Kryetari i Bashkisë së Korfuzit, George Machimaris, ngre sërish çështjen e transferimit të ujit nga Shqipëria në ishullin grek që ai drejton. Me qëllim për të përballuar mungesën e pritshme të ujit në dekadat e ardhshme në ishullin e Korfuzit, grekët duan të marrin ujin e pijshëm nga Syri i Kaltër, një prej atraksioneve turistike të vendit tonë.
Siç thuhet në preambulën e propozimit të tij, “menaxhimi i burimeve ujore është i lidhur drejtpërdrejt dhe i përfshirë në mënyrë aktive si me ekonominë dhe zhvillimin, ashtu edhe me mjedisin dhe është një parakusht për çdo formë të zhvillimit shoqëror”.
Ndërkohë që Greqia kërkon të marrë ujin e pijshëm nga Shqipëria, pasi parashikon një krizë në dekadat e ardhshme, kujtojmë se shumë qytete të vendit tonë vuajnë aktualisht nga mungesa e ujit të pijshëm.
“Me saktësi matematikore dhe duke marrë parasysh si zhvillimet ashtu edhe situatën aktuale në vitet në vijim do të përballemi me krizën e ujit, një krizë që zvarritet për më shumë se 30 vite radhazi”, tha Machimaris.
“Me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj shoqërisë sonë, ndaj vizitorëve tanë, ne paraqesim një propozim/memorandum teknik të furnizimit me ujë me transferim uji nga Syri i Kaltër i Shqipërisë fqinje, duke marrë parasysh dhe shfrytëzuar përvojën e tubacionit nëndetësor që lidh ujësjellësin në BE”, thotë ai.
Kujtojmë se edhe Italia përmes një projekti të ngjashëm kërkon të marrë Syrin e Kaltër për të furnizuar qytetet bregdetare përtej Adriatikut dhe Jonit.
Ndërkohë që Shqipëria duket se është kthyer në një vend ku mund të blihet gjithçka, Korfuzi madje ka bërë edhe studime lidhur me këtë projekt, siç është studimi ekzistues i Politeknikut (1991). /Liberale.al/