Dikur

Krimi që vazhdon/ 15 histori për 6 mijë të zhdukurit nga komunizmi





               Publikuar në : 14:25 - 12/12/19 |
mapo.al

Shifrat e shtypjes komuniste në Shqipëri janë rrëqethëse: ekzekutime të 5.577 burrave e të 450 grave, dënime me punë të detyruar për 26.768 burra e 7.367 gra, të vdekur në burgje 1065 vetë, vite burgu për “krime” të opinionit, gjithsej 914.000, vite internimi, gjithsej 256.146. Këto shifra i përkasin një popullsie prej një milion banorësh. Autoriteti i Dosjeve ka organizuar një ekspozitë dedikuar të zhdukurve me forcë gjatë periudhës 1944-1991. Në mes të ekspozitës është harta e Shqipërisë dhe mbi të janë vendosur flamuj që shënojmë 37 varre masive ku mendohet se janë varrosur të pushkatuarit pa gjyq apo të vdekurit në burgje dhe kampe internimi.  Në 11 panele tregohen histori njerëzore të të zhdukuve në diktaturë që edhe sot e kësaj dite janë pa një varr.


 



  1. NËNA PA FËMIJË

Kunatat Mrikë e Gjelë Gjikola u burgosën nga regjimi komunist kur bashkëshortët e tyre dolën malit si kundërshtarë të sistemit. Gjela ishte lehonë me vajzën triditëshe e Mrika lindi rrugës për në burg. Pas katër muajsh hetuesi, dy gratë me dy foshnjat u internuan në kampin e Tepelenës, ku gjetën kushte ekstreme jetese. Tri vjet më vonë, dy vajzat e vogla vdiqën natën nga mungesa e ujit, bukës dhe sëmundja. “I varrosëm cucat, i varrosëm tu u lshue dhé e gur zalli. Ka qenë nji vorr italian, në rraz’ të atij muri. I morëm leje komandantit, ramë në zall, morëm ca gur të bardh’ si voe (vezë), e i vumë akolle (rreth) për mos me e harrue vorrin…”.


Kur u liruan, dy kunatat e shkuan jetën pa u martuar më, të veja dhe pa fëmijë. Derisa në vitin 2006, dy nënat pa fëmijë u kthyen në Tepelenë për të marrë eshtrat e vajzave. “Kemi vojt e i kemi qit cucat prej vorrit. Pluhun krejt ishin ba. Vetëm nga nji copë e vogël e djepave prej pishe kishte mbet… Kemi marr’ shenjat e i kemi çu te vorret te kisha e Shna Noit”. Nënat nuk mundën t’u rikthenin jetën, por u vunë në vend dinjitetin.

Në vitet e funksionimit, kampi i Tepelenës ka parë histori ende të patreguara, me shpresë se do të rrëfehen një ditë. Kishte edhe nëna që, kur u liruan nga internimi, i morën me vete fshehurazi fëmijët e tyre të vdekur. Drane Jakja ishte një nga nënat që humbi djalin e saj, Zefin dyvjeçar, në orët e frikshme kur brenda natës në kapanone vdiqën 30 fëmijë. E varrosi duke përdorur disa dërrasa që i mblodhi përreth. 3 muaj më pas, kur i erdhi lajmi që do ta lironin, ajo doli në mesnatë bashkë me të bijën, shkoi te varri i të birit, e zhvarrosi duke e gërmuar dheun me gishta. E mbështolli trupin e tij me çarçafë të bardhë dhe u kthye në kapanon. E mbajti 7 javë fshehurazi trupin në kamp. E pastronte me raki që askush të mos e kuptonte që ajo jetonte me djalin e vdekur. Kur gjeti një makinë për t’u kthyer në Tropojë, ndaloi në pazar dhe i bleu të birit veshmbathje të reja. Rruga nga Tepelena deri në Tropojë 7 ditë i shkoi, por atje mundi më në fund të varroste djalin denjësisht.

Të mbijetuarit përmendin me dhimbje historinë e një malësoreje. Ai i Cuklinës është mes rasteve më të trishta. Nëna fatkeqe që humbi dy fëmijët brenda ditës, njërin në mëngjes e tjetrin në darkë, mundi të dalë e gjallë nga kampi. Por ngjarja u kthye në tragjedi. Motra e dy të vegjëlve, arratisur nӫ Mal tӫ Zi, kur mori vesh lajmin, vrau veten. Ndërsa Cuklina, kur u lirua dhe u kthye e vetme në kullën ku dikur jetonte me 3 fëmijë, i dha fund jetës duke e shuar familjen përgjithnjë. Eshtrat e fëmijëve të saj nuk i kërkon më askush. Ajo është shuar me pengun që i la larg…

 

  1. NJË VARR PËR TË GJITHË

 

Në datën 19 shkurt të vitit 1951, në orën 18.00 pranë Ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë, shpërtheu një lëndë eksplozive. Ngjarja që njihet si bomba në Ambasadën Sovjetike, u përdor si pretekst për ekzekutimin e kundërshtarëve të regjimit. Një javë më pas, mesnatën mes 25 dhe 26 shkurtit, 22 intelektualë të vendit, nxirren nga qelitë e burgut të lidhur në pranga dhe vihen në një kamion që ka marrë udhën për nga Ndroqi. Banorët e zonës kanë parë gjatë atyre ditëve të hapet një gropë e madhe në Mënik, afër Urës së Beshirit. Rreth orës 12:30- 1:00 të natës dëgjohen breshëri armësh dhe britma. Britmat e një gruaje. (Thuhet të ketë qenë Sabiha Kasimati). Atë natë, banorët nuk e dinin se jetët që fikeshin qenë pushkatime pa gjyq. Njëri prej tyre që u ndërrua me ushtarët orët e para të 26 shkurtit, u porosit të hapte fjalën se qenë ekzekutuar kuaj të lodhur. Të nesërmen, kryetari i këshillit të fshatit kaloi për të parë ç’kishte ndodhur dhe pa të shpërndara këpucë e rroba. Duke qenë se trupat e pajetë nuk ishin mbuluar mirë dhe pranë varrit të pamatë afroheshin qentë, ai njoftoi eprorët se çfarë po ndodhte. U porosit të heshtte. Disa ditë më vonë, një ekskavator e rrafshoi vendin.

Pavarësisht porosive, banorët e zonës ishin të vetëdijshëm se breshëritë e shpeshta në errësirë, britmat dhe lëvizjet e kamionëve netëve pranë urës, nënkuptonin jetë të humbura. Pronarët e truallit e kishin lënë me amanet që ajo tokë aty të mos përdorej kurrë për gjë tjetër, veçse për të mbjellë pemë. Ata e dinin që atje kishte varre të panumërta të pushkatuarish nga diktatura.

Eshtrat e 22 intelektualëve që u ekzekutuan në shkurtin e vitit 1951, u gjetën nga ngulmimi i Hysen Shehut, djalit të njërit prej viktimave. Më 1993, ai mundi të mbledhë informacione të dëshmitarëve dhe banorëve të zonës, si familja e ish-kryetarit të këshillit të fshatit, Kadri Hysa. Me identifikimin e vendit, pas 6 muajsh gërmime, në 5-6 gropa, u has në një unazë që shenjoi lidhjen me të pushkaturarit për bombën në Ambasadën Sovjetike. Në qershorin e vitit 1993 u krye zhvarrimi i tyre dhe më pas rivarrimi në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Sot, në nderim të tyre, një rrugë mban emrin “26 shkurti”.

Me propozim nga AIDSSH, Presidenti ka vlerësuar me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Kadri Hysën, Faslli Hysën, Gëzim Mullajin, Aleksandër Dhimën, Hysen Shehun dhe Osman Kacelin, si dëshmitarë dhe kontribues të zbulimit, gjetjes dhe vënies në vend të drejtësisë për 22 intelektualët e pushkatuar pa gjyq 68 vite më parë.

 

  1. PRINDËR NË “SIRTAR”

Pas dy vitesh burg (1944-1946) e pak muajsh në shtëpi, Fadil Petrela bashkë më të shoqen Xhuma (Abaz) Kupi dhe katër djemtë e tyre u internua në Berat. Mesnatën e 13 majit 1949, një autokolonë me disa kamionë mbërriti para kampit. Urdhri i transferonte të gjithë në Tepelenë.

