Djegia e mandateve nga opozita fut vendin në kaos politik dhe institucional. Cilët pritet të jenë skenarët me dy palët që nuk tërhiqen dhe me ndërkombëtarët që kanë bërë gati “valixhet” për t’u marrë edhe një herë me Shqipërinë… Si ra parlamentarizmi brenda një dite dhe pasojat që do ketë në vijim. Skenarët e mundshëm që pritet të ndodhin. Flasin analistët Alfred Peza, Alfred Lela dhe Ilir Kalemaj.
Nga Sebi Alla
Ora 12:30, datë 21 shkurt 2019, Parlamentarizmi ra! Kryedemokrati Lulzim Basha me shpinë nga porta e hekurt e godinës së përhimët të Kryesisë së Kuvendit, kryqëzoi duart dhe shprehu: Mbaroi…! Opozita e gjitha në bllok dorëzoi mandatet e deputetëve në një vendim ekstrem politik, duke regjistruar precedentin e parë në vend, bashkë me pikëpyetjen e frikshme; po tani çfarë do ndodhë? A është vendi në prag të një konflikti jo vetëm politik por edhe me nuanca civile? Pluralizmi politik institucional u fundos në një rrugë pa kthim me djegien e mandatit të deputetëve opozitarë, 28 vjet pasi koncepti shumëpartitizëm ishte siguruar në vigjilje të rënies së regjimit komunist. Rastësi apo jo, në krye të vendit është Partia Socialiste, që tashmë sheh sallën e Kuvendit të boshatisur nga rivalët politikë dhe me një “superfuqi” për të vendosur shumëçka, pa patur asnjë kritikë nga “armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm”… Ndërkombëtarët dukshëm janë kundër vendimit ekstrem të opozitës për djegien e mandateve, duke lëshuar deklarata të forta dhe bërë thirrje me emër të përveçëm dy liderëve opozitarë Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi që të tërhiqen nga vendimi i marrë dhe të distancohen nga çdo akt dhune. Veçohet qëndrimi i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. “Kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme. Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë”, thuhet në deklaratë. Po aq epik ishte edhe qëndrimi i kryedemokratit Basha, i cili përgjigjen e dha duke cituar fjalimin e ish-Presidentit të SHBA Abraham Lincoln, mbi tri parimet bazë të demokracisë.
***
Thirrjet për t’u tërhequr nga djegiet e mandateve nuk kanë më vlerë pasi jemi para një fakti e akti të kryer edhe proceduralisht dhe opozita është pa mandate deputetësh, nuk njeh institucionin e Parlamentit, qeverisë dhe gjendet në rrugë, duke u shkrirë me qytetarët protestues. Kryeministri Rama mundohet të mbajë të karikuar të tijtë, me turin “bashkia që duam”, duke mbledhur një numër të konsiderueshëm qytetarësh, qofshin edhe të punësuar në administratë, por gjithnjë përdor udhë dytësore, për shkak të protestave. Dy Shqipëri, njëra që proteston e tjetra që duartroket kreun e qeverisë, nuk mund të ketë në këtë vend të vogël, dhe ndasitë nisin nga politika. Bashkë me dorëzimin e mandatit të deputetëve, opozita ka lënë në tavolinë kërkesën për largimin e kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie kalimtare dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Dilema për të nesërmen është e madhe, ndërsa vështirë të jepen përgjigje ekzakte se çfarë do të ndodhë më tej, por deri tani vetëm opsione skenarësh po qarkullojnë. Këtë e ka kuptuar edhe kryeministri Edi Rama, që në një fjalim të gjatë prej 35 minutash, të bukurshkruar me fjalor të përzgjedhur, me aforizma të mbetur në tentativë, të shoqëruar me doza emotive e luhatje zëri, foli gjatë duke bërë skanerin e gjithçkaje në kampin opozitar dhe për veten me thënien se nuk është i pagabueshëm dhe se di të kërkojë falje. Këtë herë, ndjesa është pak. Pas djegies së mandateve të opozitës, Rama po luan kartat që ka, duke dhënë “premtimin” se nuk do kishte tërheqje prej tij, e aq më pak zgjedhje të parakohshme. Kryeministri i shquar për batuta, i akuzuar për qeverisje të theksuar “virtuale”, do të donte një opozitë në parlament jo vetëm për koperturë, sepse zëri i saj gjithsesi në aktin final do shuhej nga forca e kartonëve. Rama këmbëngul se është aty me votat masive të shqiptarëve, të lira dhe të ndershme, duke i kujtuar opozitës se në zgjedhjet e qershorit 2017, kishte të gjitha institucionet kryesore të vendit nën kontroll dhe ajo i pranoi rezultatet. “Zgjedhjet do jenë në qershor dhe në vitin 2021. Qasja dhe ndërveprimi ynë me demokratët nuk do mungojë, dora e dialogut për opozitën do jetë e shtrirë. Jeta e tyre parlamentare mbaroi për këtë legjislaturë, por jeta e tyre politike vazhdon. Ne do shërbejmë me përulësi ndaj njerëzve të këtij vendi”, – tha kryeministri. Nga ana e saj, opozita po mbahet nga dosja me numër 339, e cila dyshohet se brenda ka episode të “krimit elektoral” në blerje votash në katër qarqe dhe me këtë fabul po ngre një “kala me kauza” ku më kryesorja është implikimi i eksponentëve të krimit me politikën në pushtet. Gjithashtu, është e frymëzuar edhe nga disa skandale të dyshuara korruptive, ku kryesorja mbahet nga ajo e projektit të Unazës së Re, teksa një kompani me dokumente të falsifikuara e dyshuar me lidhje të forta me elitën qeverisëse, arriti të siguronte dy tendera në shuma të mëdha prej 30 milionë eurosh. Në skenarët e mundshëm, gjithnjë hipotetik dhe jo krejtësisht pa baza, është se Rama mund të dorëhiqet dhe për shkak se nuk krijohet një qeveri e re, atëherë vendi automatikisht shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh. Një situatë e tillë mund të ishte gjysmëfitore për opozitën. Vërtet do ia humbte përkohësisht shkëlqimin Ramës, por me problemet që ka Kodi Zgjedhor, mungesën e institucioneve të drejtësisë dhe data e afërt e zgjedhjeve, do favorizonte më shumë makinerinë pushtet.
***
Në politikën tonë provinciale, fjala “Amerikë” ka konotacion tjetër, qoftë edhe kur ajo ka emrin “Zëri i Amerikës”, për faktin që publikoi shkrimin me të dhëna mbi dyshimet për blerje votash nga eksponentë të rëndësishëm të mazhorancës. Të nxitur nga disa skandale, një lloj arrogance pushteti dhe mbi të gjithë duke lexuar frymën poshtë në popull, partitë opozitare luajtën gjithçka për të vënë në vështirësi kryeministri Rama. “Misionarë të shpresës opozita parlamentare sot dorëzoi mandatet dhe i vuri kyçin parlamentit të krimit. Prej ditës së sotme ne jemi qytetarë të thjeshtë në krahun tuaj, me ju dhe për ju. Nisëm sot një rrugëtim shprese që nuk do ndalet derisa të largojmë kryehajdutin”, -tha kreu i PD-së, Lulzim Basha. Misioni qeveri dhe opozitë, janë në pole krejtësisht të kundërta dhe si gjithnjë për pikëtakim ndoshta do të duhet të zbarkojnë ndërkombëtarët që edhe ata fort të lodhur me paqëndrueshmërinë prej tri dekadash të Shqipërisë. Për të mos këputur fillin e hollë që mund t’i shkaktojë vendit një kaos e përplasje me pasoja, organizmat ndërkombëtarë kanë anuar gjithnjë nga qeveritë, cilado qofshin ato, për të ruajtur një lloj stabiliteti në një demokraci me shumë të meta. Ndërkombëtarët, e investuar fort për Reformën në Drejtësi, mbase po shohin dështimin e tyre në këtë pikë, kur qeveria po akuzohet nga opozita, dhe jo vetëm prej saj, se ka mundur të kapë institucionet kyçe të drejtësisë së re. Nëse edhe ata binden se drejtësia e re ka kamuflazh ndërkombëtar, por me fije që tërhiqen nga pushteti, kjo mund të ishte pika ndarëse me kryeministrin Rama. Zgjidhja imediate është zbutja e tensionit politik dhe publik, sepse nuk janë vetëm “përplasje brirësh” nga një grup politikanësh. Kriza është shtrirë edhe poshtë ndër qytetarë, që deri tani kanë treguar një lloj vetëpërmbajtjeje, por shkëndijat mund të ndezin një zjarr që vështirë të shuhet lehtë, as me frymën e fortë që vjen nga Uashingtoni dhe Brukseli.
“Rama, sot më i qetë se dje, ‘djegia’, filozofi e opozitës”
Alfred Peza, analist, Sekretar i Marrëdhënieve me Mediat në PS
Jemi përpara një akti politik ku opozita në bllok dogji mandatet e deputetëve. Çfarë do të ndodhë tani dhe në vijim, përse opozita arriti në këtë akt ekstrem? Kemi një Parlament “monopartik”, ndërsa qeveria duket se nuk do të tërhiqet dhe të marrë në konsideratë kërkesat e opozitës. A rrezikon vendi kalimin në kaos?
Opozita jonë arriti në këtë akt ekstrem për shkak të filozofisë së saj në qasjen ndaj mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama. PD dhe Kryetari i saj Lulzim Basha bojkotuan në vitet 2013- 2015 komisionin parlamentar për reformën e ndarjes administrativo-territoriale të vendit. Basha deklaronte se nuk hyjmë në zgjedhje me këtë hartë të re. Më pas nxori alibinë se i humbën zgjedhjet lokale të 2015 për shkak të hartës, ndërsa tani vonë pranuan që bojkoti i kësaj reforme ishte një gabim. Për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2017, u “shpik” çadra ku u tha se do të themelohej “Republika e Re” dhe se nuk hyjmë në zgjedhje pa Qeveri Teknike. Në marrëveshje me Ramën, PD dhe Basha morën zv.kryeministrin dhe gjysmën e ministrive më të rëndësishme të qeverisë. Morën drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe të KQZ që janë dy institucionet e vetme përgjegjëse për mbarëvajtjen, ruajtjen, sigurinë dhe certifikimit të rezultatit elektoral. Si përfundim PD e Bashës mori 240 mijë vota më pak se PD e Berishës më 2013. Të 7 anëtarët e KQZ e firmosën rezultatin final. Nga 35 mijë vëzhguesit e zgjedhjeve, ku gjysma ishin të PD nuk pati asnjë kontestim. Në kolegjin zgjedhor nuk u bë asnjë ankimim dhe në raportin final të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR ato u cilësuan si zgjedhjet më të mira të zhvilluara pas 1990 në Shqipëri. Tani PD dhe Basha kujtohen se zgjedhjet paskan patur probleme. Nga ana tjetër, pas zgjedhjeve të 2017 u ngrit komisioni parlamentar për reformën e re elektorale ku do adresoheshin të gjitha problematikat zgjedhore. Por opozita e ka bojkotuar sistematikisht atë. Çka do të thotë se nuk është e interesuar për zgjidhjen e problemeve në rrugë institucionale, parlamentare e ligjore. Ajo kërkon që vendi të kalojë në zgjedhje të parakohshme jo më me anë të “Qeverisë Teknike” si para zgjedhjeve të 2017, por nëpërmjet një “Qeverie Tranzitore”, tani në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Siç duket, e gjitha kjo është një konstante e opozitës, në mënyrën e përballjes me PS e cila ka fituar një mandat legjitim nga qytetarët për ta qeverisur Shqipërinë deri më 2021. Opozita e kupton se nuk e mund dot me votë mazhorancën aktuale, ndaj kërkon nëpërmjet artificeve, që të rikthehen në pushtet. PD e LSI po kërkojnë që të marrin pushtet në tavolinë duke dashur që të provokojë një krizë artificiale politike, për të penguar ndërkohë edhe Reformën në Drejtësi, nga frika e ndëshkimit të liderëve të korruptuar dhe të inkriminuar në këta 30 vjet. Akti i djegies së mandateve nga deputetët e opozitës, është grisje e marrëveshjes 4-vjeçare të mirëbesimit politik të qytetarëve që i kanë votuar. Mazhoranca nuk është e gëzuar që opozita bëri një akt vetëvrasjeje politike, por tani është më e vendosur për të marrë përgjegjësi më të mëdha përpara shqiptarëve. Vendi nuk rrezikon që të kalojë në kaos, sepse ky nuk është zemërimi i qytetarëve, por i një pjese të elitës politike në opozitë. Historia na ka mëzuar se “revolucionet” nuk i bëjnë kastat por populli, nuk i bëjnë “skllavopronarët por skllevërit”, nuk i bëjnë elitat por masat.
Përpara janë zgjedhjet lokale, vendi pret vendimin e BE-së për çështjen e negociatave, ndërsa kjo i shtohet edhe një pakënaqësie popullore me protestat që nisën nga studentët, vijuan me banorët e Unazës së Re dhe u përmbyll me opozitën. Reagimet erdhën për shkak të keqqeverisjes, disa skandale të dyshuara korruptive, arrogancës…, apo qytetarët janë të zhgënjyer dhe po i bashkohen çdo tubimi kundër qeverisjes?
