Aktualitet

Kriza, të gjithë me sytë nga ambasadorja Kim





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 09:45 - 25/01/20 |
mapo.al

Pritshmëritë që zgjidhja e krizës politike do të vijë tashmë edhe falë ambasadores së re amerikanë në Tiranë, janë të larta. Në mesin e kësaj jave, Yuri Kim ka mbërritur në zyrën e saj në Rrugën e Elbasanit. Cilat mund të jenë prioritetet dhe si ka reaguar media jonë deri tani. Një raport i detajuar i gazetës Mapo mbi këtë zhvillim.


Që nga e mërkura e datës 22 janar, selia e ambasadës së SHBA në Tiranë ka tashmë ambasadorin e ri. Quhet Yuri Kim, me origjinë koreano jugore dhe e rritur në Guam, një ishull i vogël në Paqësor, pjesë e territorit të Shteteve të Bashkuara. Në një vend si Shqipëria ardhja e ambasadorit të ri amerikan nuk kalon pa vëmendje, për vetë peshën specifike që ky post diplomatik ka. Kjo për shumë shkaqe, historike dhe politike. Diplomacia amerikane në këto 30 vitet e ndërrimit të sistemit ka pasur një rëndësi jo të vogël në jetën shoqërore në përgjithësi dhe atë politike në veçanti. Ajo ka qenë prezente që në momentet e para të rrëzimit të diktaturës dhe thuajse në të gjitha etapat e zhvillimeve të mëtejshme. Çdo ambasador ka lënë gjurmën e tij aq sa shqiptarët mund të jenë nga të paktët popuj që mbajnë mend emrat e atyre që kanë shërbyer në 3 dekada këtu. Një ambasador amerikan në Tiranë është me fat, pasi ushtron detyrën në një vendet më pro-amerikane në planet. Fjala e tyre konsiderohet si më e rëndësishmja, dhe masivisht njerëzit mendojnë se shpesh, sidomos në raste krizash, zgjidhja vjen prej tyre. Për Yuri Kim ka shumë pritshmëri në publik. Shumë gjëra tashmë janë mësuar rreth saj, dhe media ka publikuar CV dhe angazhimet e deritanishme. Citimet e saj janë ende të pakta. Në komisionin e senatit amerikan, ajo u shpreh për prioritetet që do të ketë, ku theks të veçantë zuri Reforma në Drejtësi dhe SPAK e BKH. Po ashtu, ajo përmendi edhe krizën politike në vend, dhe nevojën për të punuar për zgjidhjen e saj. Se sa peshë ka një ambasador apo zyrtar amerikan në vendin dhe në rajonin tonë, mjafton të kujtojmë ndikimin e tyre në zhvillimet e ashpra politike të vitit që kaloi, ku gjithkush beson se ishte qëndrimi i tyre që shmangu një përplasja fatale politike. Apo, ajo që ndodhi më së fundmi, ku prej ndërmjetësimit të tyre, u vendos linja ajrore mes Beogradit dhe Prishtinës, një zhvillim mes dy vendeve që kanë ndërprerë bisedimet mes tyre prej gati dy vitesh tashmë.



BKH dhe SPAK


Ikja e Donald Lu, ish-ambasadorit të SHBA në Shqipëri vjeshtën e 2018-ës do e linte ambasadën amerikane për më shumë se dy vjet nën drejtimin e zëvendësambasadores Leyla Moses. Ish-ambasadori ishte investuar jo pak, për miratimin e Reformës në Drejtësi. Duhet thënë se një meritë jo të vogël ai pati në miratimin e ndryshimeve kushtetuese, që i hapën rrugë kësaj reforme, me 140 vota, pavarësisht rezervave të njërit apo tjetrit krah politik. Dhe duket se ky vazhdon të mbetet ende një prioritet kryesor i SHBA-ve që shprehet përmes ambasadores së re. Në fjalën e mbajtur në komisionin e jashtëm të kongresit në tetorin e kaluar Kim i mëshoi fort idesë së ngritjes dhe funksionimit të BKH dhe SPAK. “Në mënyrë më thelbësore, do të forcoj ndihmën e huaj dhe diplomatike për të forcuar sundimin e ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të inkurajojnë Shqipërinë për të zbatuar plotësisht Reformën në Drejtësi dhe për të vazhduar vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve si dhe për të krijuar SPAK dhe BKH. Gjithashtu do të dyfishoj angazhimin dhe ndihmën teknike amerikane për hetimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar transnacional”, do shprehej Kim.

