Kryeministri Edi Rama duket se dha shenjat e një tërheqjeje nga 30 qershori si datë për zgjedhjet. Ai i shkroi kreut të PD duke kërkuar dialog pa kushte, por Lulzim Basha reagoi duke thënë se vendimmarrjen do e ketë populli
Kryeministri Edi Rama kishte vendosur ta linte për fund pjesën ku shprehej se nuk kishte shumë shpresë se kundërshtari politik, Lulzim Basha, do i kthente një përgjigje pozitive. Megjithatë, të mërkurën ai bëri publike një letër në faqen personale në Facebook, ku i bënte thirrje Bashës për dialog. Dikush që e njeh mirë komunikimin, e di se letra nuk ndryshonte shumë nga deklaratat e mbajtura nga kryeministri Edi Rama në thuajse çdo dalje publike që prej nisjes së krizës. Ai kërkon dialog pa kushte dhe thotë se nuk e mirëkupton rrugën e zgjedhur nga opozita. Për vëzhguesit e vëmendshëm, ndoshta momenti më interesant i letrës është ai kur Rama lë të hapur mundësinë për shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Kryetari demokrat, Lulzim Basha, u përgjigj ashtu siç mund të mendohej, duke thënë se largimi i Edi Ramës është vetëm fillimi. Për Bashën, nuk do ketë më kulisa, për një reformë rrënjësore në politikë.
Rama: Dialogu nuk mund të pengohet
“Zoti Kryetar, Ju drejtohem me këtë letër publike, në përpjekjen për t’i thirrur arsyes Suaj dhe për t’iu kthyer të vetmes rrugë që demokracia njeh, për trajtimin e mosmarrëveshjeve mes palëve: Dialogut!
Unë sigurisht, s’kam asnjë mirëkuptim për rrugën e zgjedhur prej Jush, qyshse braktisët marrëveshjen pozitive të 17 majit 2017 dhe vendosët ta nxirrnit grupimin Tuaj, plotësisht jashtë shinave të shtruara në atë marrëveshje. S’kam se si ta mirëkuptoj as gjuhën e urrejtjes, as djegien e mandateve, as dhunën e frymëzuar e organizuar prej Jush, prej së cilës nuk jeni distancuar asnjëherë; për të cilën jeni akuzuar botërisht, me emër e me mbiemër, nga partnerët e miqtë e pazëvendësueshëm të Shqipërisë dhe si pasojë e së cilës sot, një numër jo i vogël ndjekësish Tuajt gjenden në duart e drejtësisë. S’kam si të mirëkuptoj kurrsesi, as bojkotin e paprecedentë të zgjedhjeve dhe lëre pastaj, shantazhin mbi vendin e mbi qytetarët e këtij vendi, se Ju nuk do t’i lini ata të votojnë në 30 qershor.
Por mungesa e plotë e mundësive të mia për të mirëkuptuar gjithë sa më lart, nuk më pengon, përkundrazi, më detyron t’Ju drejtoj publikisht, këtë herë me shkrim, ftesën për t’u ulur pa humbur kohë në Tryezën e Dialogut. Dialogun s’mund ta pengojnë assesi, qoftë pozicioni Juaj ekstrem në lidhje me zgjedhjet vendore, qoftë pamundësia ime ekstreme në lidhje me datën kushtetuese të zgjedhjeve.
Jeta politike nuk mbaron në 30 qershor dhe që të jemi të qartë mes nesh, zgjedhjet në 30 qershor Ju mund t’i vështirësoni, nëse do t’i shkoni deri në fund rrugës pa krye, ku po e udhëhiqni grupimin Tuaj politik, por s’ka asnjë shans që t’i ndaloni të zhvillohen. Por Dialogu duhet të nisë pa humbur kohë, pavarësisht atyre që thoni e mendoni të bëni Ju në 30 qershor dhe pavarësisht faktit se unë 30 qershorin s’kam asnjë fuqi ligjore ta negocioj, edhe pse Ju jeni i lirë ta diskutoni në Tryezën e Dialogut.
Unë Ju ftoj në një dialog pa kushte dhe në kushtet kur Shqipëria e shqiptarët, nuk meritojnë përkeqësimin e një situate politike krejt të pakuptimtë, e cila po u kushton në mënyrë krejt të pamerituar. Shumica dërrmuese e tyre, përfshirë edhe shumicën e atyre që si zgjedhës të pakicës, s’kanë votuar e s’kanë ndërmend të votojnë ndonjëherë për mua dhe qeverinë që drejtoj, duan dialog mes nesh, e jo acarim mes shqiptarëve dhe dëmtim të Shqipërisë, për shkakun tonë. Aq më pak duan çka Ju po u ofroni sot, në një rrugë ku, të kuptohemi, nuk është fare halli im se do shkoni keq e më keq politikisht si grupim, po ku edhe ata vetë janë të humbur dhe ku askush nuk del i fituar.
Me shpresën e vobektë se ftesa ime do të merret parasysh dhe me urimin, që përveç fjalive propagandistike, të marr mbrapsht edhe përgjigjen pozitive për këtë ftesë, Ju lutem zoti Kryetar të pranoni shprehjen e dëshirës sime të sinqertë për shëndet të patrazuar, për Ju personalisht dhe familjen Tuaj”.
Basha: Nuk ka pakte kulisash
“Kjo betejë nuk do të mbarojë thjesht me largimin e Edi Ramës. Largimi i Edi Ramës është hapi i parë i panegociueshëm, hapi që do t’i hapë rrugë zgjidhjes politike të krizës.
Por, fjalën vendimtare për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të plagëve që shkaktojnë këtë krizë, do ta kenë përsëri shqiptarët.
Deputetë të zgjedhur drejtpërdrejt në 100 zona mazhoritare, apo sistem kombëtar me lista të hapura. Senat që e ngadalëson dhe e bën transparent procesin legjislativ. President me kompetenca të plota që kontrollon dhe balancon pushtetet, pse jo president të zgjedhur nga populli. Ndarje dhe balancim të pushteteve që garantojnë gjyqtarë dhe prokurorë të pavarur dhe që zbatojnë ligjin. Referendume popullore, lokale dhe kombëtare, që sovrani, populli të ketë gjithmonë mundësinë, levën, për t’ju mbivendosur çdo politikani që humb arsyen dhe kërkon të mashtrojë votuesit. Referendum për gjithçka që kanë të bëjnë me shëndetin, sigurinë, jetën. Këto janë disa nga propozimet, për të cilat angazhohem sot se nuk do të ketë pakte kulisash, do të ketë një dialog kombëtar dhe në fund një vendimmarrje me referendum nga populli”.
Manjani: Teatër i Ramës për të kënaqur ndonjë zv.ambasador
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i ftuar në studion e lajmeve të RTV Ora komentoi letrën publike të kryeministrit Edi Rama adresuar kryedemokratit Lulzim Basha.
Manjani u shpreh se lëvizja e Ramës është asgjë më shumë sesa një teatër që bëhet për të kënaqur ndonjë zëvendësambasador.
Nga ana tjetër, ish-ministri theksoi se realizimi i një dialogu nuk ka asgjë të keqe, sepse sot shqiptarëve iu duhet patjetër një datë zgjedhjesh dhe këtë e ka Rama në dorë.
Ky është teatër. Ky është një muhabet kot. Ftesa për dialog nuk bëhet me letra publike. Po të jemi pak më seriozë, ftesa për dialog duhet të ketë një agjendë, një tryezë, ka një orë, një vendtakimi, ka një gjithëpërfshirje sepse në këtë Shqipëri nuk jeton vetëm Edi Rama dhe Lulzim Basha. Asgjë e sinqertë. Është një teatër për të kënaqur ndonjë zëvendësambasador. Megjithatë nuk ka asgjë të keqe në dialog, të jemi realistë. Ajo që i duhet vendit sot është absolutisht një datë zgjedhjesh. Këtë e ka në dorë Edi Rama dhe mos të shkruajë letra fare.
Sipas Manjanit, Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk ka asgjë në dorë për zgjidhjen e situatës politike, madje as vetë opozita.
Ish-ministri theksoi se shqiptarët kanë nevojë për një parlament pluralist dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve, as me dialog e as me letra publike.