Aktualitet

Skenarët ligjorë për kryetarin e ri të bashkisë Shkodër






               Publikuar në : 11:30 - 17/08/19 |
mapo.al

Flet ish- kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume


Zoti Kume, kryetari i ri i Bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri, u tërhoq nga mandati pasi opozita publikoi dokumente që vërtetonin dënimin e tij në Itali. Çfarë ndodh në këtë rast?
Nëse provohet se Valdrin Pjetri është në kushtet kur për të do të veprojë ligji i dekriminalizimit përpara se ai të bëjë betimin dhe përpara se të ketë filluar ushtrimin e mandatit, siç doli, atëherë do të duhet të aktivizohet KQZ-ja për trajtimin e problemit. KQZ-ja duhet ta shpallë të pavlefshëm mandatin e dhënë Pjetrit dhe pas kësaj, nëse i referohemi Kodit Zgjedhor, duhet t`ia japë mandatin kandidatit të radhës, por siç dihet votimet në 30 qershor në Shkodër u bënë vetëm me një kandidat dhe, për pasojë, KQZ-ja nuk ka se si të plotësojë vakancën e krijuar. Zgjidhja besoj se do të jetë shpallja nga KQZ-ja të pavlefshme e zgjedhjes për kryetarin e bashkisë Shkodër dhe caktimi, në të njëjtin vendim, të një date tjetër për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të bashkisë në Shkodër. Nëse kërkohet ndonjë referencë ligjore e shprehur në Kodin Zgjedhor për një zgjidhje të tille, zor se mund të gjendet. KQZ do të vendoset në kushtet kur do t`i duhet të interpretojë ligjin për të justifikuar vendimin që do të marrë. Por për këtë, mendoj se do t`i duhet të marrë vendim me shumicë të cilësuar, që nuk e ka. Çështja do të duhet të kalojë për shqyrtim dhe vendim në Kolegjin Zgjedhor.



Duket rrugë e gjatë, ndofta edhe e komplikuar. Kështu ndodh dhe këto janë pasoja të mosveprimit të shtetit ligjor. Zonja Ademi, kryetarja aktuale e bashkisë Shkodër, duhet të vazhdojë të kryejë detyrën ashtu si e përcakton ligji për vetëqeverisjen vendore. Ndërkohë, Këshilli i ri bashkiak mund të kërkojë të konstituohet dhe këtë procedurë mund ta kryejë.

Po shpallja e zgjedhjeve a është kompentencë e Presidentit? Si mund të anashkalohet?
Nëse Pjetri do të kishte filluar ushtrimin e mandatit të Kryetarit të bashkisë, KQZ-ja duhet të marrë vendim për pavlefshmërinë e mandatit të tij dhe t`i japë mandatin e kryetarit të bashkisë, kandidatit pasardhës. Për këtë vendim të tij, KQZ-ja duhet të njoftojë Kryeministrin. Në rastin që po trajtojmë, ku Pjetri ka qenë kandidat i vetëm, KQZ-ja vetëm njofton Kryeministrin për pavlefshmërinë e mandatit. Kryeministri duhet të njoftojë Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar. Është Presidenti që pas kësaj duhet të shpallë datën e zgjedhjeve në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor. Deri në zgjedhjet për Kryetar të bashkisë, në këtë rast, detyra e kryetarit i ngarkohet ta kryejë një ndër nënkryetarët që e zgjedh Këshilli bashkiak.

Ndërkohë duke qenë se Presidenti ka dekretuar datën 13 tetor si datë për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, për të nuk ka kryetar të zgjedhur në votimet e 30 qershorit dhe as nuk ka kryetar të shkarkuar. Për rrjedhojë, Presidenti nuk ka për ta marrë në konsideratë rastin, por do të përsërisë thirrjen për zhvillimin e zgjedhjeve në 13 tetor. Por që të bëhen zgjedhje në këtë datë, duhet që paraprakisht dekreti i Presidentit të botohet në Fletoren Zyrtare. Ndërkohë ky botim prodhon pasoja edhe për zgjedhjet e bëra në 30 qershor në bashkitë e tjera! Siç shihet, situata komplikohet.

Nëse Kryeministri i drejtohet Presidentit me kërkesën për caktimin e datës për zgjedhje në Shkodër pas datës 13 tetor, mazhoranca do të këmbëngulë në kërkesën e saj, duke theksuar edhe se, pretendimi i Presidentit për zgjedhje në 13 tetor është i tejkaluar. Se çfarë situate mund të prodhohet në këtë rast, nuk është e vështirë për t’u parashikuar.

Ashtu sikurse e gjitha kjo mund të mos zhvillohet e tillë, por mazhoranca i kërkon KQZ e Kolegjit Zgjedhor të vendosin jo vetëm për pavlefshmëri të mandatit të Valdrin Pjetrit, por edhe të caktojnë datën për zgjedhjet e reja në bashkinë Shkodër. Një zgjidhje e tillë anashkalon mundësinë e krizës dhe përplasjen me Presidentin, por kjo zgjidhje thellon mosfunksionimin e shtetit ligjor dhe të demokracisë funksionale.

Për mendimin tim ajo që është më tepër e rëndësishme se sa fati i mandatit të kryetarit të bashkisë Shkodër, është fakti se problematika me të cilën është duke u përballur vendi dhe shoqëria jonë, e shkaktuar nga shumë faktorë, ndër të cilët bën pjesë edhe pamjaftueshmëria në funksionimin e shtetit ligjor, është shumë serioze dhe kërkon ndërhyrje serioze.

Është e domosdoshme që të gjithë të biem dakord dhe në veçanti partitë politike për t’u angazhuar dhe realizuar një reformë të thellë legjislative që do të bëjë të mundur funksionimin real të demokracisë në vendin tonë.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas