edison Harizajn, vjen një tjetër ‘mbret’ në pushtet, akoma më i frikshëm. Shteti thjesht ka zgjedhur të bëjë spektatorin e pafuqishëm.

 

Neritan Ceka: Shqipëria, në rrezik nga pasionet e krimit për pasurim dhe lidhjet e bandave me pushtetin

Ish-ministri i Brendshëm, Neritan Ceka, e krahason situatën aktuale të krimit në Shqipëri me Palermon e pak viteve më parë. Neritan Ceka shprehet për Gazetën MAPO se nëse në Shqipëri do të jetë e njëjta situatë politike, atëherë rrezikohet që edhe situata kriminale të përkeqësohet. Ish-ministri i Brendshëm ngre alarmin se bizneset në Shqipëri vijojnë të paguajnë gjoba, madje ky fenomen është shtuar.

-Z. Ceka a mund të na thoni si duket situata kriminale në Shqipëri, në syrin tuaj edhe si ish-ministër i Brendshëm?

Situata kriminale nuk mund të shkëputet nga e gjithë situata tjetër. Ka një raport të vazhdueshëm midis situatës politike, ekonomike dhe asaj kriminale. Pra, është një tregues që diçka nuk po shkon mirë në faktorët që e përcaktojnë, pikërisht te situata ekonomike dhe politike. Mekanikisht nuk duhet ta kërkojmë nga ministri që ndryshon dhe as nga policia që mbetet e njëjta. Nëse nuk ka një ndryshim pozitiv në situatën politike, rrezikojmë që situata kriminale të përkeqësohet.

-Pse mendoni që është kaq i përhapur krimi në Shqipëri?

Përhapja e krimit është karakteristikë për të gjithë shoqëritë pas kaotike, mund të heqim paralele me Italinë e viteve ‘50-60, ku është përcaktuar nga dy faktorë kryesorë: Një zhvillim i shpejtë ekonomik dhe një rindarje e pasurisë, që nxit ambiciet dhe pasionet kriminale, organizimin e grupeve që duan të marrin pjesë në këtë ndarje ku akoma nuk janë vendosur rregullat e lojës, dhe kjo është ajo që ka ndodhur në Shqipëri pas vitit 1990. Dhe e dyta, nga një lidhje midis grupeve kriminale dhe partive politike, veçanërisht kur “lufta” mes partive politike ashpërsohet dhe këto parti angazhojnë në këtë luftë edhe grupet kriminale. Kjo e dyta është ajo që po ndodh sot në Shqipëri. Është një forcim i aktivitetit kriminal dhe është padyshim i lidhur me ashpërsimin e luftës politike. Pra, në këto raste, shërbimi i fshehtë i Policisë, por edhe ai Shtetëror, paralizohet, informacioni nuk kalohet sepse nuk dihet çfarë lidhjesh kanë krerët e policisë me botën kriminale dhe shpeshherë shembuj që këto informacione dekonspirohet, natyrisht bëjnë që këto dy institucione të rëndësishme të mos funksionojnë. Po ashtu, ka edhe një tjetër pasiguri, që krijohet tek organet e zbatimit të ligjit, te Prokuroria dhe Gjykata, që gjithashtu kanë një stepje në pritje të përfundimit të betejës politike midis dy kampeve të mëdha.

-Pra, fuqia e këtyre grupeve kriminale shkon deri në lidhje me shtetin…

Absolutisht, kjo që po ndodh është se grupet kriminale kanë lidhje me shtetin, edhe që organizmat shtetërorë që janë të angazhuar në luftë kundër krimit paralizohen, tërhiqen nga lufta, përveç rolit që luan vetë shteti në fuqizimin e grupeve kriminale që i ruan në ndeshjen me kundërshtarin.

-A mendoni se ekziston ende fenomeni i gjobëvënies ndaj një biznesi në Shqipëri nga krimi?

Natyrisht që kjo ekziston. Në fakt dekonspirohet në rastet nga më banalet, kur i vendoset një dyqani apo biznesmeni, por mendoj që krimi nuk është shumë i interesuar për këto forma banale, të fitimit. Krimi është i interesuar për fitime të mëdha, kryesisht ata të drogës. Kalimi nga kultivimi dhe eksporti, në transit të drogës, i ka orientuar këto grupe dhe kjo duke nga vrasjet e vazhdueshme, është pothuajse një luftë e vërtetë e grupeve kriminale që na kujton Palermon. Pra kemi të njëjtat fenomene që ndodhin sot në Shqipëri, si pasardhëse të fenomeneve që kanë ndodhur. Natyrisht që radiografia e asaj që po ndodh në Shqipëri është krejt evidente.

