Çmimi i qirave të dyqaneve të biznesit të vogël në muajt qershor-korrik u ul me 10-16%. Operatorët e tregut të agjencive imobilare vlerësojnë se kjo tendencë erdhi nga shtimi i bizneseve të mbyllura, si rrjedhojë e krizës së shkaktuar nga COVID-19. Reduktim të çmimit të qirasë me 5-15% pati edhe tek apartamentet. Edhe ky treg, për shkak të pandemisë, po vuan shtimin e ambienteve të lira për banim nga studentët dhe familjarët që kanë humbur vendin e punës. Në dyqanet e qendrave tregtare, kërkesa për ambiente është rritur, kurse çmimet kanë mbetur të pandryshuara.
Nga Dorina Azo
Çmimet e qirave të dyqaneve dhe të apartamente janë ulur pas hapjes së ekonomisë, krahasuar me periudhën para karantinës. Kjo tkurrje është më e dukshme te biznesi i vogël, teksa pronarët, për shkak të reduktimit të xhiros, i kanë lënë të lira këto ambiente.
Agjencitë imobilare në vend pohojnë se pas karantinës, numri i dyqaneve të mbyllura u rrit, ndërsa zgjatja e pandemisë përtej parashikimeve, që ka frenuar konsumin, ishte goditja e dytë pas karantinës dymujore. Kjo situatë ka ndikuar në uljen deri në 16% të qirave të dyqaneve. Agjencitë imobilare thonë se ka pasur ulje deri në 10% edhe në disa nga rrugët kryesore të Tiranës.
Dukuria e rënies së çmimeve të qirave tek apartamentet, me 5 deri në 15% pas periudhës së karantinës, sipas agjencive imobilare erdhi për shkak të tkurrjes së të ardhurave të familjeve, gjë që ka rritur pamundësinë për të paguar qiratë, si dhe largimin e studentëve. Rënia më e lartë është shënuar për apartamentet me çmime mesatare, 30 deri në 35 mijë lekë në muaj.
Operatorët e tregut vlerësojnë se përqindja e hapësirave bosh në ambientet e zyrave është rritur në krahasim me vitin e kaluar, për shkak të shtimit në treg të stokut, por edhe për këto njësi, çmimet kanë mbetur të pandryshuara. Përqindja e hapësirave bosh të dyqaneve në qendrat tregtare është ulur në krahasim me vitin e kaluar, duke treguar një rritje të kërkesës, ndërsa çmimet e qirave nuk ndryshuan./Monitor/