Një nga kamionët, në të gdhirë të datës 14 maj të 1949 gremiset në humnerën e fshatit Buz, bashkë me të internuarit. Fadili dhe Xhuma ishin të vetmit që humbën jetën, ndërsa fëmijët u gjetën të gjallë nëpër ferra. “Gratë e tmerruara të asaj makine i mbanin katër fëmijët e vegjël që qanin mbi prindërit e vrarë, ndërsa burrat hapnin varrin si të mundnin. Rojet nuk donin t’i merrnin kufomat me vete. Vegla nuk kërkonin dot nëpër fshatra, kështu që varri u hap aty nën rrugë, tamam me thonj”, shkruan sipas rrëfimeve të dëshmitarëve piktori Lekë Tasi. Të internuarit e pranishëm thonë se ua hapën varret buzë rrugës me kapakë tenxheresh, pak metra nga vendi i aksidentit dhe ikën drejt Tepelenës bashkë me katër djemtë e çiftit Petrela, hallën dhe gjyshen e tyre. Fadili e Xhuma u lanë në shpatin ku gjetën vdekjen për më shumë se dy dekada.

23 vjet më vonë, një banor i Buzit mbërriti në Tiranë duke kërkuar nëpër qytet shtëpinë e bijve të çiftit Petrela. Ishte natë kur trokiti mbi derën e tyre. Nuk u prezantua kush ishte, nuk e tregoi hapur as fytyrën nga frika, por në gjysmerrësirën e natës pëshpëriti: “Kam ardhur vetëm për t’ju lajmëruar. Zona po shpyllëzohet për të hapur tokë të re te varri i prindërve tuaj, ejani të merrni eshtrat që të mos i humbni përgjithnjë”. Ishte viti 1972. Djali i madh u nis për të shkuar tej Urës së Goricës me një të afërm. Gërmuan ku mendonin se preheshin Fadil e Xhuma Petrela, derisa i gjetën eshtrat. I morën me një thes dhe i sollën fshehurazi në Tiranë. Djemtë i mbajtën të fshehura eshtrat e “prindërve në sirtar”, duke shenjuar në një mënyrë krejt të pazakontë, pas kaq vitesh, takimin e munguar me ta. Disa muaj më vonë mundën të siguronin përmes një të njohuri që punonte në Tufinë, një varr pa emër në një parcelë që nuk binte në sy. Vetëm pas 1990-s, mbi varrin e tyre të dytë u vunë emrat dhe vdekja u regjistrua zyrtarisht. U deshën katër dekada që dy bashkëshortëve t’u vihej dinjiteti në vend. Fëmijët e mbetur jetimë, të rritur mes kampit e Tiranës pa prindër, ia dolën të gjejnë një strehë për prindërit, 40 vite pas ndarjes me ta.

Në kuadër të 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, me propozim të AIDSSH, Presidenti i Republikës vlerësoi me tituj nderi “Për merita të veçanta civile” djemtë e familjes Petrela, vëllezërit Bujar, Ylber, Halil e Seit, dhe Shqipjon Topullin (pas vdekjes), të përfshirë në trajtimin njerëzor të viktimave të para të kampit të Tepelenës, Fadil dhe Xhuma Petrela, histori zhdukjeje dhe solidariteti e shtrirë në kohë, nga viti 1949 deri në 1993, ku triumfon dinjiteti i njerëzve të thjeshtë.

 

  1. STANISLAV ZYBER/ FLORIRI I NËNTOKËS

 

Petro Marko: “Dhe tani ja ku ishim të dy: – ai i katandisur një grusht njeri, unë një skelet i gjallë i ngarkuar me hekura. Me Zuberin shkëmbenim ndonjë fjalë: – ai, i shtrirë përdhe, – unë, i varur. E pyesja se ç`murmuriste, thoshte: —Tani jam duke u lutur. Unë u besoj ideve që jetojnë dhe do të jetojnë për mijëra vite…. Ja tani, kur unë i falem Krishtit, i them: – edhe unë do të duroj dhe do të qëndroj si ti.”

Në Tiranën e fundviteve 1940 ai mbahej mend si inxhinieri i Kafe Splendit, pinjolli i një familje shkencëtarësh nga Polonia, zbuluesi i naftës në Shqipëri. Vetmitari polak që endej mes dhomës së vogël të hotelit e ministrisë, mes miqve shqiptarë e të huaj, i përndjekuri dhe i përgjuari.

“Ai ishte një zotëri, – kujton Janina bashkëkombase e tij, -në moshë, me një trup mesatar, por me një pamje të thjeshtë, i gjallë e me energji, gjë që ishte disi kontradiktore me flokët e tij. Në shoqërinë ku takoheshim, gjithmonë e vije re rrethuar nga vizitorë të vëmendshëm”.

Pat ardhur në Shqipëri me firmën italiane AGIP më 1927 për të kërkuar naftë e në 20 vitet e qëndrimit zbuloi naftën e Patosit e Kuçovës dhe i la trashëgim Arkivit Qendror të Gjeologjisë dhe të Institutit të Naftës 551 punime dhe bocete shkencore dhe 480 punime të plota. Prof. Stanislav Zuber është hartuesi i Hartës Tektonike, i Hartës Gjeologjike dhe Hartës Minerale të Shqipërisë që përdoret edhe sot nga gjeologët tanë.

Shkencëtar i rangut europian, kohën e luftës e kaloi në Kuçovë, ku nga bombardimet e aviacionit anglo-amerikan humbi jetën e shoqja. Zuberi mbeti fillikat.

Erdh në Tiranë paslufte e në pritje të riatdhesimit, Zuberi u thirr si këshilltar i gjeologjisë pranë Këshillit të Ministrave dhe mandej si këshilltar pranë Nako Spiros, asokohe ministër i Ekonomisë. Nga kjo detyrë kundërshton fort dërgimin e rezervave shqiptare të naftës në Jugosllavi.

Raporti i parë zyrtar që denoncon profesorin polak për “veprimtari reaksionare e agjenturore” është i datës 24 tetor 1945.

Ndërsa mban kontakt me miqtë shqiptarë dhe përpiqet të gjejë burime uji, nga përndjekja, mësohet se takohej me intelektualë, nga “dyqani i Ali Kacelit ku shkruan letra, te Teodor Luarasi, te Filip Theodhosi- drejtori i hotel “Dajtit”, te Alfred Ashiku me të cilin ha drekë e darkë, nga kafe “Berati”, te takimet e herëpashershme me Besim Kokalarin, Sabiha Kasimatin e Eqrem Çabejn. Takon elementë të pakënaqur, rri me italianë, takon edhe inxhinier Gjovalin Gjadrin, paguan gjithnjë vetë dhe kur flet, e dëgjojnë të gjithë”. Në dosje i shënohet që nuk ka ndihmuar partizanët gjatë luftës, ka pasur miqësi me gjermanët, sidomos e shoqja Mitilde, dhe ka sabotuar punën. Nënvizohet të ketë thënë se ai priste që qeveria e kohës të binte me ndërhyrjen e anglo-amerikanëve.

Arrestohet më 15 qershor 1947. Me akuzën e agjentit dhe sabotatorit të ekonomisë socialiste, Stanislav Zuber, njohës i 12 gjuhëve, rrëfehej gjatë qershorit 1947 në zyrat e Sigurimit të Shtetit në Tiranë. I merren të gjitha shënimet, librat, fletoret dhe letërkëmbimet. Në birucë e pyesnin pse nuk ka shënuar flori në hartë. U thoshte se nëntoka nuk kishte.

Genc Luarasi, djali i mikut të tij, Teodorit, kujton që me gjyshen shkonin tek ambasadori polak në Shqipëri, zoti Micel, në Hotel “Dajti”, ku i kërkonin ndërhyrje për lirimin e profesor Zuberit. “Shkuan disa herë në burg t’i çonin ushqime dhe veshmbathje. Nuk e dinin nëse i jepeshin apo jo, derisa një ditë u thanë se nuk ishte më e nevojshme”.

Deri në vitin 1991, askush nuk e dinte fatin tragjik të vdekjes së tij nën tortura, në qelitë e Sigurimit. Ai emërtoi sipas zonave pasuritë e nëntokës së Shqipërisë, pa e ditur se do të tretej në një nëntokë pa emër. Burri që vuri themelet e kërkimit të naftës është ende një njeri i humbur.

Ka vetëm një dëshmi që i tregon çastet e tij të mbrame, diku në rrugën “Mine Peza”: është shoku i tij i qelisë, Petro Marko, që në librin “Retë dhe gurët”, ka publikuar një dëshmi të fortë nga kujtesa e qelisë së burgut të Tiranës, në orët e vona të 18 tetorit 1947, pasi e kishin rrahur pse nuk gjente flori.

