Kryesore

Kriza politike, ministri gjerman, Roth: Palët të gjejnë mirëkuptim






               Publikuar në : 14:50 - 14/03/19 |
mapo.al

Pas takimit në Berlin me ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth flet për përshtypjet pozitive nga takimi e rrezikun që sjell polarizimi politik. Ai apelon për gjetjen e konsensusit mes palëve, ndërsa thekson se bojkoti i parlamentit nga opozita është veprim i papërgjegjshëm. Akuzat për shitblerjen e votave, thotë Roth, duhet të adresohen te institucionet e shtetit.


Deutsche Welle: Ministër i Shtetit Roth, ju u takuat për herë të parë me Z. Cakaj, në rolin e tij si ministër i jashtëm i Shqipërisë në detyrë. Cilat ishin përshtypjet tuaja?
Fitova një përshtypje pozitive për kolegun e ri. Ai është një politikan shumë profesional dhe shumë kompentent në biseda. Bëra të qartë edhe një herë se edhe ne i vlerësojmë përpjekjet e deritanishme për reforma. Sidomos në reformën e gjyqësorit. Vettingu është një model unik për pastrimin e tërë sistemit të drejtësisë nga korrupsioni. Bëra edhe njëherë të qartë se nevojiten reforma të mëtejshme, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Është gjithashtu shumë e rëndësishme që reformat duhet t’i komunikohen mirë publikut evropian. Folëm edhe për politikën e brendshme. Polarizimi ndërmjet opozitës dhe qeverisë nuk është një fenomen shqiptar, por e konstatojmë me keqardhje edhe në shumë vende të tjera në tranzicion. E konsiderojmë të papërgjegjshëm bojkotin e parlamentit nga partitë opozitare. Sepse nuk është vetëm bojkot kundër parlamentit ose i qeverisë, por edhe ndaj demokracisë. Parlamenti është vendi, ku duhet bërë debati. Ne kërkuam që këtu të ndërhyhet për zbutje. Por kam frikë se situata tashmë është shumë e helmuar.

Opozita akuzon qeverinë se i ka blerë votat në zgjedhjet e mëparshme, prandaj e quan parlamentin jolegjitim. Cili është qëndrimi juaj këtu?
Akuza duhet të bëhen me anë të institucioneve të shtetit të së drejtës. Si mund të bëhen ndryshe? Shteti i së drejtës nuk mund të anashkalohet duke ndalur punën në parlament. Demokracia nuk funksionon në këtë mënyrë. Kush vepron kështu, me sa duket nuk i ka kuptuar parimet e shtetit të së drejtës.

A e rrezikon gjendja aktuale në Shqipëri çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE?
Unë do të dëshiroja që, edhe nëse grindja është nevojshme, të mos dilet nga tema. Debati është elikzir i një demokracie të gjallë. Por është e rëndësishme që të ketë mirëkuptim thelbësor në disa çështje, pavarësisht se kush është në opozitë e kush në qeveri. Aty përfshihen çështjet kushtetuese, çështjet zgjedhore dhe, për mua, çështjet e afrimit me BE. Këto çështje duhet të mbështeten nga një konsensus i gjerë politik. Dhe sigurisht, konflikte të tilla kaq agresive ne politiken e brendshme kanë një efekt paralizues, sepse ato gjithashtu prodhojnë tituj negativë në media. Nga ana tjetër, reformat mund të fillojnë vetëm nëse funksionon parlamenti.

Qarkullojnë fjalë se Maqedonia e Veriut mund ta marrë dritën jeshile për bisedimet, por jo Shqipëria. I keni dëgjuar edhe ju këto përsiatje?
Jo, këtë nuk e kam dëgjuar ende. Por këtu procedura është shumë e qartë: raporti i progresit të Komisionit Evropian do të publikohet më 29 maj. Vitin e kaluar, në qershor, ne e shqyrtuam çështjen e anëtarësimit në BE me shumë dashamirësi si për Shqipërinë edhe për Maqedoninë e Veriut. Por nuk do të ketë automatizem. Vendimi ynë do të bazohet te raporti i Komisionit. Në rastin e Gjermanisë fjalën e fundit e ka Bundestagu.

Pra, gjithçka është e hapur?
Gjithçka është e hapur. Është ende në proces. Në muajt e ardhshëm mund të vazhdohet me reforma të rëndësishme. Sa më shumë reforma që të ketë në në muajt e ardhshëm aq më mire është për vendimin pozitiv.


Etiketa: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas