Kryetari i Partisë Demokratike denoncon me shifra masat e mangëta ekonomike të qeverisë në situatën e pandemisë dhe gjendjen e rënduar të biznesit. Sipas Bashës, ndihma e qeverisë nuk ishte as 1 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, që është më e ulëta në rajon. Por edhe ajo, nuk u shpërnda e plotë. Kreu i opozitës thotë se vetëm 32 për qind e paketës shkoi te bizneset dhe njerëzit në nevojë.
Kryetari i PD, Lulzim Basha shprehet se biznesi i vogël po vuan krizën e rëndë të shkaktuar nga pandemia. Sipas tij, ndihma e qeverisë nuk ishte as 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke u renditur të fundit në rajon.
“Ndihma reale për ekonominë nga qeveria Rama nuk arriti as në 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto duke u renditur e fundit në rajon. Faktet sot tregojnë se është lëvruar vetëm 32% e fondit total të dy paketave të premtuara nga qeveria”, thotë Basha në një postim në rrjetet sociale. “Ndërsa qeveritë në mbarë botën po vazhdojnë mbështetjen ekonomike dhe sociale për bizneset, qytetarët e veçanërisht të rinjtë qeveria e Shqipërisë ofron vetëm video 3D dhe propagandë”, vijoi ai.
Deklarata
Pesë muaj pas mbylljes nga pandemia, është fakt që paketat ekonomike të qeverisë rezultuan gjysmake, të pamenduara dhe pa asnjë efekt për të lehtësuar krizën për qytetarët dhe bizneset. Ndihma reale për ekonominë nga qeveria Rama nuk arriti as në 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto duke u renditur e fundit në rajon. Faktet sot tregojnë se është lëvruar vetëm 32% e fondit total të dy paketave të premtuara nga qeveria.
Shqiptarët janë sot më të varfër se kurrë këto 30 vitet e fundit, qindra biznese të vogla kanë mbyllur dyert, mijëra qytetarë kanë humbur vendet e punës, qindra studentë e kanë të pamundur të përballojnë jetën studentore. Këtë vit shumë familje do ta kenë të pamundur të çojnë fëmijët në universitete për shkak të pamundësisë ekonomike. Ndërsa qeveritë në mbarë botën po vazhdojnë mbështetjen ekonomike dhe sociale për bizneset, qytetarët e veçanërisht të rinjtë qeveria e Shqipërisë ofron vetëm video 3D dhe propagandë.
PD që në ditët e para të karantinës, duke vlerësuar situatën dhe pas konsultimeve me ekspertët më të mirë në vend i ofroi qeverisë propozime konkrete për të parandaluar thellimin e krizës ekonomike si dhe strategjinë e daljes nga karantina. Por, qeveria Rama refuzoi t’i marrë në konsideratë propozimet tona duke i lënë shqiptarët dhe ekonominë e tyre në mëshirën e fatit.
Sepse si në ditët e para të pandemisë dhe sot kur situata si shëndetësore dhe ekonomike është tejet e rënduar qeveria Rama mendon vetëm për veten dhe klientët e saj oligarkë. Partia Demokratike është angazhuar seriozisht me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj për t’i kthyer frymëmarrjen vendit, për ta sjellë ekonominë në shinat e zhvillimit dhe siguruar punësimin e shqiptarëve. Punësimi mbetet prioriteti im kryesor dhe për ta garantuar këtë ne do të marrim vendimet dhe veprimet e nevojshme.
Lehtësimi i barrës fiskale, përgjysmimi i lejeve dhe licencave dhe ulja e taksës së punës janë disa nga masat e para që do marrë qeveria jonë. Ne do të krijojmë kushtet ekonomike dhe sigurinë e nevojshme që investitorë të huaj me potenciale të mëdha punësimi të vijnë në Shqipëri.
Çlirimi i ekonomisë nga monopolet dhe oligarkët do t’u hapë rrugë tregjeve të lira, zhvillimit dhe punësimit të njerëzve. Pavarësisht vështirësive që po kalojmë, këto kohë jam i bindur se së bashku do t’ia dalim të sjellim ditë më të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët përmes një qeverie normale që punon për qytetarët dhe jo për një grusht oligarkësh.
Teliti: Qeveri e falimentuar që ka zhytur në borxhe shqiptarët
Eksperti i ekonomisë pranë Partisë Demokratike, Dorian Teliti ka shkruar në një status në Facebook lidhur me raportin e Bankës së Shqipërisë në të cilën thuhet, sipas tij, se shqiptarët po marrin borxhe për të paguar borxhet. Darian Teliti shprehet se kjo është një qeveri e falimentuar që ka zhytur në borxhe qytetarët shqiptarë.
“Qeveria e buxhetit të falimentuar ka marrë në qafë edhe ekonominë e shqiptarëve. Kudo nga shkojmë shohim trishtim e varfëri. Realitetin e hidhur që po jetojmë nuk e mbulojnë dot as propaganda e as mashtrimet e kësaj qeverie. Faktet janë tronditëse, ekonomia vazhdon të bjerë në pikiatë, siç rikonfirmohet edhe nga raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë. Tashmë shqiptarët po marrin borxhe jo për të hapur një biznes të ri apo për të blerë një banesë për familjen e tyre, por po zhyten akoma edhe më shumë në borxhe thjesht për të shlyer borxhet e vjetra. Konsumi po bie dita-ditës, mijëra biznese kanë mbyllur qepenat për të mos i hapur më, dhjetëra mijëra kanë humbur e po humbasin vendet e punës edhe sot që flasim.
Qeveria nuk e sheh këtë realitet, për të vendi ka vetëm disa oligarkë të superpasuruar, ndërsa Shqipëria tjetër, ajo e vërteta, është zhytur në skamje dhe shteti nuk kujdeset për ta, siç u pa edhe në këta muaj pandemie, ku çdo shqiptar mori mbështetje direkte nga buxheti i shtetit vetëm 7 euro në muaj/frymë.
Në këto momente të vështira, të gjitha energjitë dhe resurset duhet të fokusohen në hartimin dhe zbatimin e politikave pro-biznes dhe në mbështetje të konsumit. Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar jemi të ndërgjegjshëm për gjendjen kritike ku ndodhet vendi dhe shumë shpejt do prezantojmë planin e detajuar për daljen nga kriza dhe rigjallërimin e ekonomisë shqiptare.
Taksimi më i ulët në rajon, eliminimi i dhjetëra lejeve e licencave, lufta ndaj monopoleve dhe anulimi i PPP korruptive, politika buxhetore dhe jo vetëm për sektorët prioritarë, rritja e mbështetjes ndaj pensionistëve dhe shtresave në nevojë, do të jenë shtyllat kryesore të programit tonë qeverisës që do të nisë të implementohet që ditën e parë që shqiptarët me votë të lirë do të na besojnë drejtimin e punëve të vendit. Është koha për reflektim, është koha për të hequr dorë nga borxhet për të shlyer borxhe, është koha për t’u rimëkëmbur përmes planeve ekonomike të sigurta për shqiptaret”.
EUROSTAT: Ekonomia shqiptare humbi 400 mln euro në tremujorin e parë
Ekonomia shqiptare rezulton të ketë humbur rreth 400 milionë euro që në tremujorin e parë të këtij viti, si rrjedhojë e tërmetit dhe pandemisë që detyroi një mbyllje të ekonomisë nga mesi i muajit mars. Shifra u publikua në statistikat e përditësuara të EUROSTAT, për vendet anëtare, ku përfshihen dhe shtetet e rajonit.
Prodhimi i Brendshëm Bruto me çmime tregu për Shqipërinë zbriti në 3 miliardë euro, nga 3.4 miliardë euro në tremujorin e mëparshëm, duke arritur në nivelin më të ulët që nga tremujori i parë 2018.
Më herët, INSTAT raportoi se Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e parë të vitit 2020 vlerësohet me rënie prej 2,52%, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2019. Tërmeti në fund të vitit të kaluar, që frenoi sektorin e ndërtimit dhe mbyllja e ekonomisë në gjysmën e dytë të muajit mars, e kanë çuar ekonominë në territor negativ në tremujorin e parë të vitit.