U hap dera. Hyri një polic trupmadh dhe i bërtiti Zuberit. – Ç`punë bën ti? – Gjeolog që zbulon pasuritë e nëntokës, – tha Zuberi. Roja i këputi një shkelm prapa veshit duke i thënë, – Tani shko e zbulo pasuritë e nëntokës..

Pashë Zuberin të shtrirë, me duar e me këmbë të hapura dhe me një curril gjaku që i buronte nga goja. Vranë kulturën, vranë shkencën, vranë jetën.

E kapën nga këmbët, e hoqën zvarrë, e nxorën jashtë dhe mbyllën derën, duke më lënë mua në birucë fantazmën gjakatare të kohës që vuloste turpin e këtij shekulli”

 

Më 17 tetor 1991, në qytetin e Kuçovës u përurua busti i profesorit të madh. Më 1992 u nderua me medaljen “Martir i Demokracisë”.

Më 17 tetor 2011, Inxh. Stanislav Zuberit iu akordua Urdhri “Nënë Tereza” (pas vdekjes).

 

  1. FËMIJËT E PARRITUR

 

Nëse do të rrekeshim të imagjinonim vizualisht dhe mandej të kuptonim odisenë e kërkimit me dëshpërim, për t’i dhënë një fëmije të vdekur një varrim të denjë, duhet të ulemi para një ekrani – vetëm – dhe të shohim filmin hungarez “I biri i Saulit” të László Nemes.

Ndonëse nuk ka dokumente zyrtare, sipas përllogaritjes së ish-të dënuarve politikë, në Kampin e Tepelenës mendohet se kanë vdekur rreth 300 fëmijë të internuar.

“Vetëm në një natë kanë vdekur 33 foshnja. Një prej tyre shpëtoi. Nisën ta thërrisnin “Beba”, dhe sot ka akoma ende këtë emër”, – thotë Lek Pervizi, një piktor 90-vjeçar, që kujton çdo gjë që ka përjetuar në Tepelenë. Beba është bashkëshortja e tij dhe janë rritur bashkë nëpër kampe. Si dëshmitar, ai ka vizatuar që në vitet 1950 skica se si ishte kampi, 600 veta në një kazermë, 4500 në gjithë kampin. Skicat e tij mbeten ende sot pamjet e vetme që dëshmojnë si funksiononin 5 kapanonet si kamp. Njëherësh, përmes skicave të tij, ai ka shenjuar edhe dukuritë e ngjarjet e rënda që kanë ndodhur në Tepelenë, si vdekja e fëmijëve.

“Kishte ngrica. Nënat na lanin jashtë. Në mbrëmje, binim për të fjetur, por në mëngjes jo të gjithë fëmijët zgjoheshin. Kishin ngrirë në gjumë” kujton Simon Mirakaj, një tjetër i shpëtuar nga Tepelena.

Ish-të internuarit e kanë cilësuar kamp shfarosjeje, për shkak të numrit të madh të të miturve që humbën jetën prej mungesës së ushqimit, kequshqyerjes, higjienës, ujit që konsumonin dhe mungesës së kujdesit shëndetësor.

Kampi që kishte funksionuar gjatë luftës si kazermë ushtarake e italianëve, nuk ishte çminuar para vendosjes së të internuarve politikë. Disa fëmijë e humbën jetën duke luajtur me mina në oborrin mes kapanoneve, jashtë vëmendjes së të rriturve. Hamit Balaj nga Tropoja rrëfen se aty, një prej fëmijëve të ndarë nga jeta, ka qenë daja i tij. “Prindërit e nënës ishin arratisur duke menduar të përgatisnin kushtet dhe të ktheheshin për të marrë tre fëmijët. Por një ditë pas arratisjes, fëmijët i internuan në Tepelenë. Nëna ime, Mine Mulosmanaj, 13 vjeçe, kishte ardhur në kamp, me të motrën 11 vjeçe dhe vëllanë e vogël 9 vjeç. Një ditë kanë qenë të gjithë jashtë. Nëna dëgjoi zhurmë mine. Trupi i një fëmije shpërtheu në ajër. Prej tij mbeti vetëm një çorape. Çorapja ishte e të vëllait, Shemsedin Çelë Mulosmanaj. Ai po luante me mina dhe njëra i kishte shpërthyer në duar. “

“Vllau ishte amaneti im. Isha ba nanë për të. Qysh se shkum në kamp, isha mundu me e ngop së paku me bukë. Atë ditë i dhashë me hanger, të paktën. Më duket se u ngop, se ma dha mue një copë bukë. Kjo më qetëson disi. Nuk iku i untë. Pashë nji shpërthim e dëgjova nji zhurmë. Kur u afrova, kishte mbet’ vetëm nji çorap i tij. Nuk e deshta ma veten. Kam qa e bërtit, kam vu kujën. Si e humba vëllanë para syve…. Mora nji çarçaf e mblodha copat e trupit të tij. Aq sa munda… Nuk kisha si me i ba arkivol vëllait tem të vogël. Mblodha pak drrasa e i ngula në tokë, që me mujt me vu trupin e tij në të. E mbulova me dhe, si mujta e si dita. Prej asaj dite kam rujt vetëm çorapin e tij. As vetë nuk e di si e kam rujt. Çorapja e vëllait, vetëm kjo mbeti prej tij. Pengu e dhembja për të”, tha në një bisedë për këtë ekspozitë Mine Mulosmani.

Ajo ka dorëzuar kampionin e ADN-së në ICMP, për të kërkuar eshtrat e tij.

Të mbijetuarit thonë se fëmijët e pleqtë që vdisnin varroseshin jashtë kampit, por vendet e varrimit kanë ndërruar tri herë. Rripat e tokës ku preheshin të vegjlit ishin në kohë të ndryshme, te ura e Bënçës, buzë lumit, e nëpër shpate të pjerrëta. Gjatë dimrit, lumi që vërshonte i merrte, duke u marrë prindërve kujtimet e vetme që kishin me foshnjat që nuk u rritën kurrë. Skicat e Lekë Pervizit i dëshmojnë edhe varret e panumërta.

 

  1. EMRI MBI METAL

“Kam me vete nji teneqe. Kur t’më çojnë me m’pushkatu buzë Kirit, do ta lidhi për kambë e aty do të shkruej emnin tem, kshu qi do ta kesh ma të lehtë me m’gjetë”- Mark Shllaku.

Mësuesi i malësive të Pukës e Shkodrës, i dashuruar me pikturën dhe poezinë, aktor e sufler në Teatrin “Migjeni”, Mark Shllaku “takohet” me të bijën, Julin, vetëm në copa letrash. Dikur, ai i ka mësuar përmendsh “Lahutën e Malcis”. Sot, ajo i prek letrat e holla të duhanit “Ylli i kuq”, duke dashur të takojë përmes tyre mollëzat e gishtave të babës, si atëherë, kur ajo ishte krejt e vogël e ai, krejt i gjallë. Kanë kaluar 70 vjet, ajo është krejt e madhe, e ai, krejt i humbun. Fjalët janë po ato, amaneti po ai. I paçuar në vend. “Baba ishte i butë shumë. Na i plotësonte të tana dëshirat. Na pat ba edhe kafaz me lepuj, që të luejshim me ta. Na merrte në shkolla verore dhe ne mezi pritshim me ardhë ai në shpi,”- thotë Juli me sytë e ujtë.

Një ditë të shtatorit të 1948-s, Mark Shllaku u nis për në shkollë. Mëngjesin e asaj dite nuk e dinte se nuk do të kthehej më kurrë në shtëpi, as i gjallë, as i vdekur. E arrestuan si organizator i celulës së Partisë Socialdemokrate në Shkodër. I vëllai ishte arratisur dhe i ati i Markut ishte internuar në Tepelenë. Pas 11 muajsh hetuesi, më 25 gusht 1949, Gjykata Ushtarake në Shkodër vendosi ta dënonte me vdekje, me pushkatim. E bija ishte atëherë vetëm 8 vjeçe. Sapo kishte mësuar të shkruante e të lexonte kur iu drejtua kryetarit të Degës së Brendshme në Shkodër. “Ai ishte në nji nga kto shpitë e bukura të konfiskuara. Më çoi mama der’ te dera e më tha si me u sjellë. Hyna në nji sallon të madh. Iu prezantova dhe iu luta për nji takim me babën. Ai më dha nji copë letër të firmosme”, kujton Juli. Atë ditë e pa babën përmes hekurave. “Kena shku me mamën dhe jena taku. Baba tha që kam shkru disa letra e i kam futë në dyshek, që ta merrshim. Tha se kishte ba nji cop’ metalike, teneqe. ‘Kur t’më çojnë me m’pushkatu buzë Kirit, do ta lidhi për kambë. Kam shkru emnin tem në të, kshu qi do ta kesh ma të lehtë me m’gjetë. Mue më tha: Mos u mërzitni dhe mësoni! Te shkolla e kishte hallin,”- kujton Juli. Mark Shllaku e kishte ditur mirë se trupat e të pushkatuarve ishin zhdukur.

Kur pas ekzekutimit e shoqja, Angjja, mundi të merrte sendet personale nga hetuesi, në dyshek gjeti një letër të mbrame. Letra i drejtohet Angjes, gruas që deshi, vajzës me të cilën qe njohur në moshë të re, dashuruar e martuar shpejt, sikur ta dinte se nuk kishte shumë kohë. Ai ishte vetëm 22 vjeç kur u bë baba.

Në letrat e duhanit të kohës, Marku që pret të vdesë kujtohet të shënojë borxhet për shtëpinë që patën ndërtuar bashkë dhe lë amanetet. Pothuaj me lutje kërkon të ketë një varr. Nga dëshmitë e lëna me shkrim, i dënuari ndihet të jetë krejt i vrarë, ende pa e qëlluar.

“E dashtuna Angje!

Jam lidh kamsh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbet me jetue. Mendjen e kam te ti e fëmija që nuk mujta me ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e s’më lanë me dekë… banu e fortë…”

Pas ekzekutimit, Angjja, ndihmësmjeke në zë në Shkodër, paguan një burrë që të kërkojë trupin e të shoqit. E kërkojnë në Kir pranë çinarëve, por nuk e gjejnë. Regjimi nuk jepte të dhëna e, prej 70 vitesh, familja e tij kërkon të çojë në vend amanetin e Markut, por ende nuk e di ku prehet trupi i tij.

Pas 1990-s, Juli me të shoqin kanë pyetur ish-hetues të kohës. Dëshmi të pakonfirmuara përmendin malin e Rrencit, në një natë me shi dhe një varr të cekët…

 

  1. 7 VARRET E NJË FAMILJEJE

“Mbramë, në ora dy mbas mesit të natës u zbulue në seksion se ku ndodhet Jup Kazazi. Në rrethimin që i bëmë shtëpisë dhe mbasi si e pa se neve e gjetëm bodrumin ku ishte mëshefur dhe s’kishte shpëtim, vrau vehten. Këtu popullarizohet se e vramë neve (në dokument nënvizohet me shkrim dore “Mirë”, që nënkupton se e miratojnë). Kemi gjetur disa dokumenta, por ma të randësishmet do t’ua dërgojmë. Zoi Themeli”.

Dokumenti i mësipërm tregon qëndrimin zyrtar që mbajti regjimi komunist për vdekjen e Jup Kazazit, ndër organizatorët e kryengritjes së Postribës, e para antikomuniste në Europën e Lindjes, që po niste instalimin e perdes së hekurt.

Më 9 shtator 1946, duke synuar që me “Postribën” të lironin të burgosurit e të merrnin institucionet, shpërtheu para kohe ajo që sot njihet si Kryengritja e Postribës, me disa qindra kundërshtarë të regjimit, mes të cilëve, vëllezërit Kazazi. Duke qenë më të paktë në numër dhe me armë, kryengritësit dështuan, ndërsa pushteti u bë më i egër duke arrestuar mbi 1200 veta, hapur 11 burgje të përkohshme e vrarë dhjetëra të tjerë. Jupi shpëtoi, por u detyrua të fshihej dhe u strehua te daja i tij.

Me 17 shtator, shtëpia ku fshihej u zbulua, pasi u torturua një dëshmitar që kishte dijeni. Duke mos dashur të binte i gjallë në duart e komunistëve, ai thirri “Rrnoftë Shqipëria. Nuk i dorzohem klyshëve tˋStalinit” dhe vrau veten. Ekzekutorët futën në shtëpi të kontrollonin të vdekurin, nipin 16-vjeçar, Ahmet Kopliku.

I biri i Jupit, Hamza Kazazi thotë se të atin e masakruan edhe për së vdekuri, kënduan e hodhën valle dhe e ekspozuan në qytet.

Pas ngjarjes, 7 anëtarë dhe të afërm të familjes Kazazi u ekzekutuan, vranë veten ose vdiqën, ndërsa dhjetëra të tjerë u internuan. Trupat e të vrarëve nuk iu kthyen kurrë familjeve.

73 vite më pas, ende nuk ndihen varret e:

1- Halit Kazazi(vëllai i madh)- lindur me 3 mars 1900, i dënuar më 1945 dhe ekzekutuar më 1945 në Shkodër.

2- Jup Kazazi(vëllai i dytë)- lindur më 6 tetor 1905, vret veten e nuk dorëzohet, më 17 shtator 1946.

3- Sait(Seit) Kazazi (vëllai i tretë), lindur më 9 prill 1913. Rrethohet në shtëpinë e Hafiz Adem Kazazit. Nuk dorëzohet e vret veten më 6 tetor 1946.

4- Abdullah Kazazi(xhaxha i Jupit), arrestohet për kryengritjen e Postribës, pushkatohet diku në Shkodër pas 1946-s, në moshën 64- vjeçare.

5- Rifat Kopliku, daja i Jup Kazazit. Pas arrestimit më 17 shtator 1946 sepse strehoi nipin, u ekzekutua më 24 shkurt 1947.

6- Osman Kazazi, kushëri i parë i Jup Kazazit, arrestohet me 17 shtator 1946, dënohet me pushkatim dhe thuhet se vdiq në hetuesi, në moshën 24-vjeçare.

7- Asim Abdurrahmani(Shpuza), djali i tezes së gruas së Jup Kazazit. Inxhinier, kimist, dënohet me pushkatim si spiun. Arrestuar e pushkatuar në Tiranë, më 8 qershor 1947.

I biri i Jupit, Hamza Kazazi, pas 1990-s ka nisur kërkimet për eshtrat e të afërmve. Ka gërmuar në Kir, sipas dëshmive të një 13-vjeçari që kishte shkuar të lahej në lumë, kur ka parë të varroset një burrë me pizhame (si në fotot e trupit të pajetë të Jupit), në vendin ku më vonë u vu Drejtoria e Ujërave, pas varrezave të Rrmajit. Hamza Kazazi, pas shumë gërmimesh, nuk arriti dot të identifikonte të atin, por gjeti eshtra të mbështjella në një veladon, me dorë në zemër e me një kryq, që mendohet se qenë eshtrat e një prifti dhe ia dorëzoi ipeshkvit, imzot Zef Simonit në Shkodër. Ndërsa kërkon 7 të zhdukurit e tij prej 30 vitesh, ka arritur të kuptojë se “procesverbalet baheshin të rrejshme”.

Në qershor 2017, Jup Kazazit, qyteti i Shkodrës i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) dhe Presidenti i Republikës, Nishani, i ka akorduar “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” (pas vdekjes).

 

  1. LEGJENDA E QERSHISË

 

Ishte njëherë e një kohë, një pemë qershie që lulëzonte çdo pranverë në rrethinën pranë Burgut të Burrelit. Ata që e shihnin, thoshin se lulet e saj bien mbi tokën ku prehen eshtra të dënuarish pa faj. Sa herë çelnin lulet, të burgosurit e shpëtuar gjallë luteshin për të vdekurit dhe admironin qershinë që lulëzonte vetëm për ta. Është pothuaj legjendë ajo pemë, që sot nuk është më. Të burgosur politikë që e kanë kaluar një pjesë të jetës në atë burg thoshin se nën rrënjët e saj prehej edhe një bankier italian, Giuseppe Terrusi.

Ai kishte ardhur në Shqipëri në prill 1926, kishte punuar në bankën e Gjirokastrës, më pas drejtor i bankës së Vlorës. Dëshmitë e tregojnë tërësisht të papolitizuar.

Më 1945 arrestohet nga regjimi komunist që po instalohej. E akuzojnë se ua ka dorëzuar me dëshirë bankën gjermanëve, ndonëse dëshmitë tregojnë të kundërtën. Është baba i një djali, është martuar me një italiane që e ka njohur në Shqipëri dhe është kunati i një sportisti në zë që ka përfaqësuar Shqipërinë. Aurelia Poselli, duke shfrytëzuar njohjen e kahershme, shkon në Komitetin Qendror të takojë Enver Hoxhën për t’i kërkuar t’i falë të shoqin, por ai nuk e pret. Janë vitet 1948-1949. Giuseppe Terrusi, nga Vlora është dërguar në burgun e Burrelit. Familja e tij, djali dhe gruaja riatdhesohen në Itali, ndërsa ai mbetet i vetëm në burgjet shqiptare.