Sigurisht që Shqipëria ka halle e probleme, ka edhe njerëz të pakënaqur, pasi kjo është normale edhe në çdo vend tjetër demokratik. Sado që të bëjnë qeveritë, gjithmonë ka e do të ketë probleme për t’u adresuar e zgjidhur. Njerëz të pakënaqur do të gjesh edhe në vendet më të zhvilluara e më të fuqishme se ne, nga SHBA e deri në Europë. Do t’i gjesh edhe në Francë, edhe në Britani, edhe në Itali, e jo më në Ballkan, e kudo tjetër. Sepse është në natyrën njerëzore që të kërkojë gjithmonë e më shumë dhe kjo është një e drejtë natyrore e qytetarëve. Me këtë nuk dua të them se nuk ka probleme emergjente për të zgjidhur edhe se nuk ka korrupsion. Askush nuk e thotë këtë. Qeveritë nuk maten me shkallën e akuzave që bëjnë ndaj saj opozita apo mediat kritike me të. Por me përgjegjshmërinë për të përballuar sa më shpejt e sa më mirë situatat, për t’i zgjidhur problemet e hallet e njerëzve dhe për t’iu shërbyer sa më mirë qytetarëve të vet. Kërkesat e drejta të studentëve të vërtetë që protestuan në fillim të dhjetorit, janë adresuar tashmë. Disa janë zgjidhur. Të tjera po zgjidhen. “Pakti për Universitetin” u jep mundësi të gjitha zgjidhjeve në kohë dhe hapësirë. E njëjta gjë edhe për hallin e vërtetë të banorëve të Unazës së Re të Tiranës, e kështu me radhë. Për sa u përket protestave qoftë ajo e 16 shkurtit në bulevard e qoftë ajo e të enjtes së 21 shkurtit para Parlamentit, nuk kanë qenë tubime popullore, por organizime partiake të opozitës. Nëse do ishte ndryshe, partitë nuk kanë pse caktojnë data, orë, vende proteste. Nuk kanë pse bëjnë thirrje publike e mediatike. Nuk kanë pse kyçin të gjitha bashkitë e vendit që drejtohen nga opozita, për të sjellë administratën e tyre në Tiranë. Pa llogaritur këtu militantët dhe drejtuesit e strukturave partiake.
Opozita, bashkë me aktin e djegies së mandateve, ka lënë në “tavolinë” edhe kërkesën për krijimin e një qeverie kalimtare (teknike) dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. A mendoni se ky opsion do të jetë i mundshëm dhe qeveria Rama do e marrë në konsideratë për shkak të situatës së krijuar?
Opozitat në të gjitha vendet me demokraci funksionale dhe në të gjitha kohërat, që të nesërmen që humbin zgjedhjet dhe shndërrohen në minoranca për shkak të votës së qytetarëve, kërkojnë të rikthehen në pushtet. Kjo është dëshirë e natyrshme. Por loja demokratike ka disa rregulla të patjetërsueshëm që e mbajnë sistemin në këmbë. Edhe demokracia në Shqipëri, me gjithë problemet e saj në këta 30 vjet, na ka mësuar se: Kurrë nuk mund të vihet në pushtet me dhunë. Kurrë nuk mund të vihet në pushtet me protesta. Por këtë ta garantojnë vetëm zgjedhjet. Nga viti 1997 e deri më sot, kanë kaluar 22 vjet. Vendi ka shkuar në zgjedhje parlamentare, ashtu siç e përcakton Kushtetuta, 1 herë në 4 vjet. Rrotacionet e pushtetit çdo 8 vjet, janë bërë në mënyrë demokratike. Fakti se vendi e ka kaluar prej kohësh rrotacionin e pushtetit, dy herë radhazi njëra pas tjetrës nga një palë te tjetra dhe anasjelltas, do të thotë që ka hyrë në normalitet demokratik. Ndaj, opozita duhet të ketë durimin që të presë 2021, për zgjedhjet e radhës. Nëse pranohet kjo që kërkon opozita, krijohet një precedent tejet i rrezikshëm për demokracinë, jo vetëm në Shqipëri. Sepse nëse për një moment e besojmë se Rama e PS do pranojnë që vendi pas kësaj të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe opozita vjen në pushtet, atëherë çfarë ndodh? Me anë të këtij precedenti të pranuar, sipas logjikës së Bashës e Kryemadhit, PS kalon në opozitë. Pas kësaj, edhe asaj i lind e drejta në çdo kohë që të dorëzojë mandatet e deputetëve të saj dhe vendi të hyjë sërish në zgjedhje të parakohshme. E kështu pambarimisht. Ku shkojmë në këtë rrugë? Çfarë ka përpara këtij monapati të errët? Thjesht e shkurt: Shqipëria bëhet në këtë mënyrë një vend përjetësisht i paqeverisshëm. Kush mund ta pranojë këtë? Edhe nëse e lejon PS dhe Edi Rama, nuk kanë për të na e pranuar kurrë ndërkombëtarët. Sepse ky precedent mund të eksportohet fare lehtë në epokën e sotme edhe në vendet e tyre. Kështu Europa e Bota demokratike do shndërroheshin në gjithçka tjetër, përveç kësaj që janë sot. Shqipëria nuk është shquar ndonjëherë si laborator për shpikje të reja në dobi të sistemit demokratik europian apo botëror. Ndaj, askush nuk mund ta pranojë eksperimentin që kërkon të imponojë tani opozita jonë. Në këtë mënyrë, duke dashur që ta vendosin Edi Ramën në cepin e ringut pa i dhënë asnjë rrugëdalje, opozita është vendosur pa kuptuar përballë arbitrit ndërkombëtar. Ndaj, Edi Rama sot është më i qetë se dje.
Faktori ndërkombëtar deri më tani i ka kërkuar opozitës të mos djegë mandatet në bllok dhe të distancohet nga çdo akt dhune. Ky “sugjerim” ndërkombëtar si mund të lexohet? Ka zëra se ky akt i opozitës mund të çojë në “asgjësimin politik” të saj, por kjo nismë ekstreme, a mund të marrë përpara edhe qeverinë dhe Edi Ramën?
Është fatkeqësi që opozita jonë, nuk ka mësuar nga historia. PD e LSI duan të sfidojnë sistemin, duke dalë prej tij. E më pas, të rikthehen për ta qeverisur atë. Kjo është thjesht një utopi. Me dorëzimin e mandateve të deputetëve, opozita jonë thjesht hodhi veten në erë politikisht, duke u vetasgjësuar. Ndaj, kjo e bën PS e qeverinë e saj dhe më të përgjegjshme për fatet e demokracisë, opozitarëve dhe gjithë qytetarëve shqiptarë në tërësi. Anomalia e krijuar artificialisht nga opozita, e obligon mazhorancën të ngrihet si kurrë më parë, në lartësinë e përgjegjësisë që ka sjellë ky moment. Kjo situatë kalohet me qetësi, kthjelltësi, maturi, përulësi dhe vendosmëri. Besoj se këtë do të bëjnë PS edhe më mirë tani e tutje, bashkë me qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama.
“Opozita la gjithçka, të huajve u duhet pak kohë t’iu dalë ‘narkoza’”
Alfred Lela, analist, drejtor i “Politiko.al”
Jemi përpara një akti politik ku opozita në bllok dogji mandatet e deputetëve. Çfarë do të ndodhë tani dhe në vijim, përse opozita arriti në këtë akt ekstrem? Kemi një Parlament “monopartik”, ndërsa qeveria duket se nuk do të tërhiqet dhe të marrë në konsideratë kërkesat e opozitës. A rrezikon vendi kalimin në kaos?
Në fillim vjen ngecja. Kjo ka qenë tradita e krizave në Shqipëri: kur është dashur një dalje emergjente ka patur përherë vonesa të paarsyeshme, kryesisht nga palët me më shumë pushtet. Në këtë traditë qeveria nuk do të ngutet për të rikthyer ‘kornizat e prishura të paqes dhe pajtimit’, të kushtetutshmërisë, të natyrshmërisë dhe as legjitimitetin tashmë të cungët e të humbur të Kuvendit. Si gazetar, jam në dijeni të telefonatave, sms dhe përçapjeve të tjera që kryetari i grupit parlamentar socialist dhe eksponentë të tjerë të pushtetit, po bëjnë me qëllim bindjen e atyre që janë në lista poshtë kandidatëve të PD, kryesisht nga parti aleate, por edhe ndër demokratët. Në një rast u ka funksionuar edhe me ata që ishin në Kuvend si pjesë e opozitës, ish-deputetin demokrat, Murrizi. Ngecja vjen edhe si pasojë e ‘mpirjes’ që ka shkaktuar veprimi ‘brutal’ i opozitës (Rama nuk e priste që opozita të digjte mjetin e fundit), por edhe përpjekja për të fituar pikë politike me anë të propagandës. Ti mund ta zgjidhësh krizën duke pranuar një negociatë të shpejtë, por bashkë me ofertën e zgjidhjes je duke pranuar edhe fajin. Pas ngecjes do të mbërrijnë tratativat ndërkombëtare. Edhe të huajve do u duhet pak për të dalë nga ‘narkoza’. Në fund palët do të ulen dhe do të gjejnë një zgjidhje, e cila çuditërisht do të ketë edhe më shumë lëshime se kërkuan ndërkombëtarët fillimisht. Shqiptarët e kanë të vështirë të ulen, por po zunë vend dinë të tregohen ‘kavalierë’. Ose më saktë iluzioni dhe lëbyrja që u jep pushteti i një ‘negociate të madhe’ i bën të lëshojnë pe. Është si pas një dreke kur burrat shqiptarë i hidhen njëri-tjetrit në fyt se kush e paguan. Është një lloj mburrjeje e shoqëruar me një kompleks faji. Nuk shoh kaos, pasi kjo është gjendja natyrale e shqiptarit dhe Shqipërisë dhe sidomos e teatrit politik. Them se jemi para shumë të panjohurave, të cilat bëhen edhe më shumë të paparashikueshme nga shtrëngesat kohore. Në katër muaj janë zgjedhjet lokale dhe duhet gjetur një mekanizëm shpëtues për to. Ndërkohë në katër muaj pak gjëra mund të bëhen si duhet në Shqipëri, aq sa për të thënë, pas zgjedhjeve të qershorit, se parametrat qenë të duhurit. Kjo për të mos përsëritur skenën e ‘mosnjohjes së zgjedhjeve’.
Përpara janë zgjedhjet lokale, vendi pret vendimin e BE-së për çështjen e negociatave, ndërsa kjo i shtohet edhe një pakënaqësie popullore me protestat që nisën nga studentët, vijuan me banorët e Unazës së Re dhe u përmbyll me opozitën. Reagimet erdhën për shkak të keqqeverisjes, disa skandale të dyshuara korruptive, arrogancës…, apo qytetarët janë të zhgënjyer dhe po i bashkohen çdo tubimi kundër qeverisjes?
Nuk duhen parë si të shkëputura nga njëra-tjetra. Ngjarjet e gënjyen Edi Ramën duke i krijuar iluzionin, me anë të sondazheve të rregullta që ai zhvillonte, se a-ose ishte krijuar një pandjeshmëri në publik, ose b-njerëzit e adhuronin atë. Kësaj mund t’ia atribuoni edhe shprehjet “sa të jetë PS (lexo: Rama) shqiptarët nuk do t’ju votojnë kurrë”, e të tjera. Publiku i kohëve të reja ka një tjetër mekanizëm reagues dhe ai është vështirë i dallueshëm. Ky ‘mekanizëm i fshehtë’ çoi në suksesin e Donald Trump në Amerikë. Kështu që janë të gjitha ngjarjet, por edhe të gjitha durimet e publikut të kthyera më në fund në padurim. Protesta e 16 shkurtit duhet lexuar si fundi i durimit. Nëse shihje me vëmendje te veprimet e ‘dhunuesve’ të Kryeministrisë, aty kishte më shumë frustrim (ndrydhje) se sa dhunë.
Opozita, bashkë me aktin e djegies së mandateve, ka lënë në “tavolinë” edhe kërkesën për krijimin e një qeverie kalimtare (teknike) dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. A mendoni se ky opsion do të jetë i mundshëm dhe qeveria Rama do e marrë në konsideratë për shkak të situatës së krijuar?
Qeveria tranzitore (e ndërmjetme) është më e mira e të dy botëve, si me thënë. Me anë të këtij kushti opozita po thotë ‘nuk kërkojmë pushtet në tavolinë, por krijimin e mjedisit për garë të barabartë’. E shoqëruar kjo me aktin e dorëzimit të mandateve, i cili është parë vetëm në anën e jashtme të tij, pra atë të tronditjes së një akti të fortë dhe të paprecedent, dhe jo në atë të brendshme. Ana e brendshme ka të bëjë me atë se opozita, duke lënë mandatet ka dorëzuar imunitetin, privilegjet dhe një karkasë mbrojtëse. Opozita ka realizuar kështu dy etapat e para të një lëvizjeje të suksesshme politike, ndërprerjen (disruption) dhe sakrificën (djegien e mandateve). Rezistenca në kohë është e treta dhe këtë duhet të kërkojë ajo prej vetes, një qëndresë para trysninë së kohës dhe ndërkombëtarëve. Ajo është e mbrojtur nga sakrifica e cila, duhet thënë, ia ka rritur pikët në publik. Qeveria Rama nuk është në kushtet e luksit të vazhdimit e vetme në këtë rrëpirë që ka shkaktuar djegia e mandateve. Nëse opozita shihet si ‘mistrece’ nga të huajt, nuk është se qeverisë nuk i dihen të zezat. Me këtë rekord që ka qeveria e tij, Rama nuk mund të predikojë gjatë korniza kushtetutshmërie, legjitimiteti, virtyti politik, e me radhë. Në fund të fundit, opozita ka lëshuar gjithë çka mund të lëshonte dhe, gjithmonë, qeveritë kanë më shumë për të lëshuar. Mbi këtë filozofi kam përshtypjen se do të zhvillohen ndërmjetësimet. Nëse Rama mendon se falli i sondazheve i del edhe në jetë, pse të ketë frikë të pranojë një qeveri të ndërmjetme dhe të fitojë pas tyre duke i mbyllur gojën opozitës ‘mistrece’. Nëse ‘precedenti’ është pengesa, askush nuk e beson. Qoftë edhe për faktin se, z. Rama do të mund ta përdorte edhe vetë këtë ‘precedent’ po t’i lindte nevoja në të ardhmen.
Faktori ndërkombëtar, deri më tani i ka kërkuar opozitës të mos djegë mandatet në bllok dhe të distancohet nga çdo akt dhune. Ky “sugjerim” ndërkombëtar si mund të lexohet? Ka zëra se ky akt i opozitës mund të çojë në “asgjësimin politik” të saj, por kjo nismë ekstreme, a mund të marrë përpara edhe qeverinë dhe Edi Ramën?
‘Asgjësimi politik’ mund të ndodhte në rastin e një ‘opozite pa popull’. Nuk më duket ky rasti, gjykuar nga 16 shkurti dhe as nëse mbledh votat që të gjitha partitë e opozitës kanë marrë në zgjedhjet e fundit. Pak i ndan dy grupet politike, edhe nëse nuk merr në konsideratë asnjë prej ngjarjeve të ndodhura gjatë vitit të fundit, ku sundojnë skandalet korruptive. Do të ishte naivitet të flisje për asgjësim. Siç është gomarllëk që të sajosh një ‘opozitë pa popull’ siç sugjerojnë terxhumanët e qeverisë në shtypin e tyre tabloid. Manteli i opozitarit, që mbështetet nga ndërkombëtarët, hedhur përmbi supet e Blushit, Topit, Bojaxhiut etj., është diversion për ‘pesë pare spec’, por jo mendim politik. Po kaq pak i besoj edhe ‘zhdukjes’ së Ramës dhe PS nga skena politike. Jemi shoqëri tradicionale, konservatore dhe, antropologjikisht, nuk e interpretojmë dhe as e mbajmë dot këtë këmbim tak-fak të luajaliteteve politike që disa e kanë në kokë sa për sport apo si dëshirë personale. Historia jonë, që nga koha e pluripartizmit të Ahmet Zogut na tregon një spektër me dy kahje, me një dikotomi të ashpër politike. PD dhe PS janë dy parti logjikat e të cilave mund të kërkohen te Partia Përparimtare dhe ajo Popullore e viteve ’30.
“Koha për politikë të re; pushtet që dëgjon dhe opozitë që reflekton”
Ilir Kalemaj, analist politik
Jemi përpara një akti politik ku opozita në bllok dogji mandatet e deputetëve. Çfarë do të ndodhë tani dhe në vijim, përse opozita arriti në këtë akt ekstrem? Kemi një Parlament “monopartik”, ndërsa qeveria duket se nuk do të tërhiqet dhe të marrë në konsideratë kërkesat e opozitës. A rrezikon vendi kalimin në kaos?
