Kryesore

Krimi tjetër nën rrënojat e Teatrit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:07 - 25/05/20 |
Armand Maho

Zhdukja e kostumeve dhe dokumenteve arkivore të Teatrit Kombëtar është një tjetër krim që i bëhet trashëgimisë sonë kulturore. Nën rrënoja kanë mbetur kostume origjinale, artefakte, bobina filmike deri dhe armë të Luftës së Dytë Botërore që ishin në godinën e teatrit eksperimental Kujtim Spahivogli. Drejtori Kiço Londo nuk u lejua të bënte procesverbalin. Flasin për gazetën MAPO dëshmitarë okularë dhe aktivistë për mbrojtjen e teatrit, Edi Dingu, Neritan Liçaj, Robert Budina, Ergys Mërtiri dhe studiuesi i trashëgimisë kulturore Jaho Brahaj


Fadroma e IKMT, që u lëshua mbi teatrin Kombëtar dhe atë eksperimental duket se ka kryer dhe një tjetër krim, ndoshta po aq të rëndë sa dhe shembja e mureve të godinës 81-vjeçare. Bëhet fjalë për rekuizitën e Teatrit Kombëtar që ka mbetur nën rrënoja dhe më pas është hedhur ku të mundet nga punëtorët e bashkisë Tiranë. Më së shumti janë kujdesur për karriget e sallës dhe materiale të tjera, të cilat raportohet se kanë përfunduar në një nga fushat e kalçetos të policisë bashkiake.


Atje ka përfunduar dhe parulla “mbro Teatrin” që për më shumë se dy vjet qëndroi në hyrje të tij. Goditjen më të rëndë e ka marrë Teatri Eksperimental Kujtim Spahivogli, nga i cili nuk është mundur të nxirret thuajse asgjë, dhe rekuizita ka mbetur aty. Nën zinxhirët e fadromave kanë mbetur, karriget e sallës, arkiva, kostumet, pajisjet e ndriçimit që ishin të fjalës së fundit, madje deri dhe armë të Luftës së Dytë Botërore që përdoreshin nga artistët në skenë. Pamjet e shfaqura në publik nga oborri i Art Turbinës, janë vetëm maja e ajsbergut. Aktivistët për mbrojtjen e Teatrit, Neritan Liçaj, Robert Budina dhe Ergys Mërtiri që kanë qenë dhe dëshmitarë në momentin e hyrjes shprehen se nuk është mbajtur asnjë procesverbal.


Disa punëtorë të pranishëm, pas ndërhyrjes së policisë, kanë mbledhur ç’të munden dhe i kanë hedhur në karrocerinë e makinës, por jo pak materiale kanë mbetur nën rrënoja. Në vendgrumbullimet e inerteve ku janë hedhur ato që la pas shembja, janë gjetur copa kostumesh, dhe fletë dorëshkrimesh, apo dhe bobina filmike që s’kanë mundur të tërhiqen nga punëtorët e bashkisë.


Pa procesverbal
“Nuk është mbajtur asnjë procesverbal. Dëmi është jashtëzakonisht i madh. Unë s’di të them se çfarë është shpëtuar dhe çfarë jo, sepse nuk na është ofruar ky informacion, por di që nën rrënoja kanë mbetur kostume, dorëshkrime dhe shumëçka tjetër me të cilët janë vënë në skenë shfaqje të ndryshme në kohë të ndryshme”, thotë Liçaj.

Të njëjtën gjë e konfirmon dhe regjisori Robert Budina, i cili shprehet se egërsia me të cilën ndërhynë mëngjesin e 17 majit, nuk lë vend për dyshime se nën rrënoja kanë mbetur një pjesë e mirë e materialeve që ishin brenda teatrit kombëtar.

Aktori Edmond Budina në një intervistë të datës 18 maj, do shprehej: “Dy ditë më parë se të shembej teatri Kombëtar këta dilnin e qaheshin sikur po shkatërrohej rekuizita, po shkatërrohej tradita e teatrit kombëtar, zëri i aktorëve të mëdhenj, e kanë zaptuar ata kriminelë, mund ta kenë vjedhur. Ata do shkojnë në burg për atë që kanë bërë, dhe nuk kaluan dy ditë, dhe unë e quaj një krim dhe ai që e ka bërë këtë është kriminel, varrosi të gjitha kostumet e teatrit kombëtar duke e shembur me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Rekuizita është atje e varrosur sepse ata nuk e nxorën as rekuizitën dhe as gardërobë. Janë edhe filmimet ku janë muret e çara dhe duken kostumet në shembje e sipër. E kuptoni se çfarë krimi kanë bërë. E kuptoni çfarë kriminelësh. Ne kemi tetë muaj që bëjmë rojë aty dhe s’kemi nxjerrë një majë gjilpëre që aty” .

Vetë nënkryetari i Bashkisë Arbër Mazniku, në një dalje për mediat para disa ditëve u shpreh se për materialet e gjetura është bërë një procesverbal i plotë, por pamjet e shembjes së teatrit dhe fotot e shpërndara në media tregojnë të kundërtën. Teatri u shemb në një kohë rekord prej pesë orësh, dhe ka qenë e pamundur fizikisht që materialet e depozituara prej vitesh aty të kenë shpëtuar të gjitha.

Teatri eksperimental
Por dëmet më të mëdha duket se i ka pasur Teatri Eksperimental Kujtim Spahivogli. Rikonstruktuar së fundmi, me pajisje moderne të kohës atij i është vënë fadroma me të gjitha ç’ka pasur brenda. Edi Dingu, një prej njohësve të vjetër të ambienteve të teatrit shprehet se në rast se në Teatrin Kombëtar kohë pas kohe mund të jetë hequr diçka dhe është keqadministruar, në Teatrin Eksperimental, gjithçka ka mbetur nën rrënoja, madje dhe armë të cilat ishin në inventarin e Teatrit.

“Dua të them se në teatrin kombëtar thuajse e gjithë rekuizita ka mbetur nën rrënoja. Mbaj mend ka qenë një tavolinë e tillë që s’ma zunë sytë në magazinën e Art Turbinës, ku ata pretendojnë se kanë futur materialet e teatrit, por unë s’kam arritur ta gjej. Por në rast se nga teatri kombëtar, mund të jetë shpëtuar diçka, të paktën nga arkivat kohë pas kohe, te Teatri Kujtim Spahivogli nuk është shpëtuar thuajse asgjë. Fadroma ka marrë nën vete të gjithë rekuizitën madje dhe karriget e dy prej tre nga sallat që ishin aty. Sipas informacioneve të mia, aty kanë humbur dhe armë. Është një akt shumë i rëndë që kërkon një hetim të thelluar”, shprehet Dingu.

Deklaratën e Dingut e mbështet dhe aktivisti tjetër Ergys Mërtiri, i cili shprehet se ka qenë dëshmitar kur drejtori i teatrit eksperimental nuk është lejuar nga policia të hyjë në godinë para shembjes për të bërë inventarin.

“Në rast se në godinën e Teatrit Kombëtar, mund të kenë shpëtuar ndonjë material, kam qenë dëshmitar që teatri eksperimental Kujtim Spahivogli është shembur pa nxjerrë asgjë jashtë. Madje ka qenë prezent dhe drejtori Kiço Londo, që nuk u lejua nga policia të hynte brenda dhe të bënte inventarizimin e materialeve. Këtë e kam parë me sytë e mi. Dua të them se krahas hetimit për teatrin duhet të hapet dhe një hetim mbi masakrën që është bërë me rekuizitën, qoftë të teatrit Kombëtar, qoftë të teatrit Kujtim Spahivogli”, thotë Mërtiri.

Zhdukja e trashëgimisë
Një panoramë më të qartë për këtë çështje e jep Jaho Brahaj, studiues i trashëgimisë kulturore. Gjatë bisedës me MAPO, ai shpjegon se humbja është e përmasave të mëdha. Më herët Braho i ka nisur një letër të hapur ministres së Kulturës Elva Margariti, ku e informon për dëmin që është bërë gjatë mëngjesit të 18 majit.

“Gardëroba ka pasur në përbërjen e saj kostume të trashëgimisë kulturore, sepse në kohën që është krijuar teatri deri në vitet ‘60 kostumet bliheshin origjinale. Mbaj mend para 50 vjetësh kam hyrë në skenën e teatrit dhe jam veshur për një rol figuranti në ndihmë të grupit teatral të OAN së Kadri Roshit, që në atë kohë e kishin përzënë nga teatri kombëtar dhe ishte në një ndërmarrje. Jam habitur nga pasuria e madhe që ndodhej aty. Por mbaj mend me saktësi për shembull bastunët që përdoreshin nga kategori të ndryshme të njerëzve, që mund të ishin njerëz të thjeshtë, qytetarë, fshatarë apo aristokratëve, të stilit rus, të stilit francez e të tjera. Dhe kjo ishte një pjesë e vogël e asaj që ndodhej aty. Veshjet tradicionale kombëtare nga më të përzgjedhurat kanë qenë aty, me qëndisje ari apo argjendi sipas trevave”, thotë Brahaj.

Por sipas tij një humbje e madhe janë dhe bobinat apo dorëshkrimet që kanë mbetur nën rrënoja.

“Kemi artefakte jashtëzakonisht të rëndësishme, kemi foto të para 80 vjetësh, kemi bobinat por mbi të gjitha kemi skicat skenografike të autorëve të vdekur, kemi skicat e kostumeve dhe proceset deri sa janë vënë në skenë. Aty kemi kujtesën tonë kombëtare të kulturës. Mos harrojmë që kemi dhe drama autentike, pasi dramat atëherë shpërndaheshin të shaptilografuara, ose ka pasur drama që pasi ka filluar procesi i punës janë ndaluar, apo kemi dhe drama që janë ndaluar në shtyp për çështje ideologjike dhe politike, dhe ata vetë s’i kanë pasur kopjet por ama në arkivën e teatrit kanë ekzistuar. U mundova t’i përmbledh sa më shumë, por dua të them që aty gjendet një pasuri e jashtëzakonshme, që lidhet me emocionet shpirtërore të atyre që e kanë parë teatrin, por dhe të atyre që kanë luajtur aty”, -thotë Brahaj.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas