Sunday, April 2, 2023
  • Login
Gazeta Mapo
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport
No Result
View All Result
Gazeta Mapo
No Result
View All Result

Kritikë e librit “Të lirë: të rritesh në fund të historisë”, nga Lea Ypi

Kompleksiteti teorik i punës shkencore të Ypit ka qenë përherë imponues dhe tërheqës në qarqet akademike. Por, përmes “Të lirë”, Lea Ypi arriti ta marrë vëmendjen e masave dhe njohjen për artin mjeshtëror të të shkruarit një libër, që nxjerr në pah paradokset e lirisë, përmes injorancës së pafajshme të një fëmije që rritet në zgrip të perëndimit të një epoke

by us er1
25/05/2022
in Letërsi, Libri, Mapo Letrare, Revista
0

Nga Andi Haxhiu*

Libri “Të lirë” i Lea Ypit, erdhi në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, më 5 janar 2022. Është përkthyer në nëntëmbëdhjetë gjuhë dhe është vlerësuar shumë nga kritika ndërkombëtare, duke fituar çmimin ‘Ondaatje’ të RSL dhe duke marrë nominime për çmimet Baillie Gifford, Costa Biography dhe Slightly Foxed Best First Biography. Duke parë suksesin e librit pas publikimit, për autoren, Prishtina mund të ishte vetëm një tjetër qytet ku ajo do ta promovonte.



Mirëpo, përtej kësaj bindjeje fillestare, vendosa të udhëtoj nga Edinburgu për në qytetin tim të lindjes, që ta takoj zonjën Ypi, profesoreshë e Teorisë Politike në Departamentin e Qeverisjes të London School of Economics, të cilën e kam admiruar gjatë kohë për kontributin si shkollare përmes librave si, Kuptimi i partishmërisë (bashkëautore), Drejtësia botërore dhe agjencia e avantgardës politike dhe Arkitektura e Arsyes.

Kompleksiteti teorik i punës shkencore të Ypit ka qenë përherë imponues dhe tërheqës në qarqet akademike. Por, përmes “Të lirë”, Lea Ypi arriti ta marrë vëmendjen e masave dhe njohjen për artin mjeshtëror të të shkruarit një libër, që nxjerr në pah paradokset e lirisë, përmes injorancës së pafajshme të një fëmije që rritet në zgrip të perëndimit të një epoke.

Rrëfimi i Ypit nis me shembjen e të fundit shtet stalinist të Europës – Shqipërisë, në dhjetor të vitit 1990. Përmes dhuntisë së jashtëzakonshme për të shkruar, ajo ilustron kapërcimin nga diktatura e dhunshme dhe gjakatare e Enver Hoxhës, në një shoqëri që konsiderohet më e lirë, kapitaliste dhe liberale. Pra, në një vend demokratik. Kjo prerje paraqiste mundësi të rrallë për autoren, që retroaktivisht të teorizojë dhe reflektojë mbi kuptimin e lirisë. Mirëpo, edhe preokupimet si shkollare dhe filozofe, që lidhen me migrimin, drejtësinë dhe lirinë, janë të përbrendësuara në këtë episod të jetës së saj.

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, e ngujuar brenda dy rrëfimeve të kundërta, raporti i autores me lirinë pëson shndërrim, kur e kupton që prindërit e saj nuk ishin fare të interesuar “ta vizitonin varrin e Xhaxhit Enver, apo ta mbanin fotograinë e tij në dhomën e ditës”. Siç e paraqet mjeshtërisht në pjesët e fundme të librit: “Gjithçka kishte një trajtë dhe pastaj mori një trajtë tjetër. Në një moment isha dikush dhe pastaj u bëra dikush tjetër”. Ky pohim themeltar që ilustron ndryshimin krejt të papritur, po ashtu, mbështjell në tërësi paqartësitë e rritjes në kohë të çarjeve historike. Nëse do ta përdornim shprehjen e Roza Luksemburgut, në këtë kontekst: “Lea Ypi nuk ka bërë histori vullnetshëm. Por, sidoqoftë ajo ka bërë histori”. “Të lirë” është kontribut i madh letrar për periudhën tranzicionale të Shqipërisë, që ende mbetet e pandriçuar, pasojë e një pakti të pashkruar heshtjeje.