Dalja në pah e disa përgjimeve që duken se implikojnë kryebashkiakun e Durrësit dhe dosja tashmë e famshme 339, të cilat u investiguan fillimisht nga BIRN dhe më pas dolën dhe te Zëri i Amerikës sollën shtimin e pikës së fundit të ujit në një tenxhere që kishte filluar të derdhej. Është e vërtetë që Shqipëria, ndonëse vend i vogël, kontributet empirike dhe teorike ndonjëherë i ka të mëdha. Mjaft të përmendim “Dushkun” e famshëm, por edhe precedentin që po krijohet me djegien e mandateve nga ana e opozitës. Por nevoja ekstreme, pjell zgjidhje po ekstreme. Me një pushtet që nuk dëgjon, të kapërcyerit e vetvetes dhe çeljes së shtigjeve të reja politike shpesh kthehet në domosdoshmëri. Është koha për një stinë të re politike. Për një pushtet që dëgjon dhe një opozitë që reflekton. Natyrisht e mira është që palët të takohen diku në mes dhe të gjejnë gjuhën e dialogut për të ecur para me çeljen e negociatave por dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.
Përpara janë zgjedhjet lokale, vendi pret vendimin e BE-së për çështjen e negociatave, ndërsa kjo i shtohet edhe një pakënaqësie popullore me protestat që nisën nga studentët, vijuan me banorët e Unazës së Re dhe u përmbyll me opozitën. Reagimet erdhën për shkak të keqqeverisjes, disa skandale të dyshuara korruptive, arrogancës…, apo qytetarët janë të zhgënjyer dhe po i bashkohen çdo tubimi kundër qeverisjes?
Janë tashmë disa skandale rresht në Republikën e Spektaklit ku krye-estetisti i sheh ngjarjet tek shpërfaqen si një faraon i kohëve moderne. Skandali i tenderit të Astirit që gllabëronte rreth 20 milionë euro për kilometër me anë të një firme fantazmë, tjetërsimi i pronës publike që është thembra e Akilit pas prishjes së Teatrit Kombëtar, indiferenca e reflektuar me mungesën e financimit në arsim dhe vramendjen përgjithësisht periferike për problemet dhe plagët sociale të vendit, duke përfshirë emigrimin masiv, sollën dhe mahisjen e përplasjeve politike si qershia mbi tortë. Në mungesë të hapësirave për dialog, të ballafaquar me një pushtet që nuk dëgjon, opozita kishte pak apo aspak instrumente për të komunikuar me një pushtet arrogant në numra dhe kokëfortë në praktikë.
Opozita, bashkë me aktin e djegies së mandateve, ka lënë në “tavolinë” edhe kërkesën për krijimin e një qeverie kalimtare (teknike) dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. A mendoni se ky opsion do të jetë i mundshëm dhe qeveria Rama do e marrë në konsideratë për shkak të situatës së krijuar?
Ky është në fakt opsioni më i mundshëm për të çelur shtigjet e dialogut dhe mirëkuptimit dhe nuk kuptohet kokëfortësia e qeverisë që me pozime arrogante nuk pranon të delegojë përgjegjësinë për të luftuar ingranazhet e krimit dhe korrupsionit dhe përgatitjes së një reforme të mirëfilltë elektorale një qeverie kalimtare teknike pa pjesëmarrjen e forcave politike. Në të mund të ishin fare mirë, personalitete të spikatura të jetës akademike dhe publike të vendit, figura me integritet të plotë dhe ndershmëri personale dhe profesionale, të aftë dhe të gatshëm për një sakrificë afatshkurtër për të kryer angazhimin e tyre publik në mbrojtje të një republike të rithemeluar vlerash dhe që do çonte dhe në një qarkullim normal elitash dhe zgjidhte krizën e përfaqësimit në një të ardhme jo fort të largët.
Faktori ndërkombëtar deri më tani i ka kërkuar opozitës të mos djegë mandatet në bllok dhe të distancohet nga çdo akt dhune. Ky “sugjerim” ndërkombëtar si mund të lexohet? Ka zëra se ky akt i opozitës mund të çojë në “asgjësimin politik” të saj, por kjo nismë ekstreme, a mund të marrë përpara edhe qeverinë dhe Edi Ramën?
Nuk ka akt koheziv dhe në përputhje minimalisht me bazën e elektoratit të vetë (se fjala vullnet i sovranit është tepër butaforike në këtë rast) që të çojë në “asgjësim politik”. Krijimi dhe mbajtja e frymës, e reflektuar me numra dhe me aksione të qarta opozitare në kuadër të një strategjie të mirëmenduar, për mos t’ia lënë në dorë spontanitetit, natyrisht që vjen koha dhe jep frytet e saj. Në fund të fundit, siç na mëson Çurçilli: Suksesi nuk është final, dështimi nuk është fatal: është kuraja për të vazhduar që ka rëndësi.