Qeveria është duke marrë në konsideratë ndryshimin e buxhetit të këtij viti, për të siguruar të paktën 100 milionë euro që do t’i akordohen KESH-it për importin energjisë elektrike. Kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar tha dje se furnizimi normal me energji elektrike do të përballohet në çdo rrethanë, kjo do të përballohet me ndërhyrjen e buxhetit, sepse mundësitë e tjera janë pothuajse ezauruar tërësisht. Ndërkohë, burimet në Ministrinë e Financave thanë se ka nisur shqyrtimi për ndryshimin e buxhetit.
Ndryshimi i buxhetit
Ministria e Financave është duke marrë në konsideratë disa variante për sigurimin e një shume rreth 100 milionë euro, që i duhet KESH-it për blerjen e energjisë elektrike deri në sigurimin e prodhimit vendas. Një nga variantet është pagesa e borxheve që institucionet buxhetore i kanë CEZ-it. Shuma është më tepër se 80 milionë euro. Këtë shumë CEZ ia ka borxh KESH-it dhe nëse shlyhet nga qeveria, do të mundësohet importi i energjisë. Por ndërkohë po rishikohen disa zëra të tjerë të buxhetit, bëjnë të ditur burimet në Ministrinë e Financave, që kanë të bëjnë me konsumimin e fondit rezervë të Këshillit të Ministrave dhe Fondin e Kontingjencës. Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave në buxhetin e këtij viti është 2 miliardë lekë, ndërsa Fondi i Kontingjencës për ruajtjen e deficitit, 2.6 miliardë lekë. Të dyja vlerat që mund të përdoren për raste të paparashikuara në buxhetin e vitit 2012 nuk mjaftojnë sikur të shpenzohen vetëm për importin e energjisë elektrike.
Energjia, nuk do ketë kufizime
Kryeministri Berisha tha dje se do të importohet energji pavarësisht kostove. “Është importuar energji sa kurrë ndonjëherë, është bërë gjithçka që energjia të mos mungojë për shkak të furnizimit, dispozimit të saj dhe do të bëhet gjithçka që të furnizohen me të nga sipërmarrja e shpërndarjes CEZ, në mënyrë që qytetarët shqiptarë dhe veprimtaria tërësore të mos vuajë për mungesë energjie”, – tha dje Kryeministri para deputetëve të mazhorancës. Çmimet janë shumë të kripura, sepse edhe në rajon eksportues të rëndësishëm të energjisë janë shndërruar prej kohësh në importues të saj. “Ne do ta blejmë atë sa kohë që do ta gjejmë, në mënyrë që vendi të mos njohë, të mos vuajë mungesën e saj”, – tha Kryeministri. Sipas tij, kjo do të përballohet me ndërhyrjen e buxhetit, sepse mundësitë e tjera janë pothuajse të ezauruara tërësisht. E vërteta është që pavarësisht nga reshjet e shiut në Tiranë apo reshjet e mëdha të dëborës në të gjithë zonën veriore apo verilindore të vendit, digat janë në nivelet më të ulëta historike të tyre. “Bazuar në këtë princip, ne do të mbështesim KESH-in për importimin e sasive të nevojshme, ndonëse konsumi ka arritur vlera të paimagjinueshme, pak vite më parë në 27 milionë kilovat orë dhe më shumë”, – tha Kryeministri.