Eurodeputetët nuk përmbahen në qëndrimet ndaj qeverisë së Tiranës. Ata u shprehën se “qeveria Rama tregohet shumë më e butë me trafikantët e drogës, se me gazetarët”. Në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm të PE-së, pati akuza për krimin e pazbardhur zgjedhor të dosjeve 184 e 339. Kritika të ashpra qeveria mori edhe për luftën e munguar ndaj krimit dhe korrupsionit apo dhe për mënyrën se si po zbatohet Reforma në Drejtësi.
Një qëndrim të ashpër kanë mbajtur dje eurodeputetët në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, teksa kanë shigjetuar qeverinë shqiptare me një lumë akuzash, shumë larg deklaratave të Tiranës zyrtare për të njëjtat çështje. Që nga hetimi i munguar i dosjeve 184 dhe 339 për vjedhjen e votave, luftën e munguar ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, rishikimi i Reformës në Drejtësi, dhe deri te trajtimi që i bëhet medias, kanë qenë disa nga pyetjet dhe përfundimet e eurodeputetëve në lidhje me Shqipërinë.
Jashtë syrit kritik nuk ka qëndruar dhe veprimtaria e delegacionit të BE në Tiranë. Si përfundim, e ardhmja evropiane e Shqipërisë duket ende larg ndërsa hapja e negociatave thuajse e pamundur të realizohet brenda këtij viti.
Kritikat
Në diskutimin e tij reporter për Shqipërinë David Lega, vlerësoi qëndrimin e Presidentit Meta në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me Reformën në Drejtësi. Shqipëria, tha Lega është në rrugën e çeljes së negociatave, por ka ende pa realizuar disa reforma kyçe. Ai u ndal dhe në domosdoshmërinë e ashpërsimit të luftës kundër drogës dhe fenomene të tjera siç janë krimi i organizuar apo korrupsioni.
“Janë 15 kushte që Shqipëria duhet të plotësojë para vendimit për hapjen e negociatave me BE”, u shpreh zyrtari europian.
Më tej, zoti Lega tha se qeveria Rama, tregohet shumë më e butë me trafikantët e drogës se me gazetarët.
“Pa u ndryshuar ky raport nuk ka hapje negociatash me Shqipërinë”, tha ndër të tjera ai.
Eurodeputeti Michael Gahler, zëdhënës i PPE, është shprehur se ende nuk ka informacion se çfarë është bërë me dosjen 184 dhe 339 që ka të bëjë me vjedhjen e votave. Sipas tij është shqetësues fakti që hetimet zgjasin prej tre vjetësh dhe nga ana e prokurorisë nuk ka ende një akuzë konkrete.
“Nuk po listoj të 15 kushtet por po ndalem te njëri prej tyre; tek ai që ka të bëjë me blerjen e votës dhe me manipulimin e votës. Ka dy çështje: dosja 184 në Dibër dhe dosja 339 në Shijak. Ato po hetohen prej tre vjetësh por nuk kemi akuza nga prokuroria por vetëm lajme se po pengohet drejtësia. Kjo edhe mbasi zyrtarë nga shtetet anëtare kanë apeluar që në këto raste të ketë hetim e përballje me gjykatën. A mendoni se do të kemi zhbllokim të këtyre dy rasteve kur të prezantoni Kuadrin Negociator? A ia keni bërë të qartë këtë kusht qeverisë, shoqërisë civile dhe publikut shqiptar? A e ka bërë këtë Komisioni Europian? A e ka bërë ketë Delegacioni i BE në Tiranë? Pres përgjigje nga përfaqësuesit e Komisionit Europian që sot janë thirrur në mbledhjen tonë”, u shpreh ndër të tjera ai.
Më tej ai shtroi pyetjen, se nëse pas vlerësimeve të Komisionit të Venecias, a duhet një rishikim i reformës në drejtësi në vendin tonë.
“Tani që është publikuar opinioni i Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese. A do të mbështesim ne tani rekomandimin e Venecias për një rishikim të Reformës në Drejtësi?”, – tha eurodeputeti.
Negociatat
Për eurodeputetin Zimniok Berngard Shqipëria e ka thuajse të pamundur të plotësojë kushtet për hapjen e negociatave. Ai deklaroi se Shqipëria është cilësuar si një nga vendet më të korruptuara dhe me nivel të lartë të krimit të organizuar.
“Nuk jam i bindur se Shqipëria do t’i implementojë reformat e nevojshme për hapjen e negociatave… Shqipëria është cilësuar si vendi më i korruptuar dhe me krim të organizuar të lartë”,- tha Zimniok Berngard.
I ashpër në qëndrimet e tij ka qenë dhe eurodeputeti francez Thierry Mariani, i cili u shpreh se politikat që po ndjek aktualisht Shqipëria drejt anëtarësimit në BE nuk janë të duhurat dhe të njëjta me ato të unionit. Ai foli për ndikim turk në qëndrimet e qeverisë së Shqipërisë.
“Ne jemi kundër zgjerimit të BE dhe pyetja tani është për Shqipërinë për sa u përket instrumenteve përpara zgjerimit. Shqipëria është një pikë qendrore e influencës turke në rajon. Dua të përmend 5 mësues në mars në Kosovë të cilët u rrëmbyen dhe u dërguan në Turqi. Inteligjenca turke kishte edhe partnerë shqiptarë. Ne nuk mendojmë që politikat që kanë zgjedhur në këto momente janë të duhura dhe ato të njëjta me BE. Duhet të tregohemi më të ndershëm për sa i përket Shqipërisë”, – tha Mariani.
Vetëm disa ditë më parë, parlamenti Europian miratoi një rezolutë me 15 kushte, për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Kryeministri Rama herën e parë e mohoi në një dalje të tij më datë 10 qershor vendosjen e 15 kushteve, më pas u mundua që të zbuste këtë qëndrim duke e konsideruar si diçka normale vendosjen e kushteve në këtë fazë.
Por me sa duket, nga ajo çka tha dhe reporteri zoti Lega, pas kësaj rezolute konferenca ndërqeveritare rrezikon të mos mblidhet në shtatorin e këtij viti siç ishte parashikuar. Ky është nga qëndrimet më të ashpra që Parlamenti Evropian ka mbajtur ndaj një vendi të Ballkanit Perëndimor, aspirant për në BE.