fbpx

Personazh

Personazh/ Kristaq Pata, 47 vite si banor i Bibliotekës Kombëtare





               Publikuar në : 10:36 - 13/10/19 |
Alessia Selimi

Alessia Selimi


Ishte 28 vjeç kur me një lloj droje i ngjiti për herë të parë ato shkallë të larta. Këtë ditë e mban mend mirë edhe sot, pas 47 vitesh që ndjek të njëtin rit, pa u ndalur. Studiuesi dhe pedagogu Kristaq Pata mund të thuhet pa frikë se është banori më i vjetër e më i rregullt i Bibliotekës Kombëtare; e kësaj godine në qendër të Tiranës, ku kemi shkuar për të zbuluar pikërisht një si ai.



***


Lëmë pas të paktat shkallë që na drejtojnë në atë çka i mungon kryeqytetit. Në një oaz qetësie të plotë. Gjendemi në sallën e leximit. Është e pamundur të mos ndjesh aromën e thartë të librave. Në katin e dytë, njerëz të të gjitha moshave, profesioneve, kahjeve ideologjike e fetare, i kanë thënë “jo” ritmit shpesh banal të jetës dhe mendjes së mbyllur.

Në të madhen sallë, që përkëdhelet nga rrezet ende të nxehta të diellit, pikaset një burrë thinjak dhe i fisshëm, të cilit i janë varur syzet në hundë. Duket tërësisht i zhytur në gërma, fjalë e fjali. I ndjehet për së largu përkushtimi për librin.

75-vjeçari Kristaq Pata, është një ndër lexuesit më besnik të Bibliotekës Kombëtare. Besnikëri 47-vjeçare. I buzëqeshin sytë kur e pohon, kur fillon të rrëfejë për MAPO.

“Kam mbaruar studimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit. Në po këtë universitet, jam bërë në moshën 28-vjeçare asistent-pedagog. Sikundër mund të kuptohet, isha tejet i angazhuar në formimin tim akademik. Kësisoj, isha i detyruar në një farë mënyre që t’i drejtohesha Bibliotekës Kombëtare. Që prej vitit 1972, nuk i kam ndërprerë për asnjë çast studimet dhe leximet në këtë bibliotekë”-shprehet ai, duke shtuar se momentalisht po punon për përkthimin e njërës vepër të ekonomistit gjerman Ernst Friedrich Schumacher, të cilën e konsideron mjaft të vlefshme për studentët dhe ekonominë e vendit.

Pata shpenzon në bibliotekë rreth 5-6 orë në ditë. Shumëkujt, veçanërisht të rinjve, mund t’i duket e pabesueshme. E megjithatë, ai e ka një përgjigje për to. “Librin e kam mik të madh dhe të shtrenjtë. Nuk më mërzit kurrë! Di t’i bëjë ballë shumë mirë pikëpyetjeve të mëdha”.

Kur e pyesim për marrëdhënien që ka me librin dixhital, Pata nuk shfaqet aspak radikal. Veçse prezantohet larg petkut të dekanit dhe rektorit. Ai na njeh me anën e tij atërore. “Unë kam tre fëmijë. Ata kanë ndjekur gjurmët e mia. Vajza e madhe ushtron profesionin e ekonomistit agrar në SHBA. Ndërsa vajza tjetër është pedagoge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Sa i takon djalit, punon në Bankën Kombëtare Tregtare. I kam orientuar gjithnjë drejt librit. Është jeta! Megjithatë, më duhet të jem i sinqertë, fëmijët e mi nuk e kanë patur kurrë këtë marrdhënie që kam unë me bibliotekën, qoftë edhe me atë që kam ngritur ngahera në sallonin e shtëpisë. Pikërisht për shkak të leximit dixhital. Por, kjo nuk nënkupton se ata nuk kanë përftuar njohuri dhe dije”– shprehet Pata.

“Dixhitalizimi do t’i bënte shumë mirë edhe Bibliotekës Kombëtare. Jam në dijeni për dixhitalizimin e koleksioneve të rralla, librave antikuar. Por, po flas për një numër më të madh librash. Vetëm kështu do të luftohej varësia e lexuesit nga punonjësit e bibliotekës, të cilët, në fund të ditës, s’janë veçse njerëz, aspak imunë ndaj luhatjeve të humorit”– vijon më tutje ai.

Duke i qëndruar fjalëve të sapo thëna, Pata shpreh gjithashtu dëshirën që Biblioteka Kombëtare të pasurohet vazhdimisht me botime të reja. Duket se e ka të pamundur të qendrojë larg zukatjes së lehtë të faqeve të librit, kur takohen me njëra-tjetrën.

Kristaq Pata nuk është i lidhur me bibliotekën vetëm për shkak të profesionit të ushtruar prej vitesh. Ai ka arritur tanimë në një moment të jetës ku fare mirë mund t’i përkushtohet plotësisht pasioneve të tij. Dhe një prej tyre është zbulimi i origjinës së vendlindjes.

“Paralelisht me punën që po bëj për përkthimin e veprës gjermane, po studioj dhe për origjinën e Nartës. Më ka rezultuar deri më tani se në kohrat antike ka qenë një qytezë mjaft e famshme, e cila frekuentohej së tepërmi nga qytetarët e Vlorës, që asokohe përshkruhej si një vend moçalor. Jam njohur paksa me të kaluarën e saj edhe falë Iliadës së Homerit. Atë po lexoja para pak çastesh. Ka goxha materiale që më intrigojnë dhe më plotësojnë dëshirën për të parë se kush kanë qenë të parët tanë në kohrat antike dhe se si kanë evoluar në ditët e sotme. Por, jo duke e parë në prizmin e ndarjes së origjinës greke apo shqiptare. Narta më rezulton si një qytezë tepër e emancipuar, që ka ditur të bashkëpunojë, punojë, luftojë e mbijetojë”– rrëmbehet Pata.

Kur i kërkojmë në fund të bashkëbisedimit për të ndarë me ne bibliotekën e tij më të preferuar përtej kufijve, Pata stepet. Me shumë gjasa, dëshiron të artikulojë atë të vendit të tij. Mirëpo, preferon të tregohet i vërtetë deri në fund. “Nuk mund të them se kam një bibliotekë të parapëlqyer. Më saktë, dua të ndalem tek diçka mjaft domethënëse. Nuk më ka ndodhur kurrë që në një bibliotekë të botës të jem shqetësuar nga hapa njerëzish, apo qoftë edhe nga biseda të bëra, ndonëse me zë të ulët”-thotë Pata.

Brenda pak çastesh i drejtohet vendit ku e gjetëm. Rregullon xhaketën e tij të zezë, jakën e këmishës bojëqielli, si dhe rivendos syzet e tij elegante. Me buzë paksa të hapura, Kristaq Pata po lexon.


Etiketa: ,

Pas