Po rezulton gradualisht se më të kamurit në Shqipërinë ndër më të varfërat e globit, janë dy kategori: Kriminelët dhe politikanët.
Krimi, individë ose grup i struktuar.
Kriminelët në përgjithësi asnjëherë nuk kanë bërë gjasmë. Kanë bërë “profesionin” e tyre si kudo edhe në botën e zhvilluar, si individë apo dhe si grup i strukturuar.
Mbas vitit 2013, në Kuvendin Popullor të Shqipërisë, në institucione të Kushtetuese dhe emërtesa, u gjetën kriminelë të …zgjedhur për të bërë politikë.
Tashmë është publike se Kategoria e Parë, ka tentuar (e zbardhur nga ligji) të ndërrojë profesion.
Arsyet priten të zbardhen nga …reforma. Ajo që ia semplifikon punën …reformës, është se kategoria e parë pra Krimi, shquhet për guxim edhe kur dështon. O vritet nga i ngjashmi, o hyn në “pentinencë” për tu penduar, ose për tu plakur aty.
Kategoria e dytë, Politika.
Edhe ky Grup i strukturuar amatorësh dhe profesionistësh.
Ky grup i strukturuar individësh amatorë e profesionistë, edhe në botën demokratike nuk janë mjeranë, nuk janë as të varfër po dhe ka të pasur mjaftueshëm.
Demokracia antike i quante “ἄριστοι”-aristoi, që s’kanë lidhje hiç me aristokratët e mesjetës.
Një nga arsyet pse nuk gjen skamnuer në politikë është se këta edhe duke u zënë e shkalafitur (ka dhe të vrarë sish’) i caktojnë me ujdi-ligj shifrat që qytetari duhet tu paguajë atyre.
Pagë maj’ore, dieta, cel, makinë, shofer, sekretare, udhëtime me apo pa e-skorta.
(Krimit nuk i jepet kjo mundësi, gjithçka pagë e privilegje duhet ta nxjerrë me djersë…, po ma shumë me gjak.)
Deri këtu të gjitha zënkat midis grupimeve të djathta e të majta edhe në popull janë të justifikuar e konsiderohen politikë. Ndonëse politikë dmth jo vetëm kaq, po vend-dmth kuvend ku merren vendime të rëndësishme… për polisin. Të drejta që pajtojnë shumicën e vegjëlisë.
Per rrjedhojë as pagat majë-ore, as të ardhurat e tjera të ligjshme nuk ia japin mundësinë politikanit me konkuru me pasuri kriminelin.
Sa e thjeshtë për drejtësinë e pa anëshme me identifiku, provu dhe gjyku pasurimin e kriminelit.
Jo dhe aq me e shqyrtu pasurinë e politikanit.
Po sa e vështirë, e ngatërrueshme, e nderlikuar, me zgjidh rebusin që fillon me një bashkëvendosje në të njejtin togfjalësh të dy fjalëve kaq të pangjashme edhe semantikisht edhe gramatikisht: Politikë kriminale apo krim politik.
Nuk është togfjalësh homogjen as i bashkërenditur, po i nënrenditur. Çdo ndërrim vendesh, bën rrëmujë pikërisht konceptin.
Populli e di ku ka dorëzuar mall ose lekë nën kercënimin e pushkës së kriminelit. Edhe drejtësia s’rri pa e provu gjyqësisht këtë.
Populli di gjithashtu se ku ka dorëzuar pasuri lek në formën e pagës për politikanin, siç di njeh dhe identifikon politikanin që e ka kërcënuar me tytën e postit, për ti marrë pasuri, mall e lekë përtej pagës.
Mjaft që Drejtësia të mos ngatërrohet në këmbët e veta, e të dijë pak gramatikë.