Presidenti i Republikës, Ilir Meta, pritet të zhvillojë sot një takim me partitë e vogla, aleate të Partisë Demokratike. Burime nga presidenca bëjnë të ditur se takimi pritet të nisë rreth orës 11:00 dhe vjen me kërkesë të aleatëve të koalicionit opozitar.
Pasditen e të hënës, kreu i PD Lulzim Basha takoi aleatët e tij për rreth 60 minuta në selinë e PD. Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ai i PDK-së, Nard Ndoka, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule etj, dolën me një qëndrim të unifikuar ku kërkuan ndryshimin e kodit zgjedhor, të cilin e cilësuan strumbullarin e krizës.
Ndërsa më herët gjatë mesditës së djeshme, aleatët e Bashës propozuan 12 pika për zgjidhjen e ngërçit, ndërsa apeluan për marrëveshje maxhorancë-opozitë. Pak ditë më parë ata takuan edhe kreun e BE-së në vendin tonë, Luigi Sorecën si dhe ambasadorin e OSBE, e fill pas këtij takimi i bënë thirrje Presidentit pët takim.