Giuseppe vdes në burgun e Burrelit më 2 mars 1952. Thuhet se u varros pranë pemës së qershisë ku varroseshin të burgosurit deri më 1955.

Që nga viti 1993, i biri, Aldo Renato Terrusi, që kujton të atin si një burrë që e ka parë vetëm një herë në burg, ka ardhur më shumë se 10 herë në Shqipëri. Ka vetëm një peng, të gjejë eshtrat e të atit që t’i çojë të prehen pranë eshtrave të së ëmës, siç qe amaneti i saj.

Ende nuk ka mundur t’i gjejë, për shkak të lejes së munguar për të gërmuar në Burrel. Kujton se në 2012-n ka vajtur në burgun e Burrelit dhe punonjës të administratës shqiptare debatuan para tij për çështje teknike, por nuk e lanë të merrte lopatën në dorë.

“Qershia është bërë objekt legjendë, sepse njerëzit varroseshin aty rrotull. Legjenda thotë se kjo qershi rritej nga gjaku i burgosurve të varrosur”. (citim per panelin)

 

  1. THIKA E ARTË

“Ishte një thikë e florinjtë, e ngulur në barkun e kufomës, veçse jo në drejtimin e zakonshëm, por në të kundërt. Maja vezulluese e thikës kishte depërtuar nga brenda barkut, jashtë tij…” vite më parë gazetari Ferdinand Dervishi pat mësuar se kjo frazë që gjendet në një nga veprat e Ismail Kadaresë, nuk qe e rastësishme. Duket që ai të ketë marrë shkas nga një ngjarje e ndodhur në Shqipërinë e 1946-s.

Kur lufta mbaroi dhe Europa nisi ndarjen në Lindje e në Perëndim, Tirana që çlirohej nga një tirani, por binte në krahët e tjetrës. Italianët e mbetur në Shqipëri nga lufta, pothuaj po mbaheshin peng, me pretendimin se, “duhej të mbaronin punimet e nisura”, apo se, “… duhej të kontribuonin në rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta”, apo thjesht se, “… nuk kemi mjaftueshëm specialistë”. Mes tyre, ishte edhe një mjek në zë, Venanzio Lozzi, ose Doktor Losi, siç mbahej mend nëpër Tiranë deri vonë. Ai kishte mbërritur në Shqipëri për të ushtruar profesionin e kirurgut, rreth majit të vitit 1939.

Profesor Venanzio Lozzi, i biri i Andreas dhe Antonina Teças, lindur më 1 dhjetor 1900 në Fagnano Alto të Aquilla-s në Itali, banonte në Tiranë, ishte kirurg i Spitalit të Përgjithshëm Civil dhe konsulent i Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak, me arsim të lartë, i martuar me tre fëmijë.

Përfaqësia diplomatike italiane u përzu më 14 janar 1946. Nisën arrestime e pushkatime italianësh në Tiranë për sabotazh, ndaj shumë prej tyre ikën fshehurazi.

Kolegu italian Franco Benanti, kujtonte më vonë se Prof. Lozzi kishte fituar emër të mirë mes banorëve të kryeqytetit, po u akuzua për kontrabandë floriri. “E kishin parë të vizitonte legatën amerikane dhe ipeshkvinë e Durrësit. E patën lënë të shkonte të vizitonte familjen në Itali, me kusht që të mos rrinte gjatë atje. Sipas prokurorit, ai kishte futur në barkun e italianëve të operuar sende të çmueshme, si flori, bizhuteri, etj.”

Kur doktor Lozzi arrestohet me tetë anëtarë të stafit të spitalit, e akuzojnë se ka “marrë pjesë aktive në organizimin e arratisjes së grupit të parë të italianëve, përbërë nga Canavese, Collessanti, Morgante dhe Saraceni; për planin pranon të bëjë në shtëpinë e tij mbledhje ilegale dhe vihet në dispozicion me gjithë makinën e tij…; ka ndihmuar disa italianë të largohen nga Shqipëria; po përgatitej edhe vetë me të tjerë për t’u larguar”.

Mes akuzave nënvizohet se doktor Losi ka pasur dijeni për transportin e paligjshëm për në Itali të rreth 1000 napolonave flori që ishin në pronësi të një italiani. Shtohet se një sasi të madhe floriri e ka nisur drejt Italisë duke e fshehur në arkivolin e komandantit partizan të batalionit “Antonio Gramshi”, i rënë në Shqipëri. Të dhënat e vendimit të Gjykatës Ushtarake të Tiranës përputhen me përshkrimin e Kadaresë, mbi një thikë të florinjtë në trupin e një kufome.

Atëkohë, shteti kishte nxjerrë një ligj për sekuestrimin e të gjithë floririt dhe ndalimin e nxjerrjes së tij jashtë vendit. Pavarësisht se i kujt ishte, tashmë qe pronë e shtetit.

Një vendim i Gjykatës Ushtarake të Tiranës i datës 3 gusht 1946, e dënon Venanzio Lozzin me pushkatim. 13 ditë më vonë, më 16 gusht i njëjti vendim jepet edhe nga Gjykata e Lartë. Mbi të, në të njëjtën ditë, gjendet edhe firma e Enver Hoxhës, me cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes Kombëtare dhe Komandantit Suprem. Shkresa e Enver Hoxhës përfundon me fjalët: “Njoftoni datën e ekzekutimit dhe fjalët e tyre të fundit”. “Jam në duart tuaja, mundësisht të më falni…”, shkruhen në dokumentin përkatës fjalët e fundit të kirurgut të shquar, në formën “doktor Losi”.

Sipas hulumtimeve të Kastriot Dervishit, ai është ekzekutuar pranë urës së Bregut të Lumit. I biri që jeton në Australi ka tërhequr dosjen e të atit në vitin 2011 dhe është interesuar për varrin e doktor Losit përmes Ambasadës Shqiptare në Kinë. Ende nuk i dihet varri.

 

  1. KRYQE PA VARRE

I Lumi Dom Shtjefën Kurti është vetëm një prej klerikëve të krishterë që janë ekzekutuar në komunizëm dhe ende pa varr. I ardhur nga Kosova më 1930, në shtator 1943, ai lajmëronte Arqipeshkvinë se po pagëzonte hebrenj, me gjasë për t’i shpëtuar nga nazistët, sepse me pagëzimin merrnin emra të rinj e pasaporta shqiptare. U arrestua për herë të parë më 28 tetor 1946 për agjitacion e propagandë dhe u dënua me 20 vjet burg. Ai kishte refuzuar të shkëputej nga Vatikani dhe e çuan në Burrel, por nuk u dorëzua as mes torturave. E çuan të hapte varrin e tij, por nuk e pranoi akuzën. E kthyen në qeli, ku natën e Krishtlindjeve dëgjohej të thoshte meshën, i përlotur. Dikur e liruan nga burgu. Kishat ishin mbyllur dhe e dërguan në Gurrëz (Milot), ku e lanë të punonte magazinier në kooperativë. U arrestua përsëri më 11 qershor 1970.

Gjyqi për të zhvillohej në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në Gurrëz, godinë e kthyer në vatër kulture pas prishjes së vendimit të diktatorit për të ndalur besimin fetar. U dënua me vdekje “in odium fidei”, pse pagëzoi ilegalisht një fëmijë. Një ditë të trishtë vjeshte, 20 tetorin e vitit 1971, ai u mor nga qelia dhe u vu para togës së pushkatimit. Kur e pyetën nëse i vinte keq për jetën, tha: “Më vjen keq që po ma merrni ju”. Akuza zyrtare kishte qenë sabotim. Por koha do të hidhte dritë.

Në vitin 2011, nipi i tij, Nikolin Kurti, ka mundur të takojë prokurorin që kërkoi dënimin, Hajredin Fuga, dhe gjykatësin që mori vendimin, Jani Vasili. Të dy i kanë lënë një ndjesë të shkruar me dorë, për çfarë ka ndodhur me meshtarin. Nikolin Kurti i ka botuar letrat në janar 2019, duke respektuar dëshirën e Fugës e Vasilit që letrat të publikoheshin pas vdekjes së tyre. Hajredin Fuga dhe Jani Vasili kanë ndërruar jetë pak vite më parë. Pas rënies së sistemit komunist, ata vazhduan karrierën e tyre në sistemin e drejtësisë, duke arritur deri në Gjykatën Kushtetuese.

Në letrën e tij të ndjesës, prokurori Fuga ka thënë se çështja për Dom Shtjefnin pati nisur me pak drithë të vjedhur në kooperativë, derisa në të përfshinë edhe emrin e priftit. Në letër ai vëren se atë kohë, çështja iu hoq Krujës dhe e mori Ministria e Brendshme, por shtonte se sipas vartësit të tij që kishte qenë i pranishëm, ekzekutimi ishte bërë natën. Vetë Fuga nuk kishte dijeni për të dhëna që mund të ndihmonin në gjetjen e eshtrave.

Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar së fundmi procesverbalin mbi “ekzekutimin e Shtjefën Jak Kurtit”, ku thuhet se “mbas fjalës së fundit u krye ekzekutimi dhe mbasi u konstatua nga mjeku Asim Ylli se kishte vdekur, u veprua sipas autorizimit përkatës, duke iu dhënë rezultati Dr. Asim Yllit/ nënshkruar nga Kote, Suli, Lalmi dhe Ylli”. Termi “rezultat” që i jepet doktor Asim Yllit, nënkupton që trupi i pajetë i është dhënë njërit prej mjekëve që rezulton edhe në raste të tjera që ka tërhequr trupa të pajetë të dënuarish për nevoja të Fakultetit të Mjekësisë, në mësimin e lëndës së anatomisë. Dervishi thotë se “për ndonjë rast, kam dyshime se mund të jetë varrosur në parcelën e spitalit të burgut në Tufinë, aty ku janë varrosur ata që vdisnin gjatë vuajtjes së dënimit në Tiranë”.

Mes 38 martirëve të njohur nga Vatikani, 20 u pushkatuan dhe trupat e tyre mbetën pa varre. Gjykata Kishtare për Çështjen e Martirëve në Shkodër, e ngritur për shqyrtimin e dosjes së 38 martirëve që u lumturuan nga Vatikani pas 9 vitesh hulumtim, dëshmon se gjatë regjimit komunist në Shqipëri u pushkatuan 31 klerikë, vdiqën në tortura 8 të tjerë, u mbytën pa gjyq 3, vdiqën në burgje e kampe internimi ose pak kohë mbas torturash 23, dolën nga burgu pothuajse të vdekur 66 klerikë të tjerë. Ndër 135 klerikë që ishin në të gjithë Shqipërinë, u martirizuan 131. Për këto të dhëna janë shfrytëzuar të gjitha arkivat, qoftë ato të Shtetit e të Sigurimit në diktaturë, ndërsa problemi më i madh ka qenë te mungesa e të dhënave e dokumentacionit për shumë persona të cilët janë ekzekutuar pa gjyq. Janë gjendur certifikatat, por në amzë nuk është shënuar data e vdekjes në ditën kur janë ekzekutuar.

 

  1. DY LITARË PËR INXHINIERIN

Një vlonjat 32-vjeçar, ish-nxënës i Harry Fultz-it, që ka kryer me medalje të artë Inxhinierinë Civile në Vjenë, ka përfunduar piketimin e tharjes së Kënetës së Maliqit dhe pret të nisë zbatimin e punës. Është i martuar dhe është bërë baba kur, 6 nëntorin e vitit 1946, i vihen prangat në duar. Në korrik, katër muaj më parë ishte emëruar drejtor i punimeve.

Dy ditë më vonë, ai dhe miqtë e tij, të huaj e shqiptarë të ardhur nga jashtë, nxirren në gjyqin e improvizuar politik. Shqyrtimi i dokumenteve nga studiuesit ka treguar se dosjet hetimore-gjyqësore të këtyre proceseve janë tërësisht të manipuluara nga regjimi, sepse janë marrë e zhvilluar në kushtet më të rënda të torturës psikike dhe fizike.

Vendimi i gjyqit shpallet më 19 nëntor, 13 ditë pas arrestimit dhe më datë 21, me damkën “sabotatorë të Maliqit”, ai dhe kolegët transferohen nga qelitë e Tiranës për në Korçë, për të qenë sa më afër Kënetës së Maliqit. Rrugës, Beqiri ia dha paratë që kishte oficerit shoqërues, që t’i blinte një paketë cigare. Nuk iu kthye kurrë kusuri, si për t’i thënë që në botën tjetër nuk do t’i duheshin.

Vendimi i gjyqit ishte të mos u falej jeta. Për Kujtim Beqirin e Abdyl Sharrën u vendos varja në litar. Më datë 22 nëntor 1946 u vendos të kryhej ekzekutimi në Maliq. Beqirin e vunë në litar, i hoqën stolin dhe po prisnin të jepte shpirt, kur e panë të ishte ende gjallë. Iu afruan dhe panë se litari kishte kapur jakën e palltos së inxhinierit, por jetën që ia fali litari, nuk ia falën ekzetutuesit. Fjalët e tij të fundit ishin: “Historia do ta tregojë se unë po dënohem e ekzekutohem pa faj”. Këneta e Maliqit u tha sipas piketimit të bërë nga Kujtim Beqiri, sepse as inxhinierët rusë që u morën për piketime të reja që do ta fajësonin të ndjerin, nuk i lëvizën vendimet e tij. Tharja nuk mund të bëhej ndryshe.

Atë natë jeta e tij u fik, por trupi i tij ende nuk ka gjetur paqe. I biri, Kadri Beqiri, prej 73 vitesh do të dijë ku janë eshtrat e babait.

«I kemi kërkuar shumë eshtrat e babait në Maliq por, mjerisht, atje nuk kishte eshtra. Gjatë gërmimeve gjetëm vetëm një dorë njeriu, të cilën e futëm në arkivolin e vogël, sa për të pasur një varr të tij!”.

 

  1. DY DITË LIRI – REVOLTA E SPAÇIT

“Partia më tepër kujdesej për stallat e lopëve, sesa për njerëzit”. Kjo fjali e thënë shkujdesur nga Pal Gjergj Zefi nga Rrushkulli i Durrësit në të tridhjetat e tij, e çon atë në burgun e Spaçit, për agjitacion e propagandë. Është viti 1973, koha e “liberalizmit” ka përfunduar. Pal Zefi mbërrin në burgun mes maleve , në një hon ku nuk ndihen më gjurmët e njerëzimit. E nis dënimin 10-vjeçar duke refuzuar të punojë në minierë. Ai kërkon ta kryejë dënimin me burg, jo me punë të detyruar.

Refuzimit të tij komanda i përgjigjet me izolim. Kur kryen izolimin e parë, e refuzon sërish punën dhe lihet prapë në birucën e lagësht. Të dënuarve me izolim që viheshin në biruca të errëta e të ngushta, u jepej natën vetëm një batanije.

Në orën 5.00 të mëngjesit të 21 majit 1973, gardiani hyn në dhomën e Pal Zefit për të marrë batanijen. Zefi që ka kohë në errësirë, del me vrap nga dhoma e izolimit, i zë dora një shufër metali dhe ngjitet në tarracë. Gardiani i bën thirrje të kthehet në dhomën e dënimit, ndërsa Zefi i kërkon t’i rrijë larg, sepse do të godiste këdo që i afrohej.

Ndërsa në ndihmë të gardianit të parë vijnë të tjerë, në ndihmë të Zefit tashmë janë të burgosurit si ai. Nis përplasja mes të dënuarve politikë dhe gardianëve të repartit 303.

Kështu nisi e u përshkallëzua ajo që njihet si Revolta e Spaçit dhe zgjati dy ditë. Të dënuarit refuzonin të dorëzonin Pal Zefin, duke i bërë rojat të tërhiqeshin nga zona e të burgosurve. Ata mblodhën përfaqësitë e tyre, kërkuan të rishihen vendimet e dënimeve të tyre, të bëhen falje, të përmirësohen kushtet e punës dhe arritën deri te parullat politike, si: “Poshtë komunizmi!” dhe “Rroftë Shqipëria e Lirë!”, “Ju do të vini këtu dhe ne do të zëmë vendin tuaj”, “Ushtria është me ne”, “Populli është me ne”. U ngrit mes tyre një grup që do të bisedonte me komandën, ndërsa ditët e revoltës shenjuan ditët e lirisë në kamp: Gëzim Çela kujtohet të ketë kënduar me kitarë dhe për herë të parë u ngrit flamuri pa yllin e kuq. As me ardhjen e zv.ministrit të Brendshëm nga Tirana, Feçor Shehut, ata nuk u tërhoqën. Revolta u shtyp me dhunë mëngjesin e 23 majit 1973, pasi forca ushtrie shkuan nga Tirana në Spaç, pranë Mirditës. U arrestuan shumë prej të dënuarve, 12 prej të cilëve u sollën në Tiranë ku u bë gjyqi në orën 23:00 të natës, mes tyre edhe Pal Zefi(32 vjeç), Skënder Daja(28 vjeç), Dervish Bejko(27 vjeç) dhe Hajri Pashaj(23 vjeç), që u dënuan me vdekje. Në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor më 24 maj, kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela, tha: “Ne themi që të dënohen me vdekje (pushkatim) dhe të pushkatohen jo përpara të tjerëve dhe jo para kampit”.