Ngërçi

E megjithatë përpos kësaj duket se në vëmendjen e ambasadores së re nuk do kalojë pa pak vëmendje edhe situata politike, dhe ngërçi që po vazhdon prej së paku tre vjetësh në vendin tonë sot. Sot Shqipëria megjithëse ka marrë kryesimin e OSBE-së, ka një parlament të cunguar me opozitën jashtë saj, dhe me të zgjedhur vendorë që kanë marrë administrimin e bashkive pa një garë të qenësishme që është dhe thelbi i një demokracie. Ka akuza për manipulime votash në zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore, dhe nuk ka Gjykatë Kushtetuese që të vendosë mbi ligjshmërinë e mandateve që ata zotërojnë. Duket se objektivi, zgjidhja e ngërçit, do duhet të ndodhë shpejt, brenda këtij viti. “Do të vazhdoj të promovoj zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Në mënyrë të menjëhershme do të nxis drejtuesit e Shqipërisë që të zgjidhin ngërçin politik aktual në mënyrë që të përforcohet kërkesa e pranimit të Shqipërisë në BE dhe të përmirësohet pozicioni i Shqipërisë për të pasur sukses gjatë mandatit të saj si kryetare e OSBE-së në vitin 2020”, është shprehur zonja Kim, në senatin amerikan, gjatë seancës dëgjimore.

 

Pak popuj na duan aq shumë sa shqiptarët

Nga Yuri Kim

Është një nder i veçantë që të paraqitem para jush si e nominuara e presidentit Donald Trump për ambasadoren e radhës në Shqipëri. I jam mirënjohëse presidentit dhe sekretarit Pompeo për besimin që më kanë dhënë. Nëse konfirmohem, do jem e para grua koreano-amerikane që do të përfaqësoj kombin tonë të madh si ambasadore. Unë do jem po ashtu e para ambasadore nga territori amerikan i Guamit. Në fakt, më janë bashkuar sot një grup me mbështetës nga vendlindja ime, përfshirë vëllezërit e mi Yeong-Sae dhe nënkolonelin Minwoo Kim- i pari promovon inovacionin dhe sipërmarrjen në Luginën e Silikonit, i dyti ruan kombin të sigurt në një bazë ajrore si oficer municionesh. Prindërit dhe anëtarët e mi të familjes do jenë pa dyshim duke më ndjekur nga Guam apo kudo që do jenë. Për më shumë se dy dekada, kam pasur privilegjin që t’i shërbej vendit tim si oficere e shërbimit të jashtëm. Nga Pekini në Bagdad, por edhe në vendet e ndërmjetme, kam kërkuar që të siguroj se Shtetet e Bashkuara do mbeten të forta dhe të sigurta; që populli ynë dhe biznesi ynë të lulëzojë; dhe që ne të sigurojmë vazhdimësinë e institucioneve dhe rregullave që kanë garantuar paqe dhe prosperitetin e Amerikës gjatë shekullit të kaluar. Nëse konfirmohem, mezi pres që të vazhdoj këto përpjekje duke forcuar më tej marrëdhëniet tashmë të forta dhe produktive me Shqipërinë. Pak miq e kanë përqafuar më ngrohtësisht- sondazh pas sondazhi tregon se mbështetja e shqiptarëve për Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet ndër më të lartat në botë. Pak aleatë kanë qenë më besnikë- trupat shqiptare kanë qenë në anën tonë në Afganistan, Kosovë, Bosnjë etj. Dhe pak partnerë janë po aq të gatshëm për të bërë më shumë me Shtetet e Bashkuara. Ne kemi një mik të fortë dhe besnik në Shqipëri dhe është e domosdoshme që ne të ruajmë miq si Shqipëria pranë nesh, veçanërisht përballë sfidave strategjike për interesat, vlerat dhe institucionet tona të përbashkëta.  Nëse konfirmohem, do të avancoj këto tri prioritete:

Së pari, do të inkurajoj Shqipërinë që të ruajë kursin e saj të qëndrueshëm për të arritur 2 për qind të investimeve prej 2 për qind për mbrojtjen, në mënyrë që Shqipëria të jetë një aleat edhe më i fortë dhe më i zoti. Që kur Shqipëria u anëtarësua në NATO në vitin 2009, ushtarët shqiptarë kanë luftuar krah për krah me trupat amerikanë. Në Afganistan, shqiptarët kanë qenë me ne duke këshilluar dhe stërvitur trupat afgane. Shqipëria ka qenë gjithashtu një partner i besueshëm në Koalicionin Global për mposhtjen e ISIS. Veprimet e Shqipërisë tregojnë se jo vetëm që vlerëson përfitimet e NATO-s, por edhe pranon përgjegjësitë e anëtarësimit.

Së dyti, do të vazhdoj të promovoj zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Në mënyrë të menjëhershme do të nxis drejtuesit e Shqipërisë që të zgjidhin ngërçin politik aktual në mënyrë që të përforcohet kërkesa e pranimit të Shqipërisë në BE dhe të përmirësohet pozicioni i Shqipërisë për të pasur sukses gjatë mandatit të saj si kryetare e OSBE-së në vitin 2020.

Aspiratat e Shqipërisë për në BE- dhe reformat që sjellin ato- do të sjellin më shumë prosperitet dhe stabilitet për vendin dhe rajonin dhe do e bëjnë Shqipërinë një aleat më të fortë dhe më të aftë për Shtetet e Bashkuara.

Në mënyrë më thelbësore, do të forcoj ndihmën e huaj dhe diplomatike për të forcuar sundimin e ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të inkurajojnë Shqipërinë për të zbatuar plotësisht Reformën në Drejtësi dhe për të vazhduar vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve si dhe për të krijuar SPAK dhe BKH. Gjithashtu, do të dyfishoj angazhimin dhe ndihmën teknike amerikane për hetimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar transnacional.

Së treti, unë do të vazhdoj të punoj për të promovuar eksportet e SHBA dhe investimet e SHBA në Shqipëri, në mënyrë që të siguroj mundësinë për SHBA, por edhe për qytetarët shqiptarë, që të krijojnë vende pune në të dy vendet. Investimet amerikane kërkojnë një klimë mikpritëse biznesi dhe një fushë të barabartë loje për kompanitë dhe investitorët tanë. Në këtë drejtim, do të nënvizoja atë besim në sundimin e ligjit dhe transparencën si thelbësore.

Ndërsa ndjekim përparësitë tona, do të bëj çmos për të menaxhuar dhe ruajtur burimet tona jashtë vendit, veçanërisht burimin tonë më të rëndësishëm; punonjësit e dedikuar të ambasadës sonë. Puna e madhe dhe përkushtimi i tyre janë thelbësore për të arritur qëllimet e Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan.

Ne i detyrohemi vetes që të kujdesemi për njerëzit tanë, dhe të sigurojmë që ata janë të sigurt, dhe të ofrojmë mbështetje dhe burimet e nevojshme që ata të kenë sukses në emër të kombit tonë. Nëse konfirmohem, mezi pres të avancoj interesat e SHBA duke punuar së bashku me Kongresin dhe këtë Komision për të vazhduar forcimin e lidhjeve tona të forta me qeverinë dhe popullin shqiptar.

*Fjala e mbajtur nga e nominuara si ambasadore e SHBA në Shqipëri, në Uashington përpara Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme në një seancë për konfirmimin e saj.

 

Qafoku: Yuri Kim, profili më i lartë i SHBA në Tiranë, në 100 vjet

Për gazetarin Roland Qafoku, profili i zonjës Yuri Kim është ndër më të lartët që SHBA ka dërguar në Shqipëri në gati 100 vitet e fundit, pas atij të ambasadorit Bernstein që shërbeu në vendin tonë në vitet ‘30. “Ambasadorja Yuri Kim mbart statusin më lartë të një diplomati amerikan që State Department ka dërguar në Shqipëri që nga viti 1922 kur u vendosën marrëdhëniet mes dy shteteve. Një profil kaq të lartë e mbante më parë ministri Herman Bernstein që shërbeu në Tiranë në vitet e largëta 1930-1933. Ai më parë kishte qenë gazetar i New York Times”, shprehet Qafoku më anë të një statusi në rrjetin social Facebook. Duke shprehur dhe një herë bindjen se prioritet i saj do të jenë ngritja dhe funksionimi i SPAK dhe BKH, Qafoku thotë se në asnjë rast diplomatët amerikanë nuk bëjnë politika personale por përfaqësojnë politikat e departamentit të shtetit. “Lidhur me ata syresh që shprehen se diplomatët amerikanë ndërhyjnë në punët e brendshme të Shqipërisë, për mendimin tim ose në rastin më të mirë janë injorantë të lumtur dhe nuk kanë njohuri për asgjë në marrëdhëniet mes dy vendeve ose në rastin më të keq nxiten nga qëllime të atyre që nuk e duan Shqipërinë. Shqipëria dhe shqiptarët i kanë dy borxhe të mëdha SHBA-së: Konfirmimin e shtetit shqiptar në 1919 dhe krijimin e shtetit të Kosovës në 2018. Pa SHBA dhe presidentin Thomas Woodrow Wilson në 1919 dhe presidentët Bill Clinton e George Bush në 2008, shqiptarët nuk do kishin kurrë shtetin e tyre e aq më tepër dy shtete. Kaq mjafton për t’u thënë atyre që ndihen të prekur nga “ndërhyrjet” e amerikanëve se duhet të korrigjojnë shënjestrën. Sulmoni armiqtë dhe jo më miqtë e Shqipërisë! SHBA kanë qenë, janë dhe do të mbeten aleati strategjik, mbështetësi numër 1 i Shqipërisë ashtu siç e kanë treguar me vepra në këta 98 vjet. “Kemi 100 vite që jemi me ju. SHBA do jetë edhe 100 vjet të tjera me ju”, – tha Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton në nëntor të vitit 2012 kur vizitoi Tiranën”, shprehet ndër të tjera Qafoku.

 

Gjekmarkaj: Shqipëria që gjen Yuri Kim, duhet të ndërhyjë për kthimin e legjitimitetit

Pedagogu dhe analisti Agron Gjemkarkaj, në një analizë të botuar në gazetën Panorama me titull “Një letër për Juri Kim dhe Shqipërinë”, shprehet se ambasadorja e re duhet të shikojë realitetin ashtu siç është dhe jo siç bënte paraardhësi i saj Donald Lu, i cili, sipas tij, heshti për kanabizimin e vendit dhe për çdo gjë që shkonte keq fajësonte opozitën. Sipas analistit kjo solli një ide të përgjithshme që për çdo gjë, Edi Rama kishte bekimin e Amerikës. Në këtë kontekst, Kryeministri dhe qeveria, një e dy, na thonë për çdo gjë “kemi Amerikën me vete”.

“Në fakt, paraardhësi juaj i nderuar, Donald Lu, që mësoi edhe shqip mjaft mirë, nuk tha asnjë fjalë për ta dënuar projektin më të madh politik të “Rilindjes” kanabizimin e vendit. U tund e trand media botërore, por ai heshti me stoicizëm. Dilemë e madhe zu fill. Në shumicën e rasteve, për çdo gjë që shkonte keq, ai ndëshkonte opozitën me deklarata e qëndrime. Jo pak vetave u është mbushur mendja që Edi Rama, për çdo gjë që bën e që ndodh këtu, ka bekimin e vendit të madh mik”, thotë Gjekmarkaj. Duke i bërë një panoramë asaj çfarë po ndodh, me kapjen e institucioneve të drejtësisë, mungesën e gjykatave, opozitën jashtë parlamentit si shkak i sjelljes arrogante të pushtetit, futjen e kriminelëve në parlament dhe pushtet lokal, zgjedhjet e 30 qershorit sipas stilit monist pa të drejtë zgjedhjeje, Gjekmarkaj jo pa ironi shton se i vetmi institucion që ka mbetur funksional tashmë është “mëshira” e Kryeministrit. “Të gjitha pushtetet sot i ka Kryeministri në mënyrë piramidale. Nuk kemi as Gjykatë Kushtetuese, tash sa vjet, e as të Lartë. Mëshira e Edi Ramës është i vetmi institucion që punon. Varemi vetëm prej saj. Hamleti thotë se diçka është kalbur në Danimarkë. Këtu shumë më tepër! Ekonomia është në duart e 10 personave klientë të pushtetit, që marrin koncesionet dhe tenderët publikë. Së fundmi, Parlamenti miratoi edhe ligjin më të kontestuar në këta 30 vjet nga opinion vendës dhe ai ndërkombëtar, atë të “antishpifjes”, i cili synon të intimidojë zërat kritikë ndaj qeverisë dhe të investojë tek autocensura. Vendi ka nevojë për legjitimitet dhe stabilitet”. Duke e ftuar që të ketë një qasje tjetër ndaj fenomeneve, Gjekmarkaj i kujton zonjës Kim se ishte Presidenti Willson ai që  nuk lejoi ndarjen e Shqipërisë këtu e 100 vjet më parë. “Këta janë aleatët e Kryeministrit, mos më besoni mua aspak, vetëm gjeni pak kohë të shikoni listat e kryebashkiakëve, deputetëve e të tjerë dinjitarëve pranë tij. Presidenti Uilson e shpëtoi vendin tonë nga copëtimi, ndërsa sot, po me sytë nga ju, pasi kemi dështuar së brendshmi, kërkojmë të na ktheni si fuqi e madhe e mike, atdheun që na kanë grabitur sundimtarët, i cili rrezikon të copëtohet nga zbrazja. Na duhet një aleat për t’u përballur me hajdutët, kriminelët dhe batakçillëkun që po na zë frymën. Kodi zakonor nuk na e lejon t’i kërkojmë mikut që kemi në shtëpi, por ajo po shembet se minjtë i kanë gërryer trarët. Kjo është Shqipëria që gjeni, e nderuar Shkëlqesi, plot me njerëz të mirë e të zotë të shmangur përdhunë nga çdo mundësi për t’i shërbyer vendit të tyre!” shkruan Gjekmarkaj.


Etiketa:

Pas