Kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj së bashku me disa zyrtarë të tjerë të këtij institucion kanë përfunduar në gjyq, pasi akuzohen për shpërdorim të detyrës,
Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimin dhe ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj kryetarit të Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj dhe për gjashtë zyrtarë të tjerë të këtij institucioni, të gjithë në cilësinë e Komisionit të Strehimit, të akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ndaj të gjithë zyrtarëve, me kërkesë të Prokurorisë, gjykata ka vendosur fillimisht masën e sigurisë “ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Gjithashtu, bashkë me zyrtarët, prokuroria ka marrë të pandehur edhe 6 persona të ndryshëm, të akuzuar për “fallsifikim dokumentash”, në rastin e aplikimeve për lehtësira në strehim, për të përfituar nga kuotat përkatëse të Bashkisë.
Akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim:
- Baftjar ZEQAJ, me masë sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”
- Agron BEGAJ, me masë sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”
- Fatmir KAJOLLI, me masë sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”
- Ramiz HOXHAJ, me masë sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”
- Alfred BOÇOVA, me masë sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”
- Selman BRAÇE, me masë sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”
- Esmeralda KAPLLANAJ, me masë sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”
Akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumentave”, gjashtë herë:
- Mimoza Kollçinaku
- Gazmir Dano
- Enver Lloshi
- Shaban Selaci,
- Ylli Dhjari,
- Faslli Zhara
Hetimi ka nisur në bazë të kaallëzimit nga 15 persona, të cilët kanë aplikuar pranë Bashkisë Fier per tu trajtuar me banesa sociale si të pastrehë. Kallzimet, pavarësisht specifikave të tyre, që lidhen me faktin se përse duhet të ishin trajtuar si të pastrehë, në përgjithësi trajtojnë të njëjtat problematika dhe shkelje të proçedurave ligjore nga ana e Komisionit të Strehimit, të ngritur për përzgjedhjen e aplikuesve si të pastrehë.
Nga materiali kallzues dhe pyetja e personave të cilët nuk janë kualifikuar për trajtim me banesë sociale, është konstatuar se pretendimet e tyre lidhen së pari me faktin se Komisioni i Strehimit ka publikuar një listë e cila nuk ishte e pikëzuar, në ambjentet e Bashkisë Fier. Në këtë mënyrë asnjëri prej tyre nuk kishte mundësinë për të mësuar se me sa pikë ishte vlerësuar nga Komisioni, që të kishte mundësinë të ankohej nëse nuk ishte dakort me vlerësimin.
Kallëzuesit kanë shpjeguar se Komisioni i Strehimit nuk ka marrë për bazë listën e parë të personave të cilët kanë aplikuar por kanë futur në listën e aplikuesve edhe persona të tjerë të rinj, të cilët kanë përfituar me vendimin përfundimtar të Këshillit të Bashkisë. Kallzuesit pretendojnë se pavarësisht se kanë marrë pikët e nevojshme nga Komisioni i Strehimit, nuk kanë fituar në listën përfundimtare të miratuar nga Këshilli i Bashkisë.
Kallëzuesit kanë shpjeguar faktin se nuk ka patur transparencë gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre, pasi në listën e fituesve janë futur edhe persona të cilët janë me prona, biznes ose të afërm të këshilltarëve që kanë votuar në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë Fier, datë 09 shtator 2012.
Duke u nisur nga fakti se nuk kanë përfituar banesa sociale me qera, kallzuesit kanë ndjekur rrugën penale duke depozituar kallzim në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier si dhe kanë ngritur padi administrative në Gjykatë duke goditur vendimin e Këshillit të Bashkisë.
Pas regjistrimit të proçedimit penal dhe hetimeve të kryera, është konstatuar se pretendimet e kallzuesve janë të drejta, pasi rezultojnë një sërë shkeljesh ligjore në proçedurat e pranimit, shqyrtimit dhe përzgjedhjes së familjeve të pastreha në qytetin e Fierit.