Asnjëri prej tyre në pyetjet e bëra në gjyq nuk i shiti shokët: ata nuk treguan se kush bëri thirrjet, as kush ngriti flamurin. Dëshmitë e tyre nisin me “unë nuk e di se kush e bëri, se nuk e pashë”. Dëshmitari Xhemal Bali, ish-i burgosur, ka thënë se të katërt “i pushkatuan në orët e vona të mesnatës, në malet e thepisura dhe pyjet e Mirditës”.

Të katërt u ekzekutuan pasi iu kërkua të shkruanin letrat e fundit, ndërsa 64 të burgosur, të cilësuar si më aktivët në revoltë, u ridënuan me shumë vite.

Ditët e revoltës, Pal Zefi kishte thënë se nuk kthehej më i gjallë në birucë. E detyruan ta mbante fjalën. Lugina e tmerrit e mori me vete dhe trupi i tij, bashkë me ato të miqve të pushkatuar, nuk u gjet kurrë…

 

  1. GAZETARI I “VILLA A LA ROSSA”

“Sh.gjyqtar! të akuzuarit nuk i kam akuzuarë se kanë jetuarë në vilën Azona e La Rossa…I kam akuzuarë se të gjithë atje e kuptuan se kishin të bënin me Shërbimin Sekret të Ballkanit me agjentë Fultz-in…bashkëpunuanë me ta e pranuan të bëhen agjentë të tyre”- shkëputur nga pretenca e prokurorit për Xhemal Farkën e 25 të tjerë

Ka qenë në Bari një vilë “Azona a La Rossa” ku shumë shqiptarë takoheshin me njëri-tjetrin. Në takimet e tyre, shpesh kishte edhe të huaj të lidhur më Shqipërinë. 25 prej atyre shqiptarëve, pas kthimit në atdhe u përballën me akuzën si agjentë të huaj, tradhtarë të atdheut dhe agjentë që donin të rrëzonin pushtetin popullor. Nga shteti i kohës njihen me emrin “grupi i spiunëve të Vilës S.B.S- Bari”. Një prej tyre, ishte një riosh i qeshur nga Tirana.

Në gazetën “Arbënia” të viteve 1930 gjendet me pseudonimin Sula i Fajës, Xh.F, Xhefar, ndërsa për miqtë ishte gazetari satirik socialdemokrat Xhemal Farka.

Lindur më 1913 në Tiranë në një familje qytetare. Pas Institutit të Harry Fultz në Tiranë, kishte mbaruar Universitetit Amerikan të Bejrutit, me bursë të dhënë nga Sotir Kolea për të studiuar koloninë shqiptare të atjeshme, kishte qenë gazetar në Radio Bari dhe kishte punuar për Zërin e Amerikës në Jeruzalem.

Xhemal Farka shkruante për problemet sociale që kalonte shoqëria shqiptare, si “Fëmijët e natës”, që lypnin rrugëve; në dialekt tiranas me pseudonim, mbështeste emancipimin e femrës shqiptare dhe kryente hulumtime folklorike në trevën e Tiranës. Pas studimeve qe rikthyer në atdhe, me idealizmin për të ndërtuar vendin, por ai u përball dy herë me regjimin, të parën se ndihmoi Lef Nosin e të dytën si agjent e tradhtar.

Në AIDSSH, mes shumë dokumentesh të zbehta e gati të palexueshme ka dy procesverbale për të. Nga ai i datës 15 shtator 1945 del se e ka takuar për herë të parë Lef Nosin më 1938, në një festë në Elbasan ku gjendej dhe znj. Haslluk. Në këtë rast, Xhemal Farka kishte shkuar në festë si përkthyes i profesorit amerikan Filip Mosli, që ishte i ftuar. Siç duket, i pyetur se kush e solli nga Elbasani në Tiranë Lef Nosin (kur i fshihej qeverisë komuniste), Farka përgjigjet që nuk e di. “Para tre a katër ditësh se të arrestohesha, jam pjekur përtej Pallatit të Zogut në një të panjohur, i cili më foli në emër e më tha se jam miku i Vasil Nosit dhe dua të shkoj në Tiranë. Qe veshur me malokshme si ustallarët e Gollobordës. Bashkë me të kemi ardhur deri tek ura karshi fermës së Neki Radoviksës dhe të dy muarrmë rrugë të ndryshme”. Në letër shënohet të ketë thënë se pat dyshime që qe Lef Nosi, por nuk mori guximin ta pyeste, që ta denonconte. Duke qenë se në procesverbal nuk jepen pyetjet që i janë bërë gazetarit nga hetuesit, mbeten të dyshimta edhe frazat që në fund është shtrënguar të firmosë.

Në një procesverbal të datës 17 shtator 1945, ai tregon se ka pasur mik prej kohës së Bejrutit, Vasil Nosin, dhe se prej tij dinte që Lefi ishte në kërkim. Në tri faqe procesverbal ai nuk pranon ta ketë strehuar Lef Nosin, por pranon se i është kërkuar ta kalojë Lef Nosin nga “mullini, deri te postblloku. Te ferma e mora Lefin për ta përcjellë dhe ta fusnja brenda postbllokut në Tiranë… Arritëm ndërmjet Legatës Amerikane dhe fermës, ku u paraqitën Vasili me Markun në një karrocë. Nuk e di ku shkuan…”

Duke qenë në dijeni të faktit që dëshmitë merreshin nën tortura, nuk është e vështirë të kuptohet pse dëshmia e Farkës ka ndryshuar dy ditë më vonë.

Musine Kokalari, në ditarin e saj shënon se “një nga të burgosurit që e pashë përmes dritares sime të vogël në oborrin e burgut, më tha se ata po merrnin në pyetje Xhemal Farkën për mua. E kuptova. Ai nuk tha asgjë për mua dhe unë nuk thashë asgjë për të”.

 

Nd.Prokurori Ushtarak i Garnizonit, kolonel Faik Minarolli nga ana tjetër shkruan se “u vërtetua që të akuzuarit kanë (kryer) krimin e poshtër të tradhëtisë s’Atdheut tue bërë pronë atë dhe veten e tyre të agjenturave t’huaja”.

Nga 25 të akuzuar, Xhemal Farka, është një prej prej 5 vetëve që dënohet me vdekje. Pos ndihmës që i ka dhënë Lef Nosit, ai renditet nga prokuroria e kohës mes grupit të “Azona Villa Rossa”.

Xhemal Farka u pushkatua më 1948 si agjent anglez, akuza që s’u provuan dot kurrë.

Në një komunikim për këtë ekspozitë, Zenita Farka, mbesa e tij, ka treguar se i ati, Hasani, shkonte shpesh ta takonte në burg diku te “Selvia”, t’i çonte ushqime e ndërresa. “Një ditë shkurti të vitit 1947, xhandari ia hodhi ushqimet. I tha: “Ik, se e ke te Bregu i Lumit!”. Atëherë babai e kuptoi që e kanë pushkatuar. Bashkë me hallë Eminenë dilnin netëve ta kërkonin. Ajo mbulohej me një çarçaf si me burkë që të mos e njihnin. Iknin natën e gërmonin me thonj për ta gjetur”. Mbesa kujton se sa herë shkonte me të atin në Durrës, te hallë Emineja, hidhte sytë nga Bregu i Lumit. Nuk e gjetën kurrë Xhemalin, gazetarin që kur u kthye në atdhe, e priste Omer Nishani me nderime, sepse kishte mbështetur luftën kur punonte në radio.

 

  1. ULLIRI I DOKTORIT

Lorenc Rasha, ish-student i Insbrukut në Austri, Profesor Doktor në linguistikë, njohës i 7 gjuhëve, ish-drejtor në gjimnaze dhe nacionalist, merr pjesë në Konferencën e Pezës, duke shenjuar me njollë të ardhmen e tij. Më 1944 arrestohet në Tiranë, cilësohet tradhtar i ideve të tij dhe e dërgohet në Paraspur, një fshat i thellë, rrëzë Dajtit. Aty vihet para togës së pushkatimit. Fshatarët e zonës e njohin i kërkojnë komandantit të togës së pushkatimit ta falë, se ai i ka ndihmuar, por komandanti nuk pyet.

