Aktualitet

Kronika e një gjëme të paralajmëruar!








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:03 - 20/05/20 |
Armand Maho

Në fjalorin e shqipes fjala “gjëmë”, ka kuptimin e një fatkeqësie të madhe. Interpretohet si dhimbje dhe indinjatë, por dhe frikë, panik e tmerrkur pret të ndodhë ajo që s’ta rrok mendja! Është diçka e keqe e shëmtuar, që mezi durohet. Përmbledh në të ardhjen e një pushtimi, shkatërrimi, dhune epidemie e gjithçka tjetër të keqe që mund t’i ndodhë njeriut.


Është mallkim, është vajtim, është revoltë, është mbushje e shpirtit, që të bën të vajtosh me britma e me kujë, të çjerrësh faqet e të shkulësh flokët. Në një shtëpi ku ka ndodhur gjëma, nuk mund të qeshësh e nuk mund të skërmitesh, mundesh vetëm të vajtosh. Shkaktari i gjëmës përzihet fshatçe e syrgjynoset. Në disa qytetërime vritet dhe me gurë ende dhe sot.


Ajo që ndodhi në mëngjesin e 17 majit, ishte “kronika e një gjëme të paralajmëruar” që në vitin 2013, kur “gjëma” u shfaq si shpëtimtare. Ndryshoi dhe emrin duke e bërë “Rilindje”, premtoi shumë. Punësim, pensione parajsën mbi tokë. Dhe shqiptarët i besuan. Një gabim historik, i dyti pas atij të vitit 1945. Dhe “gjëma” nuk u vonua shumë. Rekrutoi figurat më të errëta të botës së krimit duke thirrur nën armë çdo “qelbësirë” që ka prodhuar ky vend, jo vetëm në 30 vitet e fundit por dhe më parë. Iu dha pushtet e para. Iu hapi rrugën për trafiqe e leje ndërtimi. Infektuan shoqërinë, i vdiqën nervin e protestës, nën moton “pakësoi ushqimin dhe shtoi drurin”.


Historia e këtij vendi, filloi të vërtitej rreth boshtit të kësaj aleance, që çdo gjë të bukur e historike qëi kish mbijetuar tranzicionit të gjatë, iu ofrua në tavë në formën e truallit atij që paguante më shumë. Rëndom ishin baronë droge dhe oligarkë. Fjala e intelektualit, akademikut, artistit, juristit arkitektit, inxhinierit apo mjekut u zhvlerësua nën ngërdheshjen e paturp të të pashkollit, provincialit e kriminelit, që morën një emër të madh “Rilindas”.


Vlerë tashmë kishte fjala e trafikantit apo e kriminelit që kish lënë armët e dikurshme, koburen apo thikën, dhe kish veshur kostum e kollare. Fundosja e çdo vlere nën themelet e kullave shumëkatëshe që ngriheshin me paratë e drogës, quhej progres dhe “rilindje urbane”. Shkatërroi drejtësinë, shëndetësinë, arsimin, stadium e sheshe tamam si një zjarr që merr përpara ç’të gjejë!

Prova më e mirë është ai grumbull inertesh që u la pas në atë mëngjes të 17 majit. Të lodhur e të stërmunduar, të zhgënjyer dhe të harruar shqiptarët s’donin ta dëgjonin zërin e arsyes, të atyre që tregonin me gisht “gjëmën” ulur këmbëkryq në çdo vatër. Të Rilindjes që i vjedh ditën për diell me gjithfarë artificash ligjore, i përzë fëmijët larg, i ngop me propagandë, dhe i tregon nderin e madh që po i bën duke i sjellë zhvillim me anë të betonit që e hedh ku të mundet.

I zhveshi dinjitetin, i vodhi pronën, i shkatërroi historinë gjithmonë në emër të progresit. Teatri Kombëtar, dhe sheshi përreth tij ishte nga gjërat e fundit që kishte mbetur pa grabitur. Faji i asaj ndërtese të projektuar nga arkitektët fiorentinë, unike në llojin e saj, ishte se ndodhej në një vend që vlen miliona euro.

Italia krenohej se në një vend si Shqipëria kish mbetur akoma një ndërtesë, pjesë e kulturës së saj. Shumë qytetarë të Tiranës ose jo, në atë vend kanë shijuar impresionet e para të një shfaqjeje. Kanë kaluar pikërisht nëpërmjet asaj dere që u shemb me përdhunë nga fadromat qeveritare. Ai është vendi i historisë së shumë prej nesh që kemi jetuar në këtë qytet.

Aty janë ngjitur për herë të parë në skenë, shumë nga kolosët që sot i nderojmë dhe i duam, edhe ata që për turpin e tyre vunë firmën që ajo skenë të shembej. Shumë e kuptuan gabimin fatal të para shtatë viteve.

Po kujt i duhet kjo? “Rilindjes” i duhej medoemos trualli, dhe prandaj u sul egërsisht. Paratë duhen pastruar, dhe borxhet duhen shlyer. Edhe po ta ngremë ashtu siç ishte atë godinë, sërish s’do jetëkurrë asgjë si më parë.

Ky krim e do një shpagim. Ka ardhur koha që dikush duhet të provojë hekurat e ftohta të prangave. Por që të ndodhë kjo duhet që më parë të heqim barrën që na ka rënë mbi supe, Edi Ramën.


Etiketa: , ,

Pas