Libri nuk është i vështirë për t’u lexuar, por në tërësinë e tij provokon mendimin, duke hetuar lidhjen midis lirisë dhe shpresës, përmes gjuhës figurative dhe poetike. Ai, po ashtu, shtjellon se si përvoja e Ypit në liberalizëm mund të njëjtësohet me “premtimet e pambajtura, shkatërrimin e solidaritetit, të drejtën për të trashëguar privilegje dhe mbylljen e njërit sy para padrejtësive”. Përmes rrëfimit elegant dhe shpeshherë shumë emocional shpalosen dilema shumëdimensionale dhe pyetje për lirinë, përmes qëmtimit të dinamikave familjare, dialogëve dhe tensioneve.

Natyra dialoguese e librit është fare e dukshme në kapitullin e parë, të titulluar “Stalini”, ku mësimet e mësuese Norës dhe karakteri kurioz i Ypit në një mënyrë përcaktojnë rrjedhën e librit. Në esencë, vetë mossfidueshmëria e regjimit të Enver Hoxhës i bën pyetjet e sinqerta të Ypit, epitomë të dyshimit. Prandaj, fjalia e parë e librit: “Unë kurrë nuk pyeta për kuptimin e lirisë, deri ditën që përqafova Stalinin”, është mbivendosja e parë midis dogmatizmit të ushqyer nga shteti dhe skepticizmit individual. Përmes rrëfimit plot ngjyra të ngjarjeve të asaj dite, njëmbëdhjetëvjeçarja Ypi e gjen veten vetëm disa metra larg protestuesve kundër regjimit që thërrisnin “Liri, Demokraci”. Përtej refuzimit fillestar, sistemi po ndryshonte, teksa ajo mbahej e kapur pas këmbëve të statujës së pakokë prej bronzi, të Stalinit. Ky ishte momenti kur autorja fillon të shtrojë pyetje dhe në të njëjtën kohë ta kuptojë natyrën shumështresore të historisë.

Pavarësisht gjuhës së pasur dhe shpjegimeve të jashtëzakonshme të episodeve komplekse historike, rindërtimi i ngjarjeve të dhjetorit të vitit 1990, duket paksa i sajuar. Për ta bërë të rrokshme, po e marr shembullin e statujës së Stalinit në Durrës, e cila në të vërtetë nuk ka ekzistuar kurrë. Për ta nderuar Stalinin, atij i ishte ndërtuar një bust dhe jo një statujë, që do të thotë se këmbët pas të cilave mbahej Ypi, nuk kishin ekzistuar kurrë. Pra, hyrja e librit është më tepër përshkrim metaforik i pamundësisë së njeriut për t’u shkëputur nga realiteti që ndryshon përnjëherësh.

Megjithëse në të shumtën e rasteve kanë kaluar pa u vërejtur nga lexuesi i huaj, këto pasaktësi për kujtesën kolektive shqiptare kanë nxitur reagime të ashpra dhe kritika se libri paraqet manipulim të qëllimshëm. Kujtimi subjektiv i traumës së paadresuar kolektive shoqërore me diktatorin stalinist, Enver Hoxha, ka zemëruar shumë zëra reaksionarë në qytetin e lindjes së Ypit, të cilët librin “Të lirë” e shohin si apologji për komunizmin dhe e kritikojnë fort për pasaktësitë rreth fakteve. Ajo që një pjesë e lexuesve nuk ka arritur të kuptojë është se libri nuk paraqet përmbledhje historiografike të dy Shqipërive, asaj komuniste dhe tjetrës postkomuniste. Mu në këtë pikë, nami i Ypit si shkollare e respektuar është keq(përdorur) nga qarqe të caktuara, me qëllimin që libri të gjykohet përmes lentave strikte akademike. Mirëpo, “Të lirë” nuk është as tekst akademik dhe as historiografik; është histori personale, përmes së cilës shpjegohet kërkimi i vazhdueshëm për lirinë, e shkruar me humor të hollë, gjuhë të kuptueshme dhe ndërthurje metaforike.

Një pjesë e kritikës për librin nuk ka arritur t’i kapë asnjë nga këto që u përmendën më lart. Për shembull, Stuart Jefferies i “The Guardian” e zhvendos rrëfimin nga vendlindja e Ypit – Durrësi, në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë. Lexime të këtilla, shpesh paqëllimshëm i japin më shumë ngjyra përjetimit të autorit, por edhe vetë ambientit ku zhvillohet rrëfimi. Dhe kjo bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me përvojën e atyre që e kanë jetuar diktaturën e rëndë të Enver Hoxhës.

Në bisedën e shkurtër që pata me autoren në Prishtinë, ajo po ashtu vuri theksin te dallimet e jashtëzakonshme midis kujtimeve në anglisht dhe në shqip. Qysh në krye të herës, ajo sqaroi se emocionalisht ishte më e largët. Për më tepër, versioni i librit në gjuhën shqipe – i cili është i rishkruar dhe jo thjesht i përkthyer – ia ka bërë të mundur autores që t’i rijetojë disa nga dialogët e para më shumë se tre dekadave. Kujtimi dhe rindërtimi i atyre bisedave, siç më ka shpjeguar autorja, ishin shumë më traumatike, sepse procesi kryhej në habitatin e tyre të vërtetë, që ishte shqipja. Këtu m’u bë edhe më e qartë pse lexuesi shqiptar dhe ai i huaj e kishin përjetuar librin krejt ndryshe nga njëri-tjetri.

Përtej hendekut midis tejidentifikimit me të dhe mohimit të rrëfimit të Ypit, mund të thuhet lirisht se “Të lirë” nuk paraqet aspak përpjekje për ta manipuluar të shkuarën, ngaqë nuk mëton ta monopolizojë të vërtetën. Përkundrazi, kujtimet e autores rindërtohen të konvergjuara me përvojat, ditarët dhe dialogët. Preokupimet e saj filozofike me lirinë, përgjatë gjithë librit, i presin vijat që ndajnë kujtesën me imagjinatën. Siç do të mund të argumentonte psikologu Frederic Bartlett, kujtesa e ngjarjeve plot gjallëri është produkt i procesit rindërtues përmes copëzave dhe pjesëve të informatave, dhe jo riprodhim identik i së shkuarës. Prandaj, tejfokusimi në disa pasaktësi historiografike bën që të humbet thelbi. “Të lirë” është i bazuar në ngjarje të vërtetë, por nuk është vetë ngjarja. Rrëfimi kalon midis vijave të holla të fakteve dhe imagjinatës letrare. Libri është i shkruar për fundin e pandodhur të historisë. Dhe si i tillë, do t’i qëndrojë testit të kohës, për t’u lexuar edhe për shumë kohë.

* Autori ka një master në Studime Nacionalizmi dhe vazhdon studimet e doktoratës për Sociologji, në Universitetin e Edinburgut. Po ashtu, ligjëron për Konflikte Etnopolitike dhe Politika Krahasuese në Universitetin për Biznes dhe Teknologji(UBT). Kjo kritikë e librit “Të lirë: të rritesh në fund të historisë”, të autores Lea Ypi, është botuar nga London School of Economics Reviews Blog.

/Liberale.al/

JU SUGJEROJME

Pse ndjekësit adhurojnë luanin e “Big Brother VIP”?! Sociologia Marsi Simo: Të famshmit nuk lindin të tillë, ato i bëjmë ne!
Kryesore

Pse ndjekësit adhurojnë luanin e “Big Brother VIP”?! Sociologia Marsi Simo: Të famshmit nuk lindin të tillë, ato i bëjmë ne!

01/03/2023
Armando Dobra bën “bomberin” në Angli, goli i katërt për vitin 2023
Sport

Armando Dobra bën “bomberin” në Angli, goli i katërt për vitin 2023

11/02/2023
Arsenali dështon sërish në Premier League, Leicester mposht thellë Tottenham
Sport

Arsenali dështon sërish në Premier League, Leicester mposht thellë Tottenham

11/02/2023
Armando Broja rikthehet në stërvitje, gëzohen tifozët e Chelsea
Sport

Armando Broja rikthehet në stërvitje, gëzohen tifozët e Chelsea

09/02/2023
Next Post
Ukrainë/ Putin takon ushtarët e plagosur në spitalin ushtarak

Ukrainë/ Putin takon ushtarët e plagosur në spitalin ushtarak

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

No Result
View All Result

     








Më Të Lexuarat

  • 25 VITE MË PARË/ Agolli: Nano, je i dështuar
  • Alpet zgjeron gamën e shërbimeve të ofruara, ja pikat ku mund të gjenden produktet premium!
  • Igli Cara: Porti i Durrësit është afera më e madhe, qyteti i pajetueshëm
  • Forumet UET, CEO i Century 21: Sektori i Pasurive të Paluajtshme, alternativë punësimi për të rinjtë
  • 25 VITE MË PARË/ Shqipëri- Serbi, trafik armësh



Editorial: [email protected]
Synimi: Ndikimi në debatin dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Editorial: [email protected]
Synimi:
Ndikimi në debatin shoqëror dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Marketing

Drejtor Marketingu
Ledio Trungu
Tel : +355683673191
Email : [email protected]uet.edu.al

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

No Result
View All Result
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In