Lorenc Rasha ndërron jetë diku rrëzë Dajtit, mes njerëzve që dikur pat ndihmuar. Ata që e qëlluan i morën këpucët dhe rrobat, e lanë vetëm me të brendshme, pa e varrosur. Kur nata kishte rënë, njëri prej fshatarëve që e kishte njohur, e mori fshehurazi trupin e pajetë dhe e varrosi në oborrin e tij, pranë rrënjëve të një peme ulliri.

Askush nuk e di pse u pushkatua Lorenc Rasha. Në shtëpinë e tij e pritën me muaj të tërë të kthehej i gjallë, sepse nuk ishin lajmëruar për ekzekutimin.

Vite më vonë, e bija është futur në Cirkun e Tiranës dhe shkon për shfaqje në qytete e fshatra. Më 1956, ajo është në Dajt për shfaqje. Quhet Vitore Rasha. Në fund të numrit, Vitores i afrohet një burrë me veshje kombëtare.

“Duke më parë në sy, gati në të lotuar, më thotë me zë të dredhur: Ju jeni goca e doktorit, të keqen baba? Po, i thashë unë. Do të thotë baba një gjë, por kurrë nuk do t’ia thuash njeriu. Pra, të mbetet sekret mes ne të dyve. Babanë tënd e ka varrosur baba këtu, në rrënjët e ullirit, brenda shtëpisë së vet. Unë banoj në Paraspur, një fshat në rrëzë të Dajtit, në perëndim të tij. E kam unë, por ti mos fol, se sot është me zarar. Por do vijë një ditë që çdo gjë do shkojë në vendin e vet dhe ti duhet ta dish, që ta marrësh”.

50 vjet më vonë, Vitore Rasha Sallaku, tashmë akrobate e njohur shkoi në Paraspur. Burri që i kishte treguar sekretin kishte ndërruar jetë, dhe ishte i biri që i ndihmoi për të nxjerrë eshtrat, që tashmë kanë një varr dhe një emër.

 

  1. TË PAGJETUR

Akile Tasi, xhaxhai i Lekë Tasit

Akilenë, pas Maliqit e çuan në Burrel, në atë repart shpirtrash në venitje që fikeshin në gjysmerrësirë. Vdiq aty nga ceroza mbas 17 vjetësh burgim, në janar të vitit 1961, duke lënë kujtimet më të mira te të burgosurit, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar këdo që donte të mësonte anglishten. Në kohën që u sëmur, babai i Lekës nuk ndodhej në Burrel, sepse e kishin sjellë në Tiranë për ta operuar. Sapo vëllai u nis drejt Tiranës, Akile u përkeqësua. Kur Koço Tasi u kthye në Burrel, e gjeti të vëllanë të varrosur. Familja i kishte çuar ilaçe, por nuk arriti ta shihte edhe një herë të gjallë. Nga drejtoria e burgut u shkoi një telegram, ku njoftoheshin se njeriu i tyre kishte vdekur. Lekë Tasi thotë se shkoi të shihte vendin ku e kishin vënë, por nuk ia treguan. “Kështu u shtua edhe një varr pa emër në një oborr të mënjanuar brenda telave. Kemi marrë vesh vetëm që ditët e fundit, shërbimin Akilesë ia bënë dy djem që vuanin dënime të gjata, Agim Llanaj dhe Tomorr Dosti”, rrëfen Lekë Tasi në kujtimet e tij.

Skënder Çela, daja e Mirush Kabashit

Aktori i njohur Mirush Kabashi, pas 18 vitesh kërkime, 8 vjet më parë pati nisur gërmimet në Qafë-Plloçë të Pogradecit, për gjetjen e eshtrave të dy të rinjve durrsakë, të pushkatuar pa gjyq në dhjetor të vitit 1946. Bëhet fjalë për Mark Tocin dhe dajën e tij, Skënder Çela, dy të rinj që cilësoheshin antiparti. Pas shumë takimesh dhe kërkimesh, me ndihmën e gazetarit Fatos Baxhaku, ai kishte të dhëna dhe dokumente që vërtetonin se dy të rinjtë qenë ekzekutuar buzë liqenit të Pogradecit, nga Sigurimi i kohës dhe më pas, trupat e tyre u lanë në kodrat e Qafë-Plloçës. Ndonëse gërmimet zgjatën në kohë, ai nuk mundi t’i gjente eshtrat e dajës.

 

Ushtari i pagjurmë, Sami Sulejman Aruçi

Më 7 prill 1970, Sami Aruçi u komandua me shërbim prove në komandën e Repartit Ushtarak nr.2820 në Fier. Më 8 prill, në një vizitë të beftë të eprorëve, ai nuk u gjend në vendin e caktuar, ndaj u dha urdhri që ta çonin në bateri. Mungesa e tij në bateri u vu re 11 ditë pas ndërrimit të vendit të shërbimit, kur do të organizohej zbori. Ishte mungesa e tij në apel që bëri të kuptohej se ushtari ishte larguar në drejtim të paditur. Në dokumentet zyrtare të Ushtrisë thuhet vetëm se ushtari u zhduk dhe se nuk kanë asnjë të dhënë për fatin e tij. Ushtar Samiu nga Maminasi i Durrësit është ende i zhdukur prej asaj dite, ndërsa familja e tij nuk është “internuar” dhe nuk ka pasur asnjë penalizim, siç ndodhte me familjet e të arratisurve. Vëllezërit dhe i ati atëkohë, i patën nisur letra ministrit të Mbrojtjes dhe vetë Enver Hoxhës, pa marrë kurrë përgjigje se ku iku Samiu. 23-vjeçari ishte njohës i disa gjuhëve të huaja dhe para zhdukjes, e ka lënë armën e shërbimit në vendin e duhur. Ndërkaq, familja ka mundur të marrë një shkresë zyrtare në vitin 2016, në të cilën thuhet se “dokumenti i hetimit të ngjarjes është i klasifikuar dhe nuk mund të shërbehet”. Zyrtarisht, familjes i është thënë që djali është larguar nga reparti pa leje dhe në drejtim të paditur.

 

Lule në ajri, Dajlan Zaimaj

Kur 12 dhjetorin e 1944-s në portën e Zaimëve u dëgjuan trokitje, askush nuk e dinte sekondat në vijim, do ta shndërronin jetën e tyre. Të zotit të shtëpisë, i kishte ardhur thirrje nga Dega e Brendshme e Skraparit që të paraqitej në Degë. Para se të nisej, së shoqes, e tre fëmijëve u tha “mos kini merak” dhe iku. I biri Gramozi ishte 9 vjeç dhe ishte fëmija i madh, pas vetes kishte tri motra. Ishte hera e fundit që e panë të atin, ai, nuk u kthye më kurrë.

Akuzohej si pjesë e forcave të Ballit Kombëtar. Një vit më vonë u dënua me 101 vite burg. Me faljet e dy viteve më pas, dënimi iu ul në 25 vjet burg. Shteti i kohës i sekuestroi pasurinë familjes që mezi mbijetonte. Nga burgu, Dajlan Zaimaj u çonte letra të afërmve dhe u kërkonte të shkonin ta shihnin. “Ejani shihni të sëmurin”, kaq kujton i biri nga letrat e të atit.

Më 2 qershor 1949, pas 10 vitesh vetmie, vdiq në burg nga torturat, sëmundja dhe uria. I biri, Gramozi, thotë se e mban mend të anë si një mesoburrë, disi të mbushur, që mbante ngahera një kapelë me strehë. Nuk ka asnjë fotografi të tijën. Trupi nuk iu dorëzua familjes dhe nuk dihet ku është as sot. “Më kanë thënë ‘nuk ka gjë këtu, po si gjithë të tjerët shko e hidh lule atje matanë se i kanë zënë pallatet varrezat. Atje e kanë rrafshuar kanë bërë varreza, pallate, fushë sporti”- thotë Gramozi.

Ish-të dënuar në Burrel thonë se të vdekurit i varrosnin në të njëjtin vend, “përballë dritareve të qelive mes dy rrethimeve, në mënyrë që të gjithë ta shihnin se ç’fund do të pësonin. Kufomat, cullake – rrobat dhe gjërat e tjera i ndanin mesvedi xhelatët – të mbështjellë me batanije i varrosnin në radhë, njërin ndanë tjetrit, pa emër dhe pa asnjë nishan”.


Etiketa:

Pas