 

Ferdinand Dervishi: Sot vendosen gjoba 1 milion euro edhe nga burgu

Gazetari dhe autori i “Abc Story” Ferdinand Dervishi, ngre alarmin se grupet kriminale vazhdojnë të vendosin gjoba 1 milion euro ndaj biznesmenëve në Shqipëri. Dervishi thotë për Gazetën MAPO, se ka raste kur gjobat vendosen edhe nga qelitë e burgut. Ai thekson se situata e krimit është e rëndë dhe se politika ka rolin e saj, ku i ka përdorur grupet kriminale për të fituar vota dhe sot këto grupe marrin favore nga shteti.

A mendoni se krimi ka krijuar një bazë të gjerë në Shqipëri, po flas për grupet kriminale në disa qytete?

E sakta është të thuhet që situata politike ka provokuar këtë situatë të krimit në fakt. Në momentin që policia dhe gjithë shteti është i angazhuar për të mbyllur hesapet e politikës, për të menaxhuar protestat, për të angazhuar një numër shumë të madh njerëzish me protestat, me survejimet, me njëqind halle sa kanë protestat, bie në mënyrë automatike, si të thuash, kontrolli i përditshëm, i përhershëm mbi elementin kriminal. Pra, në momentin që ne kemi një protestë të madhe, të paracaktuar ku thuhet se do të bjerë shteti, ku thuhet se do të bëhet nami etj. etj., gjithë policia vetë merret për një kohë të gjatë me këtë punë duke lënë punët e saj të tjera. Njëkohësisht situata të tilla krimi gjithmonë i ka nuhatur. Nuk është hera e parë, gjithmonë krimi e nuhat shumë bukur kur shteti është i dobët, kur shteti nuk e ka mendjen te krimi, për t’u aktivizuar. Gjithsesi, kjo situatë që unë po them, lidhet më shumë me krimin e lehtë ose ordiner sesa me krimin që unë e quaj cilësor dhe që mund të jenë këto vrasjet e frikshme që kanë ndodhur në Shkodër ose në Elbasan, pasi në këto rastet e Shkodrës, Elbasanit, Vlorës ku kemi një numër shumë të madh njerëzish të zhdukur, mua më duket se kjo nuk ka shumë lidhje me gjendjen aktuale. Protestat nuk kanë lidhje me atë çka është kultivuar që nga fillimi i marrjes së pushtetit nga Partia Socialiste, që nga ajo, si të thuash, parulla e tyre apo posteri i tyre që miqësi apo aleancë dhe me djallin vetëm që të rrëzojnë Sali Berishën. Që u materializua pak a shumë, në kuptimin që le të vijë kushdo, të na mbështesë kushdo, qoftë ky një person që nuk është mirë që të jetë pranë një partie politike siç është krimi.

Pra, ajo që deri dje, madje opozita sot e ka këtë të provuar me përgjime siç thotë ajo, e ka provuar, dhe aksionin opozitar të protestave e ka motivuar pikërisht në këtë pikë, pikërisht me pikën e dobët sipas saj, bashkëpunimin e pozitës aktuale me krimin, e vërtetuar kjo me blerjen e votave.

Është përdorur aleanca e krimit për të blerë vota dhe për të fituar zgjedhjet ndaj kemi edhe këtë gjendje politike të tanishme. Tani ç’ndodh? Çfarë ndodh me grupet kriminale të cilat kanë marrë OK nga politika për t’i ndihmuar në zgjedhje? Çfarë ndodh me një grup kriminal të tillë, që kanë ndihmuar pozitën në zgjedhje? Ndodh një fenomen i tillë, që ka një ndarje si të thuash të territorit ose si të thuash ndarje të pushtetit vendor në rrethe të ndryshme të vendit dhe s’është çudi që këto lloj bandash, jo të gjitha, i kanë mbështetur, them jo të gjitha se ka përdorur dhe pala tjetër disa grupime. Partitë kryesore në Shqipëri është vërtetuar se përdorin grupime të tilla. Çfarë detyrimesh ka atëherë? Unë erdha në pushtet dhe kam detyrime ndaj kësaj bande dhe detyrimi futet te ndarja e pushtetit. Por, ndarja e pushtetit e para, dhe e dyta lënia rehat e krimit të bëjë punët e veta që di t’i bëjë më mirë, të bëjë trafiqe etj. etj., pra të marrë lekë jo vetëm nga ndarja e pushtetit, por edhe nga veprimtaria e mirëfilltë kriminale, i bën që të fuqizohen këto grupime të caktuara. Por çfarë ndodh kur fuqizohen këto grupe dhe kur shohin që me politikën e kanë shumë mirë, s’ju futet gjemb në këmbë? Në këtë moment ata ndihen shumë të fortë, rasti më i pastër është Elbasani, ku banda kundërshtare vajti i vrau bandës tjetër avokatin, pra i ka marrë me radhë.

Ka edhe një problem tjetër. Këto banda bëhen aq të forta sa ndonjëherë dalin dhe mbi atë që i ka menaxhuar deri dje, ose që i ka mbajtur afër ose që i ka përdorur. Në një moment s’pyesin as këtë, sepse fillon shpallja në kërkim, angazhohet shteti, del opozita bërtet andej, dalin gazetarët nga ana tjetër edhe më herët se opozita dhe bërtasin krimi këtu, krimi atje dhe ata s’pyesin më njeri.

Ata persona shpallen në kërkim dhe agravohet situata. Unë besoj se pak a shumë kjo është ajo që ka ndodhur dhe po ndodh në Shkodër, në Elbasan dhe në Vlorë më të padukshme, por rasti i zhdukjes së 15, 16 personave tregon problemin që pati atje e njëjta situatë që është 2016-ta, shkak i kanabizimit të vendit sidomos i Vlorës, implikimi i shumë grupeve kriminale atje dhe pasojat e njerëzve që po zhduken, të lidhura besoj që nga kjo periudhë me problemet që iu dalin grupeve kriminale në momentin që thyhet linja, ku kemi këtu lidhje të politikës. Lidhje të politikës në rastin e Vlorës është pak më e ndryshme, por është me lejimin në 2016-ën të grupeve kriminale në afrimin me ofertën që ju bë, me thirrjen që ju bë atyre të mbillnin dhe të paguanin edhe 20% apo 10% të vlerës. Në këtë moment ka lidhje të pushtetit me bandat. Unë nuk e di sa më përpara kanë qenë të lidhura dhe nuk e vë dorën në zjarr se sa kanë qenë të lidhura, sepse edhe mund të kenë qenë, por kjo është një lidhje e 2016-ës, sepse nga 2016-ta e këtej ne kemi këto problemet që ne si gazetar edhe i kemi thënë që, kjo sasi e madhe që do të çohet andej matanë do të ketë problemet e veta dhe do të ketë viktimat e veta, sepse në momentin që thyhet linja e trafikut dhe që luhen këto një ton, e dy ton, e tre ton që do të bëhen një milion dollarë e dy milionë dollarë, duhet një kokë përgjegjëse, dhe kokat, vlonjatët e kanë marrë e kanë kaluar krimin që gjithmonë është një hap përpara fuqisë së strukturave të shtetit për ta paralizuar atë, është gjithmonë një hap përpara, ka gjetur si metodë zhdukjen e personave, që është metodë edhe më e mirë sesa vrasja me pagesë, sepse s’ka vendngjarje. Nëse dy të parat kanë vendngjarje, kjo s’ka vendngjarje fare, s’ke si ta vërtetosh, do të presësh pesë vite derisa të dalë gjykata me një njoftim që ky person rezulton i zhdukur.

A vendosen gjoba sot nga grupet kriminale ndaj bizneseve?

Ky fenomen nuk është zhdukur asnjëherë. Thjesht mund të themi gjobat tani janë më të mëdha. Tani nuk del njeri që të rrezikojë për një gjobë të vogël, por ka patur një evoluim krimi, që futet te krimet cilësore. Në Tiranë kanë qenë dy grupe kriminale që kanë vendosur gjoba. Në 2015 më kanë raportuar që nuk janë më dy grupe kriminale që vendosin gjoba në kryeqytet. Kjo e dhënë më është raportuar nga shumë personazhe në Tiranë, nga avokatë etj. Janë më shumë se dy grupe që vendosin gjoba mbi 1 milion euro në Tiranë. Ekziston si fenomen, jo vetëm në Tiranë. Në kryeqytet vendosja e gjobave është zhvilluar për shkak edhe të ekonomisë, por edhe në rrethe vendosen gjoba. Mund të them se gjoba nga grupet kriminale vendosen edhe nga burgu. Në Shqipëri bëhet biznes i trafikut të drogës edhe nga burgu dhe rezultatin e dimë. Personazhe që kanë qenë të dënuar me burgim të përjetshëm, sot nuk janë më.

 

Ismail Elezi: Grupet kriminale kanë mbështetje nga qeveria

Ish-drejtori i Policisë Elbasan dhe drejtuesi i lartë në Policinë e Shtetit, Ismail Elezi, shprehet se grupet kriminale jo vetëm kanë lidhje me qeverinë, por ka raste kur krimi i vendos kushte shtetit në vendin tonë. Elezi tregon për Gazetën MAPO, se vijon ende gjobëvënia ndaj bizneseve, madje ky fenomen është shtuar. 

Si e shikoni situatën e krimit në Shqipëri?

Tani unë, kuptohet jo vetëm unë, po çdo qytetar i përgjegjshëm i këtij vendi e shikon që krimi nga dita në ditë po fiton terren, dhe normalisht duke fituar terren, nuk po bën gjë tjetër vetëm se po i nxjerr strukturat e Policisë së Shtetit jashtë lojë. Çfarë dua të them me këtë? Dua të them që po t’u referohesh ngjarjeve të fundit, qoftë në Shkodër, Elbasan apo Vlorë apo qoftë në Tiranë, kjo është tashmë e dukshme. Sinqerisht ndihem shumë keq si qytetar që situata ka agravuar në këto përmasa. Ajo që unë dua t’ju bëj me dije është se më e keqja qëndron në faktin që nuk po shikojmë asnjë shpresë që me të vërtetë të vihet dorë në punën e punonjësve të policisë.

Në ç‘kuptim e them këtë? Shiko po t’i referohemi deklaratës së ish-ministrit që thoshte se ishin 40 grupe kriminale, dhe kur më shkon në mend që del një ministër dhe bën deklaratën se janë 40 grupe kriminale në Shqipëri dhe asnjë grup nuk goditet, kjo pastaj është tragjike, se kur e thotë një ministër vajmedet se ça duhet të themi në të tjerët kur kriminelët nuk goditen. Dhe sipas tij janë të evidentuara dhe kjo nuk është gjë tjetër vetëm se është ajo që ne e themi përditë që rendi dhe siguria në Shqipëri është në kuotat më të ulëta, kur dihet që puna primare e Policisë së Shtetit është ruajtja e rendit dhe sigurisë së qytetarëve.

Pse mendoni se krimi është kaq i fortë në Shqipëri?

Sepse nuk goditet. Unë po ju siguroj që nëse krimi do goditet, të jeni të sigurt ju që krimi nuk do jetë i fuqishëm. Çfarë po ndodh në Shkodër? Vriten njerëz dhe nuk zbulohet autori, ikin dhe mbeten viktimat dhe gjendja po e njëjtë.

Ku mendoni se qëndron forca e grupeve kriminale dhe a kanë këto grupe lidhje me shtetin, me qeverinë në këtë rast?

Unë e kam thënë shpeshherë dhe vazhdoj ta them që sado i fuqishëm të jetë një grup kriminal, sado i fortë të jetë ai, pa mbështetje nuk ka këllqe, nuk mundet t’i bëjë sfidë shtetit, harrojeni këtë. Kushdo të jetë ai grup kriminal, sido me qenë, është e vetmja gjë që sot këto grupe kriminale është mbështetja e këtyre njerëzve karshi njerëzve me pushtet, pasi rrugë tjetër nuk ka.

Pse janë të fuqishme?! Janë të fuqishme. T’ju bëj një pyetje kot: a ju shkon në mendje të kryeni ndonjë vepër penale? Asnjëherë në botë, sepse ti je një qytetar i ndershëm i këtij vendi, nuk ke lidhje me asnjë pushtetar dhe normalisht duke qenë në punën tënde në hesapin tënd do shikosh drejtimin tënd. Po kush e mbolli kanabisin? Unë e mbolla? Po ju? Kush? Kush i mbështeti këta njerëz? Tani erdhi momenti që sot po vuajmë pasojat e kemi thënë shumë herë që po vuajmë pasojat e atij krimi të ndyrë që ne jemi në këto situata. Po ndodh edhe një gjë tjetër sot, një thotë do bëj vetting në polici, njëri thotë do ta ndryshojmë. E kupton se në çfarë situate dhe në çfarë presioni ndodhen punonjësit e policisë. Pra, dikur do e bëjmë, dikur nuk do ta bëjmë. Një herë do bëjmë këtë, një herë do bëjmë atë. Thjesht për t’i mbajtur nën trysni, që ti po deshe fol se shif çfarë të bëjmë. Kjo është ideja. Pse ça mendoni ju se krimi ka brirë? Jo mo jo, s’ka brirë krimi. Krimi gjen terren, vepron fort atje ku është i mbështetur se atje ku nuk është i mbështetur, harroje, sepse duhet të kesh edhe një gjë të qartë se vepra do të ketë. Se po nuk pati, nuk do të ketë as polici që të merret me atë punë. Por vepra penale, se ky është problemi dhe këtu abuzojmë. Ne themi vepra penale të lidhura me krimin e organizuar. Se vepra penale të natyrave të ndryshme, bie fjala një vrasje në kushtet të tronditjes së lartë psikike, një vrasje për pronën, apo diçka tjetër do të ketë dhe janë të pashmangshme. Por kur bëhet fjalë për vepra penale që i bën krimi i organizuar, dhe këto vepra nuk zbardhen, do të thotë që dikush fshihet pas tyre. 12 vrasje për 2 muaj, e dini se ç’do të thotë të varrosësh 12 kufoma.


Etiketa: , , , , , ,

Pas