Kryetari i PD-së, Lulzim Basha akuzon qeverinë për keqmenaxhimin e sistemit energjetik. Në përfundim të mbledhjes me grupin parlamentar të partisë, lideri demokrat tha se bëhet fjalë për një krizë korrupsioni, që sipas tij ka nisur me vendimin që në verë të zbrazej kaskada e Drinit dhe të shitej me 1/3 e çmimit 70 mln euro, ndërsa tani do të blihet 220 milionë euro. Planin e qeverisë Rama me tre pika, e cilësoi “pseudo-paketë”.
“Të enjten do të zhvillohet seanca plenare e javës, jo vetëm rendi i ditës, por edhe gjendja që ka pllakosur vendin janë tregues i qartë se kemi të bëjmë jo me një krizë energjetike, por korrupsioni që ka nisur me vendimin që në verë të zbrazej Kaskada e Drinit dhe të shitej me 1/3 e çmimit që do të blihet tani energjia, pasuria e Shqipërisë.
Pra e shitën 60-70 mln euro dhe do ta blejnë 220 milionë euro. Që ta blejnë do të duhet të marrin borxh, ta nxjerrin nga xhepat e shqiptarëve, kjo është arsyeja që nuk është krizë energjetike, por korrupsioni. Në një vend normal nga i pari i sektorit, përgjegjës politikisht, te drejtuesit Çela i Durrësit dhe të tjerët, duhet të ishin të pandehur” tha ai.
Një “thumb”, Lulzim Basha e kishte edhe për kreun e SPAK-ut, Arben Kraja, i cili në fundjavë ishte pjesë e një aktiviteti të zhvilluar në Tiranë, së bashku me figura të tjera të politikës. “Por ndërkohë që presim që institucionet e drejtësisë të mos zdërhallen tapeve të kuq të vanitetit fundjavor në Tiranë dhe të bëjnë detyrat e tyre para shqiptarëve, ne nuk mund të rrimë duarkryq. Kjo javë do të vazhdojë me një ofensivë që do të ketë në qendër interesin bazik të familjeve shqiptare. Kjo krizë po përkthehet në një rritje çmimesh të gjithanshme” tha ai.